Ministrja Gjosha: Marrja e statusit fitore e gjithë shqiptarëve, të vijojmë rrugën e integrimit me gjithpërfshirje

“Intensifikuam marrëdhëniet me BE-në, Plani Kombëtar

për Integrimin Evropian tashmë dokument qeveritar strategjik”

Në ambientet e Tetarit të Operës dhe Baletit, u mbajt sot raporti publik për 300 ditët e para të qeverisjes. Ky raport i dytë i aktivitetit qeverisës përkon me një moment suksesi historik për shoqërinë shqiptare,marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha, pjesë e panelit të parë të ministrave që raportuan, theksoi se statusi i vendit kandidat është mbi të gjitha arritje e gjithë shqiptarëve.

Ministrja Gjosha, theksoi se pavarësisht asaj që është bërë në këto 300 ditë qeverisje, është e domosdoshme të vazhdohet rruga e integrimit evropian, me punën e përbashkët për përmbushjen e 5 prioriteteve të lëna nga BE, si i vetmi destinacion i sigurt i Shqipërisë.

“Në 300 ditë ne intensifikuam marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe me marrjen e statusit jemi sot më pranë Evropës. Ky moment kthese duhet të shndërrohet në vendosmëri për të ecur në rrugën e integrimit, pasi statusi është fitore e gjithë shqiptarëve”, tha Ministrja Gjosha.

Ajo theksoi se në 300 ditë, falë punës së palodhur të të gjithë kabinetit qeveritar dhe institucioneve të tjera, është punuar për ti dhënë një tjetër imazh Shqipërisë. Ministrja nënvizoi se në tre tryezat e Dialogut të Nivelit të Lartë të mbajtura në këtë hark kohor, u prezantuan hap pas hapi të gjitha masat konkrete që janë ndërmarrë në funksion të procesit të integrimit.

“Për herë të parë, kemi një dokument qeveritar siç është Plani i Masave për 5 prioritetet i cili lë afate dhe detyra të qarta për të çdo institucion dhe kontributin e tij për procesin e integrimit”, theksoi Ministrja. Ajo shtoi se një punë voluminoze është bërë për Planin Kombëtar të Integrimit Evropian 2014-2020, i cili gjithashtu tashmë është finalizuar. Me anë të tij na ofrohet një tablo më e qartë e situatës në të cilin ndodhet vendi dhe e ndërhyrjeve të nevojshme në vijim.

“Për ne, procesi i integrimit nuk mund të realizohet pa gjithpërfshirje, ndaj kemi reflektuar gjuhën e dialogut, komunikimit me të rinjtë, grupet e interesit si mënyrën e vetme për të avancuar në këtë prioritet kombëtar. Statusi i vendit kandidat shënon momentin e kthesës tonë historike, e cila na vë përpara një sfide më të vështirë : Hapjen e negociatave për të arritur më pas në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, tha Ministrja Gjosha

Redaksia Online