Fjala e ministrit Tahiri në Kuvend

Unë nuk e di në fakt ç’taksirat kanë të rinjtë e të rejat që janë në llozhë (por edhe ata që na dëgjojnë) për diskutimet që bëhen në Parlament, për standardin e të vërtetës në Parlament, për ç’lloj politike prodhon kjo foltore ku nuk ndalon llumi i baltës së hedhur mbi këdo e ku nuk ka asnjë minimum kriteri për të gjykuar (aty ku ka për të gjykuar) disa të vërteta krejt të thjeshta. 

E unë nuk di në cilën mënyrë mund t’i konsideroni shqiptarët kaq naivë, kaq të pazotë për të kuptuar të vërteta të thjeshta. Dakord. 
E kuptoj që erdhi dita që ju të mbroni ata që ju kanë blerë shtëpitë. 

Erdhi dita që të mbroni ata që ju kanë blerë zyrat, ata që ju kanë blerë makinat, që ju paguajnë pushimet.
Por ç’kuptim ka që në këtë Parlament të vijnë e të dalin lloj-lloj njerëzish – edhe ata që kanë mbajtur detyrat më të larta shtetërore – dhe të drejtojnë gishtin e akuzës dhe përbaltjes pa asnjë lloj kufiri ndaj kujtdo.

Ka institucione në vend.Është Prokuroria. Shkoni. Denonconi. Dhe kërkojini këtij institucioni të vërtetën.
Ka instrumente kjo opozitë në Parlament: janë komisionet hetimore, seancat dëgjimore. Shfrytëzojini për të marrë të vërtetën që kërkoni.
Keni akuzuar pa fund Policinë e Shtetit këto ditë, tërësisht me pa të drejtë. 

Përbaltje pa fund edhe atëherë kur Policia ka rezultat. E unë nuk e di ç’e keni këtë zakon që sa herë goditet krimi, ju aq më shumë shtoni baltën ndaj Policisë së Shtetit. 

Ju kujtoj ende kur Policia luftonte një javë rresht në Lazarat e ju dilnit këtu e thonit: “Policia po dhunon qytetarë të pafajshëm në Lazarat(!)”. Mbronit banditët dhe akuzonit Policinë. 

E nëse ju do ishit, siç shfaqeni sot, kaq të dedikuar me vullnet për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, nuk do e kishit lënë Lazaratin të rritej nën hundën tuaj. 

Dhe sot shkoni, bashkë me ata që e mbikëqyrnin atë proces, bëni dhe takime politike. Një gjë është e sigurt. Llumi i akuzave dhe i përbaltjes në këtë Parlament duhet të marrë fund, në respekt të shqiptarëve e mbi të gjitha në respekt të së vërtetës. 

Sot Policia e Shtetit po bën histori suksesi: me etikën ndaj qytetarëve, me shërbimin ndaj qytetarëve, me korrektesën ndaj qytetarëve, me luftën kundër korrupsionit brenda vetë Policisë së Shtetit, me luftën kundër korrupsionit në shoqëri, me luftën kundër krimit të organizuar. 
Këtë po bën Policia e Shtetit. Dhe kjo iu dhemb ju. Ndaj nuk ju pëlqen asnjë lloj histori suksesi e Policisë së Shtetit. E po të jetë për akuza, treçerekun tuaj po i njëjti që foli para meje këtu e ka akuzuar me rrënjë e dhëmballë. 

Njërin këtu e ka futur në burg për korrupsion. Njërin atje që e çoi dhe tek Reforma në Drejtësi e zbriti nga tanku dhe i tha “Je puçist i kuq!”. 
Njërin atje e bëri “spiun të kuq” kur i doli nga brenda partisë ta kundërshtonte. Njërit ia vuri nofkën “Kaçi i Zi”. Ja pra, ky është njeriu që duke dalë këtu për interesa të veta ka drejtuar gishtin e akuzës dhe përbaltjes në mënyrën më komuniste të mundshme, ndaj kujtdo që nuk ka qenë në drejtimin që ka menduar ai se duhet të ishte. 

Dhe kjo nuk është normale. Kjo duhet të marrë fund. Në emër të të rinjve që vijnë e na dëgjojnë këtu dhe në emër të atyre që na dëgjojnë nëpërmjet televizorit se ç’duhet të prodhojë ky parlament dhe sa prodhon ky parlament për ta bërë Shqipërinë më të sigurt. 

Sa prodhon ky parlament për ta bërë Shqipërinë më të drejtë dhe ejani te Reforma në Drejtësi. Për çfarë debati bëhet fjalë këtu, ku ka debat xhanën. 
Nëse e doni kaq shumë hajde ta votojmë, pse rrini këtu e bëni muhabet. Nëse doni Reformën në Drejtësi nuk keni pse vini këtu dhe të përbetoheni. Hajde ta votojmë, ne jemi gati ta votojmë. 

Ne, LSI-ja jemi shprehur publikisht. Duam ta votojmë. Hajde ta votojmë. Pse vini këtu dhe bëni debat për këtë. Ja ky është guri i provës. 
Guri i provës është hajdeni ta votojmë bashkë Reformën në Drejtësi. Është marrë parasysh çdo sugjerim që keni bërë. Hajdeni ta votojmë, por lërini pretekstet. Lërini pretekstet. Një herë dekriminalizimi, një herë mandati i atij deputeti,një herë lejet e pallateve, një herë dekusarizimi, të gjitha pretekste për të mos votuar Reformën në Drejtësi.

Nëse nuk doni ta votoni Reformën në Drejtësi, thojeni hapur të paktën sepse është më e ndershme ndaj qytetarëve. Por këtu dy alternativa ka. O parlamenti o Reformën në Drejtësi. 

Një nga të dyja duhet domosdoshmërisht t’i nënshtrohet gjykimit të shqiptarëve. Ja kjo është ajo që duhet të bëjmë. E kemi thënë që në krye të herë që ky parlament nuk ka asnjë lloj legjitimiteti në rast se nuk miraton Reformën në Drejtësi. E të vetmit që e mbani peng jeni ju. 
Për cilën arsye, unë nuk e kuptoj. Por të paktën jepini një arsye shqiptarëve që( po realisht në këtë vend mund të bëhemi bashkë për të bërë Reformën në Drejtësi). 

E duan 99.99% e shqiptarëve Reformën në Drejtësi, përveç atyre që kanë një problem me Reformën në Drejtësi. Përveç atyre që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi. Dhe këtu vullneti është i qartë. 

Hajde votojmë Reformën në Drejtësi. Doni ta votoni. Lërini fjalët, hajde ikim që tani e votojmë. S’keni fare pse as vini këtu flisni, as bëni predikime, as të hidhni akuza, asgjë. Pushoni nga akuzat, pushoni nga diskutimet e kota. Hajde të shkojmë ta votojmë. Më qartë se kaq, mund të ketë? Ja kjo është ajo që kërkojmë. Të tjerat janë histori që nuk ndihmojnë askënd. 

Policinë e Shtetit po e sulmoni në mënyrë të pakuptimtë, të pamerituar, sa herë bën sukses. Dhe kjo nuk ndihmon askënd përveç se t’i dalësh në krah botës së krimit. Kjo është ajo që nuk duhet të shikojnë kurrë të rinjtë e të rejat në këtë vend. 
Kjo është ajo që kurrë nuk duhet të shikojnë qytetarët në këtë vend, përndryshe gjeni forcën dhe dilni mbi politikën, dilni mbi interesin partiak dhe mbështesni Policinë e Shtetit, në çdo sukses. 

Dhe hajde po të doni ndreqim edhe difektet që ka, i ndreqim bashkë por në fund të ditës. Hajde bëhemi bashkë dhe mbështesim Policinë e Shtetit për atë që bën. Kjo është fare e qartë. Nuk është as interesi im, nuk është as interesi ekskluziv i mazhorancës as i juaji. Ky është interesi i shqiptarëve. 
Hajde dalim mbi interesat e ngushta dhe hajde mbështesim Policinë e Shtetit të bëj atë që është mësuar të bëj. Të luftojë krimin e organizuar, korrupsionin, paligjshmërinë në çdo cep të Shqipërisë. Por ndajeni mendjen: o reformën o parlamentin, një nga këto të dyja.
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim