Fjala e ministrit ne seance plenare - 4 shkurt 2016‏

I nderuar drejtues i seancës,
të nderuar deputetë!
Për hir të së vërtetës duke dëgjuar ish-kryeministrin për ato që thoshte, të humb edhe dëshira të besosh te parlamentarizmi dhe te kapaciteti që duhet të ketë kjo sallë për të gjeneruar debate reale për qytetarët.
E fillojë me statutin e vazhdojë me akuza për lidhje me krimin, vazhdojë me rajonin, shkoi deri në Azi dhe me plot të drejtë njerëzit pyesin: Kujt i duhet tre orë gati, të paktën tani në fund,  debat pa pikën e lidhjes, për interesin publik pa pikën e lidhjes, për qytetarët pa brumë?
Për të shkuar te problemi, pa zgjidhje, kujt i duhet kjo?  Për çfarë jemi këtu? Çfarë bëjmë? Për kë flasim? Kush është interesi i qytetarëve? S’ka rëndësi, mund të shahemi tërë ditën, mund të më shani mua. Unë ju shaj juve, nuk ka rëndësi, ne mund të debatojmë por kujt i duhet, kujt i vlen.
Këtu për çfarë paguhemi, për çfarë vlejmë, për çfarë intelektualisht na kanë mbledhur njerëzit këtu? Për të bërë çfarë?
Ne nuk e kemi luksin të përfundojmë këtë seancë dhe të dalim nga salla sikur kemi mbaruar një ditë të zakonshme pune. Nuk është ky Parlamenti. Të dëgjojë një i ri se çfarë ndodh këtu, nuk do t’i duket as si orë historie, as letërsie, as gjeografie, as si orë gjeopolitike dhe as si orë marrëdhëniesh ndërkombëtare pasi nuk kupton dot njeri gjë.
Ky nuk është Parlamenti, ajo zvarritja e fjalimeve pafund me legjenda, akuza me shpifje dhe balt. Është kjo arsyeja besoj unë, në mos arsyeja kryesore se pse në sondazhin e fundit të financuar nga partnerët tanë parlamentarizmi kishte humbur besueshmërinë dhe kjo nuk është hera e parë që humbet besueshmërinë te publiku.
Nuk ka arsyeje për këtë që bëjmë këtu, sesi sillemi këtu, për cfarë themi, kujt i flasim, çfarë problemesh ngremë dhe cilat zgjidhje japim. Unë besoj se thellë - thellë secili prej nesh këtu ka një bazë ndërgjegje publike pavarësisht sesi ndahemi. Për mua është gati e pafalshme që ish-kryeministri këtu të bëjë thirrje antikushtetuese, për mua është gati e pafalshme që ish-kryeministri t’i bëjë thirrje popullit për bojkot, revolucion, thirrje që janë në thelb antikushtetuese.
Për mua nuk është e pranueshme që ish-kryeministri të bëhet monumenti më i lartë i anti-shtetit. Për mua kjo nuk është e pranueshme që ish-kryeministri të bëhet statuja më e madhe sesi nuk duhet të sillet njeriu në parlament. Për mua nuk është e pranueshme që ish-kryeministri të bëhet pasqyra më e denjë e raportit që duhet të ketë njeriu me të vërtetën, burri me të vërtetën.
Për mua këto nuk janë të pranueshme dhe kur nuk janë të pranueshme për ne edhe kur dalin nga kjo sallë, mere me mend sa të pranueshme janë për qytetarët të cilët presin që nga kjo sallë të dalin zgjidhje për problemet.
Më keni akuzuar këtu për lidhjet e mija me krimin, për lidhje të Kryeministrit me krimin dhe keni marrë përgjigje, në gjyq. Kryeministri ju ftojë në gjyq dhe humbët, u dënuat sepse deklaratat ishin të  pavërteta.
Atje madje thatë se kjo është për politikë, madje se është deklaratë partie. Jo nuk është kështu. Nuk mund të jetë kështu. E morët përgjigjen në ftesën që ju bëri në gjyq Kryeministri, ndërkohë që unë gjyqin tim nuk po e vazhdoj dot. Nuk po e vazhdoj dot me një pretendim, ankesë në Gjykatën Kushtetuese në emër të fjalës së lirë? Në emër të lirisë për të shpifur këtu? Në emër të lirisë për të baltosur gjithkënd? Unë nuk kam kërkuar gjë.
Kam kërkuar që gjykatat të jenë forumi ku kush ka ndonjë akuzë të vijë dhe të përballet. Kjo i vlen më shumë edukimit mbi shtetin ligjor, mbi drejtësinë mbi mundësinë që ne të ndikojmë njerëzit për t’i thënë po hajde të investojmë të gjithë bashkë për të vërteta të përbashkëta, në institucione.
Kjo vlen më shumë për njerëzit, jo akuzat marramendëse në këtë foltore. E ndërkohë, këtu në këtë foltore lëshohen llojlloj skenarësh që shkojnë deri te ministri, te kryeministri. Pastaj në foltore partie, lloj lloj deklaratash, gati të përditshme, sa herë ka një vrasje, sa herë ka një vjedhje, sa herë ka një vepër penale. Dakord, ju e dini!
Por unë nuk besoj se kjo është mënyra më e mirë për të bërë politikë! Çfarë po u thoni njerëzve?! Po u thoni që ka vrasje, fajin e ka ministri!? Po u thoni njerëzve, meqë u vranë në Durrës, fajin e ka ministri?! Meqë ndodhi një vjedhje, fajin e ka ministri?! Meqë mbillet drogë, fajin e ka ministri?! Po mirë, edhe në qoftë kështu, dhe po ushtrohem intelektualisht për një moment të besoj që mund të keni të drejtë! Po pse nuk dilni të përkrahni rezultatet e policisë!? Nuk po thotë njeri t’i thoni bravo ministrit! Por të përkrahni rezultate e policisë.
Pse nuk thoni një fjalë të mirë për punonjësit e policisë? fundja, ju keni një kampion, vitin 2015! I mjaftueshëm për të gjykuar nëse Policia ka rilindur, nëse Policia është në krye të detyrës, nëse Policia po bën atë që duhet të bëjë në raport me qytetarin, nëse Policia po i shërben njerëzve! Ju keni mundësi ta gjykoni këtë! Shikoni shifrat! Nuk i besoni shifrat e Ministrisë?!
Shikoni shifrat e Prokurorisë! Nuk i besoni as ato, ka plot mënyra për të shkuar edhe në gjykatë. Dhe nuk ka qytetar që mund të besojë kur thoni se gënjekemi për numrin e vrasjeve! Si gënjejmë për numrin e vrasjeve? Fshehim vrasje?! Nuk ndodh më! Eshtë e pamundur. Dhe shumë gabim kushdo që e thotë sepse nuk mund të ndodhë në Shqipëri të fshihen vrasjet. Po kush e fsheh? E fsheh unë? E fsheh Ministria?! E fsheh Policia?! E fsheh Prokuroria?! E fshehin familjarët e atij që vritet?! Nuk ndodh.
Dhe në qoftë se doni realisht të flisni për kriminalitetin, unë jam shumë i gatshëm që në këtë parlament të bëjmë një debat siç duhet: - si duhet ta luftojmë kriminalitetin?! Si duhet ta bëjmë më mirë punën e policisë? Si duhet të bëjmë që shoqëria të jetë imune ndaj kriminalitetit! Është një debat shumë i gjatë në fakt, e do na duhet të shkojmë që nga fillimet e demokracisë, për të shkuar te mënyra se si funksionojnë institucionet që mbjellin padrejtësi konstante, intensive ndërmjet njerëzve! Është debat shumë i gjatë që shkon deri te : - si funksionon drejtësia!?
Gjyqtarë që me vendime të padrejta lirojnë kriminelë dhe pastaj me vendimet e tyre të padrejta marrin jetë njerëzish! Është debat shumë i gjatë, deri te mënyra si është qeverisur në këtë vend, që shkon nga arroganca e zyrtarit të emëruar, te dhunimi konstant i zyrtarit të zgjedhur, pastaj të shkosh te hapja e çdo rruge dhe çdo mundësie që populloi këtë popull me armë në çdo cep e që sot nuk i dilet, se kudo të gërmosh, të del prapë një armë!
Është debat shumë i gjatë, deri te kjo foltore vjen! Dhe te kapaciteti që kemi ne, për t’i dhënë njëri tjetrit mundësinë që edhe të shahemi, por kur vjen puna, njerëzve t’u flasim për drejtësinë. Dhe për mundësinë që kjo shoqëri të jetojë në mënyrë të shëndoshë, të refuzojë paligjshmërinë, kriminalitetin, informalitetin!
Sot ka vrasje brenda familjes; ka vrasje për pronën; ka vrasje mafioze! Sigurisht! Po pse s’mendoni që duhet të shkojmë te thelbi i çështjes! E në qoftë se 2 shqiptarë vriten për pronën, ju mund të drejtoni gishtin te Policia! Unë e drejtoj gishtin te institucionet që 25 vjet nuk kanë zgjidhur çështjen e pronës! Dhe që lënë sot shqiptarët të vriten me njëri-tjetrin, sepse s’kanë gjetur drejtësi! Të bëjnë vetëgjyqësi! Ta bëjnë drejtësinë vetë dhe drejtësia e bërë vetë, nuk është kurrë drejtësia që mund të bëjnë institucionet! Ne duhet të shkojmë te shkaqet e kriminalitetit.
E nuk fiton kurrkush, as ju, as ne, në qoftë se njëri tjetrit i drejtojmë gishtin e kriminelit, i lidhur me bandat, epitet llojlloj! Jo, nuk është kështu!
Një gjë mund të bëjmë ne! Të edukohemi fillimisht ne, si një klasë fëmijësh po të doni. Por të edukohemi që në këtë parlament të mësohemi të dënojmë krimin, dhe jo të mbajmë anë. Të drejtojmë gishtin e përgjegjësisë te kriminelët që s’kanë as parti, që nuk pyesin fare se kush është me këtë apo me atë! Kanë një Parti – Partinë e botës së krimit! Që nuk duhet të hyjë kurrrë këtu në këtë parlament!
Është kjo arsyeja përse ne duhet të bëjmë një debat të shëndoshë për shkaqet e kriminalitetit.
Dje në Elbasan ndodhi një ngjarje shumë e rëndë që, me plot të drejtë, shqetësoi qytetarët në Elbasan e në përgjithësi. E mirëpres shqetësimin e secilit prej jush në opozitë dhe të kolegëve të mi në maxhorancë. Por nuk mirëpres që ju të dilni këtu dhe të thoni se ajo vrasje ndodhi se “ministri është bandit dhe kryeministri është kryebandit”. Kujt ia thoni këtë? Çfarë do mendojnë qytetarët? Më e pakta: që jeni duke bërë politikën klasike të atyre që pas arkivolit dalin për të përfituar. Të atyre që pasi varroset i ndjeri duan lekë për larjen e duarve. Politikën e atyre që përfiton me viktimat, që nuk ka limit deri ku duhet të shkojë raporti ynë politik me njëri-tjetrin. E kujt i shërben kjo?
 
Policia e ka ndjekur në vazhdimësi specifikisht këtë çështje që në thuajse një dekadë ka marrë jetën e 8 personave. Për shkak të konfliktit, në dhjetë vite janë 8 të vrarë dhe 2 tentativa për vrasje – dhe vetëm dy të dënuar! Një ndër vrasjet ka ndodhur në vitin 2012 dhe është bërë ndaj një personi që ishte me arrest shtëpie (me vendim Gjykate ruhej me detyrim me dy punonjës policie në derën e shtëpisë). Punonjësit e Policisë nuk u gjendën ku duhej të ishin, dhe vrasësit hynë në shtëpi dhe e vranë, bashkë me babanë. Dhe vrasësi i dyshuar kërkoi të dilte në kufi, e në kufi doli, pavarësisht se policit iu shfaq në ekran alarmi “person në kërkim”.
Polici është arrestuar e më pas është liruar, pavarësisht se la një kriminel (apo autorin e dyshuar) të dilte nga kufiri. Dhe unë sot e marr vesh që polici është ende në detyrë e u dënua atë kohë me ulje në gradë. 
Unë sot jam partizan që punonjësi i Policisë të mos rrijë më në detyrë as kur merr ryshfet. Dhe kjo ndodh. Ndaj janë mbi 2 mijë punonjësit e Policisë në procedim penal e disiplinor. Sepse ne realisht besojmë se një Polici e korruptuar nuk e lufton dot korrupsionin, një Polici e inkriminuar nuk e lufton dot krimin.
Po këta 2 mijë, çfarë janë në fakt? Pa drejtuar gishtin nga ju se nuk i vlen kujt, pavarësisht kujt ka qenë në qeveri, këta 2 mijë janë fatkeqësia juaj që ishit në qeveri, por janë trashëgimia jonë e përbashkët. Janë ç’kanë gjetur qytetarët: mbi 2 mijë punonjës Policie që nuk bënin detyrën, që e bënin detyrën në shkelje të ligjit, që mbanin një parcelë, që korruptonin, merrnin bakshish, bashkëpunonin me krimin, i shërbenin krimit. Këta nuk ishin as policët tanë, as policët tuaj.
Këta ishin trashëgimia jonë. Për fatin tonë të keq, tuajin e të qytetarëve mbi të gjitha! Sepse viktimat reale të luftës së pamundur e pa sukses deri dje me krimin janë qytetarët, nuk jemi ne këtu që rrimë e flasim e drejtojmë gishtin ndaj njëri-tjetrit. Janë qytetarët viktimat e vërteta, që ndihen më të pambrojtur për shkak të drejtësisë që mungon, e më të pambrojtur akoma sepse votojnë një herë në katër vjet për këtë Parlament e ky Parlament në çdo katër vjet gjen çdo ditë për t’u zënë me njëri-tjetrin - por nuk mbron qytetarët. E kujt i flasim ne për “arsyet e kriminalitetit”?
 
Unë nuk dua të merrem me akuzat tuaja. Nuk kam as kohë, as dëshirë, as vullnet, e besoj nuk ma lejon as detyra. Keni thënë se jam “i korruptuar”, “kriminel”, “bashkëpunëtor me kriminelët”, “kam ecur në makinë me kriminelë e kam bërë pazare me krimin” e kështu me radhë.
Unë ju kam sfiduar në institucione! Keni provë? Shkoni në Prokurori (siç shkova unë), e depozitojini!
Keni provë shkoni në Prokurori siç shkova unë vetë. Shkoni depozitojini. Jam gati të përgjigijem çdo sekondë përballë jush, përballë publikut, e mbi të gjitha përballë ligjit, për si jam rritur, për familjen që më ka rritur dhe për mënyrën si dua të rris fëmijën tim. Unë këtë bëj. Dhe jam shumë i sigurtë që as fëmijët tuaj nuk do donin që ky parlament të ishte kështu. As fëmijët tuaj nuk do donin që babain apo nënën, këtu në parlament, ta kishin akuzatorë të rrezikshëm që iu vjellë nga goja çdo lloj llumi, çdo lloj akuze.
Policia e Shtetit është sot një ndër institucionet më të besuara. Dhe këtë nuk e them unë. Këtë e thonë partnerët ndërkombëtarë. Sondazhi që u bë publik para tre ditësh, tregoi që Policia është i vetmi institucion, që ka rritur besimin në mnëyrë progresive tek publiku.
Këtë s’po e them për tu mburrur. Këtë s’po e them se është arritje e jona. Por, po e them për të ndarë me ju një arritje që është sa jona, sa e juaja. Përsa kohë i shërbehet qytetarëve, përsa kohë kemi mundësi të bëjmë më shumë dhe kjo që kemi bërë deri më sot nuk është vetëkënaqësi. Kjo që kemi bërë deri më sot është përgjegjësi më shumë për ne, që të bëjmë akoma më shumë. Që ta bëjmë Policinë e Shtetit akoma më të mirë, më të përgatitur. Të mos ketë më njërëz që nuk bëjnë detyrën në Policinë e Shtetit. Të ketë punonjës policie të rinj dhe të reja, që besojnë realisht se ky vend mund të bëhet.   
