Fjala e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Fjala e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Të nderuar deputete dhe deputetë të shumicës së re parlamentare!

Për ne ka nisur një sfidë e re. Në 23 qershor shqiptarët na dhanë, së bashku me aleatin tonë strategjik, LSI dhe aleatët e tjerë të koalicionit fitues, një mandat të rëndë sa një mal. E thirra këtë mbledhje të parë të grupit, për të mbyllur kapitullin e gëzueshëm të fitores spektakolare dhe hapur nga sot kapitullin aspak të lehtë të mirëqeverisjes. Ne s’jemi më në opozitë. Këta dy muaj tranzicioni të pushtetit kanë një rëndësi themelore për ecurinë e mandatit të ri qeverisës. Kjo nuk lidhet vetëm me përgjegjësinë e madhe që kanë qeveria dhe kryeministri në detyrë, por edhe me përgjegjësinë e shumicës sonë të re parlamentare. Për sa i takon qeverisë dhe kryeministrit aktual unë e përsëris, edhe sot, thirrjen publike për vetëpërmbajtje e përgjegjshmëri në shërbim të interesit të vendit e të publikut. Jetojmë në Europë dhe qeveria në detyrë duhet të sillet sipas standardeve etike të Europës ku jetojmë. Shqiptarët meritojnë respekt pasi zgjodhën me 1 milionë vota projektin tonë fitues duke refuzuar me një revolucion të heshtur elektoral projektin e qeverisë aktuale. Humbësit nuk mund të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe aq më pak mund të sillen si fitues, sepse nuk janë mundur thjesht aritmetikisht, por janë rrëzuar moralisht. Është rrëzuar modeli i tyre qeverisës, qasja e tyre ndaj ekonomisë dhe financave të këtij vendi, raporti i tyre me pasurinë kombëtare në tërësi, sjellja e tyre me publikun dhe me opozitën.

Më vjen keq, që për shkak të sjelljes së tyre me paratë e popullit dhe me pasurinë kombëtare këto ditë, duhet t’ua kujtojmë përsëri se janë mundur aq keqas, por e kemi detyrë publike t’u kërkojmë me zë të lartë që ta ndalin projektin e tyre rrënues për Shqipërinë. Janë në të drejtën e tyre ta interpretojnë si të duan verdiktin e popullit sovran,
por kanë humbur të drejtën që të marrin vendime me kosto materiale për llogari të popullit sovran. Janë në të drejtën e tyre të mos e ndryshojnë projektin humbës dhe as sjelljen e tyre me publikun dhe me ne, por kanë humbur të drejtën që të shpenzojnë paratë e popullit sovran për të çuar përpara projektin e tyre. Janë në të drejtën e tyre që kur të ulen në rreshtat e opozitës në parlament të vazhdojnë në të njëjtën rrugë, por kanë humbur të drejtën që ta tërheqin Shqipërinë zvarrë pas vetes në rrugën e tyre në këta dy muaj.

Thirrja jonë është: Ndaloni shpenzimet e mëtejshme të parave të popullit shqiptar, përmes vendimesh që nuk kanë asnjë legjitimitet moral e as politik. Jo vetëm kaq, po mos merrni më as vendime mbi pasurinë kombëtare të cilat rëndojnë në kurriz të vendit e të njerëzve. Njerëzit iu kanë larguar, prandaj shfrytëzojini këta dy muaj për të kaluar në opozitë si humbës normalë, jo për të qeverisur si fitues imagjinarë.

Ne do të anulojmë çdo vendim për shpenzime parash, që shkojnë përtej kostove normale të rolit të një qeverie kujdestarie në një fazë tranzicioni të pushtetit. Po ashtu, do të zhbëjmë menjëherë edhe çdo vendim për tenderë, privatizime e koncesione të marrë pas 23 qershorit, sipas avazit të vjetër të gjithë këtyre viteve “të kapim ç’të kapim kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht”.

Mos e vazhdoni më tej këtë lojë të rrezikshme për stabilitetin ekonomik e financiar të vendit dhe mos i rrisni më tej kostot e papërgjegjshmërisë suaj qeverisëse mbi sipërmarrësit.

Edhe sipërmarrësve jam i detyruar t’u përsëris thirrjen që të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me këtë qeveri fantazmë, për të nxjerrë përfitime të cilat, në fakt, jo vetëm nuk do t’i nxjerrin, por do të dalin me humbje. Boll kanë humbur në aventurat ku i ka tërhequr qeveria e borxheve dhe e gropave në ekonomi.

Gjatë ditëve të fundit kam marrë takime, në funksion të këtij dymujori tranzicioni, me Presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. I falënderoj të tre për disponimin dhe frymën pozitive të takimeve. Por s’mund të mos bashkohem me shqetësimin e madh që krijuan në opinionin publik disa ngritje të mëtejshme në detyrë nga KLD-ja, të një sërë gjyqtarësh të përfshirë në procese gjyqësore që kanë shkaktuar dëshpërim kombëtar dhe ndërkombëtar, në raport me Shqipërinë.

Unë jam i vendosur të punoj me durim për të ndërtuar një kulturë të re komunikimi e bashkëpunimi institucional, mes kryeministrit dhe Presidentit të Republikës e po kështu mes shumicës së re e një kryetari shteti të zgjedhur nga shumica e vjetër. Epoka e agresionit qeveritar dhe retorikës vulgare në funksion të luftës politike të shumicës me institucionet e pavarura dhe me vetë Presidentin e Republikës, është mbyllur bashkë në 23 qershor, bashkë me epokën e paraardhësit tim. Por, askush, duke filluar nga kreu i shtetit, nuk duhet ta marrë si dobësi vizionin, qasjen dhe sjelljen tonë europiane me shtetin e me institucionet e shtetit.

I kam thënë Presidentit të Republikës se fakti që vijmë nga dy kampe kundërshtare për mua s’është një problem, po një mundësi e madhe në rrugën e ndërtimit të një kulture të re europiane të funksionimit të shtetit shqiptar. Dua të shpresoj që edhe ai do ta shohë kështu e do të punojë bashkë me Kryetarin e ri të Kuvendit dhe me mua, jo si noteri i një pale që ka humbur zgjedhjet, po si garanti kushtetues mbi të gjitha palët në përpjekjen tonë për të rilindur Shqipërinë duke ecur më shpejt. Ashtu siç dua të shpresoj se zoti President do ta lexojë me përpikmëri votën e 1 milionë shqiptarëve, që na dhanë 84 mandate, duke na hequr çdo justifikim të mundshëm edhe për sa ka të bëjë me reformën dhe performancën e pushtetit gjyqësor.

Ne do ta respektojmë në frymë e në germë Kushtetutën e Republikës në marrëdhëniet e ekzekutivit me gjyqësorin, si dy pushtete të pavarur njëri prej tjetrit. Por, nuk do të bëjmë sehir asnjë ditë, duke parë se me çfarë brutaliteti e drejta vritet e sakatohet në sallat e farsave gjyqësore. Pushteti gjyqësor do të gjejë tek ne një partner të paepur në luftën për rilindjen e drejtësisë. Por, ne s’do bëhemi kurrë aleatë me gjykatës të korruptuar për të mbajtur njëri-tjetrin në karrige duke mbyllur sytë para mëkateve të shoshoqit. Qeveria e re do të jetë belaja më e madhe e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë.

Po njësoj qeveria e re do të rreshtojë me urgjencë forcat për të hapur një luftë sy për sy e dhëmb për dhëmb me krimin e organizuar dhe me çdo kriminel, që vitet e fundit ka gjetur në këtë vend shesh të lirë për të bërë përshesh, në dëm të shoqërisë - falë lidhjeve aspak të padukshme me këtë qeveri e falë pazareve me të korruptuarit në prokurori e gjykata. 1 milionë njerëz na kanë dhënë mandat për t’u kthyer sigurinë e humbur të jetës dhe pronës; Për t’i shpëtuar, nga kriminaliteti e rrugaçëria që kanë pushtuar rrugët; Për t’i marrë në mbrojtje, nga shtypja poshtëruese në labirinthet e zymtë të organeve të drejtësisë shqiptare.

Ne nuk kemi votuar as për Presidentin e sotëm të Republikës dhe as për Prokurorin e Përgjithshëm, që ka sot Shqipëria. Por, ne nuk jemi votuar për ta rifutur qeverinë e vendit në llogoren e luftës politike ndaj një kryeprokurori, që deri më sot nuk ka bërë asgjë konkrete për të merituar ndonjë vlerësim pozitiv prej nesh. Ia kam bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se ne do të qeverisim në papajtueshmëri të plotë me korrupsionin e me kulturën e pandëshkueshmërisë. I kam nënvizuar vullnetin e plotë për të luftuar, krah për krah, me organin e prokurorisë dhe me atë personalisht, kundër krimit dhe korrupsionit në çdo nivel e të çdo kohe, sado të vjetër a të re. Dua të shpresoj se prokuroria nën drejtimin e tij do të shënojë progres real gjatë katër viteve të ardhshme në betejën me gangrenën e këtij vendi, krimin dhe korrupsionin, duke u bërë protagoniste e kësaj beteje jo duke mbetur një dëshmitare anemike në skenën e betejës.

Me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë kemi diskutuar për gjendjen e financave të vendit. I kam kërkuar Guvernatorit të nxisë realizimin sa më shpejt në kohë, mundësisht përpara draftimit të projekt-buxhetit të vitit 2014, të një Programi të Vlerësimit të Sektorit Financiar që zhvillohet, bashkërisht, prej FMN-së dhe Bankës Botërore. Na duhet një vlerësim imediat dhe prestigjioz i stabilitetit të sektorit financiar të vendit, për të përfituar nga dy qëllimet themelore të një programi të kësaj natyre.

E para, qeveria e re, por edhe vetë publiku shqiptar si partneri ynë i patjetërsueshëm, duhet të dinë të gjithë të vërtetën e financave të vendit. Nuk mund të lejojmë më tutje përkeqësime të reja të financave, si pasojë e pamundësisë reale të vendit për ta bërë një vlerësim të tillë, cilësor, me burimet e brendshme. Dhe nga ana tjetër, jo e parëndësishme, nuk duam të ushqejmë një konflikt shterpë me opozitën, duke e bërë një vlerësim kaq strategjik me burime të brendshme, të cilat vetëkuptohet se në mjedisin tonë mbeten lehtësisht të kontestueshme për qëllime politike.

E dyta, qeveria e re është e dëshiruar të dëgjojë me vëmendje sugjerimet, që në këtë program i bashkëngjiten analizës së detajuar të sektorit financiar, në funksion të rritjes ekonomike. Jo sepse kemi vendosur që sot të nënshkruajmë një marrëveshje të re me FMN-në. Kjo temë e rëndësishme do të diskutohet gjerësisht dhe imtësisht në muajt në vijim. Por, sepse pa asnjë dyshim, e çmojmë jashtëzakonisht shumë në parim ekspertizën e FMN-së e të Bankës Botërore në funksion të ndërtimit të një shteti serioz me një sektor financiar serioz.

Ne jemi shumë të shqetësuar për shthurjen e disiplinës financiare, që në muajt e fundit, ka marrë përmasa që kërcënojnë të ardhmen, jo thjesht projektin tonë të Rilindjes Shqiptare. Raporti i të ardhurave me shpenzimet ka kaluar çdo sens logjik prej mbrapshtisë së qëllimeve elektorale të atyre që u ndëshkuan nga populli edhe për faktin se kujtuan, gabimisht, që shqiptarët mund të ngopeshin me shirita inaugurimesh. Për hir të atyre shiritave rruga e rrënimit ekonomik është stërzgjatur si asnjëherë në një gjysmë të vetme viti. Gjysma e mbetur e vitit e gjen ekonominë ende më thellë në gropën e këtyre viteve çoroditje të sektorit financiar.

Nisur nga shqetësimi që rritet, përditë, për gjendjen kaotike të ekonomisë e financave dhe drejtimin pa frena të kryeministrit në detyrë, kam kërkuar fillimin e një komunikimi sistematik me publikun nëpërmjet zyrës së kryeministrit të zgjedhur. Një grup deputetësh dhe zyrtarësh të qeverisjes së re do të mbulojnë gjatë këtyre dy muajve zëdhënien e kësaj zyre.

Por, thënë të gjitha këto le të kthehemi tek vetja, të dashur miq e kolegë sepse për ne, edhe pse s’ka ardhur dita të ulemi formalisht në rreshtat e shumicës parlamentare, ka filluar koha e veprave përmes shembullit.

Qeveria në detyrë na ka lënë në tavolinë një dhuratë të paçmueshme, librin e trashë të gabimeve të saj. Leximi me vëmendje i atij libri, para çdo hapi që hedhim, dhe mbajtja e një vije të qartë ndarëse me rrugën e tyre plot gabime, është një punë e sotme që s’duhet ta lemë për nesër. Ata gabuan si s’ka më keq me administratën e shtetit duke e kthyer në ushtri të pushtetit. Futën thellë në këtë vend rrënjët e një kulture antishtet, duke shpërdoruar vlerat e lirisë së konkurrencës dhe
të meritës. I trajtuan pozicionet drejtuese në administratë si plaçkë lufte politike.

Flakën nga puna nëna e baballarë, vajza e djem, nëpunës, mësues, mjekë, policë, shqiptarë të zakonshëm, vetëm e vetëm se nuk ishin pjesë e batalioneve të asaj lufte që e fituan në emër të duarve të pastra dhe e kthyen në një pazar punësh të pista.

E çuan korrupsionin në pikën më të zezë, duke plaçkitur në fund deri edhe xhepat e militantëve të tyre, përmes shitjes së çdo vendi pune.

E bënë fije – fije çdo pjesë të shtetit shqiptar dhe copë e çikë dinjitetin e rrogëtarit të këtij shteti.

Zyrat e shtetit i kthyen në gropa thithëse të parasë nga arka e shtetit dhe nga xhepi i çdo qytetari në nevojë për një shërbimin më minimal.

E katandisën qeverisjen në çdo nivel në një kusari të çdo niveli, nga grabitjet e mëdha të parasë publike e të pasurisë kombëtare në hajdutëritë e përditshme të xhepit, në çdo ndalesë të qytetarit përballë shtetit. Në fund morën atë që meritonin, për të gjitha këto, nxjerrjen nga zyrat me 1 milion shuplaka njerëzish të zakonshëm, për të gjithë stresin e jashtëzakonshëm, që u shkaktuan qytetarëve në çdo zyrë të shtetit të korruptuar dhe në çdo shteg të korrupsionit shtetëror.

Arroganca e tyre prej të përjetshmish mbi një popull vdektarësh të zakonshëm, u bë nxitja e brendshme e këtij populli për ta kthyer 23 qershorin në Vaterlonë e tyre.
Por, sot, jemi ne në krye të vendit dhe tundimet e vetvetishme të pushtetit bashkë me hallet e pafundme të miletit, janë problemi ynë jo më problemi i kundërshtarëve tanë, që vendin e kanë në opozitë.

E, sot është koha kur ne duhet të mos harrojmë se kush na vuri dhe pse na vuri në krye të vendit.

Të mos e harrojmë asnjë çast se ata që na vunë në krye, nuk e bënë për të zëvendësuar paraardhësin tim me mua, as për t’ju zëvendësuar
ju me ata që përpara jush e katandisën figurën e ministrit e të deputetit në një përfitues të rëndomtë arrogant prej rrënimit të Shqipërisë. Na kanë zgjedhur për të ndryshuar Shqipërinë, duke ndryshuar modelin qeverisës përmes ndryshimit në radhë të parë të vijës së sjelljes së kryeministrit, deputetëve e ministrave të kësaj Republike.

Na vunë në krye 1 milionë shqiptarë jo dhjetë miq apo njëqind të njohur. Aq më pak pesë kushërinj. Na vunë në krye që të sjellim me vete në qeverisjen e këtij vendi jo një kalorësi për të plaçkitur, po më të mirët, më të zotët, më të talentuarit, ku janë e ku s’janë.

Na vunë në krye që t’u rrimë pranë, siç u ndenjëm me vite, e sidomos gjatë fushatës kur na duhej vota e tyre dhe u folëm fjalët më të bukura që mundëm të gjenim brenda vetes.
Prandaj ju kërkoj, që si nga unë i pari deri tek më i riu në këtë sallë, të hapim zyrën e deputetit në çdo Zonë të Administrimit Zgjedhor të Shqipërisë, për katër vitet e ardhshme.
Të presim e përcjellim me mirënjohje çdo njeri që na troket në derë.

Të mbajmë shënim e të kthejmë përgjigje për çdo ankesë e kërkesë.

Të jemi çdo ditë forca e re e shembullit për më të mirët dhe në asnjë mënyrë shembulli i vjetër i forcës ndaj më të dobtëve.

Do të ngremë menjëherë një grup pune që të përcaktojë shërbimin standard të deputetit në zonën e tij të kujdestarisë, bazuar në praktikat më të mira të botës demokratike. Nuk kemi asgjë për të shpikur. Kemi vetëm për të kopjuar më të mirët, që të ecim më shpejt.
Sot të gjithë ju, ashtu si edhe unë, jemi përballë dallgës së kërkesave për punësim.

S’ka asgjë më normale se sa njerëzit tanë të kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje për kërkesën e tyre për një vend pune.
Por, s’do të kishte asgjë më jonormale për ne që këtë proces ta linim në rënie të lirë dhe të lejonim ose, më keq akoma, të bëheshim pjesë e përsëritjes së avazit të vjetër të punësimit nga rruga qorre e lidhjeve të shkurtra.

Nëse rifillon sikur asgjë s’ka ndodhur, avazi i punësimeve në shtet pa konkurrencë e pa meritë apo i flakjes nga puna të njerëzve edhe kur e meritojnë vendin e tyre të punës, ky do të ishte fillimi i fundit të kësaj shumice të re parlamentare dhe akti i parë i tradhtisë ndaj atyre 1 milionë njerëzve, që presin prej nesh Rilindjen jo Rrënimin e Mëtejshëm të shtetit.

Do të ngremë, menjëherë, edhe për këtë çështje themelore të shtetndërtimit, një grup pune që të përcaktojë metodologjinë e trajtimit me transparencë dhe respekt të të gjitha burimeve njerëzore në dispozicion. Për t’u dhënë të gjithëve mundësinë të provohen, por askujt të drejtën të fitojë në kurriz të tjetrit, duke përfituar nga lidhjet e shkurtra të gjakut, tarafit, klanit.

Asnjë militant, vullnetar, mbështetës i yni nuk duhet të anashkalohet për të favorizuar dikë tjetër, por të gjithë duhet të kuptojnë se është konkurrenca dhe merita që vendos jo ne, jo deputeti apo kryetari i partisë kudoqoftë, në kokë të tij. Ne emër të partisë duhet të garantojmë këdo për trajtim të barabartë të kërkesave, por në emër të partisë nuk mundet në asnjë mënyrë të lejojmë diskriminimin dhe përjashtimin e shumëkujt për t’i hapur rrugën dikujt.

Zhgënjimet e të shkuarës të shumë njerëzve të zotë, që janë pjesë a mbështetje e jona për të dhënë jo për t’u dukur, si edhe rënia me kokë poshtë e pushtetit aktual edhe për shkak të zhgënjimeve të së njëjtës natyrë, duhet ta mbajnë ndezur ditë – natë llampën e vëmendjes sonë në këtë drejtim, kaq delikat e themelor.

Ne duhet të jemi, thjesht, garantët e konkurrencës dhe të meritës në një proces transparent vlerësimi dhe rekrutimi. Të drejtë me njerëzit dhe po njësoj të drejtë me shoqërinë e me shtetin që duam të ndërtojmë. Sepse, përndryshe do të humbasim shumë shpejt njerëzit dhe bashkë me njerëzit do të humbasim për këtë vend mundësinë historike, që njerëzit na dhanë për të bërë histori duke bërë shtet.

Njësoj si dhe ju, ju siguroj se jam shumë i ndjeshëm ndaj papunësisë së njerëzve nëpër Shqipëri.
Padyshim, kur e shohim vuajtjen prej papunësisë tek ata që kemi rrotull, natyrshëm që ndjeshmëria jonë preket më fort dhe detyrimi për të ndihmuar është i pashmangshëm.
Por, nëse nuk duam të përfundojmë aty ku përfundoi pala tjetër dhe ta lemë këtë vend ende më keq se ç’po e marrim, në vendet e punës në shtet duhet të gjejmë njerëzit për punën, jo punën për njerëzit.

Kjo nuk do të thotë që të lemë njerëz tanët pa punë, përkundrazi.

Këtu lind edhe detyra jonë që rolit të deputetit t’i shtojmë përmasën e promotorit të punësimit të njerëzve, pranë sipërmarrjeve dhe njëherazi të investimeve, që krijojnë vende të reja pune në zonën e kujdestarisë së secilit prej nesh.
Çdo deputet duhet të bëhet edhe një kontakt i shumicës së re parlamentare dhe i qeverisë së re, për sipërmarrjen vendase e të huaj.
Çdo bashkëpunim me pushtetin vendor e me qeverinë duhet të ketë pjesë të vetën edhe bashkëpunimin e deputetit me këto struktura për të promovuar potencialet e zonës dhe për të thithur investime, për një vend pune të ri më shumë.

Kjo është veprimtari rutinë për parlamentarët në vendet e botës demokratike dhe ky zhvillim i ri në fushën e veprimtarisë së deputetit
tonë, me siguri do të rrisë fuqinë tonë komunikuese si shtet e si qeveri me botën e sipërmarrjes brenda e jashtë vendit.

Nuk jam naiv dhe nuk kam ardhur nga ndonjë planet tjetër.

E di, po aq mirë sa edhe më skeptikët ndaj kësaj qasjeje, se vetëpërmbajtja dhe rigoroziteti që kërkoj për punësimin në shtet, janë një ushtrim kompleks në një mjedis më shumë se sa të vështirë në këtë aspekt.
Por, besoj se nuk gaboj nëse ju them se, kjo kërkesë është një prej kërkesave më të panegociueshme të mandatit, që na dha revolucioni i heshtur elektoral i 23 qershorit.
Prandaj s’ka rrugë tjetër.
S’ka këtu asnjë rrugë të mesme mes të ardhmes dhe të shkuarës.
E, s’ka një rrugë të dytë përveç kësaj për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian sa më shpejt pas marrjes së statusit të kandidatit dhe për të ndërtuar Shqipërinë Europiane, që kemi premtuar.

Rruga nga shkelja e vlerave të konkurrencës e të meritës prej nesh këtu lart, tek shitja e vendeve të punës prej atyre pak më poshtë është shumë e shkurtër. Sa hap e mbyll sytë.

Ja pse na duhet me shpejtësi të ngremë pritat që dallga e inercisë së fitores dhe e kërkesave të panumërta që do shkojnë duke u rritur gjatë këtyre dy muajve, të mos marrë me vete shpresën e rilindur të këtij populli se ky vend mund të bëhet e se ne, socialistët e progresistët, mund ta bëjmë këtë vend duke ndërtuar shtet.

Ju lutem, mos harroni se s’jemi më në opozitë.

Çdo fjalë apo veprim publik i kujtdo ndër ne, dëgjohet e shihet me shumë më tepër vëmendje se sa deri dje.
Të gjithë sot, brenda e jashtë, me të drejtë na dëgjojnë e shohin me lupën e kuriozitetit për çdo gjë që themi e bëjmë.
Në opozitë ia dolëm të ndërtojmë mesazhet e duhura, e t’i koordinojmë ato, duke përcjellë tek publiku pamjen dhe përmbajtjen e një force të organizuar si skuadër, me strategji e objektiva të qartë.

Por, në qeverisje duhet ta forcojmë ende më shumë frymën e skuadrës duke koordinuar çdo mesazh dhe duke mos i lënë asgjë, as edhe një fjalë apo gjest, rastësisë.
Eksperienca e mirë dhe plotësisht e suksesshme, që kulmoi me fushatën fantastike që zhvilluam në marrëdhëniet me publikun, duhet të konsiderohet si parathënia e librit të qeverisjes, në thellimin e marrëdhënieve me publikun.

Fjalët tona, sot, peshojnë shumë më tepër në klimën publike, në klimën e marrëdhënieve të Shqipërisë me miqtë dhe partnerët, në klimën e vetë biznesit. Qytetarët dhe bota duhet të gjejnë tek ne partnerin e munguar serioz në qeverisje, e në asnjë mënyrë s’duhet të dëgjojnë prononcime që nxirren paraqende si fjalë goje e pastaj përfundojnë si arsye publike për t’u sëkëlldisur prej nesh.

Tani dy fjalë për procesin e formimit të qeverisë së re.

