Fjala e PLOTË, Rama në Kongres: PS e vetmja alternativë! Të gjithë të barabartë para ligjit, kjo është 'lufta' për shtetin e shqiptarëve

*Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, në Kongresin e PS më 28 korrik 2024. 

I nderuar Kongres i Partisë Socialiste,

Shokë, shoqe, miq dhe të ftuar,

Ky është një stacion me rëndësi në rrugëtimin e partisë tonë jo thjeshte sepse sot do të zgjedhim përfaqësitë e familjes sonë të madhe politike në Asamblenë Kombëtare prej së cilës në fillim të sezonit të ardhshëm politik e parlamentar do të dalin edhe kryesia dhe sekretariati i ri ekzekutiv i PS, as sepse sot nis praktikisht mbjellja e fushës së fitores që do të korrim pranverën e ardhshme me një punë të gjithanshme në gjithë Shqipërinë, me gjithë shqiptarët, për të gjithë shqiptarët, por sepse sot nis natyrshëm edhe projekti i Partisë Socialiste 2030, për të cilin një gjeneratë tjetër nga ata që janë aty në qendër, në radhët e udhëheqjes së partisë duhet marrë kreshendo, hap pas hapi më shumë pjesë, më shumë peshë, më shumë përgjegjësi mbi shpatulla.

Është kjo koha duhur për të nisur një tjetër investim të ri për kapitalin njerëzor të Partisë Socialiste dhe për të punuar me një ambicie të re, të madhe paralelisht jo vetëm për Shqipërinë 2030, por edhe për PS 2030. Por dua të ndalem një moment për të përshëndetur dhe falënderuar edhe në emrin tuaj dhe të çdo anëtari dhe anëtareje të familjes sonë progresiste Lindita Nikollën.

Lindita shërbeu si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë në 3 vjet jo të lehta të jetës parlamentare të vendit. Bëri më të mirën e saj si gjithmonë, qysh ditën e parë të shërbimit publik si mësuese, drejtore e gjimnazit Sinan Tafaj, kryetare e njësisë bashkiake nr. 3, ministre e Arsimit dhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Me modestinë e një mësueseje të përkushtuar dhe seriozitetin e një njeriu që në çdo kohë e në çdo pozicion e ka vënë un-in e vet në shërbim të komunitetit tonë politik, Lindita është një shembull kuptimplotë i si duhet të jetë në çdo rrethanë dhe vështirësi individi i zgjedhur nga ky komunitet në çdo hap dhe në çdo nivel përfaqësimi. Faleminderit Lindita për forcën e shembullit që ti je!

Konflikti brutal politik që na ka shoqëruar fatkeqësisht përgjatë gjithë qeverisjes sonë e ka kthyer Parlamentin shqiptar në shëmbëlltyrën më çedukuese dhe më acaruese për nervat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe për këdo që politikën e sheh si një mundësi. Si një mundësi për të dëgjuar, për të kuptuar se çfarë ndodh këtu, se çfarë mendojnë ata që janë të përfshirë në arenën e saj, si mundësi për të bërë punë të mira bashkë me të tjerët, jo për të hedhur helm fjalësh të liga për të tjerët. Ne mund të kemi plot arsye dhe mund të gjejmë më shumë justifikime sesa arsye për të thënë se ai konflikt skandaloz në atë mexhlis që është prekja e përjavshme e nivelit më të ulët të jetës publike, të sjelljes dhe të komunikimit publik nuk është faji ynë, por ne nuk jemi sidoqoftë të pafajshëm, përkundrazi dhe faji ynë nuk është se jemi burimi i atij konflikti, dihet botërisht që burimi është tjetërkush, i njëjti që doli nga thellat e historisë së trishtë të shqiptarit kundër shqiptarit qysh se mori jetë Parlamenti dhe nisi jeta pluraliste në Shqipëri. I njëjti që e mori peng sa mundi dhe kurdo mundi Shqipërinë përmes duarsh të mbrapshta shqiptare sapo ajo u vetëshpall shtet në vitin 1912 dhe që tanimë e kanë katandisur Partinë Demokratike në një cisternë të ndryshkur helmi e cila nuk i bën më asnjë punë as dreqit vet. I njëjti që e ndot përditë ajrin e jetës politike dhe publike duke çoroditur këdo që e thith akoma atë ajër me pasionin e ndasisë së vjetër, ndërkohë që shkaqet e asaj ndasie kanë vdekur me kohë e me vakt, i njëjti që helmon përditë turmën e tij të tkurrur si një sy i verbuar nga drita. Faji është se ne jo thjeshtë nuk e kemi bërë dot dallimin me bartësit e konfliktit në atë parlament të shëmtuar njësoj si fjalët e ulëta që derdhen aty pa hesap, por as nuk e kemi bërë të gjithë përpjekjen e duhur për ta bërë të qartë për të gjithë këtë dallim të domosdoshëm.

Jeta parlamentare nuk është vetëm arena e seancave kuvendore, as nuk nis dhe mbaron në mbledhjet, në dhomat e grindjeve të komisioneve të Kuvendit. Karrigia dhe tryeza e Kuvendit janë për tu ulur për vendimmarrjen, por detyra e deputetit matet me kilometrat e bëra në këmbë, në lagjet, rrugët, shtëpitë dhe vendet ku jeton dhe punon komuniteti që i ka dhënë mandatin e përfaqësimit, atje tek zgjedhësit me komunitetin, me njerëzit më në nevojë, me grupet e interesit, tek anëtarësia, ku dora, fjala, urtësia e deputetit janë kusht për shëndetin e mirë dhe mbarëvajtjen e jetës së çdo qelize të partisë. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë asgjë tjetër përveçse shembulli i një njeriu që di të dëgjojë njerëzit, që ka dëshirën të mësojë dhe të zhvillojë dijet e veta mbi problemet me të cilat i duhet të merret, që ka ambicien të zgjidhë edhe probleme të mëdha edhe halle të vogla. Dhe të rritet, të lartësohet në sytë e njerëzve përmes punës që bën për vendin dhe për ta, pa harruar asnjëherë tua qaj hallin që s’mund tua u zgjidhë dot.

Kjo vlen për çdo deputet, pa dallim, por mbi të gjitha kjo duhet të vlejë për këdo që merr vlerësimin dhe që ka nderin të jetë deputet i partisë më të madhe, më të besuar dhe më fitimtare të shqiptarëve, të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Të jesh deputet i kësaj partie është diçka që unë personalisht e konsideroj një privilegj të pakrahasueshëm me asnjë privilegj tjetër dhe të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve është për mua një borxh i jashtëzakonshëm i cili nuk lahet dot kurrë deri në fund.

Atyre që më pyesnin shpesh ku e gjen gjithë këtë energji dhe burim, zakonisht ua kthej me një buzëqeshje, por në fakt dua tu them që unë nuk kam sesi rri dot as një orë rehat përderisa ndër ata që mua ma kanë bërë këtë nder ka shumë që nuk janë dot rehat në atë orë. Dhe kjo nuk është çështje natyre, kjo është çështje detyre. Prandaj dhe dua tu kërkoj ndjesë sot të gjithë atyre në këtë sallë dhe jashtë saj që deputet nuk janë, por që kanë investuar mundin e tyre dhe kanë dhënë votën e tyre që një grusht njerëzish të kësaj përfaqësie të madhe të PS të jenë këtu sot si deputet. Dua tu kërkoj ndjesë për ata deputet që janë këtu të ulur mes nesh, që nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë në detyrën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve, më mirë, shumë më mirë sesa shumica dërrmuese e shqiptarëve.

Dua tu kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm për të më shoqëruar mua kur shkoj në zonën e tyre apo që shkojnë në organizatat e partisë vetëm për të bërë një fotografi prezence kur zhvillohet një fushatë anëtarësimesh.

Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri vetëm kur trokasin në zyrat e shtetit për punët e tyre, të familjes tyre, të tarafit të tyre apo edhe për ata deputetë që qysh se kanë zbritur në sallë nga tryeza e qeverisë duken në foltoren e Kuvendit një herë në Hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga Hëna. Ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë vetëm me njëri tjetrin, natyrisht për vatanin, por kryesisht për të rejat e fundit nga portalet e thashethemeve për qeverinë.

Një ndjesë të veçantë edhe për disa që u është bërë ves që të bëjnë komentatorin e kolegëve dhe të qajnë halle karriere më dashakeqë lloj-lloj ndaj kësaj shtëpie apo të gjuajnë brenda shtëpisë nga frëngjitë e disa pocaqi kanaleve dhe portaleve duke hedhur gurin dhe duke fshehur dorën, por duke harruar jashtë gjuhën e tyre që nuk pushon.

Ndjesë po ashtu kujtdo ndër deputetët të cilëve nuk u takojnë këto fjalë sepse fatmirësisht nuk janë të gjithë kështu, nuk janë të gjithë dembelë dhe moskokëçarës ndaj detyrave që ose e nderojnë deputetin bashkë me Partinë Socialiste në sytë e zgjedhësve ose e turpërojnë deputetin por edhe PS në sytë e gjithë njerëzve. Fatmirësisht i kemi deputetët pa të cilët nuk do kishim arritur shumëçka në këtë mandat të tretë dhe i kemi dhe deputetët të cilët nuk mungojnë as kur duhet të ulen në karrige për të marrë vendimet, as kur duhet tu japin këmbëve për të takuar zgjedhësit.

Vullnet Sina është njëri prej tyre, i ka në rregull punët e veta do thuhet nëper kafene por në fakt Vullneti rregull kishte edhe pa hyrë fare në skuadrën tonë, nuk është i vetmi kurrsesi, por ia zura emrin se para disa kohësh më tha se dëshiron ta mbyllë angazhimin e tij. Kurrë, asnjëherë nuk më ka shqetësuar për asgjë personale, por ama se ka patur problem të më shkruajë dhe pas mesnate duke u kthyer i lodhur nga dita e gjatë në një prej zonave më të varfra dhe më të vështira ku ka bërë atje sa një qeveri e tërë për njerëzit. Mbi shembujt e tillë që nuk na mungojnë, por e bëjnë punën e madhe pa bujën më të vogël do ndërtojmë dhe skuadrën e re kombëtare për ndeshjen elektorale të radhës ku do të hyjmë jo për të marrë thjeshtë mandatin e katërt radhazi, por për fitoren më shembullore të të gjithë serisë së pandërprerë të fitoreve tona.

Sot nga kjo foltore e socialistëve dhe e progresistëve të Shqipërisë dua t’ju them të gjithë shqiptarëve që duam ta çojnë Shqipërinë bashkë me mua dhe PS në majën sfiduese të 2030, shqiptarëve që duan të japin dorën e tyre për ta ngritur në oborrin e Shteteve të Bashkuara të Europës në Bruksel flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në fund të këtij 10 vjeçari. Shqiptarët që e duan Shqipërinë kampione me nam të rajonit në turizëm, prodhuese të gjelbër dhe eksportuese neto të energjisë, pikë referimi në gjithë rajonin për rritjen e pandërprerë ekonomike dhe sociale, shqiptarëve që e duan Shqipërinë Europën e Ballkanit në kuptimin e plotë të fjalës: merrni iniciativën, hidheni hapin tuaj, kërkojini PS që ta vlerësojë mundësinë e kandidimit tuaj për deputet dhe deputete të legjislaturës së ardhshme së Kuvendit të Shqipërisë. Mandati ynë i katërt do jetë mandati pathyeshmërisë së sigurtë të progresit te pandalshëm, mandati i mbledhjes së shumë fryteve të tjera të punës së gjatë e të vështirë të këtyre viteve në drejtimin e Shqipërisë. Mandati i një pune të jashtëzakonshme për nga volumi dhe nga sfidat për ta kapërcyer kthesën e madhe historike që nisëm një dekadë më parë dhe për ta mbyllur me sukses procesin e negociatave të anëtarësimit në BE

Kuvendit të ri nuk do i mjaftojë vetëm përvoja e domosdoshme e deputetëve me vjetërsi, e deputetëve me ndërgjegje, e deputetëve me përgjegjshmëri në përfaqësimin e PS por do t’i duhen dijet, do t’i duhen aftësitë do t’i duhet dëshira e të rinjve që do afrojmë me doemos, me doemos për sprovat e mëdha të mandatit të katërt dhe me të rinj e me të vjetër nuk kam parasysh moshën në regjistrin e gjendjes civile, por njerëz të rinj., figura të reja publike, me eksperienca të ndryshme pune, me energji, me ambicie, me vullnet për Shqipërinë pavarësisht moshës, pavarësisht gjinisë, pavarësisht vendndodhjes, pavarësisht mbiemrit, pavarësisht pasurisë. Kjo vlen për të rinjtë e të rejat, për burrat e gratë e çdo krahine, qyteti apo fshati, në sektorin publik apo në sektorin privat, në botën universitare apo atë të sipërmarrjes, me banim në Shqipëri apo dhe jashtë Shqipërisë dhe më vjen shumë mirë sot që kur bëhet fjalë për shqiptarët jashtë vendit, kjo thirrje e hapur për të gjithë për tu bërë pjesë e skuadrës sonë kombëtare e cila do të luajë për ti fituar që të gjitha garat në të 12-të qarqet e Shqipërisë, bëhet edhe nga pozita e një tjetër zotimi të mbajtur të Partisë Socialiste. Për herë të parë, shqiptarët jashtë kufijve do të mund të votojnë nga vendi ku jetojnë dhe ku punojnë, falë vulosjes së kësaj të drejte në Kodin zgjedhor të miratuar nga parlamenti pak ditë më parë.

I përshëndes delegatët e ardhur ngas jashtë. Në radhë të parë ata nga Greqia që besnikërisht, besnikërisht prej vitesh janë këtu të pranishëm në çdo Kongres të Partisë Socialiste dhe u them që sot, më në fund, ndjehem mirë përpara jush dhe përmes jush përcjell ndjenjën time të respektit dhe mirënjohjes më të thellë atyre mijëra shqiptarëve në Greqi dhe në Itali të cilët më dhuruan një energji të jashtëzakonshme, një energji të atillë që të bën të duket çdo mal i kapërcyeshëm dhe çdo horizont i arritshëm. Shumë faleminderit.

Shqiptarët e Europës dhe më gjerë janë kontributorë të mëdhenj në ekonominë kombëtare prej 30 e kusur vitesh dhe me ligj e me zakon duhet që prej kohësh ta gëzonin e ta ushtronin, sipas dëshirës, të drejtën e zgjedhjes për rrugën dhe për udhëheqjen e Shqipërisë. Fatkeqësisht, pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve tona të vazhdueshme, sanksionimi i kësaj të drejtë në ligjin e zgjedhjeve mori një kohë të gjatë, në mungesë të votave të nevojshme për konsensusin politik që ai ligj kërkon por kurrë nuk është vonë për të vënë në vend një të drejtë dhe shqiptarëve të Greqisë, Italisë, Europës dhe Amerikës u them sot i lehtësuar “Bujrum. Shqipëria është shtëpia juaj jo vetëm për të ndihmuar por edhe për të votuar dhe nëse nuk vini për të votuar këtu, dërgojeni votën tuaj me postë për të vendosur së bashku si një familje e madhe se kush dhe si duhet t’i drejtojë dhe t’i ndjekë punët e shtëpisë sonë të përbashkët të atdheut tonë”.

Eksperienca e parë e platformës digjitale “Deputeti që Duam” e cila u bë publike nga Partia Socialiste si një ftesë e hapur përpara zgjedhjeve të shkuara na ka shërbyer si bazë për zhvillimin e platformës së re që Bora sapo prezantoi. Në ditët në vijim, platforma është e përdorshme për të gjithë të interesuarit. E gjithë kjo periudhë kohe përpara shpalljes së formacionit kombëtar të deputetëve të mandatit të katërt, në prag të zgjedhjeve të ardhshme do të shërbejë për tu dhënë aplikantëve mundësinë të organizojnë aktivitetin e tyre pranë strukturave të partisë ose jo. Ata do të kenë të gjithë kohën për të treguar aftësitë e tyre duke komunikuar, duke krijuar mbështetje, ndërtuar profilin e nevojshëm konkurrues në komunitetet dhe grupet përkatëse si dhe në rrjetet sociale, natyrisht.

Sistemi i korrigjuar, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, krijon dhe më shumë konkurrencë dhe u jep grave e vajzave po ashtu, një hapësirë të plotë konkurrimi mes veti, pavarësisht pozicionit të tyre fillestar në listë. Prandaj, u them grave dhe vajzave të mos ngurrojnë nëse diçka këtu në kraharor i thërret dhe i nxit që të guxojnë. Mosbesimi, skepticizmi, cinizmi për këtë iniciativë novatore, e cila buron nga nevoja dhe nga vetëdija për peshën e jashtëzakonshme të sprovave të një shumice qeverisëse si e jona nuk janë këshilltarë të mirë.

Fatkeqësisht, këta këshilltarë të këqij, frenues dhe denigrues të dëshirës për tu angazhuar në politikë i gjen kudo, mjafton të hapësh gojën dhe ta thuash dëshirën dhe i ke në fyt. Mjafton të hapësh televizorin dhe të ndjekësh një debat politik dhe i ke këtu në stomak, mjafton të hapësh një portal dhe i ke nëpër trup si një lukuni insektesh që të pickojnë, helmojnë gjakun duke ta bërë politikën një skëterrë ku ka vetëm kafshëri, babëzi dhe batërdi dhe ku të gjithë janë njësoj, dreqër me brirë por mjafton, po ashtu, të mos e ndash me ta dëshirën tënde për tu angazhuar, të mos e hapësh televizionin për të parë debate politike, të mos klikosh në ekranin e celularit emra portalesh dhe ta shohësh Shqipërinë me sytë e lirë të mendjes tënde, ta hedhësh vështrimin jo shumë larg, deri 10 vjet më parë dhe ta sjellësh atë vështrim drejt të tashmes për ta kthyer pastaj nga e ardhmja me fuqinë e imagjinatës tënde për Shqipërinë që do nesër dhe do kuptosh se asgjë, absolutisht asgjë, nuk është njësoj si dje dhe se nuk janë të gjithë njësoj absolutisht sepse po të ishin të gjithë njësoj, edhe Shqipëria do të ishte po njësoj, por sepse ne jemi ndryshe edhe Shqipëria është ndryshe dhe nëse Shqipëria nuk është aq ndryshe sa ne duam, atëherë jemi ne që duhet të ndryshojmë aq sa duhet.

Mjafton ta bësh këtë ushtrim dhe jo vetëm do ta kuptosh këtë që thashë por do kuptosh sesa shumë akoma mund të ndryshojë Shqipëria dhe mjafton ta kuptosh këtë për të mos e mbytur dëshirën tënde në lumin e cinizmit, skepticizmit, mosbesimit dhe për ta hedhur hapin e parë duke trokitur në derën e kësaj shtëpie të madhe, ku patjetër është pak por e sigurt, nuk do ta gjesh të shtruar por ku me besim tek vetja, me këmbëngulje dhe me durim do ta gjesh me siguri më herët a më vonë vendin që të takon.

Shikoje platformës “Deputeti që Duam” si një derë të re të Partisë Socialiste ku mund të trokasësh pa ndërmjetës, pa frikën se nuk të hapet apo se po tu hap të del ndonjë i shëndoshur dhe i përgjumur dhe të thotë “Çfarë do mo vëlla, ik ore vëlla, ahu, ik se kemi punë”. Regjistro emrin, shprehe dëshirën tënde dhe mos prit por fillo organizohu që të dalësh në pah, duke përdorur mjetet që sugjeron platforma dhe sigurisht që gjatë gjithë kohës ne do jemi në kontakt.

Unë nuk i siguroj dot ata të cilëve po u drejtohem se do bëhen deputetë sepse i takon secilit ë bindë njerëz, të bëjë ndjekës, të provojë se mund ta përfaqësojë denjësisht këtë parti duke sjellë vota për skuadrën tonë por unë i siguroj që nëse dikush ka dëshirë të angazhohet, të merret me politikë dhe të bëhet deri dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti i ardhshëm apo të marrë të tjera përgjegjësi në nivele të ndryshme, siç ka ndodhur me platformën e 2021, nuk ka asnjë derë tjetër që bën punë, asnjë.

Pazari i politikës ka plot dyqane por Partia Socialiste është e vetmja derë ku kush do të hedhë një hap për tu angazhuar, e ka një mundësi reale, jo sepse Partia Socialiste është një shtëpi pa probleme, nuk e them dot, kemi plot probleme dhe ne, jo se në Partinë Socialiste nuk ka njerëz që tjetër thonë në sy dhe tjetër të bëjnë pas kurrizit, as këtë nuk e them dot. I kam njohur dhe vetë të tillë të paudhë, madje aq të paudhë sa cilido do të habitej po të tregoja se çfarë më thoshin në sy dhe se çfarë më bënin pas shpine dhe kur kanë arritur të ngjiten, po jo vetëm të ngjiten por edhe të më ngjiten edhe mua këtu ku sidoqoftë është lart, merreni me mend sesa nga këta ka më poshtë, deri aty ku këta njerëz të cilëve po u drejtohem duhet të nisin rrugëve.

Por ama, siç ju them këto ashtu siç janë, unë jam po ai që them “Besojeni, besojeni. Partia Socialiste është e vetmja rrugë për ju”. Partia Socialiste është e vetmja rrugë për çdo të ri e të re, qoftë 20, qoftë 30, qoftë 60 si puna ime, nëse ka vërtetë dëshirë të merret me politikë nuk ka asnjë rrugë tjetër për tu dalluar nga ata që i kanë mësuar përmendësh fjalët për Shqipërinë, integrimin, progresin, zhvillimin, solidaritetin, njerëzimin por merren vetëm me llafe ndërkohë që për të bërë betejë bashkë me ne e për t’i ngjitur më tutje majat e reja dhe përtej asaj të 2030 që jeta jote të marrë një kuptim të mirë duke bërë punë të mira dhe për të tjerët dhe që vendi ynë, Shqipëria të bëhet më në fund si e gjithë Europa dhe të bëjë krenarë këdo për veten e tij si anëtar i një partie, është vetëm dhe vetëm kjo familje e madhe shqiptarësh që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.

Parti që thonë fjalë tërheqëse për si duhet të jetë Shqipëria dhe që nëpërmjet lloj-lloj firaunësh derdhin lotë krokodili ditë-natë për shqiptarët duke premtuar që tua bëjnë detin kos, gjejnë kollaj por parti që bën punë të mira dhe derdh përditë energji ndërtimtare për Shqipëri ka vetëm një, Partia Socialiste e Shqipërisë.

E dashur Helena, unë e ndoqa me vëmendje fjalën tënde dhe me thënë të drejtën, u surprizova sepse si hera e parë përballë një audience kaq të madhe bëre vetëm një lapsus, the “Paga minimale 900 euro” ndërkohë që paga minimale është 400 euro. Ajo ishte paga mesatare 900 euro por një lapsus i vetëm në të gjithë atë fjalë ishte impresionuese. Unë bëj përgjithësisht parashikimet e rezultatit të zgjedhjeve dhe përgjithësisht më dalin sepse i bëjmë së bashku në grupin që merret me anketimet e opinionit publik rregullisht por megjithëse nuk di të bëjë parashikime për jetën e dikujt dhe as të hedh fallë, po ia lejoj vetes një parashikim që koha do ta tregojë, mbase kur unë nuk do të jem më dëshmitar i kësaj bote. Ti Helena një ditë me shumë gjasë do jesh këtu ku jam unë, udhëheqëse e Partisë Socialiste.

Me këtë që të thashë sapo të kam hapur një problem sepse nga ky moment ti hyre e panjohur dhe e buzëqeshur e kur të dalësh do kesh shumë sy që nuk do të shikojnë me dashamirësi por këtë konsideroje si një favor, favorin e parë që po ta bën partia meqë the që nuk ke pasur asnjëherë asnjë favor sepse kush nuk ka shumë kundërshtarë dhe nuk përballet me kundërshti të mëdha në rrugën e vet nuk ngjitet dot në majë.

Do kem dëshmitar Pandi Majkon kur të mos jem më sepse Pandi është i vetmi i pavdekshëm që kemi këtu dhe kur Helena të bëhet kryetare e partisë, Pandi do të dëshmojë përpara gjeneratës X që e ka thënë dikur njëri nga ata, më duket se ishte Edi Rama, se kushedi sesa do ketë përcjellë në Sharrë apo në Tufinë, se është dhe mik me lali Erin dhe ia gjen varret aty ku do.

Motra dhe vëllezër, më vjen sinqerisht mirë që falë një pune të mirë të bërë, në radhë të parë, nga sekretari i përgjithshëm, ka filluar një proces ripërtëritës për së mbari i Partisë Socialiste. Fushata e anëtarësimeve, e cila do të rifillojë në shtator dhe do të vazhdojë deri të premten e fundit përpara breshërit të madh për ata që presin të dalë dielli në zgjedhjet e ardhshme, ka prodhuar fakte shumë pozitive, jo thjesht në aspektin e numrit të anëtarësisë së regjistruar dhe të verifikuar, duke pastruar shumë nga emrat e mbetur në databazë për arsye të ndryshme dhe ka prekur tavanin e 100 mijë anëtarëve dhe anëtareve apo jo thjesht për raportet e përmirësuara gjinore apo moshore që i patë në raportimin e Blendit, por mbi të gjitha për provën e prekshme të gatishmërisë së njerëzve për tu bashkuar me Partinë Socialiste, gjë që e kanë konstatuar të gjithë drejtuesit. Unë për vete nuk kam pasur asnjë dyshim dhe e kam thënë gjithnjë, mjafton tu trokisni në derë, tu trokasin në derë dhe pastaj tu hapin portat dhe asnjë njeri normal në Shqipëri, që e ka një fije dëshire të angazhohet kuptohet, nuk i thotë jo Partisë Socialiste. E kam pasur gjithnjë këtë bindje sepse, ndryshe nga të tjerë, unë kam shumë besim tek nuhatja politike e shqiptarëve të cilët kujtojnë se janë ekspertë të futbollit por në fakt janë shumë më tepër ekspertë politikë që u japin ujin në bisht të lugës të gjithë atyre komentatorëve të lodhur politikë të kanaleve të portaleve. Prandaj, dhe këta të shkretët që u plakën me laps këtu në vesh, si llogaritarë të gabuar, në veshin që nuk mbush dhe me sy në vrimën që nuk mbushet, duke luftuar ekraneve me Partinë Socialiste e sidomos me mua personalisht, janë të dënuar të zhgënjehen sa herë numërohen votat. Do të bëhen pastaj qesharakë duke folur për vjedhje, për blerje votash dhe nuk kanë faj në fakt, se atë që të bën Partia Socialiste nuk ka as tërmet e as breshër që ta bën kur i del përballë.

Më vjen shumë mirë, po ashtu, që në listën e kandidateve për Asamblenë e re Kombëtare që do të votohen sot nuk ka asnjë drejtor dhe nëse padashje ka mbetur ndonjë pa u fshirë nga lista, i bëj thirrje vigjilencës së delegatëve që njohin drejtorët më mirë seç njohin ministrat që të mos ta hedhin votën kot. Kjo nuk është masë e vendosur në Kryesi për të ndëshkuar ndonjërin por natyrisht, në respekt të kujtdo që bën edhe rolin e drejtorit që është dhe njëkohësisht, në një pjesë të rasteve anëtar i kësaj partie, nuk i është ndaluar kandidimi por është dhënë mundësia ose drejtor ose anëtar i Asamblesë Kombëtare. Edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe drejtor, nuk na mbetet tjetër përveçse të marrësh me vete edhe shoferin, meqë lodhesh shumë duke bërë dy punë.

Kjo masë duhet të kuptohet vetëm si pjesë e një fillimi të ri në rrugën e ndërtimit të Partisë Socialiste të 2030, jo vetëm për Shqipërinë e 2030 por edhe për dekadën tjetër të gjeneratës tjetër, kur unë dhe të tjerë këtu do jemi tërhequr në organizatat e katundeve por rinia dhe Pandi Majko do duhet ta mbajnë Partinë Socialiste në këmbë dhe do duhet ta mbajnë Partinë Socialiste në udhëheqje.

Do thoni ju “Po pse, sa do rrimë ne në pushtet, 50 vjet?”

Po pse të mos rrimë 100, kush na e ndalon, kush na e ndalon? Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe Muço Kapedani-thoshte profesor Et’hem Ruka që e përshëndes me mall.

Siç e vini re, në këtë fjalë, pjesa dërrmuese është për orientimin e ri organizativ të partisë dhe jo për punët e qeverisë. Jo pa qëllim natyrisht por sepse këtu në parti është burimi, burimi i gjithë energjisë tonë qeverisëse. Po u lodh partia nuk vrapon qeveria. Po vrapoi partia, qeveria nuk ka rrugë tjetër. Këtu në parti projektohet dhe pastaj, përmes forcës së kësaj partie, realizohet fitorja që na jep mundësinë të çojmë përpara të gjithë programet qeverisëse.

Programe kanë të gjithë, të tjerët i kanë më të bukura se ne, patjetër, se kush nuk ka gjë në dorë mund të premtojë qiellin dhe tokën. Këtu në parti ushqehet fryma reformuese dhe transformuese e të gjithë përfaqësuesve tanë në parlament dhe në qeveri. Fuqizimi i mëtejshëm i Partisë Socialiste në këtë fazë vendimtare për vendin tonë por edhe për cilësinë, për cilësinë e veçantë që duhet të ketë ligjbërja dhe qeverisja në mandatin e katërt sepse në mandatin e katërt do të jemi çdo ditë ballë për ballë me palën tjetër në Bruksel për të arritur të vulosim, më në fund, fundin e historisë së gjatë të përpjekjes shqiptare për ta parë diellin të lindë andej nga perëndon e jo me sytë e një populli që është përjashtuar nga perëndimi, por me sytë e një populli që është pjesë e zemrës së perëndimit.

Dhe siç bëmë në vitin  2011 kur ngritëm pas një goditje sado të diskutueshme, por që na bëri shumë mirë, se ndryshimi ynë nga të tjerët është që ne edhe kur nuk goditemi nga të tjerët, godasim njëri tjetrin që të ndihemi në lëvizje. Dhe në 2011 ngritëm makinerinë elektorale që nuk ka njohur më asnjë humbje në 9 zgjedhje radhazi.

Unë dua që në betejën e 10, të radhës, Partia Socialiste të marri notën 10 me rezultatin më spektakolar të periudhës së dremitim tim. Dua që zgjedhjet e pranverës së ardhshme të jenë jo një fitore kuptimplotë e partisë Socialistët artimetikisht, me ata që, se është dhe hall i madh kur thua i kemi përball, po ku i kemi përballë ata? Ne ata i kemi mbrapa. Në letër i kemi përballë, por në realitet, ku janë?

Nuk është ky thelbi! Thelbi është një fitore politikisht e madhe, në raport me vetveten. Unë dua që Partia Socialistë që do dalë në sheshin e betejës elektorale vitin e ardhshëm, të jetë më shumë se asnjëherë më parë pasqyra ku shqiptarët të shikojnë veten, shpresën, ambicien, fuqinë e madhe  që ne duhet të mobilizojmë për ta ngjitur Shqipërinë në atë majën e bukur të 2030 të cilën e kemi parë nga shumë larg në 2013 e tani e shohim dhe pikërisht se kemi arritur ta shohim nga më afër, jemi edhe në gjendje të arrijmë e ta prekim. Në mandatin e katërt, ne do ti çojmë deri në fund të gjitha ato që i kemi thënë e i kemi nisur.

Korridorin Blu, i cili do të jetë i gjithi si aksi Thumanë - Kashar nga Murriqani deri në Kakavijë.

Korridorin e Tetë, që po merr formë aktualisht në një pjesë të tij në zonën Elbasan - Pogradec, e me rradhë të gjitha të tjerat se po t’i numërojmë punët e nisura, kantieret e hapura, financimet e gjetura e të vëna në dispozicion që presin garat, do duhet të rrimë deri nesër për t’i numëruar.

Do ta bëjmë, meqë përmenda Elbasanin, brenda mandatit të katërt edhe pistën e garave të Formua 1 në Elbasan dhe do ta fusim Shqipërinë edhe në klubin prestigjioz të shteteve organizatore të Formula 1, me 1 miliard shikues në një ditë të diele.

Do të hapim vitin e ardhshëm edhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Do t’jua sjellim vlonjatëve turistët edhe me avion, që tua vënë çmimin e taksisë nga aeroporti në Vlorë, më shumë se çmimin e biletës nga Londra në Vlorë. Nuk ke çfarë i bën, ne shkojmë vetëm përpara, vlonjatët shkojnë edhe më përpara, e prandaj nganjëherë ngelen edhe thonë, orë ku vajtët?

Do të hapim deri në fund të mandatit të katërt fizikisht edhe portin e ri tregtar dhe ushtarak të Durrësit, ndërtimi i të cilit nis këtë mandat. Gara shpallet këto ditë,  kantieri do të hapet këtë mandat.

Do ta çojmë në 20 milionë dhe numrin e turistëve të huaj. Do ta bëjmë dhe Shqipërinë eksportuese neto të energjisë, duke i dhënë sigurinë e plotë energjitike si një vend që nuk ka më nevojë të shtrijë dorën askund për të blerë energji, sepse jo vetëm e prodhon vetë, por kur ka më shumë se sa i nevojitet, nuk e derdh më nëpër fusha, por e eksporton. Do ti bëjmë këto.

Shqipëria u zgjodh vend mikpritës i komunitetit politik europian, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, brenda mandatit. Pas samitit të parë të liderëve të BE në Tiranë, një vit e gjysmë më parë, do mik presim po këtu në kryeqytetin tonë liderët e gjithë kontinentit. Kush tjetër mund ta vendoste Shqipërinë në hartë si një vend i besuar, i respektuar, i sigurtë, tërheqës, qoftë për qytetarët e mbarë botës, por qoftë dhe për udhëheqësit e botës demokratike.

Po unë ngaqë nuk kënaqem kurrë me ato çfarë arrijmë, se ajo që arriti, arriti, iku, shko vetëm përpara, dua që të vendosim qershinë mbi tortë në mandatin katërt e të kemi në Tiranë samitin e NATO-s. E kemi vënë kandidaturën për vitin 2027 dhe nuk do ti ndahemi, do t’i qepemi që t’i bindim që nuk ka më mirë se Shqipëria. Do tu garantojmë që nuk do ti çojmë në Vlorë për të ngrënë, se nuk po i bëj antireklamë Vlorës se gatuajnë shumë mirë, por më kanë mërzitur shumë me ato çmimet.

Po të gjitha këto, nuk mjaftojnë. Nuk mjaftojnë, se dini pse? Sepse ky emri, Partia Socialiste ka një kuptim shumë të madh, ka një kuptim shumë të plotë. Partia Socialiste është interes kombëtar. Partia Socialiste është interes publik. Partia Socialiste është interes njerëzor dhe ne jemi Partia Socialiste dhe vetëm ne, askush tjetër, nuk ka se ku i shkon detyrës që prioritetin numër 1 për të çuar tek familjet, tek njerëzit frytet e gjithë këtij zhvillimi, të kemi pensionistët.

Kemi fillua të punojmë për rishikimin e pensioneve të gjithë gjyshërve e gjysheve të këtij vendi, duke filluar nga ata që jetojnë në Shqipëri, e në radhë të parë nga ata që marrin pension sot e gjithë ditën, akoma si pensioni social që e vumë ne, se e kishin zero, por nuk mund të vazhdojnë më me atë pension.

Sigurisht që kjo është një pjesë shumë e vështirë e ekuacionit financiar të këtij vendi ku ne të gjitha gropat që gjetëm dhe mbyllëm nga ata që tani po bëjnë grropë edhe ballkonin, ajo më e madhja që është sot e hapur, sot e gjithë ditën, është gropa e deficitit të skemës së pensioneve, për të gjithë  ata të moshuar që kanë dalë në pension para reformës sonë të mandatit të parë, sepse me reformën tonë të mandatit të parë, pensionisteve që kanë dalë më pas, u ka shkuar e u shkon një pension më i arsyeshëm. Por sado e vështirë të jetë, ne jo vetëm që nuk do t’i shmangemi kësaj sfide, por pikërisht pse është dhe kjo sfidë për tu fituar, ne do të marrim një mandat të katërt shembullor, me fuqinë e të cilit do të adresojmë çështjen e pensioneve.

Gjithashtu, kthesën e sapo nisur në luftën kundër korrupsionit nga drejtësia e re, të cilën e solli në jetë forca udhëheqëse e partisë Socialiste dhe e falënderoj Fatmirin, sepse ai mban shënime gjithmonë dhe bëri historinë me vite dhe me iniciativa, nuk ra nga qielli. As u gdhimë ne një ditë e thamë hajde ta fusim edhe këtë, por ka qenë një bindje që e kemi diskutuar me Fatmirin, me Gramozin e me të tjerë aty, me Pandin natyrisht që është gjithmonë aty, që ne na takon të mendojmë për kohën që ikën. Këta vrasin kohë, vrasin shpresat, vrasin mundësitë, ne duhet të mendojmë për kohën që ikën. E prandaj nuk rëndësi nëse jemi në opozitë, duhet në aspektin e reformave shtetbërëse të bëjmë oferta sepse ato reforma shtetbërëse kërkojnë kohë, nuk janë çështje e një mandati apo e një pale, kërkojnë kohë. Mirëpo me kë të flisje? Tha Fatmiri, “negociata me murin” dhe prandaj sot është për të vënë duart në kokë apo për të mbajtur barkun me dorë, zgjidhni e merrni ju që shikoni debate e që lexoni portale, sepse unë personalisht preferoj kur kam kohë për televizor, lajmet ndërkombëtare, ndeshjet e sportit, filma; që vihet në diskutim e nuk po flas për ata që ishin gjatë gjithë kohës e janë dhe sot e gjithë ditën pengesë e vendosur, por flas për njerëz që përpiqen të jenë seriozë e flasin çudira edhe për këtë projekt që folëm sot përsëri, sepse është në projekt themelor për Shqipërinë e 2030 dhe unë nuk dua t’i kushtoj sekonda atyre që thonë duan të vënë në kontroll SPAK, janë trembur nga SPAK, duan të sabotojnë SPAK, se këto janë broçkulla që ma ha mendja as në skeçet e estradave komuniste nuk do pranoheshin për humor se janë shumë të trasha, por atyre që në një farë mënyre e mendojnë seriozisht dhe thonë, po mirë, pse u kujtua Edi Rama, 11 vjet për të luftuar korrupsionin, c’punë ka Parlamenti me sistemin e drejtësisë, u them hapeni, përpiquni ta lexoni, është shumë i gjatë, shumë voluminoz raporti i skanimit të thelluar të Bashkimit Europian dhe aty janë faktet reale, janë faktet reale qoftë për sa është luftuar, qoftë për si është luftuar dhe qoftë për sa pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Europian që ne duhet ti plotësojmë deri në 2030 nëse duam të bëhemi anëtarë, janë për sistemin e drejtësisë, e dini sa janë? Janë më shumë se sa gjysma.

Atëherë, si mundet ne të mos marrim përsëri iniciativën, si mundet ne të mos krijojmë një kapacitet institucional që i mungon Shqipërisë dhe që i duhet pikërisht në këtë fazë, në parlament, një udhëkryq ku të gjitha rrugët e institucioneve bashkohen e ku të gjitha institucionet flasin, dëgjohen, ndërveprojnë koordinohen e Parlamenti i shqiptareve ua shpalos shqiptarëve. Ky është plani që duhet ta ndjekë çdo institucion.

Kush duhet t’ia thotë një pushteti të pavarur, apo një institucioni  në sistemin e drejtësisë, shiko se je mbrapa me procesin. Skuadra kombëtare e Shqipërisë që shkon në Bruksel ka një mori përfaqësuesish që vijnë nga të treja pushtetet. Ata janë ta pavarur këtu. Vetëm Parlamenti mund ta bëjë këtë gjë. Ndërkohë që unë di të them një gjë. Këtë di ta them me siguri.

Lufta antikorrupsion me denoncime të përditshme e me baltë të përnatshme, që na bëhet nga i ziu, nga i bardhi dhe nga gjithë cirku i tyre me klounë e arusha që turren tek bashkia e Tiranës si tek torta e pavarësisë dhe në vend të tortës kafshojnë murin, me minj që dalin nga vrima si tigra syshqyer, nga presioni që i bën në stomak kaçkavalli i mykur, apo me qime prapanicash, të më falë prapanica për shprehjen, që bëjnë si lajmëtarët e kiametit, nuk pi ujë me shqiptarët. Zero! Ne e kemi ndarë mendjen.

Lavdi zotit dhe popullit shqiptar, na u dha mundësia që mendjen e ndarë përpara se të kishim gjërat në dorë, të kishim në dorë që ta vinim në jetë dhe ti hynim detit në këmbë për të bërë atë që në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë. Nuk e ka pasur Shqipëria kurrë një sistem drejtësie që nga 1912 të pavarur nga pushteti politik dhe të aftë për të thirrur për shpjegim apo për të vënë nën hetime, apo për të ngritur akuza për personat lidhur me pushtetin politik. Nuk e ka pasur.

Kjo është ti hysh detit në këmbë. Kjo është ti shkosh me kokë, por jo si ata tek muret e bashkisë, por drejt të ardhmes me të gjithë fuqinë e dëshirës e të vullnetit për ta ndryshuar këtë vend realisht dhe të largosh duart, të largosh duart e pushtetit duke krijuar ti një grykë zjarri që mund të të godasë edhe ty. Ky është vullnet shtet bërës, kjo nuk është poezi, nuk është as artikull, nuk është as slogan. Ky është vullneti shtetbërës i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Ka një arsye, kthehuni në kohë, që nga dita e lindjes së Partisë Socialiste këtu në këtë sallë e deri më sot dhe më tregoni një moment përtej të gjitha luhatjeve, gabimeve, dështimeve, çfarë të doni, kur Partia Socialiste ka mbajtur anën e gabuar në raport me interesin kombëtar. Një!

E po ju sjell vetëm shembullin kur tjetër kush ulërinte e i binte daulles së patriotizmit për Kosovën, por ja që na doli Partia Socialiste që mbështeti me të gjitha mjetet pavarësinë e Kosovës dhe është shumë e thjeshtë. Ne jemi këtu për të bërë ligjet një herë. Ne jemi këtu për të qeverisur sa më mirë. Ne jemi këtu për të bërë punë të mira. Ne jemi këtu për të qeverisur sa më mirë. Ne nuk jemi këtu për tu ruajtur nga hija e nga hijet. Kush ka fakte e prova për korrupsion, ka një adresë; tek SPAK. Edhe pse ia qaj hallin SPAK-ut se është bërë si ato kutitë postare të letrave anonime, është turrur gjithë mileti e bëjnë denoncime, por kjo është temë tjetër. Kush ka këtu në këtë parti llogari për të dhënë, për korrupsion, e ka adresën tek SPAK-u. Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe e thërrasin në atë adresë për të dhënë shpjegime, të shkojë, të japë shpjegime e të vazhdojë punën. Duhet të mësohemi dhe me këtë.

Do mësohen dhe ata që rrinë atje me kamera sikur po vijnë miss-et e po parakalojnë e do kuptohet që kjo është pjesë e sistemit. Të thirresh, të japësh shpjegime. Të tjerat, thoshte i bekuar at Gjergj Fishta, janë dokrra hini dhe shqiptarët Dokrrat e hinit i kanë qejf për muhabet por nuk i hanë për fruta të thata dhe lavdi Zotit dhe lavdi shqiptarëve që janë angazhuar në këtë parti apo që e mbështesin këtë parti, ne nuk jemi dhe as një dhe dy, s’jemi as 1000 e 2000, jemi 800 mijë njerëz.

800 mijë njerëz që duan ta bëjnë Shqipërinë, duan të bëhet Shqipëria plus dhe ata që tani do të votojnë nga emigracioni, ne duhet të synojmë 1 milionë. Kështu që, kush rri e numëron; ish ministri, e thirrën e bën, sikur numëron dëshmor edhe sikur po na mbyll rrugët se s’po kemi të tjerë, s’po kemi forca se na iku njeri, na ikën dy, na ikën tre. Unë them të shkojnë të bëjnë derman për syrin tek një hoxhë apo tek një prift se ne nuk i bëjmë dot derman, të shkojnë atje. E kanë bërë këtë punën e emrave, e keni parë nxjerrin lista siç kanë qenë dikur yjet e pashuar, dikur bëhej dhe një kronikë në radio në mos gaboj “Yje të pashuar” gjysmë ore dëgjoje pushkët, para partizan, në fund fare vritej njëri, binte dëshmor edhe këta yje të pa shuar çdo natë. Merreni, merreni. Ne jemi 800 mijë! Dhe kjo nuk është lojë, kjo është një ndarje e madhe e një shapi të vjetër nga sheqeri kur thotë populli dhe kush e ka kujtuar se kjo është një dava ‘hajde se do kapen ca njerëz, do bëhet një lloj loje, pastaj do vihet kapaku, nuk ka idenë fare se çfarë është kjo, nuk e ka idenë, nuk e ka idenë fare se kjo është lufta më e madhe për shtetin e shqiptarëve. Më e madhja që për herë të parë mund ti thotë shqiptari vetes: që unë kam shtet kur është përfundimisht e qartë që ligji është i barabartë me të gjithë, je ministër, s’je ministër, je andej s’je këtej, ke qenë s’ke qenë, i ke futur duart nëpër xhepa këtij populli do shkosh të japësh llogari për xhepat. Nuk ka asnjë rëndësi fare si c ‘është kur thonë: paraja s’ka ngjyrë epo dhe hajduti nuk ka ngjyrë. Njësoj janë. Prandaj atyre të shumtëve që na duan të mirën dua t’ju them se ne jemi këtu të bëjmë të pamundurën çdo ditë që ta bëjmë këtë vend krenarinë e çdo shqiptari jo vetëm për bukuritë, historitë, për trashëgiminë kulturore, për malet dhe për detet por edhe për shtëpinë e përbashkët të shtetit shqiptar. Ndërkohë që kujt na do të keqen, i them vetëm kaq: i kanë hapur vetes një punë shumë të sikletshme sepse që të na duash ne të keqen duhet të na dalësh përpara. Kur të na dalësh përpara duhet të llogarisësh që je i mundur, i mundur!

Edhe i mundur jo me dhunë dhe me shembullin e forcës, por me forcën e shembullit dhe me panumërsinë e provave dhe fakteve që këtë vend o e bën PS o se bën askush tjetër dhe që patjetër ne e dimë vet që s’jemi më të mirët por më të mirë se Partia Socialiste këtu në këtë vend harroje se gjen. Harroje se gjen!

Tani në mbyllje, dua t’ju informoj se do i propozoj grupit parlamentar që në një seancë te menjëhershme dhe të posaçme të Kuvendit të Shqipërisë t’i japim të gjithë mbështetjen tonë Elisa Spiropalit për të marrë drejtimin e Parlamentit.

Po ashtu do propozoj një Bledi Çuçi të marrë detyrën e nën kryetarit të Parlamentit ndërsa Niko Peleshi drejtimin e grupit parlamentar socialist.

Ndërkohë sot menjëherë pas këtij takimi do ti dorëzoj Presidentit të Republikës propozimet për disa ndryshime në qeveri si më poshtë:

Ministër Shteti për marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla.

Ministër i Brendshëm Ervin Hoxha,

Ministër i Financave Petrit Malaj,

Ministër i mbrojtjes Pirro Vëngu

Shumë faleminderit të gjithëve dhe tani keni kohën e pushimit dhe të votimit.

Faleminderit!

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 29/07/2024 16:55

    Ekselent,me i besueshem dhe i kopsitur(deri ne detaje ) se cdo here tjeter. Mirenjohje Kryeministri Rama.

    Përgjigju
  • Bejleri: 28/07/2024 17:55

    Papagallos

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Jokic mposht 'i vetëm' Pelicans, triumfojnë edhe Indiana e Houston

NBA/ Jokic mposht 'i vetëm' Pelicans, triumfojnë edhe Indiana e Houston