Të dashur bashkëqytetarë,
Uroj një të diel të qetë, pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku Partia Demokratike doli nga prapavija, mu në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik e në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe të gjitha burimet e kësaj flame antidemokratike.
Jini të sigurt, se edhe këtë flamë fatkeqësie jonatyrore, do ta shuajmë me patjetër.
Nga një anë, me durim e vendosmëri përballë dhunuesve, të cilët nuk kanë asnjë shans t'i diktojnë Shqipërisë sallatën e prishur të një matufi që e ka katandisur PD-në në një maskë dhune, të ekstremistëve të Antifas që glorifikojnë dhunën kudo në Europë dhe të duarve të huaja që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian e që nxisin maskat që pretendojnë se përfaqësojnë studentët, por që në fakt, më shumë se sa studentë, përfaqësojnë edhe vetë krimin e organizuar.
Dhe nga ana tjetër, me adresim të kërkesës legjitime të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët me plotë të drejtë presin më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë dhe më shumë garanci në shkallën e meritës në punë.
Projekt-Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë në ditët e para të javës, vjen me plot risi pozitive në drejtim të pikërisht familjeve të zakonshme, të shërbimeve për qytetarët e të të rinjve dhe studentëve po ashtu.
Në ndërkohë, pas një pune intensive në bashkëpunim me ekspertë europiane, si edhe në koordinim të ngushtë me partnerët italianë e francezë, duke u mbështetur në modelin e adaptuar së fundmi prej tyre përballë të njëjtës flamë antidemokratike, bazuar gjithashtu në jurisprudencën e Gjykatës Europiane, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane.
Kjo paketë ligjore ka një bazë parimore shumë të qartë: Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari.
Çdo masë e propozuar është përputhur me nenin 47 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, Udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor.
Përgjegjësia është gjithmonë vetjake, masat e mundshme kufizuese janë të përkohshme e të arsyetuara, çdo kufizim i rëndësishëm është i kontrollueshëm nga gjykata.
Paketa përbëhet nga 6 instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin.
Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël, një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve, disa ndryshime në ligjin “Për tubimet”, një Regjistër Elektronik i Posaçëm për dhunuesit urbanë, një ndryshim në Kodin e Etikës së mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Instrumenti i parë: Akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershme të biznesit të vogël.
Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri.
Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjëlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë - në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140 mijë euro.
Kështu bizneset të cilat i kanë depozituar tanimë aplikimet e tyre, bashkëngjitur dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nuk do të presin me vite proceset gjyqësore për dëmshpërblimin e tyre.
Nga ana tjetër ata që u përfshinë në këto akte ku thyen, shkatërruan, dogjën dhe dëmtuan bizneset, e për të cilët gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, do të paguajnë secili pjesën e vet të gjobës për dëmet e shkaktuara.
Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia për mbulimin e pjesës së dëmit kalon te prindërit.
Instrumenti i dytë: Ligj i ri sipas modelit francez “Kush thyen, paguan”.
Nëse akti normativ adreson dëmet e të kaluarës së afërt, ligji i ri që kemi hartuar për “riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve” krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë, “kush shkakton dëm, e paguan”, ku barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot. Ligji zbatohet për të gjitha tubimet në vende publike, të njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive, ku vijnë si pasojë dëme materiale mbi pronën,
Natyrisht dhe pa asnjë dyshim, askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre.
Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lind vetëm nga sjellja vetjake e personit, dhe ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes, por nga ana tjetër, çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimeve të policisë, do të përgjigjet financiarisht.
Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr e po thyhet e shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme dhe gjoba do të shkojë deri në 500 000 lekë të reja.
Përjashtohen sigurisht nga ky rregull, gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë, kalimtarët e rastësishëm.
Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në një protestë të dhunshme, gjobën do ta paguajnë prindërit ose kujdestari, sipas parashikimeve ligjore të Kodit Civil dhe kjo gjobë është titull ekzekutiv që hyn në fuqi menjëherë.
Instrumenti i tretë: Ndryshimet në ligjin “Për tubimet”
Ligji “Për tubimet” është i vitit 2001 dhe nuk parashikon asgjë për mjetet e teknologjisë digjitale që sot janë bërë një komponent themelor i protestave.
Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vendet publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese ndaj fenomenit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe mundësi sanksionesh, të cilat aktualisht janë simbolike krahasimisht me masat që sot vendet e tjera europiane kanë marrë dhe po marrin në përgjigje të këtij realiteti të ri dhune e anarkie urbane.
Konkretisht: Perimetra sigurie rreth objekteve të ndjeshme.
Kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore.
Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale.
Kur identifikon një thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mospërsëritjen e tij, duke i ofruar edhe mbështetje psikologjike kur ka nevojë.
Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia vepron sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë ndjekjen penale mbi bazën e figurave të veprave penale ekzistuese por edhe atyre të cilat janë propozuar në Kodin Penal sipas normave të reja europiane.
Identifikimi i personave të maskuar.
Sot, bazuar në ligjin ekzistues, fshehja e identitetit të individëve në protestë është e ndaluar, por ne do ta përfshijmë këtë ndalim në Kodin Penal, si vepër penale identike me atë të 27 vendeve europiane, duke ndjekur modelin francez.
Sanksione të parashikuara.
Nuk ndodh në asnjë vend demokratik të Bashkimit Europian, që një grup njerëzish apo një turmë e caktuar të ushtrojnë arbitrarisht lirinë e protestës, duke u mohuar të tjerëve lirinë e lëvizjes në qytet dhe duke u penguar punën, shkollën, planin e tyre të ditës.
Pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj thirrjeve për largim do të gjobiten nga 10 000 deri në 100 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës; mosbindja ndaj urdhërit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit do të gjobiten deri në 500 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Ndërsa bllokimi i qarkullimit do të gjobitet me 5 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës.
Së katërti: Regjistri i Posaçëm Elektronik
Me vendim të Këshillit të Ministrave krijohet Regjistri i Posaçëm Elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.
Regjistri administrohet nga Policia e Shtetit dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre personave.
Mbi bazën e këtij regjistri, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ushtrojë për çdo dhunues të drejtën që i jep ligji nr. 39/2025 “Për kontrollin e kufirit shtetëror” për t’u refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg për këto vepra.
Vendimi parashikon edhe njoftimin e autoriteteve të huaja të vendeve ku udhëton personi, si dhe të strukturave akomoduese vendase dhe të huaja, për rrezikshmërinë që ai paraqet për sigurinë dhe rendin publik, përfshirë dhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren.
Të jetë i bindur çdo dhunues, qoftë me banim në Tiranë dhe qoftë si ata me bluza të bardha e me maska që kishin ardhur dje nga Spanja, si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë dhe që tregonin muskujt në rrugën e Ministrisë së Arsimit se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë, pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë këtu në Tiranë.
Së pesti: Kodi i Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar
Shkolla duhet të mbetet hapësirë e sigurt për fëmijët dhe nëpërmjet Kodit të Etikës parashikohet se asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t'i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime të çfarëdo natyre, në kundërshtim me interesin e tyre e me pritshmërinë e prindërve.
Mësuesit do të pezullohen ose largohen nga detyra kur shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror, profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës.
Masa natyrisht nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur dhe për të protestuar vetë. Ajo ndalon vetëm përdorimin e marrëdhënies mësues–nxënës për t’i marrë fëmijët pas vetes për motive të të rriturve.
Së gjashti: Ndryshimet në Kodin Penal
Ndryshimet në Kodin Penal ndjekin praktikat më të mira të vendeve të BE-së, posacërisht të Francës dhe Italisë dhe mbështeten në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Këto dispozita ndëshkojnë dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen, qoftë fizikisht në ambiente publike, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale. Ato e përjashtojnë shprehimisht nga ndëshkimi protestën paqësore, kritikën politike, satirën dhe gazetarinë.
Dhuna gjatë tubimeve.
Qëndrimi mes dhunës pas paralajmërimeve ndëshkohet penalisht vetëm kush vazhdon të qëndrojë në tubim pas paralajmërimeve të policisë, duke ditur që po ushtrohet dhunë ose po dëmtohet prona. Ndëshkohet edhe organizimi i tubimit të ndaluar me vendim të ligjshëm. Kush kapet me armë ose sende të tjera të rrezikshme dënohet deri në 2 vjet burg.
Mbajtja e maskës për të dhunuar. Fshehja e fytyrës ndëshkohet penalisht vetëm kur në tubim ka dhunë ose rrezik konkret dhune, me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Nuk ndëshkohet kush e mbulon fytyrën për arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, dhe as kush e zbulon sapo dëgjon urdhërin e policisë.
Shkatërrimi i pronës gjatë tubimeve dënohet më rëndë se sa aktualisht dhe deri në dyfish kur prek shkolla, institucione, shërbime publike ose monumente kulture.
Dhuna me fytyrë të fshehur ka një dënim për goditjen e policëve dhe të qytetarëve që rritet deri në një të tretën kur autori është i maskuar.
Nxitja për dhunë, edhe në rrjetet sociale. Kjo është një vepër e re penale, ndëshkohet kush thërret publikisht, edhe në rrjetet sociale, për dhunë, plaçkitje ose shkatërrim gjatë një tubimi, kur thirrja krijon rrezik real dhe të afërt.
Dënim më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve, ose kur pas saj ndodh dhuna.
Thirrja për protestë, kritika politike dhe gazetaria nuk ndëshkohen kurrësesi
Mbrojtja e çdo qytetari nga kanosja dhe përndjekja, edhe online. Kanosja online ose publike dënohet si një vepër më e gjerë. Sot Kodi Penal e dënon kanosjen online vetëm kur ka motive etnike, racore ose fetare.
Përndjekja online dhe “e drejta për normalitet” çojnë në krijimin e veprës për mesazhe kërcënuese të vazhdueshme dhe monitorimin e vendndodhjes së dikujt, si dhe ndjekja ose filmimi përndjekës i një personi pranë shtëpisë, në punë ose në jetën e përditshme, kur e detyrojnë atë të ndryshojë mënyrën e jetesës.
Publikimi i adresës për ta vënë dikë në rrezik ndëshkohet gjithashtu. Kush publikon të dhëna që nxisin ose lejojnë gjetjen e një personi ose të familjes së tij për ta ekspozuar ndaj sulmeve bëhet subjekt i ligjit.
Videot e falsifikuara me inteligjencë artificiale dhe shpërndarja e tyre pa pëlqim me foto ose zë të falsifikuar të një personi, kur mashtrojnë publikun dhe i shkaktojnë dëm personit bëhet vepër penale.
Satira dhe parodia e shënuar si e tillë nuk ndëshkohen.
Mbrojtja e deputetëve, funksionarëve e personave publikë. Kanosja ndaj funksionarëve dhe familjeve të tyre. Kanosja ndaj personave publik dhe familjeve të tyre, janë vepra penale. Ata mbrohen nga kanosja edhe online, duke përcaktuar një dënim më të ashpër.
Shantazhi dhe presioni për të ndikuar në vendime, çon në ndëshkimin e kush kanos, dhunon ose shantazhon personalisht një deputet për ta detyruar të votojë në një mënyrë apo një funksionar publik për të marrë ose për të mos marrë një vendim apo një person publik për të bërë apo më bërë diçka.
Kritika, protesta, peticionet nuk hyjnë këtu dhe nuk ndëshkohen.
Mbrojtja e fëmijëve. Rrezikimi i fëmijës nga pakujdesia, përgjigjet prindi, kujdestari, mësuesi ose edukatorja që e lë fëmijën nën 14 vjeç pa mbikëqyrje në rrezik real për jetën ose shëndetin. Dënimi shkallëzohet sipas pasojës, deri në 10 vjet kur fëmija humb jetën, larg qoftë. Gjykata mund ta zbusë dënimin kur prindi ka humbur vetë fëmijën.
Të dashur miq,
Kjo paketë nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe kur i thonë fjalës. Nuk ka asnjë pikë apo nen të saj që bie ndesh me lirinë e me të drejtat e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Përkundrazi, kjo paketë ka në frymën e në gërmën e saj një të vërtetë shumë të thjeshtë:
Liria e secilit mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve dhe të drejtat e gjithkujt, ndalen aty ku cënohen të drejtat e të tjerëve.
Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim nga detyra jo sot, po dje, është në lirinë e të drejtën e tij që ta mendojë, ta thotë, ta propagandojë e ta kthejë në protestë këtë kërkesë të tij.
Deri këtu është detyra ime dhe e qeverisë që të garantojmë se protesta e kujtdo që do një qeveri tjetër dhe një kryeministër tjetër të zhvillohet pa asnjë trysni.
Ende më shumë se kaq, unë jam i gatshëm të ulem e të dëgjoj këdo që do të ma shprehë kundërshtinë e tij ballë për ballë, e të më parashtrojë kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh. Sepse unë besoj se kush kërkon dorëheqjen time, gabon duke menduar se mund të imponohet me dhunë apo me çfarëdo forme tjetër, por nuk mendoj se ka gabim çdo gjë që thotë e që kërkon.
Por përtej këtij kufiri, unë kam detyrë të mbroj vendin dhe njerëzit nga çdo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë mbrapa, ndërsa shteti ka për detyrë t'i tregojë vendin çdokujt që ngre dorën kundër pronës publike e private, që kërcënon rendin dhe sigurinë publike.
Kjo është përgjigja jonë ligjore e institucionale ndaj dhunës e anarkisë urbane të ushqyer këto ditë nga gjithëfarë duarsh të mbrapshta dhe të ushtruar nga një turmë dhunuesish, të cilët tanimë mund ta shohë tërë Shqipëria se kush i sjell në qendër të Tiranës, duke i nxitur, paguar, orkestruar jo për një Shqipëri më të mirë, po për ta kthyer përsëri mbrapsht Shqipërinë, nga rruga e amanetit historik dhe kur, tamam kur jemi më pranë se kurrë pikëmbërritjes dhe kur flamuri i Skënderbeut e Ismail Qemalit është ngjitur më lart se asnjëherë.
Por këtë herë nuk do t'ia dalin sepse ai që thyen, djeg, shkatërron qendrën e Tiranës e përmes ekraneve të korruptuara terrorizon Shqipërinë, nuk është populli shqiptar, nuk është as shumica e as pakica e popullit të Shqipërisë, kjo e fundit mund të jetë kundër qeverisë po s'është kurrë pro dhunës e shkatërrimit.
Për shumicën që më ka dhënë mandatin të udhëheq Shqipërinë, e për pakicën që nuk më ka votuar, por që njësoj si shumica pret më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë, do të flas në ditët e para të javës me risitë pozitive të projekt-buxhetit 2027, sapo ta kalojmë në qeveri, që të jetë e qartë për të gjithë se nuk do të jenë thjesht fjalë apo zotime, po vendime konkrete ato që do të ndaj me ju.
Durim dhe kurajo, duhet ta kalonim edhe këtë me sa duket, sepse jo të gjithë e duan suksesin, paqen dhe sigurinë e Shqipërisë. Është përpjekja e tyre e fundit, përpara se sa ne të vulosim faqen e fundit të historisë së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zhurmën e kanë të madhe, shanset i kanë zero.
Faleminderit dhe mos e harroni asnjëherë, më keni votuar ose jo, unë nuk e kam tradhtuar misionin për të cilin më ka dhënë besën shumica e Shqipërisë dhe e shqiptarëve dhe nuk do ta tradhtoj kurrë besimin e asnjë shqiptari që e do Shqipërinë më të mirë e që e do flamurin e Ismail Qemalit dhe të Skënderbeut në rradhë me flamujt e tjerë të shteteve të Bashkimit Europian.






Komente
Komento