Nuk se këto fjalë do shterojnë gurrën e thashethemeve mediatike absolutisht të pabaza, për ministritë që ndahen e për ministrat që
caktohen, por sidoqoftë janë detyrim për transparencë ndaj të gjithëve ju dhe publikut.
Do ta përsëris, pa u lodhur, asnjëherë, se jemi zgjedhur të qeverisim jo vetëm, po në partneritet strategjik me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe bashkë me aleatët e tjerë. Ka shumë rëndësi që këtë jo ta kuptojë si fakt, po ta bëjë pjesë të përmbajtjes së arsyetimit mbi gjithë procesin qeverisës dhe për çdo ndarje përgjegjësie në qeverisje, çdokush, që mendon apo diskuton për mbarëvajtjen e punës kolosale që kemi përpara. Jemi ribashkuar me zotimin solemn përpara publikut për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës, po për të mësuar nga e shkuara në çdo hap. Kemi bërë një fushatë të ndarë duke maksimizuar, si PS dhe si LSI, potencialin e sistemit. Dhe kemi fituar të bashkuar me një rezultat që as më optimisti s’e parashikonte.

Pra, është votuar PS-ja, është votuar LSI-ja, por është votuar edhe vetë bashkimi.

Llogaritë e tjera sa më shumë do fitonim ne vetëm apo sa më pak do fitonte LSI-ja vetëm, ose e kundërta apo të dyja bashkë, le t’i bëjnë ata që janë pa punë me Kastriot Islamin në krye.

Fushata s’ka shkuar vaj kudo, në sensin që ka pasur edhe fusha konfliktesh periferike, sidomos në zonat nxehtësisht të majta e të etura për fitore. Për mua vetë e panatyrshme do të ishte sikur të mos kishte pasur fare të tilla, pas tërë viteve të vështira të ndarjes së thellë.
Por, fushata ka mbaruar dhe as ka filluar e as do të fillojë askund një fushatë tjetër brenda vetes, e me vete kuptoj aleancën PS-LSI jo PS-në, për t’i marrë njëri-tjetrit zona influence në kuptimin e agjencive e të drejtorive nëpër Shqipëri.

Ne jemi dy parti, por jemi një forcë e vetme qeverisëse dhe do të qeverisim, si një forcë e vetme.

Ne jemi dy parti, por jemi dhe një forcë e vetme qeverisëse dhe do të qeverisim si një forcë e vetme. Do të ndajmë padyshim përgjegjësitë, po nuk do ta ndajmë shtetin në parcela dhe nuk do t’i ndajmë njerëzit në ne dhe ata brenda nesh.
Nëse dikush jo vetëm këtu në sallë, po edhe ndër ata shumë të tjerë që na dëgjojnë, dëshiron që të përsëris se nuk jam naiv dhe nuk kam ardhur nga ndonjë planet tjetër, mund ta përsëris.

Por edhe në këtë çështje nuk ndryshoj dot bindje se, sado e vështirë të duket apo edhe vërtet të jetë për t’u realizuar, edhe kjo është një kërkesë e panegociueshme e popullit sovran që na dha një shumicë, të cilën parlamenti e ka pasur vetëm pas përmbysjes së vitit 1992.
Rilindja është një fjalë shumë e bukur goje që thuhet në një sekondë, por jetësimi i saj kalon përmes stërmundimit për të bërë të mundura të gjitha ato që për vite tëra janë bërë të pamundura.

Për gjithë sa thashë, procesi i formimit të qeverisë nuk ka mbërritur tek emrat dhe ndarjet e ministrive. Sepse, diskutimi për emrat do të jetë i fundit pasi të hidhen piketat e parimeve e të kritereve të mirëqeverisjes - në kuptimin e garancive, që duhet të ketë për publikun sistemi i formimit të skuadrës jo si qeveri, por në të gjitha nivelet.

Kemi ngritur një grup të përbashkët PS-LSI për sintezën e programit si guri i themelit të qeverisjes. Po diskutojmë për procesin e mbledhjes
dhe të trajtimit të kërkesave të njerëzve për të kontribuar në sektorin publik, në funksion të thithjes së burimeve më cilësore njerëzore duke filluar nga të gjitha pikat kyçe.
Na duhet, po ashtu, të garantojmë paprekshmërinë e burimeve njerëzore cilësore që ekzistojnë në administratën aktuale.

Është imperative të shmangim çdo formë tradicionale, primitive dhe vulgare fshese mbi administratën, që dëmton cilësinë e kapitalit njerëzor në dispozicion të shtetit.

Grupi i punës, që do të ngremë pa humbur më kohë, do të kthehet javën që vjen në një grup të përbashkët pune për të sintetizuar njësoj si programin, edhe metodologjinë e trajtimit të burimeve njerëzore.

Synimi është që hap pas hapi Shqipëria të ketë një Agjensi të posaçme Kombëtare të Burimeve Njerëzore, ku të jetë e plotë baza e të dhënave të kapitalit njerëzor të këtij vendi. Të gjithë atyre që kanë investuar në dije dhe kanë diçka për të dhënë qoftë për brenda dhe jashtë vendit. Një Agjensi Kombëtare e Burimeve Njerëzore që do t’i shërbejë vijimësisht sektorit publik dhe sektorit privat.

Pastaj do të nisë diskutimi për strukturën e re që synojmë të jetë e përfunduar brenda javës së tretë të korrikut. Paralelisht me strukturën do të finalizohet edhe Kodi Etik i ministrave të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, bazuar në modelet më të shkëlqyera të mirëqeverisjes demokratike.

Nuk e di sot a do të jetë një qeveri me më pak apo më shumë ministra, po di me siguri që qeverisja jonë do kushtojë më pak dhe reforma e ekzekutivit në të gjitha nivelet do të jetë drastike.

Vetëm më pas do të fillojë diskutimi për emrat, kështu që pavarësisht fjalëve që do të vazhdojnë nëpër media, ky është procesi.
Në funksion të ndërtimit të strukturës së re të qeverisë, unë do të mirëpres çdo propozim tuajin dhe të çdokujt që ka një ide për të ndarë në këtë fushë. Pjesë e këtyre konsultimeve janë edhe konsultime me ekspertë të huaj dhe miq të shquar ndërkombëtarë për të dalë në konkluzione të shoshitura sa më mirë në të gjitha këto drejtime. Për këtë do të organizoj edhe një proces konsultimesh individualisht apo dhe në grupe edhe me ju.

Miqtë e mi, deri sot jemi gjykuar nga fjalët, nga sot do të gjykohemi nga veprat.

Që nga më të voglat në dukje, po shumë të rëndësishme për njerëzit, deri tek më të mëdhatë që padyshim njerëzit i presin me plot të drejtë prej nesh.
Kohë për të humbur s’ka dhe kjo kohë deri në 9 shtator vendos shumë për natyrën dhe për profilin e shumicës së re parlamentare të Shqipërisë.
Gjatë gjithë këtyre ditëve kam marrë urime nga më të nxehtat dhe përgëzime nga më entuziastet prej miqve e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Më ka bezdisur gjithnjë kultura e vjetër politike e publikimit të telegrameve të urimit apo deklaratave për telefonatat e përgëzimit nëpër media, prandaj nuk kemi publikuar asnjë syresh.

Arsyeja pse po ju them është vetëm për t’ju bërë të vetëdijshëm se pritshmëria ndaj nesh në arenën ndërkombëtare është po aq e jashtëzakonshme sa pritshmëria e atyre që na votuan në 23 qershor. Dhe me detyrimin për të mos të zhgënjyer këtë pritshmëri lidhet fati Europian i Shqipërisë, jo thjesht fati i shumicës sonë parlamentare. Zëra shumë autoritarë në arenën ndërkombëtare ma kanë përcjellë shumë të qartë mesazhin se jemi shpresa e fundit e një gjenerate. Dhe i përkthyer ky mesazh në raportet e Shqipërisë me botën do të thotë se kemi në dorë fatin e marrëdhënieve të Shqipërisë me botën për një gjeneratë.

Jam i bindur se kjo skuadër kombëtare e Rilindjes, skuadra që ju, secili prej jush pa asnjë përjashtim dhe secili prej atyre që sot nuk janë këtu, por ishin pjesë e skuadrës në fushën e ballafaqimeve elektorale, e bëtë e bëtë fituese me punën, përpjekjet dhe kontributin tuaj të çmuar, do të jetë në lartësinë e sfidës së madhe që kemi për të rilindur Shqipërinë dhe mandatin e rëndë sa mali i problemeve e halleve të Shqipërisë secili prej jush, secili prej nesh do ta mbajë me dinjitetin e një pjesëtari të denjë të kësaj skuadre.
Duke mos harruar për asnjë çast gjithë ato sheshe të mbushura me njerëz që tek ne nuk i sillte kërcënimi në bukën e gojës, por i sillte shpresa për një jetë më të mirë. Bëmë një fushatë në emrin e shpresës, duhet të qeverisim për të mos lejuar vrasjen tjetër të shpresës.
Shumë faleminderit dhe punë të mbarë!
 



 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë