Fjala e plotë e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në prezantimin e programit të shërbimeve sociale

Fjala e plotë e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në prezantimin e programit të shërbimeve sociale
Faleminderit shumë për duartrokitjet e veçanta, që në fakt i meritonin ata që folën deri tani, unë dua të bëj një ndërhyrje lidhur me një fakt.
Në Shqipëri harxhohen çdo vit rreth 50 milionë dollarë për atë që quhet ndihma ekonomike. Ata që jetojnë në fshat e dinë mirë se për çfarë bëhet fjalë. Ata që jetojnë në periferi të qyteteve e dinë mirë për çfarë bëhet fjalë. Ata që jetojnë edhe brenda qyteteve, në kushte të rënda papunësie dhe varfërie, e dinë mirë për çfarë bëhet fjalë. Bëhet fjalë për një lëmoshë, lëmoshë e cila prej vitit kur demokratët erdhën në qeveri, u kthye në taksë e votës. Në taksë e votës do të thotë në lëmoshë në këmbim të votës. Një taksë që nuk paguhet me para, por paguhet me lënien peng të dinjitetit të njeriut të varfër dhe të papunë, tek një pushtet politik që ekziston vetëm sepse vjedh votën dhe ndër të tjera duke shkelur dinjitetin e njerëzve dhe abuzuar me paratë e popullit shqiptar. Këto 50 milionë dollarë janë një fond shumë i konsiderueshëm, një shumë parash që dalin nga xhepat e shqiptarëve dhe që mbas 23 qershorit nuk do të shpërdorohet më për qëllime politike në dëm, në cenim, në abuzim me dinjitetin e shqiptarëve të varfër dhe të papunë.

E dinë shumë mirë familjet e varfra që janë pjesë e kësaj skeme të ndihmës ekonomike dhe janë mbi 100 mijë familje, se çfarë ndodh në katër pesë muajt përpara zgjedhjeve. Sesi kryetarët e njësive vendore të partisë në pushtet fillojnë dhe e mbajnë këtë ndihmën ekonomike pa dhënë, si peng për votën. Ashtu sikundër e përdorin emrin e njerëzve të varfër dhe të papunë në listën e ndihmës ekonomike, për të bërë shantazh me gomën e dhunës së pushtetit që të fshin emrin nëse nuk i jep votën. Çfarë do të bëjmë ne me këto rreth 50 milionë dollarë?

Ne këto do ti vëmë në dispozicion të programit tonë të punësimit. Ne besojmë që çdo shqiptar i varfër dhe i papunë sot, që i ka aftësitë fizike për të punuar nuk meriton jo vetëm cenimin e dinjitetit me këtë lëmoshë, por as këtë lëmoshë, e cila e lë jashtë çdo mundësie për t’u integruar në shoqëri përmes punës së ndershme, por meriton një shans për të pasur një punë të ndershme, përmes të cilës të mund të përfitojë nga ky fond. Ashtu sikundër ne mendojmë që ky fond mund të shërbejë për të nxitur punësimin e të rinjve. Ky fond mund të shërbejë dhe do të shërbejë për të stimuluar sipërmarrjen private që të punësojë të rinj në bazë të skemës së rilindjes së arsimit profesional. Ju e dini shumë mirë që ne sot në Shqipëri kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror. Por sa më shumë juristë kemi, aq më shumë shtohet radha e juristëve që presin të bëhen kamerierë. Ndërkohë që për të gjetur një elektricist, apo për të gjetur një hidraulik duhet të kërkosh në kushedi sa kilometra katror të Shqipërisë dhe prapë nuk është e sigurt që e gjen. Sepse zanati në Shqipëri po zhduket, sepse diplomat pa vlerë po lulëzojnë në një arsim universitar të kthyer në biznes dhe sepse përgjigja ndaj papunësisë nuk është hapja e dyerve të universiteteve nga të katër anët, apo universiteteve private për të blerë qeveria qetësi pesë vjet duke ju thënë të rinjve shkoni në universitetit dhe prindërve investoni për të rinjtë në universitet, por është alternativa e formimit profesional përmes një marrëdhënieje mes shtetit dhe sipërmarrjes. Që do të thotë jo shkolla arsimi profesional duke tentuar të të bëjnë elektricist duke t’a treguar poçin në fotografi, po shkolla të arsimit profesional, ku teoria në shkollë lidhet me praktikën në punë dhe ku nga puna nxënësi përfiton edhe një pagë. Një pagë, që i tregon se me zanatin e tij mund të fitojë lekë, mund të krijojë mirëqenie dhe mund të ndërtojë familje bazuar mbi punën e ndershme. Skema e ndihmës ekonomike do të përmbyset plotësisht dhe do të kthehet në një skemë të riintegrimit shoqëror. Që do të thotë se ne nuk i konsiderojmë njerëzit e varfër, sepse janë të papunë, si njerëz të humbur në betejën e tregut, siç i konsiderojnë ata që vijnë nga e djathta. Për ta çdo i varfër është një person i dobët, që e ka fajin vetë pse është i varfër. Për ne aty ku ka një të varfër ka një problem për të zgjidhur dhe aty ku ka një të varfër mund të ketë me siguri një individ të aftë për të bërë shumëçka, por që rrugët e jetës për një mijë e një arsye janë mbyllur. Prandaj ne besojmë se shteti është i rëndësishëm dhe është i pazëvendësueshëm në tërësinë e vet nga tregu pikërisht për këtë, që të jetë gjatë gjithë kohës garant i rregullave të një loje që nuk mund të jetë loja që më i forti merr gjithçka dhe më i dobëti mbetet me gisht në gojë.

Në Bashkinë e Tiranës ne tentuam shumë vite më parë që të bënim një provë. Ishte një periudhë kur unë isha shumë i bindur që kjo skemë ishte një humbje parash dhe llogariteni, flasim për vitin 2001 -2002- 2003, flasim për afro 10 vjet me parë. 10 vjet herë 50 milionë dollarë janë 500 milionë dollarë të humbura në lëmosha që as nuk e ndihmojnë ashtu siç duhet familjen që i merr, as nuk i bëjnë nder një shoqërie dhe një shteti në mes të Europës, ku kjo lëmoshë është kthyer praktikisht në një shumë të hollash për të marrë peng çdo individ. Prova ishte që përmes punës në komunitet, duke e nxjerrë fondin e ndihmës ekonomike mënjanë dhe duke thënë që çdo njeri që është i papunë, por që ka mundësi të punoj nuk do të marrë thjeshtë një lëmoshë por mund të marrë nga ky fond më shumë para, boll që të shfaqë vullnetin për të punuar dhe të jetë i gatshëm që të punojë në shërbim të komunitetit. Që do të thotë punë në komunitet, që lidhet në atë projekt me mjedisin, me pastrimin, me mirëmbajtjen, me gjelbërimin e kështu me radhë. Projekti filloi të funksiononte më së miri dhe pikërisht atëherë u bllokua nga qeveria e këtyre.

Më e bukura është që pasi ne e lançuam këtë ide të re në mënyrë të strukturuar në rrugën e programit tonë, menjëherë u hodh kryeministri në ikje, që është akoma më në ikje sot, i cili tha: Ne tha kemi një zgjidhje të re, do ndryshojmë skemën e ndihmës ekonomike, mbas 8 vjetësh. Por edhe këtu ka një ndryshim shumë të madh, ne e themi dhe do ta bëjmë. Ndërkohë që edhe sikur të ndodhte që këta t’i fitonin zgjedhjet, gjë që nuk ndodh,ata nuk do ta bënin. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse për ta shqiptarët janë zgjedhës, për ne shqiptarët janë njerëz.

3.Ne nuk do lejojmë që asnjë ilaç në Shqipëri të shitet më shtrenjtë se në vendin e origjinës. Ajo që ndodh sot është se ilaçet këtu kushtojnë nganjëherë edhe dy dhe tre herë më shtrenjtë. Ne këtë nuk do ta lejojmë. Çdo ilaç në Shqipëri do të shitet minimalisht sa shitet në vendin e origjinës nga vjen.

