Fjala e plotë e ministrit Ahmetaj në ndarjen e çmimeve "Bleta e artë 2014"

Fjala e plotë e ministrit Ahmetaj në ndarjen e çmimeve "Bleta e artë 2014"

Të nderuar të pranishëm,

Një nga personazhet e mi të preferuar dikur ka thënë që: “Disa njerëz e shikojnë sipërmarrjen private si një tigër që duhet vrarë. Të tjerë e shikojnë atë si një lopë që mund të milet. Jo aq njerëz sa duhet e shikojnë sipërmarrjen si një kalë të shëndetshëm, që tërheq një karrocë të rëndë.”

Me këto fjalë të Winston Çërçill mund të përkufizohet diferenca e thellë mes dy administrative të fundit në qeverinë shqiptare. Shtatorin e shkuar, ne gjetëm një situatë kaotike në marrëdhënien mes qeverisë dhe sipërmarrjes. Marrëdhënia mungonte, dhe aty ku kishte marrëdhënie dominonte mosbesimi, frika nga gjobat e administratës fiskale, frikë që materializohej përherë; shtrëngesa nga faturat e papaguara të qeverisë së shkuar, që financonin borxhin publik në mënyrë të fshehur; dhe një sistem i tërë represioni ndaj sipërmarrësve dhe sidomos atyre më të suksesshëm.

Çmimi Bleta e Artë apo Sipërmarrësi i Vitit nisi vjet si një risi për të theksuar se po hapej një kapitull i ri në marrëdhënien mes qeverisë dhe sipërmarrjes. Po kështu ishte një mundësi për të theksuar vullnetin tonë që të ngrinim ura lidhëse dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen. Mendoj se në 12 muajt e shkuar kemi bërë shumë në këtë drejtim. Në 15 muajt e fundit ka patur një kthesë drastike në marrëdhëniet tona, mes qeverisë dhe sipërmarrësve. Nga ditët e para në qeveri ne e dinim se një ndër bllokimet kryesore për biznesin ishte borxhi gjithmonë në rritje nga qeveria. Për këtë morëm përsipër ta paguanim të gjithë këtë borxh, dhe deri tani kemi paguar mbi 260 milionë dollarë.

Po kështu hodhëm hapat për të krijuar një dialog konstruktiv me sipërmarrjen, për të krijuar jo vetëm komunikim, por mbi të gjitha bashkëpunim mes të dy palëve, në mënyrë që të kthesa ekonomike e vendit të ishte një hap i përbashkët, si bashkë-aksionerë të fateve ekonomike të vendit. Për këtë është krijuar dhe funksionon, Këshilli Ekonomik Kombëtar, ku diskutohet çdo reformë e çdo problem i sipërmarrjes, për të gjetur zgjidhje.

Kemi organizuar këtë aktivitet Gala sot për të ritheksuar besimin tonë tek sipërmarrja në Shqipëri. Jemi tërësisht të ndërgjegjshëm që vetëm duke bashkëpunuar në mënyrë pro-aktive mund të bëjmë realisht diferencën për ekonominë dhe qytetarët. Ky besim është forcuar veçanërisht vitin që po mbyllet, kur kemi parë si ne në qeveri ashtu edhe ju nga sipërmarrja se mund të bëjmë shumë rrugë së bashku, e se mund të zgjidhen shumë probleme së bashku.

Në vitin 2014 kemi ndërmarrë një sërë masash për lehtësim në sektorë të ndryshëm, duke u nisur jo nga ajo që donim ne të bënim, por nga ajo që sugjerohej nga vetë sipërmarrësit. Paketa fason, me rritjen mbi 26% të eksporteve nga viti në vit, është jo vetëm simbol i çfarë mund të bëjë qeveria për një sektor, po mbi të gjitha simbol i fryme të re bashkëpunimi, që është ndjekur edhe nga paketa e Bujqësisë, apo nga masa të tjera lehtësuese.

Me këtë aktivitet ne promovojmë sipërmarrjen shqiptare, si një ambasador dhe aset i Shqipërisë. E dimë që themelet e asaj ekonomie që duam të ndërtojmë, të modelit të ri ekonomik në punë, duhet të ngrihen mbi themele të shëndetshme, si ato që po ngremë së bashku.

Sot është e domosdoshme që të promovojmë të gjithë bashkë një shembull të ri të sipërmarrësit, personin e suksesshëm në biznes, i cili mund dhe duhet të jetë model suksesi për të gjithë të rinjtë teksa vlerësojnë mundësitë e tyre për të hedhur hapat në jetë.

Deri dje kjo ka qenë e pamundur, pasi tregohej biznesi ose si armik i rrezikshëm, ose si thes mielli që duhej të shkundej nga të gjithë. Sot ne jemi bashkëpunëtorë e madje në disa raste edhe bashkë-autorë në një rrugë reformash, që deri tani, në vetëm 15 muaj, kanë rezultuar shumë të suksesshme.

Shqipëria ka patur një ngritje prej 40 vendesh në renditjen botërore të “DoingBusiness Report”. Vlerësimi për ekonominë nga Standard andPoor’s është ndryshuar dy herë pozitivisht. BERZH-i e ka vlerësuar vendin si vendi më reformator në Transition Report të saj. Po kështu jemi klasifikuar ndjeshëm më lart në shumë publikime botërore për sektorët e ndryshëm.

Dua t’ju falënderoj edhe juve për këtë, pasi kjo nuk është vetëm një arritje e jona, por një arritje e përbashkët.

Kemi arritur të kthejmë kahun e rritjes ekonomike, nga ngadalësimi disa vjeçar, sivjet do të kemi një rritje pozitive nga viti në vit. Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tonë të përbashkët.

Ne jemi angazhuar për një partneritet mbi baza besimi me sipërmarrjen. Për këtë janë anuluar gjobat elektorale dhe regjimi fiskal që i prodhoi ato, për të ngritur një sistem bashkëpunimi edhe për luftën kundër informalitetit.

2015 ka për të qenë një vit ku suksesin e deritanishëm duhet ta replikojmë dhe ta çojmë edhe më tej. Ne si qeveri jemi të angazhuar tërësisht për këtë, pasi 2015 do të jetë viti i thellimit të reformave të nisura dhe i transformimit ekonomik.

Ne po fillojmë një reformë të thellë dereguluese – për të thjeshtuar dhe zgjidhur problemet me procedurat, për të ulur kostot, kohën dhe numrin e procedurave për sipërmarrjen dhe për ta bërë të gjithë sistemin më eficient. Për këtë kemi marrë përsipër të bashkojmë Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrën Kombëtare të Licencimit në vitin 2015. Në vazhdim do të unifikojmë shërbimet për biznesin, që administrata të jetë më eficiente dhe që sipërmarrja të zhvillohet pa pengesa proceduriale.
Ky aktivitet rithekson përsëri përkushtimin tonë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ngritur mbi bashkëpunimin qeveri – sipërmarrje. Jemi duke zhvilluar paketa mbështetëse për disa sektorë, si turizmi, riciklimi dhe lëndët plastike, agro-përpunimi dhe industria mekanike. Vizioni jonë është që Shqipëria të kthehet në një qendër të rëndësishme prodhimi dhe tregtie rajonale, me synim rritjen progresive të eksporteve drejt BE.

Shpeshherë kam folur në vitin e shkuar për konvergjencë në të ardhurat mes Shqipërisë dhe BE, konvergjencë që sipas Bankës Botërore mund të arrihet për 22 vite. Në mënyrë që kjo konvergjencë të arrihet duhet që të jemi të gjithë bashkë të angazhuar, për të siguruar një zhvillim jo linear në sektorët kryesorë me potencial, pra një kërcim cilësor në zhvillimin në sektorët më të rëndësishëm për rritjen.

Nga fillimi i vitit të ri do të ngrihet edhe Këshilli i Investimeve, në bashkëpunim me BERZH. Ky institucion do të jetë dera për ankesat dhe paraqitjen e problematikave për biznesin, ku të gjithë mund të apelojnë çështjet dhe të marrin një përgjigje zyrtare nga organet më të larta të shtetit.

E nisa këtë fjalë me një shprehje nga Çërçill. Më lejoni ta mbyll me një shprehje po nga ai: “Suksesi nuk është final, dështimi nuk është fatal; por është kurajoja për të vazhduar ajo që ka rëndësi.”

Besoj se në marrëdhënien tonë deri tani, e në vazhdim, mund ti hasim të dyja, si suksesin ashtu edhe dështimin. Megjithatë ka sipërmarrja ka një rol të pazëvendësueshëm në politikat dhe reformat që po ndërmerren e që do të vijojnë. Ne e mirëpresim angazhimin tuaj, në mënyrë që së bashku të bëjmë më shumë e më mirë.
Ky ka qenë një vit i suksesshëm për bashkëpunimin mes nesh, dhe padyshim mësimi i parë që kemi marrë të dyja palët, si sipërmarrja ashtu edhe qeveria, është që punojmë më mirë së bashku.

Në këtë natë organizuar për të vlerësuar historitë e suksesit që jeni ju, mendoj se e kemi të gjithë kurajon për të vazhduar këtë rrugë për të kthyer ekonominë në rrugën e duhur dhe për të kthyer ritmet e shpejta të rritjes ekonomike dhe zhvillimin, së bashku.
Faleminderit!
 
Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?