Jemi të gjithë në dijeni se u bë çështje publike, disa ditë më parë një aksident rrugor në veri, që u pasua pastaj me një aksident tjetër në jug të vendit, ku humbën jetën disa qytetarë.
Aksidente të tilla kanë ndodhur thuajse në mënyrë ciklike në vendin tonë. Motivet janë të shumta duke filluar nga cilësia e rrugëve, sinjalistika, mos-respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, edukata e drejtuesve të mjeteve dhe vetë aksidentet madje, kanë shërbyer si motive në vetvete për të ardhur këtu dhe për të bërë politikë me to.
Por në fakt ajo që kemi bërë me sukses është që në 23 vjet, veçanërisht në 8 vitet e fundit kemi dështuar të merremi seriozisht me çështjen e aksidenteve; kemi dështuar të merremi seriozisht me sigurinë rrugore; kemi dështuar të merremi seriozisht me parandalimin e pasojave të rënda për shëndetin e njeriut apo akoma më keq pasojave fatale për jetën e qytetarëve.
Unë mund të bie dakord, që çdo ngjarje që ndodh jashtë kësaj salle, të shërbejë si motiv për opozitën, sot, nesër, për të bërë politikë, por nuk mund të bie dakord, që çdo motiv ose çdo ngjarje që ndodh jashtë kësaj salle që shërben si incentivë për qeverinë për të ndërtuar një sistem masash dhe mekanizmash si paketa e sigurisë rrugore që kemi prezantuar ne, për të garantuar në mënyrë sistematike, integrale dhe mbi të gjitha të qëndrueshme sigurinë rrugore, jetën e qytetarëve, jetën e kalimtarëve, jetën e drejtuesve të mjeteve; nuk e kuptoj si kjo nuk mund të shërbejë për opozitën, fundja për t’u bërë bashkë se jetën e qytetarëve po garantojmë.
Ne e dimë që situata e aksidenteve, humbja e jetëve, pasojat e rënda për shëndetin, janë një çështje madhore në këtë vend, alarmante madje. Kemi trashëguar të gjitha motivet pse aksidentet në vendin tonë dhe humbja e jetëve dhe pasojat e rënda në shëndet për qytetarët shqiptarë, janë shumë të larta sesa norma mesatare në rajon dhe në BE.
Në vendin tonë, vetëm vjet kanë humbur jetën gati 300 qytetarë, dhe si askund në vendet e tjera të rajonit dhe të Europës, 1/3 e këtyre aksidenteve janë aksident: makinë me kalimtar! Nuk ndodh në asnjë vend.
Në qoftë se në vendet e tjera humbasin jetën për shkak të aksidentit ndërmjet makinës dhe makinës, vetëm në Shqipëri ndodh kaq shumë të humbasin jetën qytetarët në një aksident ku përfshihet një kalimtar pa makinë dhe një makinë!
Dhe ndërkohë ne kemi dhe raste fatale të humbjes së jetëve të njerëzve apo pasoja të rënda për shëndetin nga mjete të cilat nuk përmbushin asnjë standard sigurie lidhur me transportin publik.
Janë këto arsyet pse qeveria prezantoi fillimisht në një aktivitet ku u ftuan të gjithë partnerët, ku u ftua e gjithë Shoqëria Civile, ku u ftuan ekspertët e pavarur për të ndërtuar më në fund, pas 23 vjetësh, paketën më të plotë për sigurinë rrugore.
Mos e përshëndesni në qoftë se nuk keni ndërmend t’i jepni kredo, sepse kështu mendoni se i jepni kredo qeverisë, po të doni mos u bëni as pjesë, por të paktën mos sulmoni në mënyrë të verbër atë që bën qeveria për të garantuar sigurinë rrugore dhe fundja jetën e qytetarëve!
Lamë kohë në dispozicion pas prezantimit të paketës, për konsultim me publikun e gjerë, sepse ne mendojmë që siguria rrugore, nuk është vetëm çështje e qeverisë, nuk është vetëm çështje e parlamentit, nuk është vetëm çështje e institucioneve, por mbi të gjitha është çështje e shoqërisë; qytetarët në radhë të parë me edukimin dhe edukatën qytetare, e pastaj, institucionet në tërësinë e vet.
Pasi lamë kohë, e prezantuam këtë paketë në mënyrë definitive për t’ia prezantuar formalisht edhe qeverisë, edhe parlamentit për miratim.
Aty ku duhet të ketë ndryshime të akteve, aty ku duhet të ketë ndryshime ligjore që do të prezantohen në parlament. Kjo është paketa e masave që kemi prezantuar, duke filluar nga rrugët, cilësia e tyre, siguria e rrugëve, sinjalistika në rrugë, nga formimi dhe edukata qytetare, nga shkollimi i fëmijëve dhe brezave që do rriten dhe që duhet të rriten me respektimin e rrugës, me respektimin e kalimtarit, me respektimin e mjetit, deri te masat penalizuese, për drejtuesit e mjeteve të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me pasoja të rënda për shëndetin ose fatale për jetën e qytetarëve.
Ne nuk po mburremi me paketën që kemi prezantuar edhe pse po bëjmë atë që nuk është bërë në 23 vjet, dhe pse po bëjmë atë që ju nuk bëtë në 8 vjet.
Dhe këtë e bëjmë për shkak të vetëdijes sonë politike por mbi të gjitha qytetare, sepse kjo është një çështje, pra çështja e aksidenteve dhe parandalimit të pasojave që vijnë për shkak të aksidenteve, është një çështje që askush nga ne nuk mund të mburret.
Por ama bëhuni dhe ju të vetëdijshëm dhe kuptojeni që lufta jonë e përbashkët me shoqërinë, për të parandaluar aksidentet dhe humbjet e jetëve të qytetarëve shqiptarë, nuk mund të jetë me dallime politike, sepse aksidentet nuk njohin ngjyra politike.
Siç nuk mund të jenë as fushë për betejë politike, apo për përfitime politike.
Shpesh kam dëgjuar ish-kryeministrin, madje ka arritur deri në pikën sa ka thënë se në rrugën Tiranë-Shkodër do vendosim nga një polic për kilometër, se ka shumë aksidente!
Nuk është zgjidhje kjo dhe ju e dini!
Edhe ne nuk kemi ardhur këtu me këto masa qesharake, por kemi përgatitur një plan të plotë për ta zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe definitive çështjen e sigurisë rrugore.
Duke filluar nga rruga, nga formimi, nga edukata, nga sinjalistika, deri te penalizimi.
Dhe sigurisht për sa kohë ju nuk arrestuat askënd nga drejtuesit e mjeteve në 8 vite, për drejtim të mjetit pa patentë apo në gjendje të dehur, ne në 4 muaj kemi arrestuar 660 drejtues mjeti që kanë drejtuar mjetin pa patentë ose në gjendje të dehur. Kjo është çështja. Dhe nga 660, vetëm 81 janë dënuar dhe nga gjykata. Dhe prandaj po sjellim në parlament rritjen e dyshemesë së dënimit për ata që nuk janë vetëm shkelësa të rregullave të qarkullimit rrugor, por janë njerëz që drejtojnë praktikisht një armë, siç shndërrohet makina kur drejtohet nga një njeri pa patentë ose në gjendje të dehur, akoma më keq.
Dhe vimë te çështja e furgonëve, e mjeteve të padestinuara për transport inter-urban.
Situata që gjendemi është një situatë fakti, jo situatë ligjore. Situatë fakti që ka degraduar për shkak se ju nuk keni marrë asnjë masë për 8 vjet. Po e them që në fillim, nuk janë 21 mijë operatorë qofshin edhe të paligjshëm. Të ligjshëm jo e jo, siç thoni ju, sepse sipas QKL diku në total janë gjithsej 20 mijë licensime! S’ka se si të jenë 21 mijë këta të transportit. Por edhe duke i llogaritur ata që punojnë në mënyrë të paligjshme sot, nuk janë 21 mijë. Janë shumë shumë herë më pak, e para!
E dyta, bëhet fjalë për një transport që nuk ofron asnjë kusht sigurie, bëhet fjalë për një transport që është dëmtuar edhe nga pikëpamja e tregut, edhe nga pikëpamja e sigurisë rrugore. Dhe bëhet fjalë për një fushë që duhet kthyer në shinat e ligjshmërisë. Mos abuzoni duke thënë, urdhër i ministrit! Jo mo jo, e parashikon ligji! E ka parashikuar edhe në kohën kur ishit ju, pavarësisht se ju dështuat ta zbatonit ligjin. Dhe çfarë do na thoni?!... po na thoni që të mos zbatojmë as ne ligjin, po na thoni të mbyllin edhe ne sytë e t’i lëmë shqiptarët të vuajnë edhe pasigurinë rrugore edhe cilësinë dramatike të shërbimit transportit urban dhe transportit ndërqytetas dhe pastaj dëmtuat edhe tregun për këtë shkak.
Jo... këtu nuk po ecim vetëm me masa sanksionuese për të ndaluar transportin me furgona, por po ecim me masat të planizuara të transportit të ri ndërqytetas ky është qëllimi ynë nuk është qëllimi ynë t’i ndalojmë.
Sot po ndalojmë dhe po jua e përsëris, po ndalojmë mjetet që zhvillojnë transport ndërqytetas në mënyrë të paliçensuar. Vendi im së bashku me operatorët e liçensuar si shërbim taksi do merremi bashkë për të ndërtuar me ata modelin e ri të transportit ndërqytetas.
Sepse ndërkohë që shoqëria ka hecur me hapa galopantë në epokën e dixhitalizimit, nuk mund të pranojmë që të ketë mjete të transportit ndërqytetas që nuk përmbushin asnjë kriter qoftë si ai mjeti në Kukës që u përplas për shkak të mospërmbushjes të kushteve të sigurisë, e pra kjo është çështja këtë duam të adresojmë, ju mund të ftoni këdo në problem kjo nuk ka lidhje por ama hapni sytë dhe bëni ç’është e mundur aq pak sa të mundeni në kapacitetin tuaj si opozitë për t’u bashkuar me shoqërinë për të garantuar sigurinë e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Ne jemi shumë të vendosur bashkë me ministrin e Transportit kemi ftuar përfaqësitë e operatorëve të ligjshëm në takim, dhe bashkë me t’a do ndërtojmë modelin e ri të transportit ndërqytetas.
Sepse ne mendojmë shoqërisht të gjithë bashkë duhet t’i dalim përpara dhe të marrim hapa konkretë në kuadër të garancisë të jetës së qytetarit, për shëndetin e qytetarëve dhe për standartet më moderne në transportin ndërurban.
Ju faleminderit!









