Xhaxhai i Aleks Nikës, një nga personat ende të padorëzuar në betejën për dënimin e vrasjeve të 21 Janarit, i ka kërkuar sot Kuvendit të Shqipërisë të shprehet me një rezolutë për nevojën e shtrirjes së hetimeve, të një prej vrasjeve politike më të dokumentuara në glob, kryer para kamerave dhe syve të miliona njerëzve.

Kërkesa reflekton dëshpërimin e një njeriu i cili ka 15 vite që endet dyerve për të marrë drejtësi për vrasjen e familjarit të tij, të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pafajshëm më 21 Janar 2011, përballë zyrës së kryeministrit Sali Berisha. Mbi të gjitha, kërkesa reflekton parandjenjën e tij se SPAK po përpiqet ta arkivojë çështjen me procedura për tejkalim afatesh apo akte të tjera proceduriale, për t’i ikur përballjes së Sali Berishës me drejtësinë.

Për hir të së vërtetës, SPAK ka qenë i sinqertë që në fillim të rihapjes së këtij procesi, që ai të mos hapej; madje ka bërë dhe presion në Gjykatën e Lartë që të mos e rikthente çështjen për rigjykim. Por Gjykata e Lartë ishte e detyruar nga vendimi i Gjykatës së Strasburgut, e cila i konsideron vrasjet e 21 Janarit krim shtetëror që duhet të gjykohet si i tillë.

Ky, në fakt, është rasti i vetëm që kemi për drejtësinë e re, e cila nga një anë përpiqet të mbrohet me mbështetjen “evropiane” apo “amerikane” kur bën veprime represive dhe konverton pushtetin e drejtësisë në një lloj pushteti personal të prokurorëve, dhe nga ana tjetër, për të vetmen direktivë juridike perëndimore nga gjykata më e rëndësishme në botë për të drejtat e njeriut, heziton të zhvillojë një proces që të përmbushë rekomandimet e Gjykatës Evropiane të Strasburgut.

Për drejtësinë tonë, “Evropa” është Gjykata e Strasburgut. Për politikën tonë, Evropa është Parlamenti Evropian dhe Komisioni. Propaganda politike apo spekulimet me mbështetje politike janë çështje lobimesh dhe ndonjëherë edhe çështje e cekësisë me të cilën një politikan evropian shikon zhvillimet në Shqipëri. Gjykata Evropiane nuk është politike, por profesionale. Ajo ka rekomanduar që ai krim të hetohet si krim shtetëror, dhe nëse SPAK dhe GJKKO ngelen në këtë provim, ajo në fakt ka humbur arsyen përse është krijuar, pasi ka humbur shansin të identifikohet me standardin evropian të drejtësisë.

Me standardin evropian të politikës ka kush të identifikohet. Kemi qeverinë, opozitën, politikanët e rinj, shoqërinë civile etj. SPAK dhe GJKKO në fund do gjykohen jo sa deklarata kanë bërë ambasadorët për ta në Tiranë, se atëherë do t’u kemi harruar edhe emrat e fytyrat ambasadorëve që vijnë, shëtisin dhe ikin nga Shqipëria, por sa vendime të tyre janë në një frymë dhe një standard me drejtësinë evropiane. Dhe standardi i drejtësisë evropiane është Gjykata e Strasburgut. Deri tani, së paku tre çështje që janë të drejtësisë së re aty janë humbur me shpejtësi.

Fakti që xhaxhai i Aleks Nikës thotë se ka nevojë për një rezolutë të Kuvendit ku të shprehet vullneti politik për t’u hetuar 21 Janari, tregon se ai ka kuptuar që SPAK nuk do ta hetojë dhe gjykojë Sali Berishën për një krim ku provat janë në dritë të diellit. Tani ka pak rëndësi nëse Kuvendi bën apo jo një deklaratë të tillë, pasi edhe po e bëri do dalë Berisha dhe do ta quajë presion politik, por ka shumë rëndësi të kuptojmë se në të vërtetë beteja e Berishës me SPAK dhe drejtësinë e re po funksionon, duke i poshtëruar, duke i linçuar dhe në fund duke i nënshtruar që të mos guxojnë ta gjykojnë, jo më për ato që ka vjedhur, por as për ata që ka vrarë se e pengonin për të vjedhur.

Dhe nëse kjo ndodh, është si ajo pika që derdh gjithë gotën. Reforma në drejtësi thjesht bëhet e padobishme, pasi prokurorët dhe gjykatësit bëjnë politikë sikur janë këtu të dërguar të BE dhe SHBA, ndërsa Gjykata e Strasburgut injorohet sikur të jetë gjykatë “e korruptuar”, siç thonë në korridoret e SPAK./ Tema