Fjala e plotë e presidentit Nishani me Trupin Diplomatik

Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen dhe të lutem për një Vit të Ri të mbarë për ju, familjet tuaja dhe të gjithë qytetarët e vendeve tuaja! Me këtë rast, më së pari më lejoni t’ju falënderoj sinqerisht për bashkëpunimin e ngushtë që patëm gjatë vitit të shkuar dhe të vlerësoj lart rezultatet e përpjekjeve tona të përbashkëta!

Vendi im dhe qytetarët e tij i vlerësojnë së tepërmi marrëdhëniet e mira që kemi me të gjitha vendet dhe institucionet tuaja. Ju, diplomatët luani një rol me vlerë të jashtëzakonshme në forcimin dhe promovimin e këtyre marrëdhënieve.

Përfitoj nga ky rast që t’ju siguroj njëkohësisht edhe për vullnetin tim të palëkundur dhe përkushtimin maksimal ndaj thellimit të këtyre marrëdhënieve në të mirë të vendeve dhe popujve tanë.

Takohemi sot në këtë ditë përshëndetjesh dhe urimesh pasi kemi përjetuar fatkeqësisht një drame të rëndë vetëm pak ditë më parë. Java që shkoi u shënua nga një ngjarje thellësisht tronditëse për një vend mik, një anëtare – themeluese të Bashkimit Evropian, një kërcënim për lirinë dhe çdo vend të lirë.

Në një sulm barbar ndaj revistës satirike ‘Charlie Hebdo’, e që përshkallëzoi në një tjetër situatë fatkeqe pengmarrjeje, humbën jetën gazetarë, policë dhe qytetarë francezë, krejtësisht të pafajshëm. Ky akt tejet i rëndë, që u dënua me forcën dhe ashpërsinë më të madhe nga të gjithë autoritetet dhe populli shqiptar, buçiti si një kambanë alarmi e përtejkufijshme jo vetëm sepse u rrek të godiste një vlerë të paçmuar si liria, në zemër të një vendi – shembull frymëzues të lirisë, por edhe sepse na rikujtoi edhe një herë të gjithëve, se sa e brishtë është bota në të cilën jetojmë dhe, sesa brenda e pranë nesh, mund të jetë rreziku që na kanoset.

Ndaj mesazhet e para që dua të ndaj me ju sot, janë:

Së pari – Solidariteti.

Solidaritet me Ambasadorin e Francës, si përfaqësues i një populli e vendi mik,  aleat në NATO, anëtar të Bashkimit Evropian, në emër të shtetit dhe të gjithë popullit shqiptar, si dhe në emrin tuaj. Ne solidarizohemi me ju, zoti Ambasador jo vetëm në dhimbjen e madhe, por edhe në dënimin e prerë të akteve ekstremiste e terroriste si ai që goditi Parisin.

Së dyti, një mesazh bashkimi, përreth vlerave më të larta njerëzore, veçanërisht ndaj lirisë, lirisë së shprehjes, lirisë së besimit, që na mbledhin në një bashkëjetesë të domosdoshme njohjeje, mirëkuptimi, respekti dhe pranimi të njëri-tjetrit.

Pjesëmarrja dhe ecja krah për krah e përfaqësuesve të besimeve fetare islame dhe të krishtera të Shqipërisë në marshimin e paqes në Paris, ishte një mesazh modest, simbolikë pikërisht e asaj që mundi të ringjallë e bashkojë liria në Shqipëri, edhe pas vuajtjesh të patregueshme nga një regjim barbar 50-vjeçar, vëllazërimi fetar.

Së treti, një mesazh bashkëpunimi të gjithanshëm për të identifikuar, kuptuar e luftuar më mirë rrezikun që na shfaqet në forma gjithmonë të reja e sfiduese, por që së bashku mund të parandalohet vendosmërisht më shpejt, më lehtë, e me sukses.

Edhe viti që lamë pas ka qenë i mbushur me sfida për paqen, sigurinë dhe vlerat njerëzore, duke sjellë nevojën për një përgjigje më të shpejtë e të koordinuar.  Shqipëria u rreshtua në krah të Aleatëve, njëkohësisht partnerët e saj strategjikë, SHBA dhe BE, në përballjen e këtyre sfidave, qoftë ndaj të vetëshpallurit ISIL, qoftë ndaj terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, e udhëhequr nga respekti për liritë dhe të drejtat themelore, zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Zonja dhe Zotërinj,

Anëtarësimin tonë në NATO dhe perspektivën evropiane të vendit, më shumë se çdo gjë tjetër, i kemi parë dhe i shohim si përgjegjësi.

Duke besuar e qëndruar për vlerat më të larta që mishërojnë sot këto dy familje të mëdha, ne kemi kundërshtuar aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Federata Ruse, dhe kemi mbështetur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, ashtu sikurse qëndrojmë për mbajtjen e politikës së dyerve të hapura edhe për vendet e tjera që aspirojnë anëtarësimin në NATO, përfshirë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Zgjerimi i mëtejshëm i kufirit të NATO-s brenda rajonit tonë prodhon më shumë siguri e stabilitet për secilin nga vendet tona, për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor e Evropën në tërësi.

Padyshim ngjarja më e spikatur për Shqipërinë e shqiptarët ishte ajo e qershorit, kur Shqipëria meritoi statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, duke hedhur një hap cilësor përpara në procesin jo të lehtë të integrimit evropian.

Duke ju përcjellë edhe një herë ju, dhe nëpërmjet jush, qeverive, institucioneve dhe popujve që ju përfaqësoni, mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e ndihmën e pakursyer në përmbushjen e kësaj ambicieje, dëshiroj t’ju garantoj se integrimi evropian mbetet palëkundur e vetmja alternativë e të ardhmes së Shqipërisë.

Integrimi evropian ka qenë kurdoherë zgjedhja e klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë dhe jo një vendim i imponuar nga rrethanat apo kushtet. Dhe si një vendim politik që buron e frymëzohet nga mbështetja plebishitare kërkon angazhim e përkushtim politik për përmbushjen e Kritereve të Kopenhagës.

Në këtë optikë, vendosja e shtetit ligjor sot e gjithë ditën, maturimi në politikëbërje në standardin evropian dhe angazhimi më aktiv civil janë sfida sa të hershme aq edhe kokëfortësisht aktuale të vendit.

Është jo vetëm pritshmëria ime apo juaja, por është një domosdoshmëri kombëtare që viti 2015 të shenjojë një pikë kthese në drejtim të ndërtimit të një kulture politike më bashkëpunuese e konsensuale, në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe procesit të integrimit evropian të vendit.

Nga ana tjetër, përqendrimi në plotësimin e 5 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë, do të jenë në qendër të vëmendjes sime si President i Republikës, dhe në krye të punëve të të gjithë aktorëve të tjerë shtetërorë dhe joqeveritarë. Ndër to, nuk do të rresht e as hezitoj së theksuari se përparësi absolute duhet të ketë reforma në drejtësi, për ta sjellë sistemin tonë të drejtësisë në cilësinë evropiane të shërbimit ndaj qytetarëve dhe të parimeve të së drejtës.

Rezultatet e zgjedhjeve të vitit të kaluar për Parlamentin Evropian, dhe rritja e skepticizmit ndaj zgjerimit të BE-së nuk duhet të përdoren as për t’u justifikuar dhe as për të dekurajuar vazhdimin e punëve që kemi përpara.

Hapja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian është hapi tjetër cilësor që na çel derën për të ecur në korridorin e gjatë të reformave edhe më të thella, e ndoshta më të dhimbshme, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Këtë mesazh nxitës e inkurajues na e transmetoi qartësisht Bashkimi Evropian.

Nisur në Samitin e Presidentëve në Dubrovnik, e përvijuar me atë të Kryeministrave dhe Ministrave të Jashtëm e të Ekonomisë në Berlin, Kancelarja Merkel, me dakordësinë e plotë të BE-së, na rikonfirmoi perspektivën e qartë evropiane që ka Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Ky takim gjatë këtij viti do të mikpritet bujarisht nga Austria, ku vendet e rajonit, gjithsecili e të gjithë bashkë, do të ballafaqojnë zbatimin e Agjendës së Berlinit, me synim jo vetëm përshpejtimin e proceseve integruese evropiane, por edhe rritjen gjithnjë e më shumë të bashkëpunimit efikas rajonal.

Ajo qe mbetet pjesa thelbësore e këtij procesi është angazhimi, përkushtimi dhe veprimi i pandalshëm i shoqërisë shqiptare dhe aktorëve të saj në përmbushjen e standardeve të kërkuara.

Jam i bindur dhe dëshiroj t’jua konfirmoj edhe juve, se shqiptarët nuk do të lodhen kurrë në këto përpjekje dhe në këtë rrugëtim.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria do të kryesojë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku pas miratimit unanim gjatë Samitit të Bukureshtit, Kosova do të marrë pjesë me të drejta të plota dhe të barabarta.

Presidenca shqiptare e SEECP-it synon forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, dhe në bashkërendim të ngushtë me BE-në, të zhvillojë më tej projektet e përbashkëta rajonale.