4.Në arsim ne kemi sot sistem krejtësisht piramidë, ku familjet investojnë kursimet e tyre për t’u dhënë fëmijëve një shkollë dhe më pas mbeten me një letër të pavlerë në dorë. Ka edhe institucione që funksionojnë, por ajo që ne do të bëjmë është që gjithë sistemi i arsimit universitar duhet të akreditohet siç ndodh në të gjitha vendet normale. Që do të thotë duhet të përmbushi të gjitha ato kritere dhe standarde për të marrë të drejtën e ushtrimit të aktivitetit, në mënyrë që përmes akreditimit shteti të garantojë falë përfshirjes së një agjencie të pavarur ndërkombëtare çdo investim të të gjitha familjeve për studentët dhe mundin e çdo studenti.

Nga ana tjetër ne besojmë që janë tre institucione që janë shembur në Shqipëri. Tre institucione, pa të cilat është e pamundur të parafytyrohet një shoqëri normale. Institucioni mësuesit, institucioni i mjekut, institucioni i policit. Një shoqëri që jeton në kushtet kur këto 3 institucione janë shembur është një shoqëri që ka një problem të tmerrshëm me të cilin ndeshet çdo ditë. Ndeshet çdo ditë në formën e injorancës që shkon duke u shtrirë. Mjafton të merrni parasysh se sot Shqipëria ka 15% analfabetizëm. Në vitin 2005 kur këta erdhën në qeveri analfabetizmi ishte 5%. Në vitin 2009 shkoi 10%. Sot është 15%. Ne pas 23 qershorit do të fillojmë menjëherë investimin në kapitalin njerëzor duke filluar nga mësuesit, nga policët, nga mjekët dhe infermierët. Me taksimin e ndershëm mësuesit në Shqipëri, policët në Shqipëri, mjekët dhe infermierët në Shqipëri do të fitojnë menjëherë qysh vitin e parë të mandatit tonë një rrogë më shumë.

Nga ana tjetër ne do të ndërtojmë një sistem krejtësisht të ri të rekrutimit të mësuesve. Nuk do të ketë më në Shqipëri mësues që vijnë nga mitingjet, edhe që u kthejnë kurrizin nxënësve, edhe që paguhen me paratë e shqiptarëve për mitingun e radhës. S’do të ketë më në Shqipëri mësues që do të ndjehen të kërcënuar në bukën e gojës se nuk ju pëlqen qeveria apo se janë të pa interesuar për të qenë anëtarë partie. Nuk do të ketë më mësues në Shqipëri që do të kenë frikë të marrin pjesë në një aktivitet të opozitës së nesërme për të thënë mendimet e tyre sesi duhet të funksionojë më mirë arsimi. Por më e rëndësishme akoma, nuk do të ketë më mësues në Shqipëri që të jetë i aftë dhe i ditur, që nuk do të vlerësohet dhe që nuk do të mbrohet në dinjitetin e vet nga shteti.

Ne do të përfshijmë prindërit në sistemin e rekrutimit të mësuesit. Çfarë do të thotë kjo. Marrim shembullin e një shkolle këtu në Durrës. Shkolla “Naim Frashëri” ka një numër të caktuar nxënësish dhe ka një komunitet prindërish. Ky komunitet prindërish sot është tërësisht jashtë gjithë procesit të mësimdhënies. Jashtë gjithë procesit të organizmit të shkollës. Jashtë gjithë procesit të pjesëmarrjes në ecurinë e rezultateve që ka shkolla si e tërë dhe që ka fëmija. Bile nuk ka komunitet prindërish fare. Ne do të ftojmë të gjithë prindërit që të organizohen në një komunitet për shkollën dhe një përfaqësi prindërish bashkë me ekspertët e rekrutimit të mësuesve do të jenë në komisionin që do të marrë në revistë çdo mësues që kërkon të japë mësim për fëmijët e atij komuniteti, duke dhënë vlerësimin për marrjen ose jo në punë të atij mësuesi. Ashtu sikundër shkolla do të angazhohet që përgjatë gjithë vitit, me shkrim, në një afat periodik që mund të jetë dy apo tre muaj, t’i dërgojë çdo familjeje raportin e ecurisë në mësime të fëmijës, raportin e ecurisë së përgjithshme në shkollë. Në këtë mënyrë do të krijojmë një bosht: qeveri kombëtare dhe vendore, trupë mësimore dhe prindër, për të garantuar që fëmijët dhe nxënësit e këtij vendi të fillojnë të dalin nga kjo kënetë ku po zhyten përditë. Nga kjo gropë thithëse injorance që stimulohet prej militantizmit fanatik dhe nga kjo situatë ku fëmijët bëhen krejtësisht të ç’interesuar për shkollën. Mos harrojmë se sot kemi një problem shumë të madhe me dhunën në shkollë. Nga një anketë e fondacionit Friedrich Ebert, 45% e nxënësve të gjimnazeve shqiptare sot deklarojnë se kanë qenë të përfshirë në një konflikt fizik. Kjo është e papërfytyrueshme. Ashtu sikundër armët në shkollë kanë filluar të kthehen në një problem shumë serioz.

Ashtu sikundër shkolla në këtë gjendje është e kërcënuar vijimësisht nga droga, nga alkooli dhe nga fenomene të tjera, që lidhen me shkakun themelor që është cilësia mizerabël e shkollës, që është cilësia mizerabël e mësimdhënies. Ndërsa mësuesit e aftë, mësuesit e zotë ndjehen nën një presion barbar dhe nuk kanë asnjë motivim për të përballuar procesin e mësimdhënies. Ashtu sikundër mësues të demotivuar krijojnë gjendje demotivuese për gjithë komunitetin e nxënësve. Ne jemi shumë të vendosur ta ndryshojmë këtë. Dhe sigurisht jo vetëm kaq por jemi të bindur se nuk mjafton të synojmë një shkollë, e cila fokusohet e gjitha tek mësimi, por na duhet të krijojmë një shkollë e cila fokusohet tek krijimi i hapësirës komunitare ku mësimi është elementi themelor, po ku argëtimi, aktiviteti sportiv dhe përfshirja e komunitetit të prindërve në proces janë elementë plotësues të domosdoshëm. Për këtë arsye ne do krijojmë klasa sportive. Do të punësojmë 1200 mësues të edukimit fizik qysh në vitin e parë të mandatit tonë. Do të fusim edukimin fizik dhe sportin në të gjitha nivelet e shkollës. Do të ndërtojmë një sistem kompeticioni mes shkollave dhe mes universiteteve dhe në këtë mënyrë do të fillojmë punën për të shëruar plagën më të rëndë dhe më të thellë e të vështirë që ka kjo shoqëri që është plaga në sistemin arsimor. Plaga ku me patjetër duhet të ndërhyrë urgjentisht për të frenuar analfabetizmin, për t’ju krijuar akses fëmijëve kudo ku janë që të shkojnë në shkollë. Për t’ju dhënë mësuesve dinjitetin dhe motivimin duke i paguar më mirë, por mbi të gjitha duke i trajtuar si një institucion i paprekshëm nga askush.

Pa kthyer mësuesin, mjekun dhe policin në rolin që kanë në një shoqëri, në një komunitet, në një bashkëjetesë mes njerëzish ne e kemi të pamundur t’a rilindim Shqipërinë. Ndërkohë që duke i kthyer këto 3 figura të patjetërsueshme të një shoqërie njerëzore në vendin e tyre ne do t’i çelim shoqërisë sonë një perspektivë të re dhe do të fillojmë të normalizojmë bashkëjetesën mes njerëzve në çdo komunitet pavarësisht se nga kanë ardhur, pavarësisht se çfarë mendojnë, pavarësisht se çfarë simpatish politike kanë.

Është bërë modë këtu në Shqipëri që të gjithë janë njësoj, asgjë nuk ndryshon, asgjë s’do ndryshojë dhe kjo lidhet me një valë zhgënjimesh që shqiptarët kanë pasur në vite nga qeveritë dhe me hendekun që shkon duke u zgjeruar midis atyre që dëgjojnë dhe atyre që shohin e prekin. Besoj që është koha për të bërë të qartë në radhë të parë dallimet mes vlerave dhe programeve. Për qeverinë është më e lehtë sepse qeveria ka pasur 8 vjet kohë për të treguar se mbi çfarë vlerash funksionon dhe se ç’mund dhe ç’di të bëjë. Për ne sigurisht është më e vështirë, sepse ne sot kemi vetëm fjalën dhe çdo dyshim është legjitim, ndërkohë që prova është qeverisja. Por le të shohim se çfarë është një vlerë themelore mes atyre që kanë 8 vjet që keqqeverisin Shqipërinë dhe nesh që duam ta qeverisim pas 23 qershorit për ta rilindur. Kjo vlerë themelore është në dallimin se për ta çdo gjë është mall. Për ta drejtësia është mall, mund të kesh të drejtë po s’pate lekë, nuk e blen dot, nuk ke të drejtë. Për ta shëndeti është mall. Mund të jesh i sëmurë, po s’pate lekë nuk e blen dot, dhe nuk kujdeset kush për shëndetin tënd. Për ta arsimi është mall. Sigurisht, fëmija duhet të shkojë në shkollë po në qoftë se s’ke lekë nuk e çon dot fëmijën në shkollë. E, kështu, me radhë çdo shërbim edhe siguria rrugore është mall për ta. Mund të jesh në rregull, të ndalon polici po s’pate lekë nuk ia del dot, ndërkohë që duhet të japësh lekë për të vazhduar rrugën. Ne besojmë që shërbimet janë një e mirë publike që duhet të ofrohet jo sipas xhepit, po sipas nevojës.

Tani le të vijmë tek kujdesi shëndetësor. Këta thonë po s’pate lekë mos u sëmur. Në qoftë se e bën gabimin sëmuresh zgjidhe, gjej lekët dhe në rrugëtimin e programit kemi parë raste konkrete, shqiptarësh të shkatërruar ekonomikisht për të mbajtur në jetë të afërmit e tyre. Kemi takuar një grua që luftonte me vdekjen në trupin e burrit të saj dhe sapo kishte shitur edhe shtëpinë dhe qante me lot në shkallët e spitalit, sepse nuk dinte çfarë do të ndodhte kur të mbaronin dhe lekët nga shitja e shtëpisë. Kemi takuar dy prindër në një fshat pranë një qendre shëndetësore që kishin shitur gjithçka. Absolutisht, gjithçka! Jetonin tek kushërinjtë për të mbajtur në jetë djalin me leucemi.

Janë 1 milionë shqiptarë të papunë. Janë 1 milionë shqiptarë të cilët për shkak se janë të papunë janë dhe të pasiguruar. Skema e sotme është e falimentuar për shkak se bazohet tek sigurimet shëndetësore, që do të thotë bazohet tek të punësuarit. Ndërkohë që thuhet se medemek të papunët mund t’i përfitojnë sigurimet shëndetësore, po ju e dini shumë mirë që tanimë nuk të regjistron askush si të papunë pikërisht për të mos përfituar nga shërbimi shëndetësor. Sot në Shqipëri brenda një viti harxhohen rreth 800 milionë usd për kujdesin shëndetësor. 800 milion usd që vijnë vetëm 7% nga sigurimet shëndetësore. 33% vijnë nga taksat e përgjithshme dhe 60% vijnë nga xhepi. Nga xhepi i kujt?! 1% e këtij 60% vjen nga xhepi i të pasurve, të cilët shkojnë dhe marrin shërbime të një cilësie të lartë në spitalet private. 99% e këtij 60% vjen nga xhepi i të varfërve. Vjen nga xhepi që s’ka lekë, vjen nga xhepi që mbushet para se i varfri të shkojë në spital me shitjen e bagëtive, me shitjen e shtëpisë, me borxhe. Këta thonë, po tani s’kemi si ia bëjmë, shëndetësia kushton dhe propozimi i Partisë Socialiste është marksist leninist. Ndërkohë që është e vërtetë që shëndetësia kushton, sepse për të mbajtur në këmbë gjithë sistemin shëndetësor, infrastrukturën, trupën mjekësore, trupën ndihmëse dhe gjithë shërbimet e mirëmbajtjes bashkë me investimet e reja, është vërtet një kosto e lartë. Pyetja jonë është shumë e thjeshtë: Shëndetësia kushton, por kush duhet ta paguajë?! Do ta paguajnë ata që s’kanë lekë? Do ta paguajnë ata që jo për faj të tyre janë të varfër dhe të papunë? Do ta paguajnë ata që zvarriten rrugëve të papunësisë, sepse askush nuk ju jep mundësinë që të jetojnë me punë të ndershme? Apo duhet ta marrë përsipër shoqëria si e tërë për të dëshmuar se nuk është një bashkësi barbarësh, që e lënë njëri tjetrin të vdesë, por është një bashkësi shqiptare që respekton tjetrin dhe respekton të drejtën e tjetrit për të jetuar në mënyrë normale. Ne mendojmë që është kjo e dyta, prandaj besojmë që shërbimin shëndetësor nuk do ta blejnë vetëm ata që kanë lekë dhe nuk duhet të jetë një shërbim që jepet vetëm përmes lekëve. Por duhet ta blejë shteti dhe pastaj ta ofrojë falas, qoftë për ata që janë të pasur qoftë për ata që janë të varfër, qoftë për ata që vinë nga fshati, qoftë për ata që janë nga qyteti, qoftë për ata që janë nga veriu qoftë për ata që janë nga jugu, qoftë për ata që e njohin doktorin, qoftë për ata që nuk e njohin doktorin. Kjo është pikëpamja jonë!

Ne besojmë shumë që kjo skemë do të ndryshojë tërësisht marrëdhënien mes qytetarit dhe shërbimit shëndetësor. Do të ndryshojë marrëdhënien e mjekut dhe të infermierit me shërbimin dhe me qytetarin. Sepse çdo qytetar do të shkojë në derën e spitalit me vetëdije që për të paguan shteti kur është i sëmurë. Dhe do të gjejë përballë mjekun që do ta ketë shumë herë më të vështirë t’i kërkojë para në dorë, sepse shërbimi jepet me paratë që vijnë nga kontributi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.

Për korrupsionin, jo vetëm në shëndetësi, por kudo. Korrupsioni nuk është një çështje personash. Korrupsioni është një çështje sistemi. Në qoftë se merr një mjek shqiptar apo një infermiere shqiptare dhe e çon në një spital në Gjermani të jeni të sigurt që nuk do t’i shkojë ndërmend që të kërkojë lekë. Nëse merrni një mjek gjerman apo një infermiere gjermane dhe e çon në QSUT të jeni të sigurt që mbas ca kohësh do fillojë të thotë ”po sikur të marr edhe unë ndonjë lek”.

Pra, nuk është çështje genesh, nuk është çështje populli, nuk është çështje kulturore, nuk është çështje gjeografike, nuk është çështje historike është çështje sistemi, sepse janë sistemet që korruptojnë njerëzit. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin. Në rast se sistemi funksionon si i tillë, për të garantuar atë që ofron atëherë korrupsioni nuk është një alternativë e vlefshme. Ndërkohë që kur sistemi nuk funksionon, siç nuk funksionon sistemi i skemës së financimit të sigurimeve, korrupsioni është alternativë. Njeriu në hall, në nevojë, në urgjencë, qoftë për shëndetin, qoftë për certifikatën, qoftë për licencën, qoftë për të ikur dhe për të kaluar rrugën dhe për të mos ndenjur për të bërë muhabet me policin i referohet korrupsionit.

Nga ana tjetër shërbimi sot është shumë i rënduar edhe për shkak të rritjes së madhe të presionit mbi përsëri më të dobëtit kur vjen puna tek ilaçet. Sot duhet ta dijw çdokush që nga pensionistët që falë politikës shëndetësore të PD-së në çdo kokërr sado të vogël që pi qeveria i merr 10% taksë. Në çdo tabletë! Ashtu sikundër i merr 10% për çdo shërbim dhe tarifat e shërbimit janë rritur 5 herë në raport me vitin 2009.

Pas 23 qershorit ne do të ndryshojmë tërësisht sistemin dhe jo mbi baza marksiste leniniste, siç thotë Saliu që është në fakt një pjellë e marksizëm leninizmit dogmatik, por mbi bazën e një shërbimi që quhet shërbimi shëndetësor universal, që ka funksionuar me sukses në Britaninë e Madhe dhe në një sërë vendesh të tjera, që po përhapet në shumë vende të tjera akoma dhe që po fiton shumë terren edhe në vendet në zhvillim ku ka shumë korrupsion në shërbimin shëndetësor, pikërisht, sepse është një sistem që është më i mbrojtur nga korrupsioni.

- Dua të flas edhe për pjesën e mbetur, por aspak të parëndësishme, përkundrazi, që lidhet me çfarë duam të bëjmë ne në arsim në lidhje me Kosovën.

Ne besojmë që bashkimi kombëtar ka ndodhur, por ne nuk e shohim, nuk e shohim për një fatkeqësi të madhe, se kemi një kryeministër dhe një qeveri komplet të prapambetur në mendësi dhe qorre në vizion. Na takon ne, që duke parë larg, të vëmë re se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është fare e mundur që të fillojë të kthehet në vijë që ndan vetëm administrativisht dy shtetet, por që nuk e ndan popullin shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë në zhvillimin e asnjë aktiviteti të përditshëm. Që ne të marrim frytet e këtij bashkimi që ka ndodhur, ne duhet të shohim se çfarë duhet të ndërtojmë me një vizion të përbashkët për të rritur mirëqenien e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, duke filluar nga arsimi. Është e papranueshme dhe është përgjegjësi ekskluzive e Sali Berishës si kryeministër 8 vjet që ne sot nuk kemi këtej dhe andej kufirit një sistem të unifikuar arsimor, ku fëmijët shqiptarë në Prishtinë dhe në Tiranë, në Drenicë dhe në Vlorë dhe me radhë në çdo cep të Kosovës dhe në çdo cep të Shqipërisë të kenë një sistem të njëjtë. Pas 8 vitesh kjo mundësi ka mbetur ende e paprekur, jo e pashfrytëzuar, por e paprekur, për t’ju dhënë fëmijëve këtej dhe andej një të ardhme, duke ju ndërtuar një rrugë të përbashkët referencash në histori, në gjeografi, në gjuhë, në letërsi dhe në gjithçka përmban një sistem arsimor nga klasa e parë deri në doktoraturë.

Përkundrazi edhe kjo është kthyer në një farsë, në farsën e abetares. Ju e keni parë vetë sa herë fillon çdo vit shkollor niset ministri i arsimit, që këtu me një abetare në dorë, që çdo herë ka gabime ortografike dhe shkojnë atje e bëjnë një ceremoni të abetares dhe thonë: ‘Tani kemi abetaren e përbashkët.’

Ne duam të ndërtojmë një sistem arsimor të unifikuar me Kosovën, por këtë pjesë të projektit tonë do ta sqarojmë në takimet e tjera. Ne kemi një plan për të bashkërenduar me qeverinë e Kosovës në disa drejtime dhe për të krijuar një hapësirë shqiptare ekonomike, arsimore, kulturore, tërësisht të përbashkët.

Kjo ishte ajo që kishim sot për të thënë lidhur me kapitullin e Programit për Shërbimet Publike."

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Kimete Berisha: Gruaja misterioze!

Kimete Berisha: Gruaja misterioze!