Fjala e Ministrit Tahiri ne Komisionin e Ligjeve

Unë do rezervohesha të bëja vlerësime lidhur me mundësinë që ka ky projektligj për të cenuar apo jo të drejtën e votës siç u tha. Do rezervohesha sepse e para nuk është as objekt i ligjit kjo çështje. E dyta edhe sikur (për deduksion) ju të shkoni te regjistrimi i emigrantëve pa sjellë të drejtën e votës për ta, unë nuk shoh cënim. Unë shoh në fakt një të drejtë që garantohet, e që deri më sot është në letër.

Pra, në qoftë se deri më sot për votën e emigrantëve janë bërë fushata, deklarata politike konstante, janë angazhuar energji pafund nga shoqëria civile, partitë politike, e thuajse çdo mazhorancë, ky është projektligji i parë që shtron gurin e themelit për të shkuar deri atje. Që do të thotë: për të shkuar tek vota e emigrantëve, fillimisht duhet të dimë kush, sa dhe ku banojnë emigrantët tanë. Kështu e ka bërë gjithë bota, nuk është se po shpikim ne. Por nëse kjo ndodh apo jo, varet nga sistemi i reformës në sistemin zgjedhor.

Kjo varet nëse ata që janë mandatuar nga Parlamenti për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë do i marrin këta njerëz në konsideratë, që edhe emigrantët më në fund të votojnë. Kjo nuk është në kompetencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ajo që është në kompetencën tonë e kemi sjellë këtu. Ne duam të regjistrojmë emigrantët. Ne duam të hapim diapazonin e shërbimeve për emigrantët. Ne duam të garantojmë që emigrantët të shërbehen cilësisht, në mënyrë transparente dhe me përgjegjësinë e shtetit.

Ne duam të kthejmë mbrapsht borxhin historik që i kemi emigrantëve. Janë kontributorë të rëndësishëm në buxhetin e shtetit. Por, kur vjen puna tek të drejtat që iu kthejmë mbrapsht është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë ç’është e mundur. Dhe kjo është barra e shtetit shqiptar: të bëjmë ç’është e mundur që emigrantët të mos vuajnë për shërbime. Rropaten dyerve të ambasadave, mbajnë radhë me turne, me orë të tëra, e fillojnë radhën në fundjavë për të kapur të hënën. Kjo e gjitha ndodh sepse ne nuk kemi zhvilluar asnjë mundësi për t’u shërbyer emigrantëve siç duhet, me dinjitet.  Emigrantët meritojnë dinjitet! Dhe në qoftë se këtë dinjitet nuk ua garanton më së pari shteti shqiptar, është e kotë që ne të bëjmë nacionalistin kur shtete të tjera ua cenojnë dinjitetin shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë.

Ne duhet ta fillojmë nga vetja. Tregohemi patriotë më të mirë në rast si u garantojmë emigrantëve shërbime më të mira, shërbimet elementare. (Se tek shërbimet më pas futet dhe e drejta e votës, për të cilën mendimi im është absolutisht po - por kjo është një çështje që nuk e trajton ky projektligj).

Ky projektligj thotë: “A duhet të dimë ku banojnë emigrantët tanë?” Se votojnë, se nuk votojnë është çështje e komisionit zgjedhor. Është njëlloj si të thuash që nuk na duhet një regjistër i Gjendjes Civile në Shqipëri sepse ka probleme me votën. Ne duhet ta dimë kush banon në Shqipëri dhe ku banojnë. Mua më intereson që qytetarët shqiptarë
a) në Shqipëri
b) jashtë Shqipërisë
të regjistrohen, dhe shteti shqiptar të marrë përsipër detyrimin t’u shërbejë. Është ky parlament pastaj që vendos se çfarë të drejtash do t’u japim atyre.

Lidhur me afatin (3 - 6 muaj), ai  ka absolutisht lidhje me kohëzgjatjen minimale të deklarimit të banimit të përhershëm (rezidencës),  për të shmangur eventualitetin kur qytetarë shqiptarë shkojnë jashtë Shqipërisë dhe detyrimin që kanë për t’u regjistruar.

Ne themi se duhet të regjistrohen ata qytetarë shqiptarë që shkojnë më shumë jashtë Shqipërisë për kaq kohë që është minimumi. Kjo ndodh në të gjithë botën, është e detyrueshme, përndryshe do të hynim në një rreth vicioz të vetëdeklarimit të qytetarëve sa herë dalin jashtë.

Gjë që vende shumë të zhvilluara ne Europë e kanë: në qoftë se largohesh për një kohë minimum (që disa vende e kanë 1 muaj disa  e kanë pak më shumë), ke detyrimin të shkosh në konsullatë dhe të deklarosh “Unë jam shtetas gjerman, kam ardhur në Shqipëri, do të jetoj këtu një muaj, dhe kjo është adresa ime”. E kanë me detyrim.
Ne nuk po shkojmë deri këtu, pasi ky shtet nuk ka këllqe ta bëjë ende. Nëse kjo punë do të kishte nisur 25, 20, 15 apo 10 vite me parë, do të  vija me një ndryshim në ligj ku do të thoja: “Cilido shtetas shqiptar që del jashtë Shqipëri për më shumë se sa një muaj duhet të shkojë në ambasadë në shtetin ku do jetojë një muaj, dhe të thotë: “Unë jam Saimir Tahiri, do vij të jetojë këtu për një muaj, dhe kjo është adresa ime për shtetin tim në rast se duhet të më gjejë”.

Ju e dini: kjo ka efekte në procesin gjyqësor, në sistemin fiskal, në sistemin e pasurisë së paluajtshme, dhe në tërësi në tregun e pasurisë. Kjo ka efekte të shumëfishta në marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarit kudo ku është (rezident jashtë apo në vend).
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, 47 vjeçari bie aksidentalisht nga ballkoni dhe humb jetën