Fjala e Kryeministrit Rama me
kampionët e peshëngritjes

Fjala e Kryeministrit Rama me<br />kampionët e peshëngritjes
“Mirëserdhët!

Është padyshim, krenari dhe kënaqësi fort e posaçme që dyert e kësaj godine u hapën sot për kampionë të mëdhenj, për talente që do të jenë kampionë në të ardhmen dhe për të gjithë ata që në rolin e drejtuesve të federatave, në rolin e mësuesve të këtyre kampionëve, në rolin e prindërve të kësaj gjenerate të re kampionësh, janë këtu sot, bashkë me ne, drejtuesit e sotëm të këtij vendi, që kemi vendosur ta bëjmë sportin një nga instrumentet e rëndësishëm të rilindjes së vendit dhe ripërtëritjes së shoqërisë sonë. 

Për talentet e vendit tonë në sport, në art, por edhe në shumë fusha të tjera, ku talenti është i rëndësishëm, jo rrallë herë kemi bërë pyetjen: “po të ishte në një vend tjetër, në çfarë majash do të ishte ky apo ajo, dhe si do të trajtohej?” Fatkeqësisht, përgjigjen e kemi marrë gjithmonë në raste të hidhura për ne, kur talente të këtij “barku” kanë qenë të detyruar të shkëputen dhe të shkojnë larg, të marrin pasaporta të tjera, të veshin uniforma të tjera dhe të ngrenë flamuj të tjerë për të provuar sesa vlejnë dhe për t’u vlerësuar për atë që vlejnë. Sot, kënaqësia është e dyfishtë, sepse Erkandi, Danieli, por edhe Luiza kanë dhënë një përgjigje që për ne ka tingëlluar edhe si shkundje e fortë, që pavarësisht kushteve, pavarësisht hendekut të madh në vlerësim dhe në trajtim kanë arritur në maja, ku është detyra jonë që t’i mbajmë dhe është detyra jonë të ngjisim të tjerë, pa i bërë majat e arritshme përmes talenteve tona, të paartishme, për shkak të papërgjegjshmërisë, të paaftësisë dhe të banalitetit të politikës dhe të qeverisjes së vendit tonë.  Në një vend si i yni, - ku të gjithë jemi dakord se nuk është e lehtë të ëndërrosh kaq lart majat kur je sportist, sado i talentuar të jesh, sepse vështirësitë janë shumë të mëdha, - këta të rinj shqiptarë provuan fjalën e një amerikani të madh, Michael Phels-it, i cili thoshte: “Asgjëje nuk mund t’i vësh limit. Madhësia e suksesit tënd varet vetëm nga madhësia ëndrrës që ti ushqen.” Por, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Dhe për sportistin apo sportisten në Shqipëri, nga ëndrra për të shkuar tek realizimi i saj është në mes një det i madh pengesash dhe pamundësish. Më kujtohet edhe mua ajo skenë rrëqethëse, kur kampionët me medaljet e tyre u vendosën përpara kësaj godine për të bërë që dikush t’i shohë, dikush t’i dëgjojë, dikush t’iu shtrijë dorën, jo për lëmoshë, por për atë solidaritet që përveç të tjerash është edhe i shkruar në ligjin për sportin në Republikën e Shqipërisë, pa të cilin nuk do kishte pasur, jo në Shqipëri, po askund, as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as në Gjermani, as në Kinë dhe as kudo të rinj e të reja që do mund t’i materializonin ëndrrat e tyre në sport, në formën e çudirave, e rekordeve të paimagjinueshme, e arritjeve të papërshkrueshme.

Unë jam modestish krenar që sot kampionëve tanë nuk i është dashur të rreshtohen përpara Kryeministrisë për t’i përdorur medaljet e arritura me kaq sakrifica, duke ushqyer me kaq shumë pasion një ëndërr që në Shqipëri duket një çmenduri, si një pankartë për të thënë jemi edhe ne gjallë e mos na lini të vdesim bashkë me ëndrrat tona, por janë këtu në vendin e nderit, Zot jo vetëm të fatit të tyre, por edhe Zot të kësaj godine, ku zyra është e imja, zyrat janë tonat, por pushteti në sport është i tyre. Pushteti në sport është i të gjithë atyre që me sportin dhe nëpërmjet sportin i japin kësaj shoqërie mesazhin fantastik, se asgjëje nuk mund t’i vësh kufi dhe se madhësia e suksesit tënd varet vetëm nga madhësia e ëndrrës që ti ushqen. Është një mesazh për të gjithë; Është një mesazh për çdo fëmijë për të arritur rezultatet më të larta në mësime; Është një mesazh për çdo të ri, për të mos qëndruar duarkryq dhe as në gjunjë përballë sfidave të jetës dhe përballë pamundësisë që në dukje është e pathyeshme, por në fakt është tërësisht e kapërcyeshme me forcën e ëndrrës dhe të vullnetit; Është një mesazh për çdo prind, për çdo familje, për të mos t’iu dorëzuar dëshpërimit, për të mos t’iu dorëzuar fatalitetit dhe për të mos t’iu dorëzuar pengesave të një momenti të vështirë; Është një mesazh për gjithë shoqërinë shqiptare, për gjithë Shqipërinë për të mos iu dorëzuar inercisë së një tradite që, fatkeqësisht, na ka bërë të varfër jo në ekonomi, por në aspirata. 

Nuk ka varfëri më të madhe dhe më të rrezikshme për një vend e për një popull sesa varfëria e aspiratave. Këta kampionë, sot, janë dëshmitarët më të mëdhenj që i duhen Shqipërisë për të treguar se kush është i pasur në aspirata arrin çdo majë që i vë vetes qëllim për të arritur. Kush nuk i dorëzohet varfërisë së aspiratave është i destinuar që të fitojë mbi varfërinë ekonomike, të fitojë mbi margjinalizimin social, të fitojë mbi çdo vështirësi që jeta ia nxjerr padrejtësisht përpara.

Sot, unë kam shumë kënaqësi që jo thjeshtë ti nderoj me fjalë, dhe falë edhe pranisë së Ministres sonë të shkëlqyer të Arsimit dhe Sportit, falë edhe “Dekanit” tonë të sportit në gjirin e kësaj shumice qeverisëse, Fidel Yllit, falë edhe Elez Gjozajt, që ka dëshmuar me përkushtimin dhe me ambicien e tij për t’i mbështetur dhe për t’i inkurajuar këta sportistë, sesa e rëndësishme është që të jemi të gjithë bashkë dhe se sado talent dhe sado ambicie edhe sado ëndrra të ushqejnë sportistët tanë, është e pamundur që t’ia dalin pa pasur pas. Jo vetëm trajnerë që fati ti sjell rrallë, - unë e di, sepse edhe mua fati më solli trajnerë që nuk i harroj kurrë, pavarësisht se nuk isha një talent si talentet që kemi sot këtu, - por sporti është i rëndësishëm jo thjesht për të nxjerrë kampionë, sporti është i rëndësishëm për të ndërtuar njerëz. Trajnerë si Zef Kovaci, të cilin të qenit i djathtë nuk e pengon të vlerësojë ata që nga e majta bëjnë më shumë sesa e djathta, si gjithmonë kuptohet. Pra është e qartë që të gjithë duhet të jenë bashkë. Dhe një tjetër vlerë e madhe e këtij takimi sot është se dëshmia e të gjithëve ne që jemi këtu, provon se jemi të vetëdijshëm për apelin që përmes medaljeve të tyre dhe përmes këtyre arritjeve madhështore e të papritura për shumëkënd na bëjnë kampionët tanë. Janë ato medalje që na imponojnë me forcë që ne të jemi të gjithë bashkë, për të ëndërruar bashkë me ta dhe për ta ndjekur me të njëjtën forcë, secili në pozicionin e vetë dhe rolin që i takon, ëndrrën e tyre si një ëndërr që nuk është ëndrra e një peshëngritësi, ëndrra e një atleteje apo  ëndrra e një mundësi e me radhë në vetvete, por është ëndrra e një vendi, është ëndrra e një shoqërie, është ëndrra e një gjenerate, për të kapërcyer pengesa që padrejtësisht dhe gabimisht i janë vendosur përpara, sikur të ishin male të pakapërcyeshme.

Në radhë të parë, do të doja që të ndaja me ju të gjithë dhe përmes kësaj salle me të gjithë dashamirësit e sportit, një projekt që është jo dhurata për Erkandin, për Danielin dhe për të gjithë gjeneratën e re të kampionëve tanë, por është dhurata që kampionët tanë i bëjnë, më në fund, pas njëzet e kusur vitesh, këtij sporti ku Shqipëria ka pasur, ka dhe do të ketë kampionë. Sepse është e paimagjinueshme që në Shekullin XXI, 100 vjet pas krijimit të shtetit shqiptar, në vitit 2014, talentet e reja të vazhdojë të stërviten aty ku stërvitej Agron Haxhihyseni, aty ku stërvitej Mirian Hakani, aty ku stërvitej i ndjeri Aleksandër Kondo, aty ku stërviteshin të gjithë ata që atëherë trajtoheshin me të drejtë si talente të veçanta, por mjediset edhe atëherë, në atë kohë, linin shumë për të dëshiruar dhe s’kishin asgjë të përbashkët me mjediset ku stërviteshin konkurrentët e tyre. Parafytyroni sot. Futur në disa vrima, poshtë shkallëve të stadiumit, sportistë, drejtues federatash, ish –sportistë, trajnerë, të gjithë aty poshtë, në lagështi, në mjedise mizerabël dhe pa lidhje fare me fjalimet, me programet, me propagandën se sporti është i rëndësishëm, se do të mbështesim sportin, etj., etj. Këto medalje bënë të mundur që ne të ngutemi. Sot unë kam shumë dëshirë që bashkë me një dhuratë shumë simbolike për kampionët, si kujtim të kësaj dite të prezantoj edhe mjedisin e ri ku do të stërviten peshëngritësit tanë, nga viti i ardhshëm e në të ardhmen. Ku më në fund edhe profesor Zefi do të ndihet si trajner kampionësh bote, e kampionësh olimpikë, jo thjesht se ata marrin medalje, por edhe se profesori do mund të shkojë në një palestër ku nuk do të detyrohet që peshëngritësi të rri brenda e profesori të rri jashtë dhe t’i flasë nga dritarja, se nuk ka vend për dy vetë. 

Do të dëshiroja që me projektin në sfond, të ftoja këtu, në radhë të parë Erkandin për të qenë bashkë me mua dhe pastaj me radhë edhe Danielin, edhe Luizën.

Për Erkandin, një dhuratë shumë simbolike, butonat e këmishës, që zakonisht i dhurohen vetëm homologëve, por që kampioni ynë i meriton. Se nuk është një njeri vetëm për t’u parë dhe për t’u çmuar kur është me uniformën e peshëngritësit përballë shtangës, por është për t’u parë e për t’u çmuar edhe kur flet për Bethovenin, siç tha profesor Zefi. Kështu që me këto butona flitet edhe më mirë për Bethovenin.

Erkand Qerimaj: Desha ta falënderoj Kryeministrin Edi Rama. Pas garës, kur u shpalla kampion Europe, ishte ora 12 e natës dhe duke parë mijëra e mijëra urime që kishin ardhur nga shqiptarët në të gjithë botën, ishte edhe urimi i Kryeministrit: “Erkand Qerimaj në çatinë e Evropës, përulje me respekt”. Ishte një emocion që e kaloi edhe emocionin e garës, për veçantinë dhe sinjalin që do të jepte më pas ky mesazh. Sepse nuk ishte vetëm një mesazh, por ishte një mesazh që u tregonte të gjithë institucioneve që do të ketë edhe një ndryshim; do të ketë një ndryshim në trajtimin e sportistëve; do të ketë një ndryshim në gjithë sportin. Dhe e falënderoj sinqerisht. E falënderoj edhe për pritjen sot. Se emocionet kanë qenë të mëdha dhe puna ka qenë shumë e madhe. Një ditë kur rrathët e syve më ishin nxirë nga lodhja dhe sakrificat e shumta, trajneri im i madh, Zef Kovaçi më tha “Do thuash atje: Ja ku jam. Ndaj harroji këto lodhjet dhe vazhdo stërvitjen”. E falënderoj profesor Zefin, se është si një njeri i familjes, si baba, si shok, për të gjithë mundin dhe sakrificat që më ka ndenjur afër. Falënderoj familjen time. 

Gjithashtu, i premtoj Kryeministrit të Shqipërisë se kemi disa maja të tjera, çati të botës për të arritur, me mbështetjen tuaj dhe me ndihmën e Zotit! Ju falënderoj të gjithëve.

Kryeministri Rama: Do të doja, gjithashtu, të ftoja këtu edhe Danielin. Me ty Daniel ndihem më rehat, se këto [butonat] janë argjend për argjend. Ndërsa Erkandi i ka të arta dhe të arta s’kishim nga këto. Kështu, besoj që edhe Danieli meriton të gjithë përgëzimet. Këtë herë e pësoi si Guardiola dhe si Mourinho, se duke dalë i dyti, u duk sikur ishte i dobët. Parafytyroni, se sikur të mos ishte Erkandi kampion, ne sot do ishim duke i bërë monument Danielit. Kështu që ti Daniel mos u dekurajo nga fakti që nuk je në qendër të vëmendjes plotësisht dhe kujto fjalët e Mourinho që tha “unë kam vetëm një faj, që ju kam mësuar juve që dal gjithnjë i pari. Dhe kur dal i dyti duket sikur jam më i dështuar se ata që s’marrin asnjëherë, asnjë gjë”.

Daniel Godelli: Shumë faleminderit! Ndihem shumë krenar. Kam ngritur shumë herë flamurin nëpër Europë. Tani është diçka më e madhe se kjo, sepse presim mbështetjen e sportit për të gjithë sportistët. Ju falënderoj të gjithëve. Faleminderit edhe ju, zoti Kryeministër.  

Kryeministri Edi Rama: Menduam që kjo ditë s’mund të ishte thjesht një ditë për peshëngritjen dhe për peshëngritësit. Siç e thashë, mesazhi i këtyre medaljeve ishte shumë i fortë për ne të gjithë dhe ishte përtej peshëngritjes. Nga ana tjetër, jam i bindur që Ela Tase, - që e shoh këtu apo të tjerë që janë të pranishëm, - janë të dakord me mua që nuk është absolutisht e lehtë të dalësh kampion në peshëngritje, por besoj që është edhe më e vështirë të përfytyrohet në Shqipëri një kampion Ballkanik në atletikë dhe në rastin konkret kam shumë dëshirë të ftoj Luiza Gegën, e cila mori një medalje ari në vrapim. Shqipërinë që vrapon dhe del e para nuk e kishim parë ndonjëherë. Një dhuratë simbolike, për Luizën, një flutur argjendi, se ari nuk kemi nga këto anët tona, dhe një buqetë me lule. 

Luiza Gega: Faleminderit shumë, zoti Kryeministër. Faleminderit për mbledhjen që na keni bërë sot me sportistët elitarë. Vetëm ne sportistët e dimë sesa vështirë është të arrihen këto nivele që jemi dhe t’i sjellim Shqipërisë këto medalje. Shpresoj shumë që gjërat tani e tutje të ndryshojnë, kushtet e stërvitjes, ndihmesa që do jepni. Sepse jam e sigurt, me pak më shumë ndihmesa të vogla, Shqipëria do të ketë më shumë medalje në të ardhmen. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Unë dëshiroj që t’i hap vetes edhe një punë me këtë rast. Dëshiroj të ftoj Erkandin dhe Danielin të vijnë këtu, bashkë me Luizën dhe do t’i dorëzoj këtë projekt, i cili është projekti i Parkut Olimpik të Tiranës. Këta tre sportistë do të jenë depozituesit e projektit. Unë shpresoj shumë që do ta mbajnë mend këtë ditë, si një ditë të paharrueshme që i hapi rrugë realizimit të projektit. Por, këta kanë sot nga unë autorizimin që në rast se projekti nuk do të realizohet, të tre, bashkë me ju të gjithë këtu dhe me të tjerë, të vijnë përpara Kryeministrisë dhe të thonë ku e keni projektin që na dhatë. Projektin po ia dorëzoj Luizës, se unë kam më shumë besim të gratë sesa te burrat, kur vjen puna tek besnikëria. 

Për t’ju sqaruar, bëhet fjalë për një projekt, i cili është një investim strategjik i yni në sport, i cili nuk përfshin vetëm palestrën e re të peshëngritjes dhe të mundjes, edhe pse palestra e re e peshëngritjes dhe e mundjes është hapi i parë, është investimi i parë. Ne synojmë që palestrën e re të peshëngritjes dhe të mundjes ta realizojmë në një kohë rekord dhe ndërtimi i saj do të fillojë menjëherë. Ky është një projekt me të gjithë parametrat, ku ne besojmë se Erkandi, Danieli dhe të tjerët, pa frikë, do të mund të ftojnë për t’u stërvitur bashkërisht edhe kampionë të tjerë botërorë e olimpikë, nga çdo vend i botës, për të ardhur në këtë palestër e për t’u ndjerë në çatinë e botës, kur tha Erkandi, nga pikëpamja e kushteve. Më në fund do të keni dushe, më në fund do të keni sauna, më në fund do të keni dhoma zhveshjeje personale, të ndara.  Shoh Leonard Tasen aty dhe më kujtohet kur në Pallatin e Sportit ishin dy dhoma gjithsej, për gjithë ato skuadra, në një dhomë rrinin vajzat, në një dhomë rrinin djemtë. Po ashtu, përveç palestrës do të jetë një kompleks i plotë ku do të strehojmë edhe federatat. Më në fund, pas një periudhe kaq të gjatë lëngimi poshtë shkallëve të stadiumit “Qemal Stafa”, sot, me projektin e “Tirana Olimpik Park” do të bëhet edhe akomodimi i Federatave të shumësportëshit, në mënyrë që më në fund, çdo federatë të ketë mjediset normale për të zhvilluar aktivitetin e vetë.

