Fjala e ministrit Naço në tryezën
për Kodin e Procedurës Civile 

Fjala e ministrit Naço në tryezën<br />për Kodin e Procedurës Civile 
Administrata publike përfshin nëpunësit civilë që zbatojnë një politikë të caktuar brenda kufijve të një kornize ekzekutive të qeverisë. Nëpunësit civilë sigurojnë kryerjen e shërbimeve publike dhe ndërtojnë rrugën e së ardhmes.
Po të hedhim një vështrim historik mbi reformën e administratës publike, vërejmë se ka qenë një nga çështjet më problematike të tranzicionit post-komunist në Shqipëri.
Administrata Publike është dëmtuar nga inercitë politike, pasi çdo ndryshim i qeverisë ka nënkuptuar gjithashtu një ndryshim të stafit administrativ, duke përfshirë pozicionet teknike. Si e tillë, administrata shtetërore është reduktuar në një staf të politizuar me pak përvojë, merita profesionale dhe me burokraci të tepruar.
 
Një hap i rëndësishëm në modernizimin e Administratës Publike ka qenë krijimi i Departamentit të Administratës Publike në vitin 1994, njësi e ngarkuar për formulimin dhe zbatimin e reformave në Administratën Publike. Hapi i dytë më i rëndësishëm ishte miratimi i ligjit për statusin e nëpunësit civil në vitin 1999. Ndërsa ajo që konsiderohet si kolona vertebrale për ndërtimin e një administratë eficiente dhe të përgjegjshme është miratimi i procedurave administrative të qarta.
 
Kodi i Procedurave Administrative u miratua në vitin 1999. Para kësaj date, procedurat për zbatimin e akteve ligjore, ishin të fragmentuara në ligje dhe rregullore të ndryshme. Miratimi i Kodi i Procedurave Administrative ishte një hap përpara për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Megjithatë, zbatimi i tij ka prodhuar disa mangësi. Disa prej këtyre të metave janë të konsiderueshme dhe teknike të vetë tekstit ligjor. Edhe pse Kodi i Procedurave Administrative në mënyrë eksplicite detyron të gjitha organet e administratës publike ta zbatojnë atë dhe nuk parashikon dispozita nëpërmjet të cilave ligjet e veçanta përjashtojnë zbatimin e këtij Kodi, pothuajse çdo ligj sektorial rregullon një procedurë të veçantë.

Këto procedura të veçanta kanë minuar qëllimin e Kodin e Procedurave Administrative: atë të mbrojtjes ligjore të qytetarëve të thjeshtë dhe për të lehtësuar punën e   nëpunësve civilë gjatë kryerjes së detyrave të tyre funksionale, dhe për të bërë veprimet e tyre të parashikueshme. Disa përmirësime janë bërë përmes ndryshimeve në ligjet e veçanta, kryesisht drejt regjistrimit dhe procedurat e licencimit të bizneseve. Pra, janë vendosur dy sisteme one-stop shop, i pari në vitin 2007 për regjistrimin e biznesit, (Ligji 9723/2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”) dhe i dyti në vitin 2008 (Ligji 10081/2008) që ka të bëjë me licencimin e biznesit dhe lejeve.

Kodi aktual i procedurës administrative parashikon disa rregulla procedurale shumë të ndërlikuara dhe të detajuara të cilat mund të pengojnë zhvillimin dhe modernizimin e nevojshëm të administratës publike. Disa nga dispozitat e Kodit nuk janë në përputhje me parimin e sundimit të së drejtës si p.sh përkufizimi i kufijve të pushtetit diskrecional të autoriteteve të administratës shtetërore që mund të cënojnë parimin e sigurisë ligjore. Gjithashtu, për sa i përket parimit të ligjshmërisë nuk parashikohet qartë se në çfarë kufijsh organet e Administratës Publike mund të veprojnë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme.
 
Transparenca dhe siguria ligjore në vendimmarrje, si dhe standardet e legjislacionit cilësor, kërkojnë një sistem koherent, të unifikuar të procedurave administrative. Një uniformitet i tillë gjithashtu do të ulte kostot administrative, përshpejtonte vendimet administrative dhe mbi të gjitha do të rriste efektivitetin dhe efikasitetin e administratës publike. Përmbajtja e të gjitha rregullave procedurale në të njëjtin ligj është më i përshtatshëm edhe për nëpunësit e organeve publike edhe për qytetarët.
Këto janë edhe arsyet kryesorë që kanë shtyrë Ministrinë e Drejtësisë në ndërmarrjen e kësja nisme ligjore, e cila është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me misionin SIGMA. (Support for improvement in governance and management).

Propozimi i kësaj nisme vjen edhe në kuadër të unifikimit të Kodit të Procedurave Administrative me ligjet e reja të miratuara në këtë fushë si: Ligji nr.152/2013, “Statusi i nëpunësit civil” dhe aktet që do të dalin në zbatim të tij; Ligjit nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”; Ligjin nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Miratimi i këtyre ligjeve është shumë i rëndësishëm së pari në forcimin e parimit të meritës në rekrutime, unitetit dhe homogjenitetit të regjimit të punësimit në shërbimin civil, duke përfshirë në regjimin e nëpunësit civil institucione të varësisë të cilët nuk ishin më parë, si edhe pushtetin vendor. Së dyti, këto ligje përbëjnë një hap i rëndësishëm në reformimin e sistemit gjyqësor, duke siguruar rishikimin ligjor të vendimeve administrative nga gjykatat e pavarura, rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit në shërbimin civil.

Miratimi i këtij ligji vjen edhe si kërkesë e BE që, sipas Raportit të fundit të Progresit për Shqipërinë të lëshuar nga Komisioni Evropian, reforma në administratën shtetërore përbën një prioritet kyç të Opinionit dhe kërkohet ngutshëm miratimi i ligjit për procedurat administrative. Pra, ky ligj vjen si nevojë e përafrimit të Kodit të Procedurave Administrative me standartet dhe praktikat e konsoliduara të vendeve të Bashkimit Europian.

Në mënyrë që procesi i hartimit të këtij Kodi të ishte sa më gjithëpërfshirës dhe cilësor, Ministria e Drejtësisë, si promotore e kësaj reforme, ka ftuar një sërë partnerësh ndërkombëtarë si: përfaqësia e OSBE në Shqipëri, Delegacioni i BE në Shqipëri, ekspertë të së drejtës së BE- së si dhe organe e institucione kombëtare (Unioni i Gjyqtarëve, kryetarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetuese, Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës dhe Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë për të paraqitur komente mbi projektligjin “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

Ministria e Drejtësisë është shumë e angazhuar në përftimin e një teksti sa më cilësor, duke u treguar e kujdesshme në shqyrtimin e propozimeve që na kanë ardhur nga ekspertët dhe partnerët tanë të nderuar, duke qenë se Kodi i Procedurave Administrative për nga vetë natyra duhet të jetë një ligj i qëndrueshëm dhe nuk duhet që brenda pak vitesh të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme. Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë po organizon tryeza të rrumbullakëta dhe takime me ekspertë vendas dhe përfaqësues nga institucione publike dhe private në mënyrë që të ketë një proces sa më të gjerë pjesëmarrjeje. Ky projektligj është publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë për t`iu nënshtruar konsultimit publik.

Projektligji është një pikënisje për një proces dinamik të unifikimit të procedurave administrative. Të gjitha organet publike duhet të sigurojnë realizimin efektiv të detyrave publike në shërbim të qytetarit dhe në mbrojtje të të drejtave civile. Administrata duhet të fokusohet te qytetari, sepse ky është edhe misioni i saj.
Ndryshimet e propozuara synojnë krijimin e instituteve të reja ligjore nëpërmjet rihartimit të tij në përputhje me standartet europiane. Më konkretisht, risitë që paraqet ky projektligj janë:

• Qartësimi i strukturës së Kodit të Procedurave Administrative, duke lehtësuar leximin dhe interpretimin e tij. Në tërësi, struktura e Kodit të ri ndjek një rrjedhë logjike, që do të jetë një plus për mirëzbatimin e tij.
 
• Përqasja e Kodit të Procedurave Administrative me ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile lidhur me komunikimin elektronik, si dhe qendrat e shërbimit me një ndalesë (one-stop-shop),të cilat janë trajtuar gjerësisht në kodin e ri. Pikat e shërbimit me një ndalesë përbëjnë një lehtësi për qytetarin, i cili shërbimet administrative mund t`i përfitojë drejtpërdrejt në pikën e shërbimit me një ndalesë, si dhe nëpërmjet postës apo mjeteve elektronike.
 
 
• Përmirësimi i transparencës së procedurave administrative. Parimi i informimit dhe i ndihmës është ai që do të udhëheqë administratën publike në vazhdimësi. Kodi sanksionon se Organi Publik gjatë procedimit administrativ, ndihmon që palët të mbrojnë dhe realizojnë lehtësisht të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme, por pa cënuar të drejtat dhe interesat e ligjshme të personave të tjerë dhe interesin publik. Gjithashtu, organi publik, vë në dijeni palën, për të drejtat dhe detyrimet e saj në procedimin administrativ, si dhe për pasojat ligjore të veprimeve a mosveprimeve të saj gjatë këtij procedimi. Nga ana tjetër rregullon gjithë procedurën për të garantuar të drejtën e palës për njohje me dosjen, marrjen e kopjeve të dokumenteve, qoftë kur këto administrohen në formë elektronike, gjatë procedimit administrativ. Pjesa e pestë e Kodit rregullon posaçërisht njoftimin, sanksionon parimet për një njoftim të përshtatshëm, si dhe  format e njoftimit.
 
• Përmirësimi i efikasitetit të vendimmarrjes administrative. Parimi i deburokratizimit dhe parimi eficencës sanksionohen që në hyrje të Kodit. Kjo dispozitë sanksionon se Procedimi Administrativ zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë sesa afati kohor i parashikuar me ligj për atë lloj procedimi, me sa më pak kosto për organin publik dhe për palët, në mënyrë që të arrije çfarë është e nevojshme për një rezultat të ligjshëm.
 
 
• Promovimi i një praktike administrative të orientuar drejt shërbimit dhe një administratë publike profesionale, që siguron një administratë të paanshme dhe profesionale, ku qoftë ekzistenca e dyshimit për një nga rastet e konfliktit të interesit, çon në përjashtimin e nëpunësit nga procedimi, në funksion të sigurimit të paanësisë së administratës gjatë procedimit.
 
• Përdorimi i teknologjive moderne të informacionit dhe të komunikimit për ofrimin e shërbimeve administrative cilësore, etj. Kodi i ri lejon administrimin e dokumenteve gjatë një procedimi administrativ edhe në formë elektronike, duke u garantuar njëkohësisht sigurinë e të dhënave, të mbrojtura sipas ligjit.
 
Duke shpresuar dhe përshëndetur bashkëpunimin tuaj në hartimin sa më cilësor të këtij projektligji, uroj që diskutimet tona të jenë sa më të frytshme.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Të gjithë kemi nga një histori tragjike, të vdekjes së një familjari për faj të mjekësisë së dështuar

Spahiu: Të gjithë kemi nga një histori tragjike, të vdekjes së një familjari për faj të mjekësisë së dështuar