Por, kjo foltore këtu nuk mund të bëhet vrastarja e të rinjve dhe të të rejave që duan të shërbejnë në Policinë e Shtetit, në adminsitratën publike, në shëndetësi pse jo, në arsim, në shërbimin e jahtëm. Kudo! Kjo është e rëndësishme!
Unë do të doja shumë që ju të kuptonit se në çdo ngjarje kriminale autori nuk është ministri, as kryeminsitri. Autori është në të gjitha rastet një kriminel që duhet dënuar nga të gjithë, pa dallim partiak.
U çuat dhe akuzuat për ngjarjen në Durrës. Shumë e rëndë dhe ajo. U zbardh. Është arrestuar një njeri, i dyshuar si autor. Është në kërkim dhe një tjetër. Ju dolët dhe thatë “policët e Tahirit goditën prapë”.
Po çfarë t’ju them unë tani që ishin policët tuaj!? Meqë ai doli që ishte vërtetë ish-punonjës policie, që e mbanit ju në punë, se polic e gjetët, po s’ishte i Tahirit, ishte i juaji, këtë doni t’ju them? E kush fiton nga kjo histori? Për mua është një autor i dyshuar. Vetëm kaq. 
S’ka rëndësi se ka qenë punonjës policie në kohën tuaj apo është tani. Se unë bie dakord me realitetin që kam gjetur. Prandaj janë rreth 2000 punonjës policie në procedim penal dhe në procedim disiplinor. E çfarë do të thotë kjo!?
Po kështu në Fushë-Krujë. Tentativë grabitje, u vra personi që do grabitej. U zbardh, u arrestuan të gjashtë autorët. Tani ndodhi para dy javë e gjysmë. Dhe si do thoni? Çfarë do flisni tani? Se u zbardh ngjarja, u kapën autorët.
E rëndësishme është qytetarët dallojnë kush është realisht më i angazhuar për ta bërë më të sigurtë vendin. Dhe kush është realisht i angazhuar për të bërë vetëm politikë me krimin.            
E njëjta gjë me Byronë Kombëtare të Hetimit. U bë java, e keni kthyer në çështje. Kur ishit të parët që nuk e donit Byronë Kombëtare të Hetimit. U bë java, e keni kthyer në çështje, për fatin tonë të mirë në fakt, sepse është angazhim programor i Partisë Socialiste që në opozitë.
U bë java që e keni kthyer në çështje, do ndodh. Byroja Kombëtare e Hetimit do nisë nga puna. Por si do merrni meritë me programinë tonë, me angazhimet tona. Do quani arritjet tuaja, ato që ne i kemi premtuar në opozitë, që shkuam te  shqiptarët që i bindëm, që morëm votat, që i kthyem në program, që i bëmë realitet, që do i sjellim në paralment, ta votojmë dhe të fillojë Byroja Kombëtare e Hetimit.
Ja u thashë dhe më parë dhe nuk ua them për politikë as këtë. Por nuk shkon të vini këtu dhe të flisni për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe të keni dy qëndrime për arrestimin e një ish-ministri. Nuk shkon. Nuk shkon të vini të flisni këtu për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe të keni disa qëndrime për arrestimin e një zyrtari. Po jo pra se, korrupsioni dënohet. Kriminaliteti dënohet. Bota e krimit dënohet njëlloj pavarësisht nga partitë. Ja këtë duhet të bëjmë ne këtu. Njëzëri, pa dallim.
Pastaj mua pot ë doni më shani, po të doni mos më shani nuk më intereson fare. E rëndësishme është që qytetarët nga kjo foltore, nga ky parlament, nga çdo burrë dhe grua në këtë parlament të kuptojë që në ndahemi gjithkund.
Po nuk ndahemi kur vejn puna tek lufta kundër krimit. Ne mund të kundërshtojmë njëri-tjetrin për çdo gjë, por jo te dënimi i kriminelëve.
Ne mund të bëjmë çdo gjë për të bërë ndryshe, por ne duhet të bëjmë një gjë bashkë dhe kjo është reforma në drejtësi.
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shkuan të merrnin 148 kg kokainë në portin e Livornos, zbulohen emrat e 3 'korrierëve' shqiptarë! Droga nga Ekuadori ishte fshehur në kontejner me banane