Edhe Federatat do të jenë të ndara, jo si në dhomën e përbashkët të zhveshjes së shtangistëve. Po ashtu do të kemi administratën sportive, do t’i japim hapësirë edhe Komitetit Anti Doping, Komitetit Kombëtar edhe Komitetit Olimpik Shqiptar, duke bërë të mundur që në një hapësirë të integruar plotësisht të mblidhet gjithë struktura zinxhir e sportit, që ka të bëjë me linjën e shumësportëshit. 

Nga ana tjetër, Luiza na e bëri shumë të qartë me medaljen e vetë se nuk mund ta lëmë pas dore atletikën, aq më tepër me faktin që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” as nuk e ka pasur ndonjëherë pistën në standardet ndërkombëtare, por me perspektivën që ka, praktikisht, bën që të mos ketë më asnjë pistë. Kështu që në kompleksin e ri do të kemi edhe një fushë olimpike, të standardeve ndërkombëtare, për atletikën, me një sipërfaqe prej rreth 13 mijë m2, që do të bëjë plotësisht të mundur edhe stërvitjen e atletëve elitarë. Dhe do të bëjë plotësisht të mundur që unë mos të mos hyj në një konflikt vëllavrasës, tani në këtë fazë të jetës, me mikun tim të shtrenjtë Rauf Dimrajn, i cili është një avokat i madh i domosdoshmërisë për të pasur një mjedis po kaq të denjë sa për peshëngritjen dhe për atletikën.

Me këtë rast, kam shumë dëshirë që të vazhdoj duke theksuar se në një fazë të mëvonshme të projektit do të trajtojmë edhe pishinën, për të pasur mundësinë që të kemi edhe një pishinë në dispozicion të këtij kompleksi dhe të sportistëve. Duke kaluar tek ngrehina e lojërave me dorë, që do të jetë një ngrehinë tërësisht e re, aty ku që nga koha kur ishte Ela Tase e vogël kemi trashëguar disa kolona betoni të harkuara, të cilat po i gërryejnë vitet. Dhe ndërkohë, do të akomodojmë skuadrat e lojërave me dorë dhe në kushtet kur do të duhet, edhe një kapacitet prej 1400 sportdashësish. Paralelisht, në fazën e parë do të fillojmë me palestrën, që është hapi i parë dhe guri i themelit, dhe me godinën tjetër që këtu është quajtur Pallati i Lojërave me Dorë, duke kaluar më pas në një fazë të dytë, te pista e atletikës dhe më tutje te pishina. 

Harku kohor që i japim vetes për realizimin e këtij projekti është 4 vjet. 4 vjet duke filluar nga sot, jo nga 23 qershori. Por, kuptohet, synimi ynë është që ta realizojmë më parë dhe do të bëjmë çmos që edhe në këtë pikë ne t’i ngjajmë Erkandit, t’i ngjajmë Danielit, t’i ngjajmë Luizës, që të jemi përpara afatit minimal. E kemi edhe në sloganin e Aleancës sonë – të ecim më shpejtë për rilindjen e sportit. 

Me këtë rast, duke e ditur se na ndjekin edhe shumë njerëz që janë dashamirës të sportit, do të kisha dëshirë që të vija theksin dhe tek ndërtimi i një numri të konsiderueshëm, si asnjëherë më parë, terrenesh sportive dhe hapësirash në dispozicion të sportit për të gjithë në një numër të konsiderueshëm shkollash dhe hapësirash pranë shkollave në qytete të ndryshme të vendit. Do të jetë një ndërhyrje masive, që do të fillojë në muajit në vijim, me standarde tërësisht europiane, për t’i kthyer mjediset sportive jo thjesht në mjedise ku edhe mund të luhet, në kuptimin e kushteve, por në mjedise realisht me standardet më të larta.

Ky është një projekt i Ministres, që ne do ta mbështesim shumë fuqimisht me një fond të posaçëm për sportin për të gjithë, sepse besojmë shumë te sporti për të gjithë. Paralelisht me rritjen e numrit të mësuesve dhe mësuesve të Edukimit Fizik që do të përfshijmë në gjithë strukturën e shkollave, për të bërë të mundur që të realizojmë objektivin e parë të 3-orëshit të Edukimit Fizik në të gjithë nivelet e edukimit parauniversitar, do të bëjmë ripërtëritjen, shkallë-shkallë, të hapësirave sportive.

Së fundi, do të doja me këtë rast të shtoja edhe një pamje nga një projekt tjetër, i cili është një projekt emergjence. E gjetëm rrugës dhe nuk kishim asnjë mundësi ta shmangnim, për arsye të interesit kombëtar, që ka të bëjë me transformimin rrënjësor të stadiumit të qytetit të Elbasanit, një stadium që do të mikpresë ndeshjet e ekipit tonë kombëtar dhe që do të jetë, falë një projekti jashtëzakonisht interesant, një stadium ku do t’iu duket vetja si jashtë shtetit jo vetëm sportdashësve tanë, por edhe skuadrave që do të vijnë nga jashtë, që do të befasohen nga pamja, nga kushtet dhe nga cilësia. Ky është projekti i stadiumit të Elbasanit dhe kështu do të jetë në tetorin e këtij viti, ku do të presë në ndeshjen e parë ekipin tonë kombëtar. Është një projekt që po e realizojmë në bashkëpunim me Federatën Kombëtare të Futbollit.   

Besoj se për të gjitha këto, ia vlen edhe një herë tjetër të falënderojmë Erkandin, të falënderojmë Danielin, të falënderojmë Luizën, sepse gjithë këto projekt i sollët ju, nuk i sollëm ne. Janë projekte që i sjell puna, i sjellin rezultatet, i sjellin sakrificat dhe i sjell mesazhi shumë i fortë që sportistët e këtij vendi kanë dhënë në vite dhe që më në fund, pas kaq shumë vitesh, iu ka ardhur dita që të dëgjohen. Të dëgjohen dhe të dëgjohen qartë edhe të marrin si përgjigje, jo fjalët e bukura, jo lëvdatat e radhës, as premtimet e radhës, por hapa konkretë në realizimin e kushteve për të cilat kanë nevojë dhe të cilat i meritojnë plotësisht. Tani nuk na mbetet tjetër, përveçse ta realizojmë.

Ndërkohë që Erkandi, Danieli dhe djemtë e tjerë do të vijojnë përgatitjen për sfidën tjetër, ne i kemi mbaruar përgatitjet për këtë sfidë dhe besoj që vitin e ardhshëm do të jemi bashkë në inaugurimin e këtij kompleksi të madh, ku shiritin do ta presë Erkandi me profesor Zefin, se unë nuk pres shirita. Unë mendoj që Kryeministri nuk duhet të presë shirita dhe s’pres shirita. Aq më tepër pastaj, që kanë prerë të tjerët para meje aq shumë shirita saqë i ka harxhuar Shqipëria shiritat edhe për 20 vitet e ardhshme. Kështu që në ‘zërin’ shirita nuk kemi asnjë lekë për të shpenzuar për 20 vjet, ndërkohë që tani duhet të bëjmë punët, duke mbaruar punët që na kanë lënë pa mbaruar, se i kanë bërë lekët shirita, si dhe duke bërë edhe punët e tjera, që sot i diskutuam bashkërisht.

Me shumë mirënjohje, ju falënderoj që ishit këtu sot. Falënderoj edhe ata që nuk mundën të jenë, por që kanë kontributin e tyre. Shikoj në sytë e Gjergj Rulit një lëngëzim që është kënaqësi, por që kam përshtypjen është edhe xhelozi për këta të rinj që do të kenë kushte që po ti kishte pasur Gjergji, me siguri do ta kishim kremtuar si kampion Europian apo Olimpik, kohë përpara në atletikë. Por s’ke çfarë i bën Gjergj, - kur thotë Fideli, - kjo është jeta!

Shumë faleminderit.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

E bleu 6.2 milionë dollarë në një ankand, miliarderi Justin Sun ha bananen ‘Cattelan’ (VIDEO)

E bleu 6.2 milionë dollarë në një ankand, miliarderi Justin Sun ha bananen ‘Cattelan’ (VIDEO)