Fjala e plotë e Kryeministrit Rama
në takimin me pensionistë

Me shumë respekt dua t’ju them që në fillim se ndjehemi më të qetë, por jo të kënaqur që kemi mundësi t’ju takojmë, pasi kemi bërë të mundur një paketë solidariteti për ju, për familjet në ndihmë ekonomike, për personat me aftësi të kufizuar, për fermerët që kanë humbur lopët për shkak të një epidemie vdekjeprurëse, për familjet e përmbytura, nga veriu në jug, që duhet të marrin dëmshpërblimet. Me shumë mirënjohje për gjithçka ju keni bërë, por mbi të gjitha për shembullin e shkëlqyer të qytetarisë që i ofroni një shoqërie që është më e turbullt, përsa i përket pikave të referimit në aspektin moral dhe etik.

Unë dua të ndaj me ju disa gjëra që lidhen drejtpërdrejtë me ju, por që lidhen edhe me këtë shoqëri për të cilën ju keni një kontribut shumë të madh.

Ne, sot jemi midis të shkuarës dhe të ardhmes, tre vjet e pak më pas një momenti të së shkuarës, kur morëm detyrën e lartë të qeverisjes së këtij vendi, por kur vendi ishte vërtetë në një situatë shumë të vështirë. Në një situatë aq të vështirë që, nëse nuk do kishim ndërhyrë që në fillim, në fund të nëntorit të 2013 do të kishim pamundësi për të paguar normalisht rrogat dhe pensionet. Kaq dramatike ishte situata. Me një mal borxhesh e faktikisht, me një sektor energjetik në prag të kolapsit, që rrezikonte të zhyste jo vetëm Shqipërinë në errësirë, por edhe financat tona në një humnerë tejet të thellë. Në raport me pikën e hallit nga u nisëm, sot mund të themi me plot gojën se kemi bërë një progres të pazakonshëm, duke ndërmarrë reforma që ishin zvarritur për vite e vite të tëra dhe që, nëse do të ishin bërë 20 vjet më parë, sot do të jetonim dhe do të diskutonim për gjëra krejt të tjera.

Lejomëni të sjell shembullin tuaj të drejtpërdrejtë, përsa i përket skemës së financimit të pensioneve. Nëse reforma që ne bëmë, do të ishte bërë 20 vjet më parë, sot jo vetëm ata të cilët kanë dalë në pension pas reformës dhe përfitojnë pensione shumë më të larta sesa tavani i dikurshëm, 240 mijë lekë, por edhe shumë ndër ju që keni dalë në pension përpara reformës, sot do të përfitoni pensione shumë më të larta.

Skema e pensioneve që ne trashëguam e pareformuar ishte një skemë që prodhonte çdo vit, 450 milionë dollarë deficit. Që do të thotë se këto para mbuloheshin nga shteti, në vend se të shkonin për investime në spitale, në shkollat e nipërve e mbesave tuaja, në kopshte, në çerdhe, në rrugë e kështu me radhë.

Një skemë e modeluar në vitin ’93 me logjikën e vitit ’47-të, kur për herë të parë u krijuar skema e pensioneve dhe që ishte në fakt, tamam si një skemë piramidale ku shteti zhytej vit pas viti në një deficit të thellë, për të mbajtur ne këmbë skemën. Parafytyroni që 1407 institucione publike, institucione shtetërore nuk derdhnin kontributet e sigurimeve për të gjithë ata që si punonjës duhet në ndërkohë të garantonin dhe pensionin e tyre. Pjesa e sigurimeve mbahej nga rroga, por nuk derdhje në buxhetit e shtetit, pra, nuk figuronte të nesërmen, kur dikush dilte në pension, si një kontribut i garantuar, edhe pse ishte hequr nga rroga e tij. Parafytyroni se çfarë shteti pa shtet, ne kemi qenë deri tre vjet e pak më parë, edhe në asketet kaq elementare që prekin drejtpërdrejtë jetët e njerëzve, me pasoja afatgjata.

Mali i borxheve, për shkak të kësaj çmendurie rritej vit pas viti. Në një shtet normal, 4 deri në 6 kontribuues mbajnë një pensionist. Sasia e kontributeve e të gjithë atyre që ndërkohë që punojnë, bëhen gati dhe për pensionin, është 4-6 fish më shumë, sesa numri i pensionistëve në atë kohë.

Në Shqipëri, raporti i kontribuuesve ishte një kontribuues me një pensionist. E pamundur! Sepse kontributi i një personi si sigurim shoqëror nuk mund të mbajë një pension. Kjo është e qartë.

U trashëgua një skemë pensionesh, që siç e dini të gjithë ju, praktikisht të gjitha pensionet i bënte minimale. Këtu ka plot njerëz që kanë punuar me dekada të tëra, kanë paguar kontribute dhe prapë janë tek vija 240 mijë lekë dhe më lart s’ka. Parafytyroni që në Shqipëri, deri përpara se ne të bënim reformën, një pension mesatar ishte vetëm 8 % më i lartë sesa pensioni minimal. Si rrjedhojë, pse do ishin njerëzit të interesuar për t’u futur në skemë, nëse si të paguaje, si të mos paguaje kontribute, kishe një pension minimal dhe mesatari ishte vetëm 8% më shumë. Ndërkohe që kontributet në vite faktikisht nuk ktheheshin në një pension për ty, por humbnin në gropën e madhe të borxhit.

Kjo lidhej edhe me punën në të zezë. Masivisht, njerëzit punonin në të zezë, kompanitë nuk i deklaronin, sepse në fund të ditës, kontributi nuk ishte motivues.

Reforma jonë solli si rezultat disa gjëra. Së pari, sot kush del në pension, nuk e ka pensionin me tavan, pra, çfarëdo që të kesh bërë, sado që të kesh punuar, sado të kesh kontribuar, 240 mijë lekë dhe “vdis”. Sot, kush del në pension, merr një shumë që shkon edhe 400 mijë lekë, për shkak të kontributeve.

Nga ana tjetër, ne kemi rritur numrin e njerëzve që kontribuojnë në një sasi të pamendueshme, për shkak se u kombinua lufta kundër informalitetit me interesin për të kontribuar, për të garantuar të nesërmen, një pension më të lartë. Faktikisht, në 9 muajt e parë u rritën sigurimet shoqërore me rreth 100 milionë dollarë dhe formalizmi i mëtejshëm ka bërë që në vitin 2016 të kemi 20% më shumë kontribute dhe këto kontribute nuk janë taksa, por janë kontribute të drejtpërdrejta të punës së secilit, për të pasur nesër një pension më dinjitoze, falë punës së vet.

Ndonëse reforma është vënë në zbatim vetëm nga 1 janari i vitit 2015, sot, ne mbulojmë një hark më të gjerë të popullsisë me përfitime të drejta, në raport me kontributet e paguara. Metoda e indeksimit të pensionit është përmirësuar, sepse është sot një detyrim ligjor. Ne bëmë një indeksim pensioni përpara pak muajsh, por jo sepse na u tek ne, ose donim ne të bënim një qokë, por sepse ne e kemi bërë detyrim ligjor. Asnjë qeveri nuk mund t’i shmanget që të indeksojë pensionin, atëherë kur është koha për ta bërë këtë.

Nga ana tjetër, ne kemi vendosur një pension social. Sot, me skemën e vjetër, ne do kishim vetëm në vitin e parë, 5500 pensionistë pa asnjë qindarkë. Zero! Sepse nuk kanë kontribuar, sepse nuk kanë punuar në shtet apo në privat, por kanë qenë, le të themi, gra shtëpiake. Gjyshe me zero pension! Nuk ka më të tillë, sepse ne kemi vendosur pensionin social dhe për këdo që vjen në moshën e pensionit, pavarësisht se nuk ka dhënë asnjë kontribut, shteti i jep një pension social.

Me skemën e vjetër do të krijohej një shtresë të moshuarish lypës, faktikisht. Mos harrojmë se jo të gjithë këta njerëz kanë fëmijë. Ka edhe pensionistë të vetmuar, pra, të mohuar në moshë pensioni të vetmuar. Ku do t’i gjenin këta, ato para që duhen për të mbajtur frymën gjallë? Do lypnin rrugëve. Kështu i kishte dënuar politika e vjetër.

Edhe transfertat nga buxheti i sigurimeve shoqërore në buxhetet familjare janë rritur, - nuk po flasim për shpërblimin e fundvitit, - janë rritur 17.7 %. Pra, volumi në para që shteti kontribuon për pensionet është rritur 17.7 %, falë reformës dhe skemës dhe skemës së re të sigurimeve shoqërore.

Kjo do të thotë që po shkojmë hap pas hapi, natyrisht do të duhet kohë, drejt një skeme pensionesh që do të jetë e vetëmjaftueshme dhe do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të situatës së financave publike, duke i dhënë nga njëra anë, mundësi pensionistëve që ta përcaktojnë vetë pensionin e tyre, - flasim për ata që janë në punë sot, apo që dalin në pension mbas reformës - dhe duke i dhënë mundësi shtetit që të ketë më shumë para për të investuar për çerdhe, kopshte, spitale, rrugë e kështu me radhë.

Në vitin 2015, paralelisht me reformën, ne rritëm dhe pensionet për 6600 veteranë të luftës. Ishte një histori e vjetër, premtim i vjetër që ne e bëmë realitet dhe e rritëm 15.6%. Do të kishte qenë mirë që kjo gjë të kishte ndodhur shumë vite më parë, që shumë veteranë të mos ishin ndarë nga kjo botë jo me pensionin qesharak, ndonëse pensioni sado të rritet, përsëri ne e dimë shumë mirë që nuk është i mjaftueshëm që njeriu të ndjehet i lumtur, por me ndjesinë e një shpërfilljeje dhe mungese respekti që kjo qeveri nuk e ka. Të tjerët fatkeqësisht e patën edhe shpërfilljen, edhe mungesën e respektit.

Ne jemi të vetëdijshëm që çfarë kemi bërë nuk mjafton dhe sado që shumëkush mundohet ta rrotullojë sipas qejfit, apo sipas llogarive të veta për qëllimet e veta të mbrapshta politike, unë prapë do e përsëris, ne jemi të pakënaqur, unë jam më i pakënaquri me çfarë kemi arritur deri më sot. Dhe jo sepse çfarë kemi bërë, nuk është shumë, por se ajo çfarë duhet të bëjmë është shumë më tepër dhe çfarë kemi bërë, na jep mundësi të kuptojmë se të gjitha këto gjëra janë të mundura dhe vonesa 20 e ca vjeçare ishte e pa justifikuar. Është fakt, nuk është opinion që sot, pensionistët që dalin në pension mbas reformës kanë një pension që është mbi tavanin ku ishin të dënuar të gjithë me “vdekje”. Të vdisnin nën tavan, edhe sikur të shkonin 100 vjeç. Ky është fakt!

Sa gjëra do të ishin ndryshe sot, sikur 20 vjet përpara të ishin bërë këto reforma që ne bëmë! Ka disa që thonë se “po nxitoheni shumë”. Si po nxitohemi shumë?! 

Sikur 20 e ca vjet përpara, shteti t’u thoshte njerëzve të vet se “nuk ndërtohen në lumë”, ne nuk do të kishim çdo vit, njerëz që i merr lumi dhe iu përmbyten shtëpitë. Sikur kjo që ne bëmë në këto 2 vjet, të ishte bërë 20 vjet përpara dhe shteti t’u thoshte se “nuk vidhet energjia elektrike”, vetëm me paratë që ka humbur shteti dhe kanë humbur të gjithë njerëzit që paguanin energjinë, paguanin taksat, ne sot do të kishim ndërtuar të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet, spitalet, ambulancat që i duheshin Shqipërisë dhe nuk do të rrinim të diskutonim sot “ka ambulancë, s’ka ambulancë”, “ka shkollë, s’ka shkollë”, “po bie çatia, s’çojmë dot fëmijët në kopsht, ka rënë çerdhja” etj.. Sikur 20 vjet më parë, shteti të thoshte jo të gjithë duhet të shkojnë në universitet, se ky vend si çdo vend ka nevojë për zanate, ka nevojë për elektricistë, ka nevojë për hidraulikë, ka nevojë për axhustatorë e me radhë, sot në autostradën Tiranë-Durrës nuk do të kishte vend të lirë pune. Por e dini çfarë?

Nuk ka asnjë ndërmarrje nga ato që shikoni rrugës nga Zogu i Zi deri në Durrës, majtas apo djathtas, që nuk ka vende të lira pune deri në 50 e 60, por janë vende pune për zanatçinj, jo për juristë. U bë vendi me numrin më të madh të juristëve për kilometër katrorë dhe kemi gjykatat më të degjeneruara të globit. Të paktën ta kishim ndarë këtë punë, Shqipëria prodhon juristë, të kishim gjykatat më të mira në botë dhe ia çonim dhe botës, juristët tanë. Por ne as gjykata, as juristë për të qenë, nuk i gjemë dot kollaj.

E të mos vazhdoj më tutje me çfarë do të ishim sot ne, nëse 20 vjet më parë do të ishin bërë reformat që ne po bëjmë. Po ndalojmë këtu, duke thënë se reformat që ne po bëjmë sot, nuk janë reforma për zgjedhjet e ardhshme, janë reforma për një gjeneratë, që ata të cilët humbën shanse të panumërta, nipat e mbesat tuaja, ata që lindën kur ra Muri i Berlinit dhe që sot, një pjesë e tyre enden rrugëve, edhe pse kanë një diplomë juristi që nuk i duhet dreqit, jo më t’i duhet atyre, kjo nuk duhet të ndodhi me ata që sot lindin dhe që nesër meritojnë të kenë një vend serioz, një shtet serioz. E kjo nuk duhet të ndodhi as me ata që dalin në pension e që kanë të drejtën e tyre legjitime sot, të garantuar nga reforma jonë, që pensionin e tyre ta përcaktojnë në bazë të kontributeve të tyre, jo t’i thotë shteti “nuk ka rëndësi se ke qenë 30 vjet në miniera, ti je i vdekur”, “nuk ka rëndësi se ke qenë 30 vet mësues, ti 240 mijë lekë ke dhe vdis”. Kjo mori fund!

Për të ardhur tek paketa e solidaritetit, ne do t’i rrisim pensionet vitin e ardhshëm, duke filluar nga 1 marsi, por dua t’ua them me zemër të hapur, sado përpjekje të bëjmë nuk është e mjaftueshme dhe mundësitë që kemi aktualisht sot janë të kufizuara, nuk i kemi mundësitë të pakufizuara.

Unë e kuptoj shumë mirë se ka shumë njerëz që kanë votuar për këtë qeveri, që jetojnë në fshat dhe thonë “mirë, unë votova, asnjë gjë s’po shoh”. Nëse e shikojmë nga këndvështrimi i rrugës së fshatit, ka plot njerëz që kanë të drejtë të jenë sot të mërzitur, por nëse shohim pak më tutje, atëherë kuptohet që vendi ka hyrë në një kthesë, jo më në drejtim të paditur, siç ishte, duke u tërhequr zvarrë me borxhe të fshehura. Njësoj si një shtëpi ku të gjithë hanë e pinë dhe ndërkohë kryefamiljari shkon çdo natë dhe lë paratë e shtëpisë në bixhoz dhe në fund fare lë edhe shtëpinë. Të nesërmen në mëngjes zgjohen njerëzit dhe kur hapin derën, gjenden të gjithë tek dera, kërkojnë borxhet e kryefamiljarit që ka ikur. Kështu ishte Shqipëria në 2013. U loz në bixhoz, në bixhozin elektoral, gjithë pasuria e këtij vendi.

E për këtë arsye dhe për arsye se rritja e pensionit vitin e ardhshëm është e ndjeshme, por jo e mjaftueshme, unë këmbëngula që duhet që këtë vit, përpara Vitit të Ri, t’ju japim një mesazh shumë të qartë, se nuk është çështja tek paratë. Sigurisht, paratë janë shumë të rëndësishme, por çështja është tek domosdoshmëria që ju të gjithë, pensionistët e këtij vendi, 643 mijë gra dhe burra të ndiheni në qendër të vëmendjes sonë dhe ne jo thjesht t’ju japim shpërblimin, por t’ju shprehim respektin me kokën ulur, jo me kokën lart. Me kokën ulur që nuk bëjmë do më shumë se kaq sot, në një kohë kur na është dashur të mbyllim nga të katër anët, rrugët e një hemorragjie të pandalshme në financat e shtetit, për të mos folur për të gjitha të tjerat.

Ama nuk ka më hemorragji dhe ka filluar kurimi i plagëve. Nuk është më një ekonomi që rritet me 0 deri 1% dhe rrit ndërkohë borxhet, por është një ekonomi që rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe jo të mjaftueshme dhe ndërkohë, me ulje të borxhit. Ne nuk po marrim paratë e nipërve dhe mbesave tuaja, për t’ju dhënë ju shpërblimin. Përkundrazi, ne po ulim borxhin dhe ndërkohë po iu japim edhe shpërblimin, edhe rritjen e rrogave, edhe rritjen e pensioneve.

Është hera e parë që një qeveri vendos 100 milion dollarë. Qeveria e kaluar në 8 vjet mori nga arka e vet dhe çoi në arkën e familjeve, 124 milionë dollarë për rroga dhe për pensione. Kaq! Ne në 1 vit, 100 milionë dhe nëse do të llogarisim rrogat e rritura çdo vit të punonjësve të policisë, bëjnë 140 milionë. Pra, ata 124 milionë në 8 vjet, ne 140 milionë në vetëm 4 vjet. Po të llogarisim edhe paratë e përfituara nga njerëzit nga ulja e taksave në sektorin publik, - janë afro 100, në sektorin privat janë afro 300, - bëjnë 540 milion dollarë që nuk janë më në arkën e shtetit, por janë në arkën e familjeve.

