Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lënë gjurmën e tyre të pashlyeshme përgjatë gjithë historisë së shtetndërtimit shqiptar, që nga shpallja e pavarësisë, dhe pandarazi deri sot, duke qenë të sigurt se kështu do të jetë edhe çdo ditë të nesërme të kësaj marrëdhënieje të ndërsjellë.
Ndjenjat e thella të mirënjohjes dhe miqësisë së veçantë që populli e kombi shqiptar ndiejnë ndaj popullit dhe qeverive amerikane janë gjithmonë të gjalla dhe lehtësisht të dallueshme, pasi ato janë të vërteta e të sinqerta në zemrat e mendjet e çdo shqiptari.
Edhe në ditët më të errëta të regjimit barbar komunist, askush nuk arriti dot ta izolojë këtë ndjenjë të fortë miqësie dhe shprese për shqiptarët, se përsëri u gjet një fije lidhëse përmes një stacioni radiofonik siç ishte “Zëri i Amerikës”, i cili do të përcillte të vërtetat e mëdha, por edhe inkurajimin për shqiptarët për të realizuar ëndrrën e dhunuar të tyre për liri dhe demokraci.
Rivendosja e marrëdhënieve Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte për shqiptarët hapja e parë drejt perëndimit, dalja nga izolimi e një populli që 24 vjet më parë i tulatur, i rraskapitur dhe i frikësuar po mundohej të dilte nga diktatura më e egër që kish parë Evropa. Rivendosja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara përbënte një ngjarje historike për çdo shqiptar anë e mbanë botës e aq më tepër për shqiptarët në Shqipëri, të cilët shihnin në këtë marrëveshje hapjen e tyre të shumëpritur.
Mirënjohja ndaj mbështetjes së SHBA-ve për shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e një sistemi të ri perëndimor e demokratik, dhe shpresa që ajo ngjalli tek populli shqiptar, shprehet në imazhin më spektakolar të pritjes madhështore popullore që iu bë Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker.
Që prej vitit 1991 shumë Sekretarë Shteti e kanë vizituar Shqipërinë, dhe drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar janë mikpritur bujarisht në Uashington, por bilancit të këtyre marrëdhënieve u dha kulmi në një moment të veçantë - vizita historike që Presidenti Bush zhvilloi në Tiranë në 10 qershorin e vitit 2007, vetëm pak muaj pas së cilës, u shpall pavarësia e Kosovës dhe Shqipërisë iu bë ftesa për anëtarësim në NATO.
Besoj se nuk e ekzagjeroj kur them se, mirënjohja jonë ndaj SHBA-ve do të shkonte përtejkufijshëm për rolin e jashtëzakonshëm dhe vendimtar që Shtetet e Bashkuara luajtën në shpëtimin prej gjenocidit të Millosheviçit dhe më vonë pavarësimit të plotë të Kosovës. Falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çështja e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Kosovës u shndërrua në një çështje ndërkombëtare, me mbështetjen e plotë të qeverive, kongresit e senatit amerikan. SHBA-të vazhdojnë të jenë faktorë kyç në procesin jo të lehtë të shtetndërtimit të Kosovës, dhe njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të saj, përfshirë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne jemi të bindur se ky partneritet mes SHBA-ve dhe Kosovës do të vijë vetëm duke u përforcuar e thelluar më tej.
Zonja dhe Zotërinj,
As parashikuesit më optimistë nuk do ta kishin menduar se Shqipëria, dikur anëtarja më e zellshme e Klubit Anti-Nato, Traktatit të Varshavës, do të bëhej anëtare me të drejta të plota e Aleancës më të fuqishme të sigurisë në botë, në vitin 2009, gjatë Samitit të Strasburg-Kehlit. Sigurisht që NATO është tepër e çmuar për t’u bërë dhuratë, ndaj anëtarësimi në Aleancë padyshim erdhi si rrjedhojë e reformave të thella, edhe të dhimbshme, që u ndërmorën ndër vite nga Shqipëria, ashtu sikurse në këtë proces Shqipëria mori të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sot, Shqipëria qëndron në lartësinë e detyrimeve që ka si anëtare e Aleancës, por edhe si një partnere strategjike besnike e SHBA-ve, duke iu bashkëngjitur koalicioneve ndërkombëtare në emër të vlerave më të larta njerëzore, në mbrojtje të paqes dhe lirisë në botë.
Edhe pse jo pjesë e saj, por partnere strategjike të Bashkimit Evropian, SHBA-të kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin fuqimisht edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me bindjen se një Shqipëri më e zhvilluar, me standarde të përparuara, dhe e integruar në BE, është një partner përherë edhe më i fuqishëm përkrah aleatit.
Në rrafshin dypalësh, SHBA-të përmes programeve të ndryshme zhvillimore, përfshirë USAID, OPDAT, krijimit të Fondit të Sipërmarrjes, investimeve amerikane, ofrimit të bursave të panumërta studimore, ekspertizës profesionale i dhanë një impuls shprese dhe dijeje institucioneve, studentëve shqiptarë, sipërmarrjes, profesionistëve të fushave të ndryshme, dhe në tërësi vendit tonë.
Zonja dhe Zotërinj,
Në vigjilje të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Sekretarja e Shtetit Klinton zhvilloi një vizitë në Tiranë, gjatë si cilës iu adresua Parlamentit shqiptar me një fjalë mbresëlënëse. Në fjalën e saj zonja Klinton bëri një bilanc të shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, të qindra fijeve lidhëse të partneritetit strategjik dhe miqësisë mes popujve tanë. Ajo na siguroi se Shtetet e Bashkuara qëndruan me ne për 100 vitet e para të pavarësisë, dhe se do të qëndrojnë me ne edhe për 100 vitet e ardhshme, edhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas tyre.
Ky ishte një inkurajim i jashtëzakonshëm për ne, ashtu sikurse na vuri përpara përgjegjësive të reja. Thellimi dhe zgjerimi i partneritetit strategjik me SHBA-të është një punë e përditshme, që nis me bërjen e detyrave tona, pra marrjen e përgjegjësive shtetërore për arritjen e potencialit, që të gjithë e besojmë se e kemi dhe nuk po arrijmë ta shfrytëzojmë më së miri, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Ky përvjetor i rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane vjen sivjet në përvjetorin e 25-të të rënies së komunizmit dhe së bashku, këto dy data marrin kuptimin e duhur.
Me gjithë problemet që vendi ynë has çdo ditë në rimëkëmbjen e tij dhe kthimin në një vend të zhvilluar, përsëri ndiejmë që e kaluara gati 50-vjeçare ka lënë probleme dhe halle pafund, ka lënë ende mendësi dhe individë të papërgjegjshëm, ka lënë ende një demokraci të brishtë e tranzicion të vështirë, ka lënë ende një hije frike dhe pabarazie.
Por tani, një çerek shekulli pas rënies së Perdes së Hekurt kur shqiptarët u ngritën si gjithë popujt e tjerë liridashës dhe larguan tiranët e diktaturës, ne lipset të tregojmë maturi në qeverisje, reforma dhe shtet-drejtim pa cenuar parametrat demokratik dhe themelet e shtetit të së drejtës e pavarësisë së institucioneve.
25 vjet më parë ne i shembëm bunkerët e komunizmit, ndërsa sfida jonë sot është të shembim bunkerët e krimit, korrupsionit, dhe të ndërtojmë shtetin ligjor dhe të së drejtës. Këta janë bunkerët e rinj që vendosen jo vetëm kundër popullit, por edhe kundër partnerëve strategjikë.
Ndaj duke përfituar nga ky rast, dëshiroj të bëj edhe një herë apel klasës politike dhe të gjithë shoqërisë shqiptare se kanosja e krimit dhe korrupsionit nuk duhet të gjejë vend, e jo më strehim, në një shoqëri mirëfilli të lirë e demokratike, siç duam ta shndërrojmë ne Shqipërinë tonë.
Po kështu, duke ripërsëritur mbështetjen e plotë të marrëveshjes politike të arritur në Parlament, u kërkoj dhe nxis me forcë të gjithë klasën politike të largojnë pa ekuivok, individët e përfshirë në veprimtari kriminale dhe korruptive në gjirin e tyre, të vendosin një barrierë të pakapërcyeshme në çdo vend që këto elementë përpiqen të gjejnë në jetën publike, politike dhe administratën shtetërore, duke u lënë të vetmen hapësirë të denjë për ta, përballjen me ligjin dhe vetëm ligjin, sot e gjithë ditën.
I bëj thirrje sistemit të drejtësisë që të mos bjerë pre e presioneve e favoreve të këtyre individëve e grupimeve, por të zbatojë me përpikëri ligjin, pasi askush nuk do të shpëtojë prej forcës së tij.
Shqiptarët presin atë për të cilën u ngritën 25 vite më parë, e duan lirinë dhe një jetë më të mirë siç e kishin idealizuar. Ne nuk duhet ta dështojmë demokracinë, ne duhet ta ndihmojmë atë të rritet sipas modelit perëndimor, ne duhet të funksionalizojmë tregun dhe shtetin, duhet të përligjim besimin e aleatëve, ne duhet të perfeksionojmë veten dhe të mbrojmë të ardhmen e brezave të rinj të shqiptarëve. Sepse ashtu siç e tha edhe Xhejms Bejkeri më 22 qershor 1991: liria funksionon, liria punon, liria është mbi gjithçka. Ju faleminderit!”