Hartimi i paketave shëndetësore të shërbimit është tashmë një realitet, por edhe një risi në financimin e shërbimeve spitalore në vend. Është, njëherazi, shembull i qartë se si mund të përdoren në mënyrë të mjaftueshme paratë publike për të marrë shërbime thelbësisht jetike, brenda sistemit të sotëm të financimit të shëndetësisë.
 
 Pas risive dhe zgjerimit të konsiderueshëm të listës së barnave të rimbursueshme nga FSDKSH dhe listës së barnave thelbësorë spitalorë të miratuara dhe prezantuara vetëm një javë më parë, si dhe heqjen e pritshme të tatimit mbi vlerën e shtuar për barnat me efekt nga data 1 Prill 2014, paketat e shërbimeve shëndetësore të dializës dhe transplantit të veshkave që prezantojmë sot, janë vijim i përmbushjes së angazhimeve programore për shndërrimin rrënjësor të financimit të sistemit të kujdesit shëndetësor.
 
Për herë të parë ndodh që puna për hartimin e paketave të tilla të shërbimeve shëndetësore të realizohet në një kohë kaq të shkurtër dhe nëpërmjet përfshirjes së një ekipi profesionistësh, duke hedhur edhe një hap të mëtejshëm në drejtim të jetësimit të angazhimit tonë për të siguruar se askush nuk mos përballet me pengesa financiare, moshore, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor.
 
Ashtu siç jemi angazhuar, këto paketa të shërbimeve shëndetësore ofrojnë më tepër siguri, dhe shënojnë qartësisht progres, dhe inovacion për pacientët shqiptarë që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave.
 
Aktualisht ne Shqipëri trajtohen me TRZ rreth 950 të sëmurë:
 
§ rreth 700 trajtohen me hemodializë;
 
§ rreth 50 trajtohen me dializë peritoneale; dhe,
 
§ rreth 200 janë të transplantuar.
 
Pra, me hartimin dhe miratimin e këtyre paketave, ofrojmë:
 
§ më shumë siguri për pacientët që do të diagnostikohen dhe do të kenë nevojë të trajtohen dhe kurohen me shërbimet e dializës apo të transplantit të veshkave;
 
§ më shumë garanci për një mjekim të vazhdueshëm dhe pa mungesa.
 
Jam i kënaqur gjithashtu, edhe për inovacionin që i'a arritëm të sjellim, pasi puna për hartimin e këtyre paketave ka qenë voluminoze, pasi janë marrë në shqyrtim me rigorozitet të lartë profesional dhe në mënyrë të hollësishme të gjithë elementët që përbëjnë kostifikimin e këtyre shërbimeve, bazuar mbi kritere të qarta dhe të gjithëpranuara, në funksion të buxhetit të vitit 2014, ku pjesa e shpenzimeve të buxhetit për programin e kujdesit spitalor, ka patur një rritje të rëndësishme.
 
Gjithashtu, besoj se me miratimin e tyre kemi shënuar progres të qartë, pasi, kriteret mbi të cilat u hartohen këto paketa, janë kritere mjekësore, ekonomike dhe sociale, që do të thotë se, në hartimin e këtyre paketave, u vlerësua shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies se përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë.
 
Gjithashtu, u vlerësua raporti i kosto-efektivitetit të shërbimit dhe disponueshmëria e burimeve financiare të Fondit.
 
Ndërkohë, që elementi i tretë i rëndësishëm, ishte ndjeshmëria sociale e këtyre kategorive si dhe numri i përfituesve në raport me popullsinë.
 
 
Tashmë, kemi në dorë, kostifikimin (përllogaritjen e kostove) dhe matjet e sakta të këtyre paketave, duke mundësuar në këtë mënyrë, kontraktimin real nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me ofrues të shërbimit publik dhe jopublik.
 
 Qeveria jonë ka sjellje dashamirëse ndaj nismës së lirë dhe sipërmarrjes. Me ne edhe sipërmarrësit privatë në shëndetësi do jenë më të sigurt. Prej sot ne kemi filluar praktikisht edhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj sipërmarrësve që kanë ofruar shërbime, pajisje, materiale mjeksore dhe barna për shëndetësinë publike shqiptare. Po shlyejmë pagesa të vitit 2007.
 
Kështu, nëpërmjet kostove të përcaktuara drejt dhe konkurrencës, jemi të sigurt se do të kemi edhe çmime optimal në sektorin privat, të cilin Fondi i Sigurimeve do ta kontraktojë për këto shërbime, por mbi të gjitha, do të mundësojmë ofrimin e këtyre shërbimeve me cilësi në spitalet tona publike.

Redaksia Online