Fjala e plotë e Ramës për Ditën e Europës

Në një muzg të ngjashëm me këtë të sotmin, Dita e Europës na gjeti vjet në Shkodër dhe sonte na gjen këtu në Gjirokastër, edhe pse jo tamam dita në fakt, se është në 9 Maj, por përkujtimi i kësaj dite kaq të shënuar për historinë e Europës dhe të mbarë njerëzimit.
 
Njësoj si Shkodra, edhe Gjirokastra, qytetin që Kadareja e ka pagëzuar si “më të pjerrtin në botë”, kanë në vetvete të njëjtën lëndë të bërthamës së identitetit europian që ne njohim. Mbase zgjedhja e Gjirokastrës, këtë herë, me pjerrtësinë e saj lidhet për koincidencë me pjerrësinë ku sot gjendet vetë Europa.
 
Gjirokastra është njëherësh vendbanim i vjetër ilir, që shfaqet që në legjendat helene më vonë, ndërtuar në kohën romake, me një kështjellë bizantine e më pas me një Pazar Otoman. I gjithë ky kompleks shtresash të historisë e shndërron këtë qytet në një nga vatrat e çmuara të trashëgimisë botërore dhe të asaj europiane.
 
Gjatë historisë së saj mijëvjeçare, Gjirokastra është një vend ku shpesh udhëkryqet kanë marrë një kuptim të veçantë, ndër të cilët udhëkryqi i famshëm i Argjirosë, mes vdekjes dhe robërisë.
 
Sonte, si këtu në Europë, si këtu në Shqipëri, ne jemi në një udhëkryq e mbase, edhe gjithë kjo erë që fryn dhe bubullimat që kemi në sfond e përshkruajnë më së miri si atmosferë dhe kolonë zanore udhëkryqin në të cilin gjendet sot Unioni më i suksesshëm në historinë e kombeve.
 
Vitin e shkuar ne në Shkodër folëm për rrezikun që i kanosej kontinentit tonë nga populizmi dhe nga ekstremizmi. Sot, në Francë është heshtje zgjedhore, në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale, ku dy alternativat nuk mund të ishin më të kundërta; njëra për projektin europian të etërve themelues dhe tjetra për t’u kthyer 400 vjet prapa, në doktrinën e “kombit shtet” të Kardinalit Rishelie.
 
Shpresoj që këtë herë sondazhet mos gabojnë dhe gjithçka, nesër, në Francë të flasë për riafirmimin e Europës që duam. Por fakti që në ndërkohë ka një alternativë të dytë shkatërrimtare për Europën që duam dhe që sidoqoftë do votohet nga miliona francezë, nuk e përmbys pikëpyetjen mbi vetë të nesërmen e Bashkimit Europian.
 
Padyshim, askush nuk mund të thotë sot se ata që flasin, angazhohen, aktivizohen fuqimisht në politikë dhe jo vetëm kundër Unionit Europian, i thonë të gjitha gabim dhe i kanë të gjitha gabim. Unioni është një ngrehinë e papërkryer, por unë hyj tek ata që jo perfeksionin lëndues të Unionit sot e shohin vetëm si paplotshmëri të një projekti që në vetvete është fantastik dhe që nuk mund të braktiset kurrsesi.
 
Natyrisht që sot Europa jeton gjeneratën e parë që nuk ka njohur asnjë luftë dhe mbase vetë Bashkimi Europian është një arsye themelore për faktin që Europa ka sot të parën gjeneratë që nuk ka njohur asnjë luftë dhe që merr vendime. Por, sidoqoftë, sot më shumë se asnjëherë është njëkohësisht e qartë se ngritja e mureve për të mbajtur jashtë ata që kanë pasur fatin të lindin në Europë këtu në Shqipëri, apo në rajonin tonë, nuk është një alternativë, sepse Europa i ka provuar edhe më parë në historinë e saj muret, i ka provuar edhe postblloqet dhe dështimet kanë qenë spektakolare, ashtu si dhe plagët.
 
Rajoni ynë që, qysh nga Bismaku e deri te Çërçilli u pa si fuçi baruti mbi të cilën qëndron ulur Europa, sot ka më shumë se kurrë nevojë për t’u lidhur me Europën. Nevoja për Europën na ka sjellë sot, në një fazë të re të marrëdhënieve në rajonin tonë, ashtu sikundër kundërshtia ndaj Europës është kërcënimi konstant ndaj ecurisë së kësaj faze të re pozitive. Ne besojmë që Ballkani ka sot, mbase më shumë se asnjëherë tjetër, nevojë për Europën, por Bashkimi Europian s’ka pasur kurrë më shumë nevojë se sot për Ballkanin, sepse ta imagjinosh të ardhmen e Europës me një organizëm ku njëra prej pjesëve të tij nuk funksionon, është verbëri.
 
Edhe në Shqipëri, ne sot jemi në një udhëkryq. Në një udhëkryq që është përcaktuar nga vullneti për të hyrë në një fazë të re, të cilën më shumë se shumëçka tjetër e simbolizon vullneti për të ndërtuar në këtë vend një drejtësi të re, një drejtësi të re që pa Bashkimin Europian, pa tërheqjen e fortë të njerëzve tanë drejt Bashkimit Europian do të ishte krejtësisht e pamundur.
 
Pavarësisht rezistencës, barrikadave, mureve që kemi përpara si një pengesë për të filluar zbatimin e reformës në drejtësi, është mëse e qartë se në këtë udhëkryq, patjetër që do të fitojë e ardhmja dhe nuk do të imponohet dot e shkuara; patjetër do të fitojë Europa në zemrat dhe në vullnetin e shqiptarëve dhe nuk do të fitojë kundërvënia ndaj saj, si shprehje e frikës nga e ardhmja dhe e tmerrit nga drejtësia e drejtë.
 
Padyshim që Shqipëria është e vonuar në këtë proces, sikundër janë të vonuara dhe vende të tjera të rajonit tonë, çka na bën të shohim me qartësi një fakt shumë të thjeshtë, se shpejtësia me të cilën vendet e dala nga rënia e perandorisë komuniste iu afruan Bashkimit Europian është e përcaktuar nga pesha e të shkuarës. Sa më e lehtë pesha e të shkuarës, aq më e shpejtë rruga për t’u ulur në tryezën e familjes europiane.
 
S’ka dyshim se pesha e të shkuarës në këtë rajon është shumë më e rëndë sesa kudo tjetër në Europën ish-komuniste, që sot është pjesë e Bashkimit Europian. Në fund të fundit, të gjitha përpjekjet tona për t’u afruar me Europën janë në vetvete përpjekje për t’u shkëputur nga pesha e të shkuarës.
 
Nëse për shumë vende të Bashkimit Europian, deri dje të izoluara brenda mureve të perandorisë komuniste, integrimi në Bashkimin Europian ishte një ribashkim me Europën, ribashkimi ynë, më shumë sesa një rilidhje me një të shkuar përpara komunizmit, është një rilidhje e fillit të fortë të një ëndrre qysh prej kohësh të hershme, që u përcoll brez pas brezi, si një aspiratë për të qenë pjesë e Europës, por në pamundësi të institucioneve dhe të një shteti me institucione.
 
Kjo është sfida me të cilën ne jemi përballur dhe do vazhdojmë të përballemi.
Kjo është sfida për të cilën ne jemi plotësisht të përkushtuar.
 
Shpresoj shumë që edhe kjo periudhë udhëkryqi në historinë tonë të brendshme politike të jetë një periudhë, të cilën ne ta kapërcejmë në mos me shumëçka tjetër, me njerzillëk, sepse, në fund të fundit, cilësia e një demokracie nuk matet me sa shumë njerëzit bien dakord, por me sa njerëzisht njerëzit jetojnë mosdakordësinë mes tyre.
 
Unë kam shumë besim që, sidoqoftë, kjo është një kohë që, pavarësisht pengesave, kundërshtive e ngurrimeve, punon për Shqipërinë dhe për shqiptarët që duan ta shohin Shqipërinë pjesë të familjes europiane, jo si një proces burokratik, apo si një bashkim administrativ, por në radhë të parë si ndërtimin e Europës këtu në vendin tonë.
 
Jam i bindur që ne do t’ia dalim, siç jam i bindur që në 18 qershor, shqiptarët do të japin një mesazh të qartë dhe të fortë për të gjithë, se rruga jonë është Europa, se në këtë rrugë, zbatimi i reformave që na bëjnë një vend europian është i pashmangshëm dhe nuk mund të shtyhet më tutje në kohë.
 
Shumë faleminderit Romanës që sot është bujtësja e këtij aktiviteti në këtë kështjellë dhe pavarësisht se era vazhdon të fryjë, bubullimat vazhdojnë të kërcasin, siç e shihni, jemi prapë këtu dhe asgjë nuk ka ndodhur.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore