Fjala e Rames në tryezën per sistemin banka

I nderuar z. Guvernator,
Të nderuar drejtues të bankave dhe përfaqësues të institucioneve financiare!
Ju jam shumë mirënjohës për këtë ftesë, dhe do të isha plotësisht i lumtur nëse këtu nuk do të vija re një mungesë të rëndësishme, që është mungesa e kryetarëve të gjykatave. Sepse, besoj, që nëse ka një shembull kuptimplotë për faktin se si një drejtësi e korruptuar mund të pengojë ekonominë dhe zhvillimin ekonomik. Këtë shembull na e jep sjellja arbitrare e gjykatave dhe gjykatësve të korruptuar, në raport me ekzekutimin e kolateraleve.
Jemi të vetëdijshëm, që puna e bërë për uljen e kredive të këqija nga ai nivel, prag katastrofik prej 25%, në një nivel gjithsesi ende shumë të lartë prej 20% ka një limit. Këtë limit, nuk mund ta kapërcejnë as vullneti i bankave për të dhënë më shumë kredi në kushtet e një gjendjeje shumë të shëndetshme, dhe as vullneti e politikat e qeverisë për të stimuluar kreditimin, pasi ky limit përcaktohet nga korrupsioni në drejtësi.

Ne e kemi marrë me shumë shqetësim qysh në ditën e parë çështjen e kredive të këqija, si shprehje kuptimplotë e një ekonomie në krizë po mbi të gjitha e një gjendjeje financiare tejet kaotike. Rivendosja e disiplinës fiskale ishte domosdoshmëria numër një, për të ulur në radhë të parë perceptimin e rrezikut për ekonominë shqiptare, dhe në terma më praktikw për të krijuar hapësirë më të madhe, që fondet që ju administroni të orientohen drejt sektorit privat. Kësaj i ka shërbyer edhe rritja e financimit me burime të jashtme të borxhit të brendshëm.

Ne jemi shumë krenarë, sepse kemi vendosur një standard etik, në marrëdhëniet mes qeverisë dhe individëve apo kompanive në kontratë me qeverinë, duke i shlyer detyrimet e prapambetura për punë apo shërbime të kryera nga sektori privat, të cilat mbetën të papaguara duke na trashëguar një mal borxhesh, që ishte një kërcënim serioz për ecurinë e mëtejshme të ekonomisë.
Edhe operacioni rrënjësor që kemi nisur kundër evazionit dhe informalitetit, për të krijuar kushte optimale për sipërmarrjen që lind dhe rritet brenda kuadrit ligjor dhe për të stimuluar maksimalisht konkurrencën në treg me mjete të përcaktuara ligjërisht i shërben, po këtij qëllimi. Po këtij qëllimi i shërbeu edhe operacioni i mëparshëm për vendosjen në binarët e ecurisë normale të sektorit të energjisë dhe posaçërisht kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Por, tani jemi në një fazë kyçe, ku kemi nevojë për një rritje të konsiderueshme të kreditimit dhe ku e konsiderojmë realisht një moment strategjikisht shumë të rëndësishëm për të ardhmen e afërt të ekonomisë, çlirimin e bankave nga kthetrat e korrupsionit të sistemit të drejtësisë.

