Fjala e ministrit Klosi gjate publikimit të vendimit për vitet e punes

Të nderuar përfaqësuar të medias kam kënaqësi të dal përpara jush dhe përmes jush të jap disa lajme të mira për qytetarët shqiptarë. Jam këtu për të sqaruar disa nga vendimet e qeverisë shqiptare, miratuar një ditë më parë dhe që kanë efekt të drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve shqiptarë.
 
Jam më shumë se i kënaqur që qeveria shqiptare miratoi propozimin e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë,  për zgjidhjen e një  prej problematikave madhore, disa vjecare, kthyer në gangrenë për qytetarët që aplikonin për daljen në pension dhe për familjet e tyre sigurisht.  Vendimi  i qeverisë shqiptare zgjidh përfundimisht problemin madhor të viteve  të padokumentuara të kontributeve shoqërore për mijëra qytetarë shqiptarë.

 Ky vendim lidhet me njohjen e viteve të punës, dokumentacioni për të cilat për arsye nga më të ndryshmet nuk ka qenë i rregullt, i detajuar, i përcaktuar,  apo në shumë raste të tjera, jo për faj të qytetarëve shqiptarë,  vitet e tyre të kontributeve shoqërore nuk kanë të dokumentuara.

Kjo për vite me rradhë ka penguar mijëra qytetarë shqiptarë të marrin atë që ju takon, pensionin, në bazë të kontributit të tyre.

Për këtë shkak mijëra qytetarë shqiptarë janë rropatur dyerve të gjykatave për vite të tëra, për të marrë të drejtën e tyre, atë që ju ka takuar me të drejtën e ligjit. Mijëra prej tyre, për shkak të zvarritjes me vite të proceseve gjyqësore kanë humbur vite të tëra të përfitimit të pensionit dhe ende nuk e kanë marrë këtë të drejtë.
 
 Vendimi   “PËR DISA ÇËSHTJE TË DOKUMENTIMIT TË PERIUDHAVE TË SIGURIMIT DHE VJETËRSISË NË PUNË, PËR EFEKT PENSIONI, NË ZBATIM TË NENIT 91,   TË LIGJIT NR. 7703, DATË 11.05.1993 “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR.

Vendimi  ka për qëllim që të zgjidhë disa probleme thelbësore të dokumentimit dhe vlefshmërisë së periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë të personave që kanë punuar në ish- ndërmarrjet apo ish-kooperativat bujqësore, përpara datës 01.01.1994,  për të cilat sot e kësaj dite ka nëpër gjykata mijëra procese të rregjistruara për të marrë të drejtën e përfitimit të pensioneve.
Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha  periudhat e punës së para 1 janarit 1994, njihen për efekt të llogaritjes së  pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, rregjistra etj, kur këto dokumenta janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas përcaktimeve të ligjeve të kohës.

Por gjatë periudhës së tranzicionit, shumë prej këtyre dokumentave janë dëmtuar, disa me qëllim, disa nga trajtimi në kushte jo të përshtatshme,  janë djegur, janë bërë të palexueshme etj..
Në këto kushte sigurimet shoqërore nuk mund ti njihnin këto periudha, duke i orientuar drejt gjykatës, e cila ishte e vetmja që mund të njihte periudhat e punës.
 
Dokumentacioni i vjetersisë në punë si , librezat e punës, regjistrat e vjetërsisë në punë, listë pagesat apo borderot, librat e pagave, regjistra të fuqisë punëtore etj, që gjendeshin në ndërmarrje, institucione dhe organizata, u dorezuan ne Arkivat Vendore, në vartësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
 
Ndërkohë gjatë procesit të punës u konstatuan mjaft problematika në dokumentacion si: falsifikime, mungesa, kushte të papërshtashme të ruajtjes së dokumentacionit, të cilat në disa raste të arkivuara edhe në tunele pa kushte klimatizimi, etj., dhe për këtë arsye lindi si domosdoshmëri që këto dokumenta jo vetëm të merreshin nën ruajtje nga Sigurimet Shoqërore, por të fillohej me shpejtësi procesi i dixhitalizimit të të dhënave.
Nga ISSH, ne arkivin e saj po punohet per dixhitalizimin e sistemit.

Gjatë këtij procesi janë evidentuar probleme të tilla si: regjistrat të shkruara me laps, gjeneralitete të deformuara, emra të shkurtuar, ndryshime të mbiemrave, fletë regjistri të dëmtuara, dokumentacion i djegur apo i zhdukur e për pasojë i padorëzuar në arkivat shtetërore që nga viti 1992-1993 etj, kanë sjellë rritje të numrit të proceseve gjyqësore, të cilat edhe pse fitohen në shkallë të parë, përsëri nga strukturat e sigurimeve shoqërore kalojnë në proces apelimi të detyruara nga ligji. Që të gjithë jemi dëshmitarë sec cfarë ndodh me zvarritjen e proceseve gjyqësore.

Vetëm gjatë vitit 2015 kanë kaluar në procese gjyqësore për vërtetime fakti, saktësime etj mbi 2600 raste , pjesa me e madhe e të cilave kanë kaluar në apel dhe ku vonesat janë gjithmonë të pranishme.
 
Për arsyet e mësipërme në vitin 2015, rreth 3500 pensione ose afërsisht 9% e numrit të pensioneve janë caktuar jashtë afateve ligjore duke sjellë me të drejtë,shqetësimin dhe irritimin e qytetarëve.
 
Një pikë mjaft e rëndësishme mbeten edhe vendimet e gjykatave lidhur me vërtetimin e faktit në rast të periudhave të sigurimit kur dokumentacioni i ndërmarrjeve apo kooperativave është i djegur. Aktualisht gjenden të evidentuara si të djegura plotësisht 201 njësi apo ndërmarrje si dhe 248 raste të dokumentave të djegura pjesërisht, ku vjetërsia e punës merret me vendim gjykate.
 
Me anë të këtij projektvendimi, krijohen strukturat përgjegjëse të verifikimit dhe vërtetimit të periudhave të sigurimit dhe masave të tjera ligjore.
 
Vendimi, sic e permenda në fillim është sot një lajm i mirë për të gjithë ata qytetarë shqiptarë që e kanë vuajtur këtë problematikë në vite. Kujtoj se vendimi i djeshëm i qeverisë, është në vazhdën e një sërë vendimeve në favor të kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare, pensionistëve.
Vetëm pak javë më parë rritëm pensionet për rreth 20 mijë pensionistë, me një rritje të konsiderueshme për kategorinë e dalë në pension në vitet 93- 96 e që ishin penalizuar me përfitime më të ulta se të tjerët.
 
 
Lajmi i dytë i mirë për qytetarët shqiptarë sot shkon gjithashtu për shtresat më në nevojë të shoqërisë shqiptarë dhe me më shumë kontribut , që janë pensionistët.
Pensionistët në zonat rurale do të përfshihen gjithashtu në skemën e pagesës për kompesim të energjisë elektrike pas heqjes së fashës së konsumit prej 300 kwh në muaj.
Vendimi shkon në ndihmë të mijëra familjeve pensionistësh.
Me Vendimin e Keshillit te Ministrave qe u miratua dje u shtuan perfituesit edhe  per disa familje pensionistesh qe banojne ne zonat rurale  dhe   ne pergjithesi te gjithe periferite e qyteteve  si dhe disa qendra te banuara qe nuk  merren me bujqesi etj)
Në projektvendim janë përfshirë keto kategori të veçanta pensionistësh :
 
Të moshuarit që janë pensionistë e banojnë në fshat; në zona të cilat konsiderohen ende si zona rurale por në fakt e kanë humbur kuptimin pasi janë kthyer ne qendra të banuara dhe ku familja nuk ka as tokë dhe as ndonjë mundësi tjetër për të zhvilluar prodhimin bujqësor;
 
-         rastet kur familja përbëhet nga dy pensionistë por kontrata e energjisë nuk është në emër të kryefamiljarit por është në emër të bashkëshortes;
 
-          rastet e pensioneve familjare kur kontrata vazhdon të jetë në emër të mbajtësit të familjes që nuk jeton.
 
Bazuar në numrin e përafërt të kërkesave përllogaritet që numri i të kompensuarve të shtohet me rreth 5 mijë persona ndërkohë që efektet financiare prej rreth 45 milionë lekë  do të përballohen brenda fondit të sigurimeve shoqërore të programuar për vitin 2016.
Kjo kategori ju shtohen 203 mijë familjeve që kanë përfituar nga kompesimi i energjisë pas heqjes së fashës prej 300 kwh në muaj,  një vit më parë.
 
 
Vendimi tjetër I rëndësishëm I qeverisë, është për një tjetër kategori që ka nevojë për mbështetjen dhe dorën e shtetit.  Kemi miratuar dje:
PLANIN KOMBETAR I VEPRIMIT PER PERSONAT ME AFTESI TE KUFIZUAR   2016-2020
Ky eshte një dokument politik shumë i rëndësishëm.
Ky vendim konfirmon edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë Shqiptare për të bërë realitet integrimin dhe përfshirjen e PAK në shoqëri duke e konsideruar këtë kategori si një nga grupet më vulnerabël e të përjashtuar të shoqërisë.
Qeveria është e bindur se zbatimi i politikave mbështetëse për këtë grupim duhet të marrë një vend të rëndësishëm në axhendën politike të 5 viteve të ardhshme.
Qeveria është e bindur se zbatimi i politikave integruese për personat me aftësi të kufizuar do ta shndërrojë këtë grupim në një potencial të vërtetë për shoqërinë shqiptare.  
Qëllimi i këtij Plani Veprimi Kombëtar është të nxise integrimin e  personave me aftësi të kufizuara në shoqërinë shqiptare, të parandalojë diskriminimin dhe të eliminojë pengesat për të lehtësuar aksesueshmërinë dhe realizimin e plotë të të drejtave të tyre në të gjitha fushat. Kjo tregon se Qeveria është e angazhuar që të përmirësojë statusin e personave me aftësi të kufizuara dhe aksesin në të drejtat e tyre në të gjitha sferat e jetës.
 
Për herë të parë kemi një dokument strategjik të aftësisë së kufizuar të bashkëhartuar me grupin e interesit e në përputhje me nevojat reale që ata kanë.
 
Fushat prioritare të Planit janë: Aksesueshmëria; Arsimimi; Punësimi dhe Aftësimi  Profesional; Kujdesi social dhe Kujdesi shëndetësor, por edhe Pjesëmarrja në jetën politike dhe publike të vendit.
 
Si në asnjë dokument tjetër të mëparshëm, një theks të vecantë kanë politikat dhe masat konkrete për të realizuar një arsim gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuar, pavarësisht nga lloji i aftësisë së kufizuar që ata kanë.
 
Vizioni ynë për vitin 2020 është që cdo fëmijë me AK të jetë përfshirë në arsimin bazë dhe numri I të rinjve me AK që ndjekin arsimin e mesëm dhe të lartë të jetë rritur.
 
Parashikimi i të gjitha buxheteve të nevojshme për realizimin e masave të Planit tregon përgjegjësinë që kjo Qeveri merr përsipër duke u angazhuar seriozisht që jeta e PAK në 5 vitet e ardhshme të jetë më e mirë e më e denjë.
 
Edhe pse masat e ndërmarra, që synojnë në një integrim real të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri, tregojnë për vëmëndje në rritje të qeverisë dhe përgjegjësisë së institucioneve shtetërore, jemi të ndërgjegjshëm që  kemi ende shumë për të bërë dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi janë ende të mëdha.
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur