Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri 

Të nderuar pjesëmarrës,

Dua pa asnjë diskutim ta filloj këtë prezantim timin me një falënderim për Damian Gjiknurin dhe Drejtorin e OSHEE që, pa asnjë rezervë, pranuan propozimin tonë për t’i dhënë flotës së Policisë së Shtetit mjete të cilat do i kushtojnë shumë më pak buxhetit të shtetit dhe do jenë shumë më produktive nga pikëpamja e mbrojtjes së mjedisit, për sot dhe për të ardhmen. Besoj të gjithë e dini se nga pikëpamja infrastrukturore, buxhetore dhe teknologjike Policia e Shtetit ka qenë ndër trupat shtetërore më të prapambetura. Një studim i partnerëve tanë (i kërkuar prej meje që në fillim të detyrës) na dha një pasqyrë të qartë që asaj që trashëguam në Policinë e Shtetit. Dhe veçanërisht në pikëpamjen e mjeteve bëhej fjalë për një situatë thuajse në prag katastrofe. Nga njëra anë kjo ishte vështirësi më shumë për punonjësit e Policisë, të detyruar të punonin pa kushte e pa mjete. Nga ana tjetër ishte mungesë reale e kapacitetit për të bërë ashtu siç duhet detyrën. Por, mbi të gjitha ishte shpenzim buxhetor pak (për të mos thënë aspak) efektiv në balancën ndërmjet shërbimit që duhet të marrin qytetarët, punës që bëjnë punonjësit e Policisë, dhe pagesës apo buxhetit që merr Policia e Shtetit. Mjete tërësisht jashtë kohe. Tërësisht jashtë gatishmërie. Tërësisht jashtë kushteve minimale për të bërë detyrën. Dhe kjo ishte Policia e Shtetit dje. Ne besojmë shumë fort që mënyra më e mirë për të rritur shërbimin e Policisë ndaj qytetarëve është duke forcuar kapacitetet e saj. Duke forcuar kapacitetet e burimeve njerëzore – dhe është kjo arsyeja pse nisëm me Akademinë e Sigurisë, sot institucion i arsimit të lartë i cili formon të rinj e të reja që i bashkohen Policisë për t’u shërbyer qytetarëve. Ashtu siç

kemi forcuar mundësinë për trajnime të vazhdueshme (mujore) dhe provime të vazhdueshme, mujore , që testojnë kapacitetin e Policisë për t’u shërbyer qytetarëve në luftën kundër kriminalitetit. Ky është një investim në burime njerëzore. Por që kurrë nuk mjafton në rast se investimi nuk shoqërohet edhe me përmirësimin e kapaciteteve teknologjike dhe infrastrukturore. Është kjo arsyeja pse ne nisëm me Zyrat e Shërbimit Unik. Sepse janë njësia ku qytetarët marrin mbi 70 shërbime nga Policia e Shtetit.

Deri dje askush nuk e ka menduar Policinë si një “njësi shërbimi”. Dhe akoma më keq as punonjësit e Policisë nuk e kanë menduar veten si shërbyes të qytetarëve. Sot ne jemi në betejën më të madhe që kemi – e cila është më e madhe se beteja me paligjshmërinë apo kriminalitetin. Është beteja me mentalitetin e të shkuarës. Sipas të cilës punonjësi i Policisë ka detyrë primare t’u shërbejë qytetarëve. Që të gjithë bashkë të respektojmë ligjin. Dhe me të gjithë ata që respektojnë ligjin të vëmë përballë ata që e shkelin ligjin. Dhe ky është një mision madhor i yni. Gjithashtu investuam për aspekte teknologjike që deri dje ishin krejt të pamjaftueshme. Kamerat e trupit janë një mundësi e shkëlqyer për t’i dhënë punonjësit të Policisë mbrojtjen e nevojshme përballë çdo qytetari, por mbi të gjitha për t’i dhënë qytetarit mundësinë të mbrohet përballë çdo punonjësi Policie. Kanë qenë të pafundme rastet e abuzimit me detyrën, e shkeljes së të drejtave të njeriut. Ashtu siç kanë qenë të pafundme rastet korruptive dhe të bakshishit që lidhej ndërmjet qytetarit dhe punonjësve të Policisë, duke e anashkaluar bashkërisht ligjin.

Me kamerat e trupit është e vështirë, në mos e pamundur, që të ketë korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut, abuzim me detyrën. Ky është një investim në dukje i vogël, por që në fakt është garancia më e mirë për të pasur në Policinë e Shtetit standardet më të larta ligjore dhe të integritetit moral përballë qytetarëve. Ashtu siç kemi investuar në një sistem të tërë teknologjik dhe përmirësimesh infrastrukturore, të cilat i japin mundësi Policisë të jetë më e aftë në kapacitetin për t’u shërbyer njerëzve dhe në kapacitetin për të luftuar

paligjshmërinë, informalitetin dhe kriminalitetin. Në këtë kuadër, një ndër shembujt më të mirë të koordinimit institucional dhe rezultateve SOLIDE, të qëndrueshme në kohë, është pa asnjë diskutim ajo që bëmë me OSHEE. Ministri Gjiknuri e tha në fjalën e tij. Ne treguam që e shkuara e përbashkët e mbi dy dekadave mund të çbëhet krejt lehtë kur ka energji pozitive dhe vullnet për të bërë diçka që deri dje nuk mendohej, ose imagjinohej si e pamundur. Ajo që ne, grupet e përbashkëta të punës të OSHEE dhe Policisë së Shtetit bëmë me pagesat e energjisë elektrike, nuk ishte një aksion represiv. Ishte një reformë në mentalitet për t’u dituar qytetarëve mundësinë tonë të përbashkët për të pasur barazinë para ligjit mbi të gjitha. Dhe sot qytetarët janë më të barabartë para ligjit se dje.

Sot është e vështirë të kesh komshiun që vjedh energji elektrike e të jetë i paprekshëm. Sot është e vështirë të kesh lokalin e lagjes që vjedh energji elektrike e të jetë i paprekshëm. Është e vështirë. Sepse ne kemi luftuar mbi të gjitha mentalitetin e të shkuarës dhe kjo është fitorja më e madhe. Asgjë nuk ka përfunduar. Është një betejë që vazhdon. Është një betejë që do vazhdojë për sa kohë që do ketë njerëz që edhe mund t’a mendojnë se do shkelin ligjin. Por, të paktën kemi thyer murin e pandëshkueshmërisë në të gjithë ata që vidhnin energjinë elektrike. Sot ne prezantojmë një tjetër reformë, që e bën Policinë e Shtetit në Shqipëri të vetmen në të gjithë rajonin dhe një ndër pesë policitë e Europës, që kanë në përdorim një flotë në makina elektrike. Janë makina që nuk përdorin një pikë karburant. Karikohen në prizën e shtëpisë dhe shpenzojnë shumë-shumë pak. Më pak se një kafe në ditë në mes të Bllokut. Këto makina shpenzojnë 1200 lekë të vjetra për 100 kilometra. Ndërkohë që një makinë normale në Policinë e Shtetit për 100 kilometra shpenzon diku te 30.000 lekë. Është kursim i paimagjinueshëm, në pikëpamje të buxhetit e po ashtu të mirëmbajtjes. Në qoftë se makina e Policisë së Shtetit sot, - ajo tradicionalja, - është ‘viktimë’ e mirëmbajtjes së vazhdueshme, për shkak të cilësisë së vet mjetit, këto

makina duan shumë-shumë pak mirëmbajtje. Kjo nuk është një reformë. Nuk është vetëm mundësia jonë për të ideuar e për të blerë makina elektrike. Kjo është një kthesë e fortë në mentalitet, sepse hyjmë në ato pesë vende në Europë që sot drejtohet drejt burimeve alternative të energjisë. Sot Policia ka hapur një kapitull të ri për ‘gjeneratën e së ardhmes’ në përdorimin e makinave që kursejnë dhe mbi të gjitha mbrojnë mjedisin. Emetimet e kësaj makine janë zero. Pra, ndotja e mjedisit për këto makina është zero. Nëse e gjithë flota e Policisë do ishte e tillë do e bënim qytetin tonë më të pastër. Në mes të një debati shumë të madh për pastërtinë dhe papastërtinë në vend, për mbetje, plehra e kështu me radhë, ku zëri i atyre që i përkasin tashmë “Frontit të së keqes”, kjo është një thyerje shumë e madhe për t’i treguar vendosshmërinë e kësaj qeverie, për të bërë investime që i qëndrojnë kohës dhe mbi të gjitha garantojnë mjedisin. Është shumë e rëndësishme për të bërë dallimin e së shkuarës me të ardhmen lidhur me këtë që prezantojmë sot. Kush e imagjinon që qeveria e kaluar mund t’a çonte në mend, - supozoj Flamur Noka, - mund të çonte në mend makinat elektrike. Është komplet e paimagjinueshme. Apo kush e imagjinonte që qeveria e kaluar të investohej fort në përdorimin e energjive alternative për makinat e Policisë. Unë bie shumë dakord me Damianin, kjo vetëm faqja e parë e një kapitulli që duhet t’a çojmë përpara. Vende shumë të zhvilluara të Bashkimit Europian po nxisin përdorimin e makinave elektrike për qytetarët, të cilat karikohen gjashtë orë në shtëpi, shpenzojnë 1200 lekë të vjetra në 100 kilometra dhe shpëtojnë mjedisin. Edhe ne duhet të fillojmë të shfletojmë këtë kapitull. Ndaj është detyra jonë të japim këtë shembull me makinat e Policisë edhe për të gjitha institucionet e tjera dhe qytetarët, duke e parë Shqipërinë shumë më të gjelbër, më të pastër, për një

mjedis shumë më të shëndetshëm për ne dhe fëmijët tanë. Jam shumë i bindur se sot ka pak nga ata që mendojnë se “Fronti i të keqes” është vetëm brenda SHQUP-it, ka shkuar shumë përtej sesa SHQUP-i. Ka shkuar në segmente të caktuara të medias, madje dhe “burime të Prokurorisë” janë bërë si qytetari dixhital. Edhe sot mbase e gjejnë diçka për të synuar të bëjnë pis Policinë e Shtetit dhe punën tonë. Me siguri do dalë ndonjë portal, gazetë, ndonjë konferencë shtypi te SHQUP-i, që të hedhë një akuzë apo pak baltë tek puna jonë. Kjo është fare e natyrshme. Është shenja më e mirë e dëshpërimit e të gjithë atyre që deri dje nuk bënin dot këto që bëjmë ne dhe të gjithë atyre që nuk kanë sesi pajtohen dot me rezultatet tona. Ne jemi tërësisht komod me cilindo që në balancën ndërmjet luftës sonë me paligjshmërinë, me informalitetin, me kriminalitetin, apo luftës ndaj Policisë kanë zgjedhur të luftojnë Policinë. Ajo është çështje e tyre. Por çdo akuzë dhe çdo përbaltje është mundësia jonë më e mirë për të konfirmuar rrugën që kemi nisur për të rilindur Policinë e Shtetit e për t’i bërë qytetet tona më të sigurta. Sot edhe më të gjelbërta, sot edhe me mjedis më të patër dhe më të shëndoshë. Kjo është një sfidë që askush nga ne nuk e fiton dot brenda ditës. Kjo është një sfidë që askush nga ne nuk e fiton dot as për një javë, as për një muaj, as për një vit, as për katër vjet, nëse doni. Kjo është një sfidë që kurrkush nuk e ka filluar në të kaluarën. Ne e kemi filluar e do e çojmë deri në fund me shumë sukses. Jemi shumë të bindur që kemi besimin e shqiptarëve të ndershëm që e duan këtë vend më të drejtë. “Fronti i të keqes” sulmon të gjitha ata që nuk i ka në shërbim. Akuzat dhe përbaltja nga “Fronti i të keqes” shkojnë ndaj atyre që nuk i kanë në shërbim. Në këtë kuadër unë jam shumë i lumtur që Policia e Shtetit është në shërbim vetëm të qytetarëve. Dhe “Fronti i të keqes” ka mundësinë që të bëjë punën e vet, makinat elektrike do ecin para. Ju faleminderit!

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

‘Java e suksesit, nëse do të…’ Jorgo Pulla këshillon shenjat / Horoskopi javor 1-7 korrik