E pavarësisht se kazani i propagandës i baltës, i shpifjeve, i akuzave dhe gënjeshtrave, i gjysmë të vërtetave, çdo ditë përpiqet të helmojë njerëzit, e vërteta e thjeshtë se sot konsumi në Shqipëri është rritur dhe vazhdon të rritet. Kjo është e vërteta e thjeshtë.

Sot, punësimi në Shqipëri është rritur dhe vazhdon të rritet. Sot, varfëria në Shqipëri po bie, nuk po rritet. Dhe të gjitha këto janë relative, asnjëra nuk është e mjaftueshme. Nëse unë them se punësimi është rritur dhe vazhdon të rritet, nuk do të thotë se kemi zgjidhur problemet e papunësisë. Nëse unë them se konsumi është rritur dhe vazhdon të rritet, kjo nuk do të thotë se këtu po bëhet festë. Kjo do të thotë që Shqipëria ka filluar të bëhet, por “ka filluar të bëhet”, nga  “u bë” është një rrugë shumë më e gjatë se kjo që kemi përshkruar me vështirësi dhe sfida.

Ama, pse mos të jemi ne krenarë, nëse shohim nga e shkuara, që sot i japim pensionistëve 60 mijë lekë për Vitin e Ri?! Nëse shohim nga e ardhmja ne jemi kokulur. E kemi kokën ulur dhe do vazhdojmë të punojmë kokulur, të bëjmë gjithçka që ne mundemi. Nuk bëjmë dot sa duam, por çdo gjë që mundemi, ne do ta bëjmë për ju dhe për të gjithë shqiptarët. Ata që flasin, të flasin sa të duan, por për të bërë, këtë kanë bërë dhe vetëm këtë mund të bëjnë për shqiptarët.

Janë 66 539 nga 643 000 pensionistë, të cilët kanë përfituar kompensim për energjinë elektrike, sepse janë në një status të veçantë dhe megjithatë kanë vazhduar të paguajnë kamatëvonesën. Kjo për shkak se ne pagesën e kamatëvonesave, sëbashku me një grup tjetër familjesh në ndihmë ekonomike apo persona me aftësi të kufizuar, kanë qenë korrektë. Ne e mbyllëm këtë histori me 20 lekë [të vjetra]. Të gjitha kamatëvonesat për gjithë këta njerëz bëhen zero! Nuk ka më kamatëvonesa.

Flasim për kamatëvonesat, se për faturat besoj e kanë marrë vesh të gjithë dhe e bëjnë të gjithë pagesën e faturave, por kamatëvonesat do zërohen plotësisht, sepse ndërkohë kanë qenë korrektë. Ashtu sikundër, edhe për një grup tjetër familjesh, qytetarë që nuk janë pensionistë, s’kanë status të veçantë, por që aktmarrëveshjet me OSHEE i kanë respektuar dhe kanë paguar çdo muaj edhe prapambetjen, do të bëjmë atë që bëmë për pjesën e parë, për ata që ishin më korrektë në fillim, do t’ua reduktojmë 80% kamatëvonesat.

Ashtu sikundër ka shumë njerëz, edhe në moshë të tretë, që për arsye të ndryshme janë të pasiguruar. Janë 600 mijë shqiptarë, përfshirë edhe njerëz që janë në moshë të tretë, që janë të pasiguruar, duke filluar nga janari do të marrin falas të gjithë ilaçet që rimburson shteti.

Këto janë masa që ne mund t’i bëjmë sot. Nuk janë gjithçka që duam, por janë masa që ne sot mund t’i marrim dhe gjithçka që ne mund të bëjmë, ne do ta bëjmë.

Më lejoni që me shumë mirënjohje dhe me shumë respekt për gjithçka ju keni bërë dhe bëni dhe mbi të gjitha, për shembullin qytetar që ju të gjithë pensionistët jepni, për vlerat e çmuara, që po i shkatërron Facebook-u, që ju i kaloni nipërve dhe mbesave, të etikës, të qytetarisë, mirësjelljes, për edukatën qytetare që u jepni nipave dhe mbesave dhe për shumëçka tjetër, t’ju uroj festa të gëzuara, me njerëzit e familjes suaj, me të afërmit, mes jush dhe qentë le të lehin, karvani do ecë përpara.

Faleminderit!​

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023