Dy ditë më parë vendi ynë dhe SHBA nënshkruan marrëveshjen për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri.
Fatos Çoçoli, ekspert ekonomie i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ theksoi se edhe pse memorandumi është për 20 vjet, investimet kryesore do të bëhen 5 vitet e para.
Për këtë investim madhor Çoçoli nënvizoi se Mali i Zi e ka kërkuar prej kohësh, por që Amerika nuk ka pranuar.
“Përfitimi i parë është investimi i mirëfilltë amerikan, 6 miliardë dollarë. Vërtet memorandumi është për 20 vjet, ama investimet kryesore do të bëhen 5 vitet e para. Është ajo që quhet terminal. do të jenë terminale lundruese në portin e Vlorës. Ka një teknologji të veçantë si ato ndërtohen. Mali i Zi ka 10 vite që i luten Amerikës për këtë investim, por nuk kanë pranuar. LNG amerikan mendohet të shkojë në të gjithë Ballkanin jugperëndimor dhe për këtë SHBA kanë zgjedhur Shqipërinë. Për Europën Qendrore ka zgjedhur Kroacinë. Do të jetë një rrjet kombëtar shpërndarje, për çdo biznes që mund të dojë të përdor gazin”, tha Fatos Çoçoli.
Ndër të tjera ai vuri në pah përfitimet në disa sektorë, përfshirë këtu edhe bujqësinë. Çoçoli shprehet gjithashtu se deri në vitin 2030 do të jemi një vend i gazifikuar.
“Ne kursejmë 130 milionë euro energji, sepse duke përdorur gazin do të harxhojmë më pak energji, dhe nga ana tjetër do të futet në punë TEC-in e Vlorës, në pikun e temperaturave të larta qershor, korrik, gusht.
Çdo njësi prodhimi do të kenë mundësi të marrin frymë sidomos industria e ndërtimit. Në porte, në bujqësi do të kemi gjithashtu përfitime. Deri në 2030 ne do të jemi një vend i gazifikuar, pasi përveç energjisë ne si alternativë tjetër do të kemi edhe gazin e lëngshëm. Amerikanët janë numër 1 në prodhimin e gazit të lëngshëm dhe kanë standardet më të larta të sigurisë në botë”, përfundoi ai.
Komente