Faktikisht, besoj që plani i propozuar nga guvernatori dhe i diskutuar dhe i dakordësuar me qeverinë në këtë drejtim do të japë rezultatet e para, por jo të mjaftueshme, përsëri. Sepse do ta përsëris pa u lodhur deri në fund të fjalës time dhe ndjesë nëse do bëhem i mërzitshëm, edhe kjo ka një limit dhe, përsëri zhbllokimi përfundimtar i kanalit të drejtësisë për t’i mundësuar të gjitha bankave ekzekutimin e kolateraleve është hapja e një perspektive tërësisht tjetër për kreditimin, në këndvështrimin tim.
Realizimi i objektivave për të përmirësuar situatën financiare na jep shumë kurajë për ta parë me shumë më tepër ambicie të ardhmen e afërt. Sot, situata financiare ka një përmirësim të jashtëzakonshëm, krahasuar me momentin e parë të betejës për të vënë rregull në librat e llogarive.  Po ashtu, përveç atyre që përmenda edhe reforma e sistemit të pensioneve, edhe politikat nxitëse për sipërmarrjen në disa sektorë që ne i konsiderojmë strategjikë që nga turizmi tek bujqësia, tek manifaktura edhe përshpejtimi shumë i ndjeshëm në sasi dhe në cilësi i procesit të legalizimit, edhe reforma territoriale që do të sjellë një ulje të rëndësishme kostosh për biznesin, duke krijuar hapësira të reja për zhvillim, shkojnë në drejtim të synimit të përbashkët për të zgjeruar “mushkwritw” e ekonomisë.

Veprimtaria bankare është fitimprurëse këtë e dimë, por ajo bazohet kryesisht në një marrëdhënie besimi dhe prishja e kësaj marrëdhënie, e cila në masën e vet më të madhe është vepër e gjykatësve të korruptuar të këtij vendi, ka një kosto marramendëse, më shumë se askund tjetër ndoshta. Nëse kostoja e një vendimi gjyqësor të korruptuar mbi një individ ka një kosto të tmerrshme për individin, vendimet e korruptuara të gjykatave në këtë drejtim kanë një kosto të tmerrshme për gjithë shoqërinë, kanë një kosto të tmerrshme për të gjithë komunitetet, kanë një kosto të tmerrshme për ekonominë kombëtare, dhe krijojnë një segmentim dramatik të gjithë procesit të ndërmjetësimit financiar, duke rritur kosto shtesë, përveç kostos së madhe që bankat mund ta ndiejnë më pak në rast se frenohen në dhënien e kredive, por ekonomia dhe shoqëria e ndiejnë shumë më tepër.

Ju e keni përsëritur këtë me të drejtë dhe ne kemi bërë sa kemi mundur. Do të bëjmë ende më shumë sepse janë krijuar kushtet për të bërë ende më shumë për të rritur cilësinë e sundimit të ligjit. Edhe plani i veprimeve të institucioneve shtetërore, që e përmenda pak më parë nisur nga një iniciativë në kohë dhe kurajoze e guvernatorit, për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ për administrimin e kredive me probleme shkon në këtë drejtim.

Së afërmi, ne do të çojmë në Kuvend ligjin për falimentin, do të përgatisim disa ndryshime në kodin e procedurës civile edhe ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, do të saktësojmë disa përkufizime në ligjin për barrat siguruese, dhe me radhë. Në këtë proces ne kemi domosdoshmëri ndërveprimi me ju, kemi domosdoshmëri kontributin e secilit prej jush bazuar qoftë në eksperiencat e hidhura me të cilat ju jeni ndeshur, qoftë në eksperiencat e suksesshme të vendeve të rajonit apo të vendeve të tjera të Europës. Synimi është t’i japim procesit të zgjidhjes së detyrimit mes kredimarrësit, debitorit edhe bankës më shumë parashikueshmëri dhe më shumë konsistencë, duke bërë çmos që të vijmë sa më pranë standardeve ndërkombëtare.
Unë ju siguroj që qeveria do ta ndjekë me të njëjtin vullnet që tanimë të gjithë e dinë, edhe ata që e pranojnë edhe ata që s’e pranojnë, këtë proces, si të gjitha proceset ku jemi angazhuar me jo pak sukses.

Së fundmi, ne jemi të bindur që këto reforma dhe të tjera do të mbështesin një rritje më të shpejt ekonomike në vend, por jemi absolutisht të sigurt që nëse zgjidhim këtë nyje, që do ta quaja pa frikë, gordiane, të krijuar mes bankave dhe sistemit të korruptuar të drejtësisë, asgjë nuk na ndalon të synojmë një rritje ekonomike ende më të lartë se sa ajo që parashikojmë. Këtë vit, pavarësisht çfarë thotë njëri apo tjetri, besoj që kemi të gjitha arsyet që të presim një rritje ekonomike sipas parashikimeve. Tremujori i parë ishte mjaft domethënës dhe inkurajues në këtë drejtim, me një 2.88 % që na jep një bazë të arsyeshme për të pritur rezultate konsistente edhe në tremujorët e tjerë. Por, e përsëris 2.8, 2.9, 3% apo rreth këtyre shifrave nuk është mjaft për ekonominë tonë, nuk është mjaft për ambiciet, por edhe për potencialin tonw. Kemi ambicie për më shumë edhe potencial për më shumë, jemi të bindur për këtë, për vetë kushtet dhe mundësitë që ka vendi ynë. E këtu e shikojmë si një potencial ende të pashfrytëzuar ashtu siç duhet potencialin e pjesëmarrjes suaj në këtë proces rritje.

Sigurisht që me dy vjet më parë nuk ka asnjë krahasim. Ishim në kushtet kur rrotulloheshim rreth 0%, por nevojat e ekonomisë tonë, e vendit tonë janë të tilla që nuk na japin mundësinë të buzëqeshim të kënaqur edhe me këto shifra.

Duke ju shprehur të gjithë solidaritetin, lidhur me çështjen e pa zgjidhur ende, çështjen e hapur që ju keni me sistemin e drejtësisë dhe duke ju siguruar që ne jemi shumë të vendosur të bëjmë një reformë në drejtësi që për herë të parë në këto 20 e ca vjet, të shkojw përtej letrave, të shkojw përtej ligjeve të shkruara bukur dhe të miratuara, për të futur thikën në palcën e organizmit të korruptuar dhe të kalbur të drejtësisë tonë. Të jeni të bindur se do ta bëjmë me vullnetin më të hekurt dhe me bindjen absolute se pa këtë, privojmë Shqipërinë, privojmë ekonominë, privojmë shoqërinë nga mundësi të jashtëzakonshme, të cilat janë të gjitha këtu dhe janë të gjitha në dorën tonë, por dora jonë, dora e të gjithë atyre që kontribuojnë nga pozicionet e tyre në ekonominë shqiptare, është e penguar, është e kapur nga kthetrat e një drejtësie të korruptuar. Ky është shembulli më ulëritës i faktit se çdo të thotë të funksionojë ekonomia në një vend, ku nuk funksionon drejtësia.

Prandaj, me shumë interes do të ndjekim të gjitha komentet, sugjerimet, kontributet tuaja. Bashkërisht jam i bindur që do t’ia dalim që kreditë e këqija t’i ulim shumë më tepër dhe më në fund atyre që janë mësuar të marrin para nga bankat dhe pastaj t’i bllokojnë ekzekutimin bankave të kolateraleve të tyre, duke paguar me paratë e bankave gjykatësit, t’i vëmë përfundimisht një kufi pamundësie. Besoj që edhe ju jeni të qartë se gjykatësit që ju pengojnë, paguhen me paratë që jepni ju, janë pjesë e kredive, pra kreditoni edhe gjykatësit nëpërmjet këtyre që nuk iu përgjigjen për detyrimet që kanë. Kjo është një arsye e dyfishtë që ju të jeni relativisht të hidhëruar, sepse bankierë të hidhëruar plotësisht nuk ekzistojnë.

Kur një komb mund të jetë në kulmin e hidhërimit të vet, të vetmit që njërin cep të buzës e kanë gjithmonë të qeshur janë bankierët, sepse ju përfitoni si nga zhvillimi, si nga moszhvillimi. Po secili me të vetat.  Ju keni bërë zgjedhjen tuaj. Unë nuk ju kam zili, po ju pranojmë kështu siç jeni.
Shumë faleminderit!

Të gatshëm për të vazhduar këtë komunikim me qëllim që ta zgjidhim këtë çështje!

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër