Fjala e plotë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta

E nderuar Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Lefterije Luzi,
E nderuar Ambasadore e Sllovenisë, znj. Lea Stančič.
Shkëlqesi ambasadorë, zonja dhe zotërinj, përfaqësues nderuar të shoqërisë civile.
Ju falënderoj si organizatorë në mënyrë të veçantë Ambasadën e Sllovenisë, dhe KQZ-në, për ftesën për të marrë pjesë në këtë tryezë të rëndësishme, ku do të diskutohet mbi përvojat më të mira të organizimit, menaxhimit dhe mbikëqyrjes të zgjedhje, si në nivel qendror, ashtu edhe vendor.
Është kënaqësi, por edhe detyrim për mua, si Kryetar i Kuvendit që të jem në këtë tryezë në këtë moment të rëndësishëm, duke marrë në konsideratë sfidën e organizimit të zgjedhjeve të ardhshme në vendin tonë.
Pavarësisht progresit të bërë në vite nga Shqipëria, pritshmëritë në rritje të qytetarëve tanë na detyrojnë të jemi shumë më të vëmendshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj kërkesa të tyre dhe në mënyrë të veçantë ndaj pritshmërisë së tyre për cilësinë, besueshmërinë e zgjedhjeve të ardhshme.
Më duhet të theksoj se sot kemi disa sfida imediate që lidhen ngushtë me administrimin dhe transparencë e proceseve zgjedhore, me stabilitetin dhe cilësinë e legjislacionit zgjedhor. Me mënyrën si përmbushen rekomandimet OSBE/ODHIR, me të drejtën e ushtrimit të votës së emigrantëve tanë.
Me transparencën e financimit të fushatave zgjedhore, por edhe të vetë partive politike me zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja që garantojnë transparencën dhe integritetin e proceseve administruese zgjedhore, por njëkohësisht për fat të keq kemi ende për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare disa fenomeneve, të cilat edhe pse nuk janë dominuese, ekzistojnë dhe për fat të keq më pas dominojnë debatin për cilësinë e zgjedhjeve, të cilat kanë të bëjnë me penalizmin maksimal të gjithë atyre që tentojnë blerjen e votës. Penalizmin maksimal të gjithë atyre që përpiqen të sigurojnë fotografimin e votës si një mjet për të kontrolluar vullnetin e votuesit; penalizmin maksimal të gjithë atyre që tentojnë kontrollin e votës bazuar mbi presionet e ndryshme që nga ato të përfshirjes së padrejtë e të palejueshme të administratës publike, që nga përpjekja për të shantazhuar me mbajtjen apo fitimin e një vendi pune apo akoma më keq me shantazhe të ndryshme të administratës publike ndaj votuesve apo ndaj punëdhënësve të ndryshëm.
Këto sfida e shtojnë domosdoshmërinë e ndërtimit të një sistemi zgjedhor të besueshëm, transparent dhe përfaqësues. Siç e kemi përjetuar gjatë këtyre tre viteve të fundit, për fat të keq Parlamenti nuk ka reflektuar atë cilësi përfaqësimi politike dhe intelektuale. Nuk ka reflektuar atë urtësi, tolerancë dhe kulturë politike që mbart dhe meriton në tërësi shoqëria dhe populli ynë sot mbas 26 vitesh eksperiencë.
Jam i bindur se kjo ardhur si pasojë e mungesave të defekteve serioze në Kodin tonë Zgjedhor, i cili duhet t’i reflektojë pa vonesa ndryshimet e nevojshme sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por njëkohësisht edhe të shoqërisë civile që merret me zgjedhjet.
Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, kam mbështetur që prej fillimit dhe kërkoj përshpejtimin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe për këtë i kemi kërkuar zyrtarisht Misionit ODIHR dhe Komisionit të Venecias që të ofrojnë kontributin e tyre për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për dy zgjedhjet e fundit në vendit tonë. Pra, ato parlamentare të 2013-së dhe vendore të 2015-s.
Apeli im edhe sot është që ky Komision të përfundojë sa më parë dhe në mënyrë sa më të besueshme dhe cilësore punën e tij të orientuar prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe të shoqërisë civile për zgjedhjet në Shqipëri, duke shfrytëzuar idetë, përvojat dhe praktikat më të mira që ekzistojnë.
Koha që kemi në dispozicion është e shkurtër, por besoj se është ende e mjaftueshme, sepse problemet dihen. Instrumentet që mund të përdoren për zgjidhjen me konsensus dhe transparencë të tyre janë gjithashtu të ditur dhe për shkak të përvojave tona dhe partnerëve tanë, ashtu sikurse është e rëndësishme që të evitohen ndryshimet e pamenduara të minutës së fundit që vetëm shtojnë kontestimet e proceseve të ardhshme.
Mbarëvajtja e zgjedhjeve të ardhshme, të qershorit 2017, nuk është thjesht një domosdoshmëri për konsolidimin e stabilitetit institucional në vend, por është shumë e rëndësishme për të forcuar legjitimitetin e institucioneve të ardhshme, duke filluar nga Kuvendi i ardhshëm dhe të gjithë institucionet qeverisëse, që do të kenë mbi supe një barrë mjaft të rëndësishme, atë të avancimit të vendit drejt bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndaj apeloj gjithashtu që partitë të respektojnë në mënyrë të qartë, pa ekuivokë procesin e dekriminalizimit, sepse ky është mjaft i rëndësishëm për të krijuar një klimë sa më të përgjegjshme në raport me qytetarët tanë dhe sa më të denjë për zgjedhjet e merituara, që atyre u kanë munguar për një kohë mjaft të gjatë.
Ndaj në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duhet urgjentisht një angazhim konkret dhe i përgjegjshëm i gjithë forcave politike, edhe nga trupat e administrimit zgjedhor nga kreu në bazë, duke përfituar edhe nga bashkëpunimi me grupet e interesit edhe me shoqërinë civile, me mjaft eksperiencë tashmë.
Këtu, pavarësia e Trupave Elektoralë, është kyçe për garantimin e integritetit të gjithë fazave të procesit zgjedhor, deri në shpalljen e rezultateve.
Dhe jam i bindur se vetëm duke forcuar sistemin, dhe rritur transparencën ne mund të garantojmë standardet, besueshmërinë dhe pranueshmërinë e rezultateve, që është një tjetër problem, që ndonjëherë më shumë se me standardet ka të bëjë me kulturën tonë politike.
Kjo nënkupton që në çdo hap, të gjithë faktorët dhe aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, duhet të orientohen nga respektimi dhe zbatimi i ligjit, i Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias, nga parimet e trashëgimisë zgjedhore evropiane dhe përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet në vendin tonë.
Njëkohësisht, dhe nga njohja dhe shfrytëzimi i përvojave dhe praktikave më të mira të vendeve anëtare të BE-së, dhe në rastin konkret besoj se përvoja sllovene është ndër më të spikaturat.
Dua t’ju uroj të gjithë pjesëmarrësve suksese në shkëmbimin e përvojave më të mira në drejtim të forcimit të pavarësisë së organeve që menaxhojnë procesin e zgjedhjeve demokratike, dhe të shprehim mirënjohje të veçantë për angazhimin e Sllovenisë dhe të gjithë partnerëve tanë evropianë për ngritjen e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, si një detyrim edhe për të justifikuar ngritjen e fazës së re të procesit të integrimit evropian të vendit tonë që shpresojmë të fillojë me rekomandimin e Komisionit Evropian pas disa javësh.
 
************
Deri para pak kohësh fokusi kryesor ka qenë reforma në drejtësi. Po kështu ishin edhe problemi për drejtimin e komisionit, që s’kishte të bënte me vullnetin politik. Lidhur me këto çështje unë mund të shprehem si Kryetar Kuvendi dhe po shprehem edhe si kryetar i një force politike.
Së pari unë mendoj që problemi demokratik i Kodit është që listat duhet të jenë të hapura. Kjo e bën të pashmangshme pastaj dhe vetë demokratizimin e partive, sepse krijon lidhjen e qytetarit me votuesin. Pra, deputetët nuk janë thjesht partiakë, por janë më shumë parlamentarë, sepse kanë një raport tjetër me votuesin dhe do të ruajnë një raport edhe me drejtimin e partisë, edhe me qytetarët. Unë këtë gjë e kam mbështetur dhe e mbështes pavarësisht nga vështirësitë që mund të ketë në zbatimin e saj. Sepse në këtë mënyrë, ne më shumë se sa kemi një sistem parlamentar demokratik, kemi një sistem dypartiak, trepartiak apo katërpartiak, kjo nuk është shumë e shëndetshme.
Së dyti, përsa u takon partive, demokracisë, transparencës, unë mund t’ju them që ka qenë një kërkesë e kahershme e ambasadorit të SHBA-ve dhe përfaqësuesve të BE-së për këtë gjë. LSI-ja prej më shumë se një viti ka bërë të qartë një platformë të saj që është online, që mund të monitorohet, mund të verifikohet nga gazetarët, nga cilido, që për çdo aktivitet, çdo shpenzim, çdo ndryshim buxheti të bëhet transparente. Çdo pjesëmarrje në aktivitetet publike e kryetarit dhe e kujtdo tjetër. Natyrisht, kjo është aktualisht e karakterit moral dhe jo obligacion ligjor, por ne do ta shikojmë këtë ta garantojmë me ligj dhe ta bëjnë të gjitha forcat politike këtë gjë.
Dhe jo vetëm kaq, këto ditë do të bëjmë edhe një marrëveshje me NDI-në që ka eksperiencat e veta për këtë transparencë për ta bërë si projekt pilot, i cili pastaj mund të zbatohet nga të gjithë të tjerët.
Një problem tjetër që unë e kam thënë dhe që të paktën në rast se unë do të jem Kryetari i LSI-së do ta kem në konsideratë në mënyrë të veçantë, është kufizimi i pjesëmarrjes së biznesmenëve në Parlament. Mund të mos jetë me probleme do me thënë që kanë të bëjë me dekriminalizimin, por pjesëmarrja e madhe e biznesmenëve në Parlament dhe në poste publike është një problem për cilësinë e Parlamentit. Kjo është një gjë fare e vërtetë dhe e dukshme, por edhe njëkohësisht nuk ndihmon as cilësinë e ligjbërjes, nuk ndihmon as rritjen e kontrollit të Parlamentit mbi qeverinë, por shpesh ndikon në presionet që i bëhen edhe qeverisë, që i bëhen edhe politikës, që i bëhen dhe forcave politike për interesa të ngushta. Këto janë disa probleme të cilat kanë të bëjnë me procesin. Janë disa probleme që kanë të bëjnë me detyrimin e forcave politike ndaj qytetarëve, që mund të mos adresohen te Kodi Zgjedhor dhe duhet një vullnet për t’i zgjidhur.
Edhe tjetra, duhet parë se numri i deputetëve është më i madh se sa duhet. Ne bëmë një reformë administrative, nga 400 njeri kaluam në 61 njësi dhe mendoj që ishte një hap i domosdoshëm. Duhet parë diçka edhe tek Parlamenti. Sepse kjo do të ndihmojë dhe në një funksionim më të mirë të Parlamentit edhe një cilësi më të mirë të funksionimit të Komisioneve, por edhe vetë pastaj përmbajtja do të jetë më cilësore se sa është sot.
 
*******
Tani çdo orë që kalon është e pajustifikueshme për komisionin. Deri para një muaji, dy muajsh ishte dhe çështja e reformës kushtetuese dhe disa ligjeve shumë të rëndësishme. Tani për komisionin dhe për Parlamentin nuk mbetet gjë më e rëndësishme se kjo. Unë do të përpiqem që në fillimin e javës, të hënën, të takohem me të dy bashkëkryetarët.
Dua të shpreh shqetësimin tuaj dhe shqetësimin tim, sepse është përgjegjësia e Kuvendit në fund fare, nuk është vetëm e partive politike dhe shpresoj që të gjithë të bëhemi bashkëpunues për një proces që i takon çdo qytetari, nuk na takon vetëm ne, dy parti, tre parti apo 140 deputetëve.
Dhe është momenti që ne të tregojmë një pendesë, të tregojmë një reflektim për gjithçka nuk ka shkuar mirë dhe për këtë situatë që kemi patur në Parlamentin tonë, në mënyrë që të paktën që cilësia e Parlamentit që vjen, e institucioneve që do të krijohen nga ai Parlament, të jenë shumë më ndryshe nga kjo e deritanishme dhe këtë e garanton transparenca dhe besueshmëria.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?