Fjala e mbajtur sot nga kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e kontekstit dhe përparësive të Presidencës Greke të Këshillit të Bashkimit Evropian.
 
FJALA E PLOTE E AMBASADORIT SEQUI:
 
Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu me rastin e hapjes së semestrit të Presidencës greke të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Presidenca e Këshillit luan një rol jetësor në organizimin e nismave legjislative dhe proceseve vendimmarrëse në këtë institucion në Bruksel.

Siç e dini, që pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës në dhjetor 2009, Presidenca e Këshillit nuk ka rol formal në këtë kapacitet jashtë Brukselit, veçanërisht në kontekstin e politikës së jashtme. 

Kjo sepse me traktatin e ri ka ardhur në jetë Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, që ka paraqitur një projekt ambicioz që synon të sigurojë një përfaqësim të jashtëm diplomatik evropian solid  për Bashkimin Evropian si një i tërë.

Ndaj këtu në Shqipëri përfaqësimi i jashtëm i BE-së sigurohet nga Delegacioni i BE-së. Prandaj është me rëndësi të madhe që jam sot këtu, së bashku me kolegun tim grek, për të bashkë-drejtuar paraqitjen e përparësive të Presidencës greke të Këshillit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm.

Periudha e ardhshme do të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe udhën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në qershor do të merret një vendim mbi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, prandaj është me rëndësi të madhe që dialogu me BE-së të mbahet gjallë mbi një gamë çështjesh me rëndësi, veçanërisht mbi ekonominë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe agjendën e përgjithshme të zgjerimit.

Kam besim se prezantimi i kolegut tim grek do të ngjallë interesin tuaj dhe do të nxisë diskutimin mbi BE-në jo vetëm mes medias, por gjithashtu, dhe çka është më e rëndësishme, mes qytetarëve shqiptarë.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)