Bota e futbollit është gati të përjetojë një moment historik, pasi sot në orën 21:00 ngre siparin Kupa e Botës 2026, turneu më i madh që FIFA ka organizuar ndonjëherë. Për herë të parë në histori, Botërori do të zhvillohet në tre shtete njëkohësisht; SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ceremonia inauguruese do të mbahet sot në stadiumin legjendar “Azteca” të Mexico Cityt, ku Meksika do të përballet me Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse. Spektakli do të nisë 90 minuta përpara takimit dhe pritet të sjellë një atmosferë festive, duke rikthyer kujtimet e hapjes së Botërorit 2010, në përballjen Afrika e Jugut - Meksikë.
Kanadaja do të shkruajë historinë e saj si vend mikpritës për herë të parë, me ndeshjen Kanada - Bosnje Hercegovinë që do të luhet më 12 qershor në Toronto (21:00). Ndërkohë, SHBA-ja, organizatore e Botërorit 1994, do të hapë pjesën e saj të turneut më 13 qershor në Los Angeles me sfidën ndaj Paraguajit.
Ky edicion do të shënojë një revolucion në formatin e garës. Për herë të parë do të marrin pjesë 48 kombëtare, në vend të 32 që kanë qenë deri tani. FIFA ka vendosur të zgjerojë turneun për t’u dhënë më shumë mundësi vendeve nga Europa, Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut që të jenë pjesë e skenës më të madhe të futbollit botëror.
Formati i ri parashikon 12 grupe me nga katër skuadra. Dy ekipet e para të secilit grup do të kualifikohen automatikisht, ndërsa në fazën tjetër do të kalojnë edhe tetë skuadrat më të mira që renditen në vendin e tretë. Në total, 32 kombëtare do të avancojnë në fazën me eliminim direkt.
Risia më e madhe është futja e raundit të 1/16-ve, çka rrit numrin e ndeshjeve dhe zgjeron kalendarin e turneut. Finalistët dhe skuadrat që do të luftojnë për vendin e tretë do të zhvillojnë tashmë tetë ndeshje, një më shumë se në formatin e mëparshëm.
Nga 64 ndeshje që zhvilloheshin në edicionet e kaluara, Botërori 2026 do të ketë plot 104 takime të shpërndara në 16 qytete pritëse. Turneu do të zgjasë 39 ditë, nga 11 qershori deri më 19 korrik, kur do të luhet finalja e madhe në stadiumin “MetLife” të New Yorkut.
Faza e grupeve do të zhvillohet nga 11 deri më 28 qershori, ndërsa menjëherë më pas do të nisë faza me eliminim direkt. Çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja do të përcaktojnë kampionen e re të botës në një turne që premton të jetë spektakolar si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ.
Përveç futbollit, organizatorët kanë premtuar një festë globale me pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës botërore si Shakira, Burna Boy, Katy Perry, Blackpink, Rema dhe Anitta, duke e kthyer Kupën e Botës 2026 në një ngjarje që bashkon sportin, kulturën dhe argëtimin në përmasa të papara më herët.
FIFA ka prezantuar zyrtarisht një ndryshim të ri në protokollin para ndeshjeve të Botërorit 2026, që prek mënyrën se si zhvillohen himnet kombëtare. Sipas rregullit të ri, tani të 26 lojtarët e çdo skuadre do të dalin në fushë gjatë himnit kombëtar, në vend që të jenë vetëm 11 titullarët si më parë. Risia do të zbatohet për herë të parë në ndeshjen Meksikë - Afrikë e Jugut, ku të dyja ekipet do të jenë të plota në fushë.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e konfirmoi këtë ndryshim, duke theksuar se synimi është forcimi i frymës së ekipit dhe krijimi i një ndjenje më të madhe uniteti para fishkëllimës së parë. Interesant është fakti se ideja është frymëzuar nga legjenda italiane Alessandro Del Piero, i cili kishte sugjeruar që i gjithë grupi i lojtarëve duhet ta përjetojë këtë moment të rëndësishëm së bashku, jo vetëm formacioni titullar.
Ky hap shihet si pjesë e vizionit të FIFA-s për modernizimin e futbollit dhe rritjen e emocionit në momentet para ndeshjes, duke i dhënë më shumë simbolikë dhe rëndësi rreshtimit të skuadrave pranë flamurit kombëtar.
Komente







