Fjala e plotë e ambasadorit të OSBE-së, Florian Raunig     

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të ftuar,

 

Nevojitet angazhim politik i fortë i drejtuesve të Shqipërisë, në mënyrë që vendi të ecë në rrugën e dixhitalizimit brenda afatit ndërkombëtar të përcaktuar. Rruga që shtrihet përpara është kërkuese, por unë dua të theksoj se ju mund të mbështeteni në ndihmën e OSBE-së përgjatë gjithë këtij procesi.

 

Dixhitalizimi nuk është vetëm një zbulim i madh i teknologjisë dhe modernizimit, por është edhe një shans për të krijuar një fushë transmetimesh të organizuar, të rregulluar mirë dhe më të përparuar në Shqipëri.

 

Tregu i ri i transmetimeve duhet të karakterizohet nga shanse dhe mundësi të barabarta për të gjithë aktorët e medias. Ai duhet të ofrojë një mjedis biznesi transparent, pa monopole apo pozicione të privilegjuara. Kjo garë e ndershme e mediave komerciale duhet të japë garancinë që media audiovizive nuk do të jetë vetëm një sipërmarrje biznesi fitimprurëse, por do të përmbushë edhe rolin shoqëror dhe përgjegjësinë themelore të medias – të ruajë demokracinë dhe t’u shërbejë interesave të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

 

Nga ana tjetër, ky vrull teknologjik duhet të përdoret edhe për të gjeneruar një fillim të ri për transmetuesin publik shqiptar, RTSH-në, si një transmetues publik kombëtar vërtet i pavarur. Ky shndërrim duhet të ishte bërë prej kohësh.

 

Ka dy vjet që partitë parlamentare nuk po arrijnë të zbatojnë legjislacionin në fuqi e të zgjedhin këshillin e ri drejtues të RTSH-së. Kjo ka bllokuar procesin e shndërrimit të RTSH-së në një transmetues ekonomikisht të qëndrueshëm, editorialisht të pavarur dhe plotësisht profesional, që kontrollohet nga publiku, financohet nga publiku dhe bëhet për publikun.

 

Prandaj, Prezenca e OSBE-së u bën thirrje të gjitha partive të mos e humbasin momentin e pavarësisë së re të premtuar teknologjike për të krijuar një transmetues publik vërtet të qëndrueshëm, më profesional e të pavarur. Ne presim që të gjitha partitë politike t’i japin përparësi interesit publik dhe të fillojnë të punojnë në mënyrë konstruktive për të zbatuar legjislacionin ekzistues për median. Theksoj se kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht parapëlqimeve të tyre partiake.

 

Nëse drejtuesit politikë e humbasin këtë mundësi unike, Shqipëria do të mbetet shembulli i një vendi pa balancën e duhur mes sektorit komercial e atij publik të transmetimit. Kjo ndjenjë balance siguron marrëdhënie të harmonizuara mes interesave politikë apo ekonomikë si dhe interesit të qytetarëve, që shpesh përkufizohen si interesi i përbashkët.

 

OSBE-ja mbetet e gatshme të ndihmojë në procesion e shndërrimit të transmetuesit publik kombëtar. Ne kemi krijuar tashmë një marrëdhënie të veçantë me Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU) për këtë çështje dhe jemi të përgatitur të investojmë në një përpjekje dhe të mbledhim një konsorcium më të madh të organizatave ndërkombëtare për të mbështetur autoritetet shqiptare.

 

Tani, nisma dhe përgjegjësia për të bërë përparim të shpejtë në këtë çështje janë të Kuvendit.

 

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian