i nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Në kuadër të reformës ligjore në sektorin e sigurisë dhe në kuadër të të gjithë projektligjeve të prezantuar për shqyrtim në Kuvend nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria, e them pa asnjë mëdyshje, ky është ligji më kryesor, që përbën “shtyllën kurrizore” të reformës në Policinë e Shtetit, por edhe në të gjithë sektorin e sigurisë, për nga dimensioni i reformës dhe për nga standardet që sjell në luftën kundër krimit të organizuar edhe korrupsionit.
Ligji është ndërtuar duke pasur parasysh angazhimet e Qeverisë, duke pasur parasysh dokumentet kryesore dhe themelore në respektimin e t drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe në standardet e policimit në vendet e Bashkimit Europian. Ligji është hartuar nga ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, në bashkëpunim me ekspertë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe në bashkëpunim me ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, që në fazën e hartimit.
Njëkohësisht, ligji që në fazat paraprake të hartimit është draftuar së bashku me asistencën e misioneve partnere që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, të tilla si OSBE, PAMECA dhe ICITAP.
Jam krenar t’jua bëj me dije se kemi arritur të gjejmë gjuhën e përbashkët për të prezantuar në Parlament një projektligj, i cili në thuajse të gjitha dispozitat e veta bashkëndan konsensusin e të gjithë partnerëve, të cilët i përmenda më sipër.
Projektligji për “Policinë e Shtetit” është ndërtuar i tillë, për të garantuar polici demokratike, në funksionim dhe në organizim; respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe detyrimin ligjor për të bashkëpunuar me shoqërinë civile dhe agjencitë dhe agjentët shoqërore që kanë ndikim të caktuar në komunitet.
Policia është agjencia kryesore ligjzbatuese dhe si e tillë, përkundër praktikave të deritanishme, në ligjin e ri për Policinë e Shtetit është konceptuar si një organizatë transparente dhe mbi të gjitha llogaridhënëse, dhe jo si një institucion i mbyllur, pa garantuar aksesin e qytetarëve dhe kontrollin e qytetarëve në veprimtarinë e Policisë së Shtetit.
Ligji është ndërtuar duke pasur parasysh që siguria dhe garantimi i sigurisë për qytetarët dhe sipërmarrësit nuk është dhe nuk mund të jetë sipërmarrje ekskluzive e Policisë së Shtetit, por është sipërmarrje e përbashkët e shoqërisë, e individit, e të gjithë institucioneve dhe, natyrisht, Policisë së Shtetit.
Në ligj sanksionohet si parim meritokracia, karriera bazuar mbi rezultate, matja periodike e rezultateve të punës dhe e përformancës.
Të gjita këto të konceptuara si parime ekskluzive mbi të cilat duhet të ngrihet karriera e cdo punonjësi dhe oficeri të Policisë së Shtetit.
Në ligj sanksionohet parimi “një shtet - një polici”, duke hedhur themelet për të mos lejuar shpërndarjen ose kaosin apo anarkinë e atributeve të Policisë Gjyqësore në shumë agjenci ligj zbatuese.
Gjë që do të thotë që krime që deri dje fshiheshin pas vakumit ligjor apo mosveprimit të strukturave ligjzbatuese apo lojës, shpeshherë, “e ka kush e ka” dhe që në përfundim se ka askush. Kemi parashikuar në ligj që krime të tilla të mos gjejnë më boshllëqe, duke passjellë si pasojë mosndëshkimin e autorëve që konsumojnë të tilla vepra penale, të tilla si ndërtimet pa leje apo krimet mjedisore që deri dje nuk kanë hyrë në veprimtarinë e përditshme të Policisë së Shtetit, pavarësisht se ishin të parashikuara në Kodin Penal.
Ligji i ri hedh bazat, e natyrisht kjo të të kërkojë amendime në ligje sektoriale, por Ligji i ri hedh bazat për mishërimin e parimit një shtet një polici, duke parashikuar parandalimin e çdo lloj vepre penale mbi të gjitha të atyre që deri dje ishin vepra penale që edhe pse nuk preknin individin drejtpërdrejt, cënonin shoqërinë shumë.
Ligji i ri hjedh bazat për të forcuar veprimin policor, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e të gjitha veprave penale.
Gjithashtu ligji i ri garanton distancë klinike, që duhet të egzistojë mes Policisë së Shtetit dhe autoritetit politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të garantuar depolitizimin e Policisë së Shtetit nga njëra anë, dhe depolicizimin e vendimmarrjes politike nga ana tjetër.
Kjo do të thotë që Ministri dhe ekipi politik ka kompetenca strategjike, planifikuese dhe monitoruese duke u ndarë qartë nga çdo lloj kompetence që duhet të jetë kompetencë ekskluzivisht policore, të tilla siç janë kompetencat operacionale.
Ligji i ri hedh një hap në demokratizimin e Policisë së Shtetit, në depolitizimin e policisë së shtetit, duke përcaktuar kritere të vetëkontrollit dhe vetë menaxhimit operacional dhe çështjeve të tjera, që duhet të mbeten ekskluzive të Policisë së Shtetit.
Përcaktohen kritere dhe parime për të organizuar Policinë në bazë të popullsisë, duke garantuar që shërbimi policor të jetë sa më afër qytetarit, me ndërtimin e një piramide të qëndrueshme që shtrin dhe afron Policinë e Shtetit dhe shërbimin e sigurisë më afër qytetarit.
Në vetëdijen tonë, siguria në rradhë të parë është aty ku gjendet dhe rreziku në rradhë të parë, dhe kjo është aty ku janë qytetarët.
Ligji përcakton kritere të forta karriere, merite dhe sistem gradash që i përgjigjet domosdoshmërisë për përmbushjen e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë në detyrë, por mbi të gjitha për të garantuar patundshmërinë për motive të tjera përveç atyre të parashikuara në ligj dhe që kanë të bëjnë me performancën dhe përmbushjen e detyrës.
Përcakton një sistem gradash që eviton korrupsionin, eviton tarafin apo qokat politike, për ata që në Polici duhet të ngrihen në detyrë apo bëjnë karrierë bazuar vetëm mbi ligjin, meritën, rezultateve dhe përkushtimit në detyrë.
Kjo sanksionohet duke përcaktuar në ligj si instrument për ngritjen në gradë dhe karrierën, procesin e konkurrimit transparent.
Ligji gjithashtu nuk shkon me kriteret e deritanishme që punonjësit e Policisë janë në detyrë, por pavarësisht përmbushjes së detyrës, përcakton teste vjetore, ose periodike për punonjësit e policisë dhe matje vjetore të performancës që do të thotë një punonjës pas hyrjes në fuqi të këtij ligji duhet domosdoshmërish t’i përgjigjet detyrës, të përmbushë detyrën ndaj publikut dhe gjithashtu ti përmbahet standardeve ndaj detyrës në mënyrë që të vazhdojë t’i shërbejë publikut në Policinë e Shtetit.
Me këtë Ligj parashikohet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila është konceptuar për t’i dhënë një standard të ri luftës kundër korrupsionit elitar dhe veprimtarive kriminale të lidhura me të, duke parashikuar edhe kritere të veçanta rekrutimin në Byronë Kombëtare të Hetimin, për trajtimit e punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe për veprimtarinë hetimore policore të Byrosë Kombëtarë të Hetimit.
Në këtë Ligj është parashikuar domosdoshmëria që Policia e Shtetit të aksesojë në mënyrë të menjëhershme të gjitha databazat shtetërore dhe private të të dhënave.
Sot pengesa kryesore ose një ndër pengesat më të mëdha në hetime, është mungesa e informacionit ose pengesa për të marrë informacion që ose janë absolute, ose janë relative, deri në pikën kur informacioni vjen shumë vonë, aq sa nuk i hyn më në punë hetimit.
Me këtë ligj kemi synuar të hedhim një hap përpara dhe ky është një shqetësim edhe për partnerët për të garantuar që oficeri i Policisë që zhvillon hetimet, të aksesojë sa më shumë të dhëna shtetërore ose jo, që nga tavolina e zyrës, por gjithsesi të mos ketë asnjë pengesë as absolute dhe as relative për të aksesuar databazat e të dhënave, të cilat janë të nevojshme në një hetim, kuptohet duke respektuar të dhënat ligjore të legjislacionit penal në fuqi.
Ky ligj përcakton një standard modern për arsimimin policor.
Deri më sot ju e dini, ka ekzistuar arsimimi policor bazë, por që ka krijuar një vakuum jo të vogël në kapacitetin tonë për të patur oficerë të kualifikuar hetimor në Policinë e Shtetit.
Kjo ka pas sjellë, standard të ulët të punonjësve të Policisë së Shtetit, për t’ju përgjigjur sfidave të sotme në luftën kundër kriminalitetit, që sigurisht nuk është më kriminalitet mediokër, apo vetëm ai i rrugës, por veçanërisht natyrës së re të krimeve, krimi kibernetik, krimi që ka të bëjë me çështje financiare, pastrimi i parave, por edhe çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin elitar dhe krimin e organizuar.
Me këtë Ligj, hapim rrugën për të krijuar specialistë të lartë të parandalimit dhe hetimit të krimit, të cilët do të shkollohen me kurrikula bashkëkohore dhe gjithashtu hapim rrugën që të rinjtë e shkolluar jashtë Shqipërisë, me formim policor në shkolla jashtë vendit, të mund të rekrutohen në Polici, në përputhje me nivelin arsimor dhe me gradën përkatëse që ju takon.
Deri më sot, ndodhte që një i ri që shkollohej jashtë Shqipërisë dhe i ndodhte të bënte edhe 4 vjet shkollë, të vinte në Shqipëri të merrte një gradë më të ulët, se një oficer policie që mbaronte kursin 6 mujor në Shqipëri. Kjo ishte tërërisht e papajtueshme për aspiratën e kujtdo të riu, që donte të përputhte vitet e shkollës dhe arsimimin me karrierën në Polici.
Ky Ligj bën edhe përputhjen e arsimimit të të rinjve me domosdoshmërinë për të bërë karrierë në Policinë e Shtetit.
Më konkretisht, projektligji për Policinë e Shtetit parashikon zgjerimin e detyrave të Policisë, duke përfshirë parandalimin, hetimin dhe zbulimin në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural në fuqi, të veprave penale dhe autorëve të dyshuar në fushën e ndërtimit, të kontrollit të mjedisit dhe territorit.
Sanksionon pavarësinë operacionale të Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe strukturave në varësi, nga Ministri dhe nga të gjitha autoritetet politike në Ministrinë e Punëve Brendshme, duke sanksionuar mos informimin për veprime procedurale hetimore dhe informacione të tjera që kanë të bëjnë me hetimin për autoritetin politike që drejtojnë MPB.
Ndryshojnë kriteret për emërimin e Drejtorit dhe Zv/drejtorit të Policisë së Shtetit, ku nuk do të ketë më vetëm një kandidat të propozuar por do të zgjidhen ndërmjet 3 kandidatëve, duke propozuar një standard demokratizimi në përzgjedhje e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga Këshilli i Ministrave.
Dhe gjithashtu sanksionon një piramidë duke filluar që me Zv/drejtorët që deri dje kanë qenë 5, në Ligjin e ri do të jetë vetëm 1, i cili do të ketë atribute të përcaktuara mirë dhe mandat të përcaktuar mirë, sipas funksionit, detyrës, bazuar mbi ligjin.
Drejtori i Policisë së Shtetit bazuar në këtë ligj, pas përfundimit të mandatit, nuk do të kthehet më në Polici, por gjithashtu do të trajtohet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave duke përbërë kështu edhe garanci për ushtrimin e detyrës.
Përcaktohet ecuria në karrierë nëpërmjet një sistemi gradash siç e thashë, duke konceptuar gradën si një të drejtë të fituar nga punonjësi i Policisë nëpërmjet procesit vlerësues dhe konkurues.
Gjithashtu është ulur edhe numri i gradave për ta bërë policinë efiçente në strukturë dhe në veprimtari. Ligji i ri përcakton parimet sipas të cilit grada merret në bazë të meritës dhe jo në bazë të vendit të punës. Projektligji ofron dhe garanci për punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës dhe përcakton detyrimin e punonjësit të policisë për vlerësimin periodik të performancës. Gjithashtu punonjësit e policisë për të respektuar sa më shumë parimin e depolitizimit, i ndalohet jo vetëm që të jetë një anëtar partia apo organizate politike, por i ndalohet edhe të mbështesë në mënyrë fizike apo financiare aktivitetin elektoral të çdo partie apo të çdo kandidati të përfshirë në zgjedhje.
Për të garantuar qëndrueshmërinë, e punonjësve të policisë në detyrë, është përcaktuar që punonjësi i policisë nuk mund të transferohet pa kaluar minimumi dy vjet në detyrën që ka. Ju bëj me dije se në vitin 2013, brenda 7 muajve të parë të vitit 2013, është transferuar nga njëra detyrë në detyrën tjetër, gati 90 për qind e policisë së shtetit. Që do të thotë koha mesatare e qëndrimit në detyrë për punonjësit e policisë ishte më pak se dy muaj. Kur në të gjitha vlerësimet e performancës dhe përmbushjes së detyrës, minimumi për t’u njohur me detyrën dhe për të marrë përsipër detyrën, varion nga 20 ditë deri në 1 muaj. Që do të thotë ishte fizikisht e pamundur për të përmbushur detyrën për shkak të lëvizjeve masive në Policinë e Shtetit. Për t’i dalë përpara përsëritjes së situatave të tilla dhe për të ndaluaer apo parandaluar që punonjësit e policisë të transferohen pa asnjë kriter nga një detyrë në një detyrë tjetër, kemi përcaktuar në ligjin e ri të policisë që asnjë punonjës policie nuk mund të transferohet nga një detyrë në një detyrë tjetër pa përmbushur minimumi dy vjet në detyrën që ka.
Rekrutimet në Policinë e Shtetit garantojnë sigurinë maksimale për parandaluar përfshirjen e punonjësve të policisë në veprimtari kriminale. Duke krijuar databasën e të punësuarve në Policinë e Shtetit ose të të punonjësve në Policinë e Shtetit që fillon që me marrjen e shenjave të gishtave, të të dhënave të ADN-së dhe të çdo lloj të dhëne tjetër që ka të bëjë me identitetin dhe veprimtarinë e punonjësit të Policisë së Shtetit deri në momentin që rekrutohet në polici.
Përcaktohet që drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit të mos jetë ngushtësisht i emëruar vetëm nga radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, por përcaktohet gjithashtu edhe mundësia për t’u emëruar nga radhët e prokurorëve duke përcaktuar gjithashtu garancinë që secili prej tyre pas përfundimit të mandatit të parashikuar në ligj, të kthehet përsëri në detyrën që ka mbajtur ose në detyrë të ekuivalentuar me detyrën që ka mbajtur përpara emërimit si drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Përcaktohet në këtë ligj mundësia që në Policinë e Shtetit të rekrutohen persona që kanë aftësi të veçanta në fusha të tjera pavarësisht faktit që nuk kanë arsimin policor. Ajo që vërehet është mungesa e kapacitetit njerëzor dhe profesional të Policisë së Shtetit për të hetuar një sërë veprimtarish kriminale , arsimimi për të cilat nuk merret nga kurrikulat e arsimit policor. Ndaj është e domosdoshme që Policia e Shtetit të ketë mundësi të shfrytëzojë burimet njerëzore dhe profesionale në shoqëri, duke i rekrutuar në Policinë e Shtetit pas asnjë eksperiencë të caktuar dhe nëpërmjet një procedure të caktuar për të pasuruar nivelin e hetimeve dhe për të ngritur nivelin e hetimeve me kapacitete profesionale që Policia e Shtetit sot nuk i ka dhe për një periudhë kohe të caktuar nuk do t’i ketë. Si element garancie është parashikuar që numri i personave që nuk kanë forcimin policor dhe që do të rekrutohen në Policinë e Shtetit për poste të veçanta dhe për njohuri të veçanta profesionale. Nuk mund të jetë më shuam se sa 1 për qind e numrit të përgjithshëm dhe limitit organik të policisë së shtetit.
Përcaktohet gjithashtu si detyrë funksionale e Policisë së Shtetit dhe si përgjegjësi ruajtja dhe sigurimi i personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve me rëndësi të veçantë, përgjegjësi që deri më sot e ka pasur Garda e Republikës, e cila sipas këtij projektligji, shndërrohet në një strukturë në vartësi të Policisë së Shtetit, por strukturë me natyrë specifike dhe të veçantë.
Përcaktohet gjithashtu detyrimi që duhet të kenë institucionet shtetërore apo private për t’i dhënë të dhëna Policisë së Shtetit lidhur me hetime që kanë , lidhur me hetime që zhvillon Policia e Shtetit dhe prokuroria në bazë të legjislacionit penal në fuqi.
Në ligjin e ri përcaktohet dhe trajtohet për herë të parë si kategori e nëpunësit civil punonjësit me funksione ndihmëse, duke i kategorizuar ata dhe duke rregulluar marrëdhëniet e punës në bazë të Kodit të Punës dhe Ligjit të Nëpunësit Civil, duke parashikuar kështu që funksionet të cilat nuk është e domosdoshme që të kenë karakter policor, të mbeten në të ardhmen funksione me natyrë jo policore, pra funksione civile.
Për herë të parë në këtë projektligj parashikohet mundësia që Policia e Shtetit të kërkojë dhe të vendosë në dispozicion të saj në raste emergjencash apo fatkeqësi natyrore, edhe punonjësit e shërbimeve të sigurisë private ose policitë private, siç rëndom njihen dhe detyrimin e tyre për të bashkëpunuar në forcat e policisë në rastet e parashikuara sipas ligjit.
Gjithashtu në ligj parashikohet supremadhësia e Policisë së Shtetit përballë çdo agjencia tjetër në rastet e parashikuara në këtë ligj. Gjithashtu në këtë ligj parashikohet që Policia e Shtetit në zbatim të këtij ligji, të ketë vetëm një rregullore dhe disa siç ka pasur deri më tani, duke sjellë kështu qëndrueshmëri, parashikueshmëri dhe jo kaos në aktet nënligjore të tilla, siç një nga më të rëndësishmit është dhe rregullorja e policisë së shtetit. Këto janë pak a shumë tiparet dhe karakteret dalluese të ligjit të ri për Policinë e Shtetit. Natyrisht është një ligj mjaft i rëndësishëm dhe ne mbetemi të hapur për çdo sugjerim apo pyetje nga kolegët deputetëve. Ju faleminderit !