Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë përurimit të ambjeteve të rikonstruktura të Drejtorisë së Policisë Tiranë:

Hapja e zyrës së parë të shërbimit për qytetarët në sistemin “One stop shop”, për të gjitha shërbimet policore ndaj qytetarëve, shënon në fakt një tjetër epokë duke vendosur një marrëdhënie të re ndërmjet qytetarit vetë dhe Policisë së Shtetit.

Policia është njësia shtetërore, pak njihet, por njësia shtetërore që ofron shërbime administrative ndaj qytetarëve më shumë se pjesa më e madhe e institucioneve të tjera. Pavarësisht se e perceptuar dhe e njohur gjerësisht për dimensionin e saj represiv, Policia e Shtetit jep një numër të konsiderueshëm shërbimesh që janë rreth 75 lloj shërbimesh, nga pasaportat, te licencat, certifikime personale dhe sipërmarrjesh, autorizime, regjistrime, deklarime, njoftime, të gjitha në shërbim të qytetarëve.

Deri dje të gjitha këto shërbime ishin të organizuara në mënyrë kaotike, me sorollatje nga zyra në zyrë, nga një komisariat në tjetrin, madje për leje dhe autorizime të veçanta, do të duhej të vije nga një qytet drejt Tiranës për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Deri dje, e gjithë kjo, kishte vetëm një emër, shpenzim kohe, burokraci dhe sigurisht korrupsion.

Nga sot, me hapjen e këtyre zyrave, “One stop shop-in” e shërbimeve policore, qytetari mund të paraqitet njëlloj për të marrë shërbim si në Tiranë, si në rrethe, pa u sorollatur nga një zyrë në tjetrën, por vetëm në një sportel të vetëm. Pa u paraqitur vazhdimisht për të pyetur për afatin, por duke ditur që në momentin e aplikimit, datën dhe orën e saktë, kur duhet të paraqitet për të marrë shërbimin që kërkon. Pa u detyruar të kontaktojë me shumë njerëz, ca zyrtarë, dhe ca sekserë, por duke u paraqitur vetëm te një sportel i vetëm, me një operator të vetëm. Me procedura të deklaruara dhe transparente, që nuk ka asnjë lloj mundësie të zvarrisë procedurën dhe as të kërkojë para.

Ndërkohë jemi të gjithë dëshmitarë si rëndom ka ndodhur në të kaluarën që qytetarët shpesh janë paraqitur në polici për të denoncuar vepra penale dhe janë refuzuar nga punonjësit e policisë me pretekstin se këto janë gjera të vogla dhe policia, kuptohet, ka halle më të mëdha. Kjo sigurisht ka ndikuar në uljen fiktive të

numrit të veprave penale, dhe akoma më shumë ka ndikuar në thellimin e mungesës së besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.

Nga sot, qytetari nuk do të paraqitet më te një oficer roje në komisariat apo në drejtori qarku, por do të paraqitet në sportelin e kësaj zyre 24 orë në 24 i hapur dhe pa asnjë mundësi që qytetari të kthehet mbrapsht pa iu marrë kallëzimi, pavarësisht natyrës dhe llojit të veprës penale.

Ndërkohë, si çdo shërbim, qytetari për kallëzimin e tij

do të marrë faturën mbrapsht, faturën e denoncimit që është kallëzimi i vet dhe numri unik të çështjes. Numri unik i çështjes do të shërbejë si identifikativi i denoncimit të qytetarit, dhe me atë numër, qytetari mund të interesohet kudo në çdo postë policie, në çdo komisariat, dhe në çdo drejtori qarku, pa pasur nevojë të shkojë mbrapsht në pikën ku ka bërë denoncimin, dhe ndërkohë shumë shpejt, të interesohet dhe në internet nga shtëpia e tij, me numrin unik të çështjes për ecurinë dhe fatin e denoncimit të tij.

Në këtë mënyrë sigurisht eliminohet fiktiviteti i denoncimeve, eliminohen denoncimet që deri dje nuk konsideroheshin fare nga Policia e Shtetit me pretendimin që janë të parëndësishme, por mbi të gjitha, krijohet garancia se qytetarit do t’i shërbehet pa asnjë përjashtim. Zyrat e shërbimit ndaj qytetarit pra ‘One stop shop-i’ për shërbimet policore, është zgjidhja definitive për të eliminuar çdo lloj kontakti ndërmjet qytetarit dhe vetë punonjësit përgjegjës për shërbimin që kërkon qytetari. Duke u paraqitur tek operatori, qytetari nuk ka më asnjë kontakt me njeriun që potencialisht mund ta korruptojë për të marrë shërbimin që kërkon. Kjo eliminon pra në mënyrë radikale korrupsionin dhe burokracinë, të cilat kanë qenë sëmundje emblematike të deridjeshme për Policinë e Shtetit.

Edhe fizikisht, siç do ta shikoni, zyrat e shërbimit janë konceptuar të hapura me sportele shërbimi pikërisht pse policia duhet të jetë, siç do jetë, në ndihmë të qytetarëve me transparencë, me mikpritje dhe me mentalitet

shërbimi. Të tilla zyra do të hapen në çdo komisariat dhe drejtori kudo në Shqipëri. Kjo është vetëm e para, për t’i rikthyer Policisë së Shtetit mentalitetin shërbimit ndaj qytetarit, për të rikthyer besimin e qytetarëve, për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar policinë moderne që presin të gjithë.

Faleminderit!