Fjala e plotë e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli
në konferencën ndërkombëtare të sigurisë “GermiaHill 2016” në Prishtinë

Ndaj me ju shqetësimin e përbashkët që rrjedh për shkak të situatës jo fort komode të sigurisë. Kur them shqetësimin e përbashkët kjo s’ka të bëjë vetëm me Ballkanin Perëndimor, por ka të bëjë me një shqetësim mbarëbotëror, i cili vazhdon të jetë në rritje për shkak të gjithë ngjarjeve dhe situatave aspak të këndshme, madje shpeshherë brutale që ndodhin përreth nesh dhe sidomos në kufijtë jugore dhe lindore të vendeve të NATO-s dhe të Europës në përgjithësi.
Por cilat janë sfidat e NATO-s dhe BE-së kur vjen fjala për Ballkanin Perëndimor?

Ku jemi ne? Cila është sfida jonë për të integruar përfundimisht këtë copë të vogël në hartën botërore por që mbart me vete një pjesë të rëndësishme të historisë, sidomos 100-vjeçarin e fundit?

Sigurisht që ne mund t’i tregojmë botës dhe mund t’i flasim për shumë vlera shpirtërore, filozofike, kulturore, historike, por ndërkohë po aq shumë i kemi treguar botës se dimë edhe ta gjakosim tokën tonë. Sigurisht nga kjo zonë, nga kjo qoshe e botës kanë filluar dy luftëra botërore. Ndaj shpresoj dhe besoj fort që ne dimë të nxjerrim mësime nga eksperienca jonë në person të parë, ashtu siç bashkërisht besoj që do të mundohemi të realizojmë detyrat tona të vëna mbi tryezë, me besimin tonë se qoftë NATO qoftë BE, e ka një plan të mirëpërcaktuar për të ardhmen e vendeve tona.

Unë jam plotësisht dakord me Hashimin kur thotë që nëse ne do të lëmë njolla gri në këtë qoshe të botës ku jetojmë, do të kemi shumë shpejt në mos e kemi prezencën e fuqive të tjera keqdashëse në raport me të ardhmen e popujve tanë dhe të sigurisë. Ballkani Perëndimor sot ka një tendencë, influencë dhe të ardhme totalisht perëndimore, por kjo dëshirë për të qenë pjesë e perëndimit jo e lindjes, për të qenë jo në zgrip, jo në kufi, por thjesht dhe vetëm për të qenë pjesë e perëndimit të zhvilluar, e demokracive të zhvilluara, e tregjeve të zhvilluara, e vlerave pozitive humane të besimit, nuk i rrinë mirë një kryeqyteti si Moska, e cila ka dashuri të vjetra të lidhura me këtë rajon, dhe aq më pak i vjen mirë një shteti të quajtur islamik, i cili tregon çdo ditë e më tepër radikalizmin e tij nëpërmjet barbarisë që ne shikojmë çdo ditë.

Ndaj unë besoj fort se përtej fazave të ndryshme në të cilat ndodhen vendet e Ballkanit Perëndimor, aspirata dhe rruga që duhet ndjekur apo është ndjekur është ekzaktësisht e njëjtë, thjesht dhe vetëm duhet të jemi bashkë në këtë rrugë. T’i tregojmë njëri - tjetrit si i kemi bërë detyrat e shtëpisë, në rastin e Shqipërisë, si ajo ka mundësuar anëtarësimin në NATO para 6 vjetësh, apo eksperiencën pozitive të Kroacisë dhe Sllovenisë, dy vende që janë në BE dhe NATO.

Apo të tregojmë punën e jashtëzakonshme dhe mbështetjen e madhe që ne i dhamë Malit të Zi duke qenë pjesë dhe zë i fuqishëm i politikës së dyerve të hapura NATO. Për shkak se Mali i Zi i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe për shkak të mbështetjes së Shqipërisë dhe Kosovës dhe vendeve të tjera padyshim, Mali i Zi mori ftesën për t’u anëtarësuar dhe besoj në Samitin e Varshavës thjesht dhe vetëm do bëhet realitet edhe me letra.

Sigurisht rruga jonë për në BE është e gjatë, por nëse ne do kemi bashkë me Europën një plan të mirëpërcaktuar me detyra të mirëpërcaktuara, pa vënë kushte të pamundura siç është në rastin e Kosovës, një kusht që zëvendëskryeministri Thaçi e përmendi drejtpërdrejt, të një marrëveshjeje, e cila jo domosdoshmërish ekziston edhe mes vendeve të tjera të BE-së, pra të gjejmë "casusbelli", të tilla për të justifikuar një gjë që qytetarët e Kosovës e kanë gëzuar dhe merituar kur ishin pjesë e federatës, dhe po këta qytetarë nuk e gëzojnë dhe nuk e meritojnë sot që janë një vend i pavarur, dhe kjo është qesharake.

Kosova ka bërë përparime të jashtëzakonshme, ka shumë detyra përpara për të bërë, por pa dyshim në Kosovë në përgjithësi si në disa treva të Ballkanit Perëndimor. Më lejoni të them se ka disa institucione fetare me axhenda të ndryshme dhe jashtë kontrollit. Institucione të cilat mundësojnë thithjen e njerëzve krejt të rinj në moshë në adoleshencë, mbase dhe më të vegjël, në radhët e disa grupimeve organizmave, njësive të cilat largohen nga vendi i tyre për të bërë luftën e dikujt tjetër, radikalizohen ndërkohë rrugës pa pasur idenë farë se çfarë janë duke bërë dhe e bëjnë këtë në emër të një zoti i cili i mëson ata ndryshe. Por ja që kjo zonë është edhe burim i këtij fenomeni, i cili duhet luftuar në rrënjë por jo ta përballim vetëm kur e kemi tek dera. Ne akoma nuk dimë pse një qytetar i zakonshëm, normal i ndershëm me principe, një besimtar i mirë madje kthehet nga një qenie humane, në një djall. Dhe për këtë duhet punuar shumë bashkërisht dhe Shqipëria si një vend anëtar në Aleancë ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë fort në këtë drejtim ashtu siç kanë punuar dhe të gjithë vendet anëtare. Pavarësisht nga background-et e ndryshme, pozicionet e ndryshme ku vendet anëtare të NATO-s janë të vendosura, ato ngrihen mbi bazën e disa principeve dhe veprojnë, punojnë planëzojnë mbi bazën e disa gjerave të përbashkëta që i lidhin dhe i bëjnë ata të qëndrueshëm, madje kaq të qëndrueshëm dhe unifikuar, sa deri më sot për fat të mirë nuk ka një forcë tjetër që të përballet  me ta.

Ndaj bazuar në mbrojtjen e përbashkët, bazuar në bashkëpunimin për sigurinë dhe menaxhimin e krizave. NATO i ka shumë të qarta detyrat e shtëpisë së saj, por njëkohësisht duke qenë i ndryshëm nga BE-ja ka të qartë rrugën sesi vendet do të vinë tek kjo organizatë pa i detyruar.

Unë jam e bindur që në Ballkanin Perëndimor mund të ketë ndonjë vend që nuk ka dëshirë të bëhet vend anëtar i NATO-s. Do të bëhet anëtar i BE-së por jo domosdoshmërish i NATO-s. Është i lirë të vendosë për këtë gjë vetë, ndërkohë që influenca Euro-Atlantike në Kosovë, në Shqipëri, në Malin e Zi, vazhdon të mbetet e lartë, e fortë, e madhe sepse falë njerëzve që na votojnë, falë qytetarëve tanë, ne akoma besojmë tek këto struktura tek këto organizma dhe vlerat që ata përfaqësojnë.
Dy shqetësimet më të mëdha që vinë sot e theksoj janë shqetësime madhore me të cilat ne do duhet të përballemi gjatë.

Radikalizmi islamik vazhdon të rritet dhe të jetë shqetësim për të gjithë, ashtu si dhe ndikimi rus në kufi me Ukrainën dhe e gjithë situata në Lindjen e Mesme shpeshherë e paqartë për diplomacinë perëndimore apo diplomacinë botërore në përgjithësi, i ngatërron pak letrat. E bën situatën, mjedisin botëror më të ngarkuar dhe kjo ndoshta na i vonon pak hapat, vendeve si ne në Ballkanin Perëndimor që i kanë të qarta idetë. Unë do të kërkoja dhe do të vazhdoj të kërkoj nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së ashtu si dhe të Aleancës, më shumë vëmendje ndaj vendeve që realisht e dëshirojnë këtë gjë, që kanë akoma besim pavarësisht se rruga është bërë e lodhshme edhe shpeshherë lodhja nuk sjell entuziazëm, nuk sjell optimizëm. Por në fund të ditës besoj se shoqëritë tona, ekonomitë tona, demokracia jonë e re dhe e brishtë janë një bazë gjithsesi e mirë për një të ardhme të mirë, thjesht dhe vetëm se kjo qoshe e botës është një qoshe shumë e mirë për të rritur fëmijët. Ka lashtësi, ka histori brenda, ka diell, ka det, ka mal, ka borë, ka njerëz entuziastë ka talente, dhe mbi të gjitha di të mësojë nga gabimet e të tjerëve dhe nga gabimet e veta.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Medalistët serbë të Paris 2024, festojë me këngë nacionaliste për Kosovën