Shqipëria dhe shqiptarët, besojnë dhe mbështesin fuqimisht në mënyrë plebishitare projektin evropian dhe euro-atlantik të rajonit. Politika e jashtme e Shqipërisë dhe e institucioneve të saj e konsideron si përparësi, ruajtjen dhe konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit.

Kjo përparësi afatgjatë ndihmon krijimin e vizioneve dhe përmbushjen e strategjive konkrete për maksimalizimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor, arsimor, etj., me vendet e rajonit po edhe më gjerë.

Politika jonë e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal shoqërohet me avokaturën e përhershme në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e kudo ata ndodhen.

Në këtë kontekst, bashkë me urimet më të mira për kryerjen me sukses të Presidencës serbe të OSBE-së, shpresoj që  ne përmbushjen e prioriteteve të saj dhe promovimin e standardeve ndërkombëtare, Serbia ta reflektojë edhe në raport me Shqiptarët e Luginës së Preshevës; veçanërisht në drejtim të përmirësimit të kushteve ekonomike dhe të drejtave të tyre, përfshirë në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, etj.

Edhe vizita e Kryeministrit shqiptar në Beograd ishte një hap përpara në këtë drejtim, si dhe në dobi të zhvillimit të mëtejshëm e pa paragjykim të marrëdhënieve dypalëshe dhe shpresoj që ajo të materializohet sa më shpejt në akte konkrete mes dy vendeve.

Ne mbetemi të bindur po ashtu se zbatimi i plotë dhe i shpejtë  i Marrëveshjes së Ohrit, është kusht i domosdoshëm për stabilitetin e qëndrueshëm  të Maqedonisë, konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si edhe për të përmbushur dhe vënë në jetë të drejtat e shqiptarëve atje.

Ne mbetemi të vendosur në kursin që kemi ndjekur për zhvillimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me të gjitha vendet e rajonit.

Kosova tashmë ka rritur prezencën dhe njohjen e saj ndërkombëtare qoftë në marrëdhënie dypalëshe qoftë në ato shumëpalëshe.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm pjesëmarrjen e saj me të drejta të plota në të gjitha forumet dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, duke besuar se kështu kontribuojmë vetëm për çimentimin e sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimin rajonal.

Ne i ftojmë të gjitha vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën të përqafojnë sa më parë këtë realitet të pakthyeshëm si një kontribut të çmuar në përparimin e Kosovës dhe paqëtimin dhe ripajtimin në rajonin tonë.

Po kështu, do të vazhdojmë të mbështesim vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, me ndërmjetësimin e BE-së dhe të mbështetur nga SHBA-të, si dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura, dhe të tjera të reja që do të arrihen në këtë dialog.

Shkëlqesi Ambasadorë,

Kjo pjesë e Evropës, ku ndodhet edhe vendi im, ka bërë hapa pozitivë të konsiderueshme në drejtim të bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe pasurimit te gjeopolitikës së Ballkanit Perëndimor.

Procesi i Bërdo-Brionit, në formatin “tetë plus”, po i shërben jo vetëm forcimit të bashkëpunimit mes vendeve në rajon, por edhe lehtësimit të procesit të integrimit të tyre evropian, sipas meritave.

Vendet tona po punojnë së bashku me fqinjët tanë në Bashkimin Evropian për implementimin e Korridorit Adriatiko-Jonian.

Sfida jone e përbashkët është të punojmë ngushtësisht përmes komunikimit të vazhdueshëm, përmes promovimit të kulturës dhe virtyteve më të mira të popujve dhe vendeve tona për të rrënjosur çdo ditë e më shumë mirëbesimin tek njëri-tjetri.

Të nderuar të ftuar,

Shumë miq e kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit që lamë pas.

Unë pata nderin e veçantë të mirëpres në Tiranë, Presidentin e Republikës italiane Giorgio Napolitano, Presidentin e Republikës së Bullgarisë Rosen Plevneliev, Presidentin Federal të Austrisë Heinz Fischer, Patriarkun Ekumenik, Bartolomeu I, Presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso të cilët me mesazhet e tyre kanë lënë shenjë e mbresë si në marrëdhëniet dypalëshe, ashtu edhe në kujtesën historike të vendit.

Por do të doja të veçoja vizitën që Ati i Shenjtë, Papa Françesku zgjodhi të bëjë në Shqipëri. Jo thjesht sepse Shqipëria ishte vendi i zgjedhur për çeljen e takimeve papnore me Evropën, por për thellësinë dhe jehonën e pashuar të mesazheve dedikuar ne shqiptarëve, e përmes nesh edhe për të gjithë botën.

Duke i bërë jehonë forcës dhe rezistencës së treguar nga populli shqiptar në kohë vuajtjesh, e gjallërisë së sotme rinore, Papa Françesku, e cilësoi Shqipërinë si një pasuri për mbarë kontinentin evropian, nga ku buron shpresa që duke jetuar në drejtësi, paqe dhe vëllazëri do të vazhdojmë të jemi një dëshmi mbresëlënëse në marrëdhëniet mes pjesëtarëve të bashkësive tona fetare.

Të nderuar të ftuar,

Një shtyllë qendrore në politikën tonë të jashtme përbën zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe duke thelluar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe duke zgjeruar më tej bashkëpunimin me vendet e tjera, mike e partnere të Shqipërisë, si dhe me vende me të cilat ndajmë histori e interesa të ngjashme.

Përmbushja e plotë e detyrimeve të anëtarësimit në NATO, OKB, OSBE, Këshillin e Evropës, e të tjera organizata e aleanca ndërkombëtare, dhe rajonale, është një shtyllë tjetër e rëndësishme e politikës së jashtme shqiptare.

Ndihma e vazhdueshme në sfera të ndryshme të zhvillimit të vendit nga ana e SHBA-ve dhe BE-së kanë qenë dhe mbeten vendimtare në përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Ne ju jemi mirënjohës për këto.

Një falënderim të veçantë dëshiroj t’u adresoj për ndihmën dhe kontributin e tyre edhe vendeve të kontinentit aziatik si Japonia dhe Kina, si dhe vendeve arabe të Gjirit, të cilat kanë qenë mbështetëse të projekteve të veçanta të zhvillimit të infrastrukturës së vendit tim.

Edhe njëherë dëshiroj të falënderoj të gjitha vendet që mbështetën zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, duke ju siguruar për rolin aktiv të vendit tim në këtë Këshill duke promovuar vlerat më të mira të tolerancës, harmonisë dhe respektit për tjetrin.

Të nderuar të pranishëm,

Viti që po nisim është një vit me shumë sfida dhe sprova të forta për vendin tim. Reformat në ekonomi, në sistemin e drejtësisë, në sistemin shëndetësor dhe atë arsimor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimi i institucioneve demokratike janë në qendër të interesit publik dhe qytetarëve tanë.

Jam besimplotë se këto dhe të tjera do të përkthehen në përgjegjësi, angazhim, përpjekje dhe kontribute të të gjithë aktorëve të shoqërisë sonë, politikës në përgjithësi, Parlamentit, Qeverisë, shoqërisë civile dhe kujtdo tjetër dhe në bashkëpunim të pandërprerë me miqtë dhe partnerët tanë, të mbërrijmë një stad më të përparuar edhe në këtë vit.

Ky vit përmban dhe dy simbolika të veçanta: 2015 shënon 25-vjetorin e rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, diktaturës më monstruoze në Evropë, e cila e shkëputi Shqipërinë dhe shqiptarët për gati pesë dekada nga bota e qytetëruar, e zhyti një popull të tërë në varfëri ekstreme dhe izolim të skajshëm. Ndali civilizimin, dënoi të drejtën për besim, tjetërsoi pasionin dhe koshiencën njerëzore.

Përmes mosharresës dhe përkujtimit ne evidentojmë dallimin e madh midis asaj që kemi vuajtur dhe asaj çka kemi arritur si një inspirim i fortë për të shkuar më përpara.

Ky vit është viti i zgjedhjeve lokale, ku shoqëria, institucionet përgjegjëse dhe çdo qytetar do të duhet të konfirmojë standardet dhe praktikat më të mira të demokracisë dhe lirisë.

Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar të pranishëm!

Duke përfituar nga ky rast dëshiroj që ju t’u përcillni Krerëve të Shteteve dhe institucioneve që përfaqësoni falënderimet më të sinqerta për bashkëpunimin, për mbështetjen dhe për mesazhet dhe urimet miqësore që më janë dërguar me rastin festave të fundvitit!

Duke ju falënderuar për praninë tuaj dëshiroj të ngremë së bashku një dolli:

Për gjithë Ambasadorët dhe Zonjat e tyre të nderuara,

Për gjithë përfaqësuesit e tjerë të Trupit Diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, Konsujve të Nderit,

Për forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve që ju përfaqësoni,

Për më shumë paqe e vëllazërim, mes nesh dhe me njëri-tjetrin, duke ju uruar
nga zemra shëndet, lumturi dhe begati në familjet dhe vendet tuaja!

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?