Fjala në seancë plenare e Ministrit të Drejtësisë,Ylli Manjani 

E kërkova fjalën për të sqaruar edhe një herë objektin e projektligjit të cilin kemi iniciuar sot në parlament, sigurisht për të dhënë sqarimet e nevojshme për disa shqetësime që u ngritën edhe këtu në lidhje me shërbimin në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Të nderuar deputetë,

Ne sot jemi dëshmitarë të disa fenomeneve që ndodhin në këtë zyrë dhe që kanë ndodhur në vite dhe që po përpiqemi të rregullojmë. Ky projektligj ka tentuar të zgjidhë tre probleme.

Problemi i parë është të mbyllë një herë e mirë çështjen e shitjes së apartamenteve apo të pronave në ndërtim e sipër më shumë se sa një herë. Dhe ky është një fenomen mashtrimi që ekziston sot në qarkullimin civil. Nganjëherë është lehtësisht i provueshëm në ndjekjen penale, por pavarësisht situatës me ndjekjen penale ose jo të mashtrimit, qytetarët shqiptarë janë të pa mbrojtur. Pra, një firmë ndërtimi sot mund ta shesë teorikisht apartamentin apo pronën në ndërtim më shumë se sa një herë deri në çastin kur ajo regjistron pronën.

Këtë fenomen duam ta mbyllim dhe ky është qëllimi numër një që ne këtë ligj e kemi propozuar sot. Kemi fiksuar qartësisht detyrimin që leja e ndërtimit sapo të jepet nga bashkia, regjistrohet menjëherë nga zyra vendore e regjistrimit të pasurisë, dhe çdo transaksion që do të bëhet në vijim, do të duhet të jetë i deklaruar në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për ta mbrojtur blerësin e kësaj prone që në proces. Ky është qëllimi numër një.

Nga kjo pikëpamje, dua të shfrytëzoj këtë mundësi për t’i bërë thirrje çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë që kërkon të blejë një pronë dhe që do ta bëjë në mënyrën më të mbrojtur të mundshme, të bëjë kontratën e sipërmarrjes, porosisë apo premtimit të shitjes, vetëm tek zyra e noterit dhe jo tek juristët e firmave sepse këtu ka lindur mashtrimi. Dhe tek zyra e noterit do të ketë garanci shtetërore që kjo kontratë është një dhe e vetme dhe s’ka për të pasur të dytë.

Qëllimi numër dy i këtij projektligji është të zgjidhim një problem të dytë që na ka ardhur nga marrëveshja, ose mosmarrëveshjet që lindin ndërmjet kredimarrësve dhe bankave kredidhënëse në çaste të caktuara. Ju e dini që në ligjin aktual është e pranuar regjistrimi i karabinasë të çdo objekti dhe me këtë regjistrim, kushdo ndërtues apo zhvillues prone mund të marrë kredi, por pyetja pa përgjigje që është sot është kjo: Çfarë ndodh kur kompania e ndërtimi falimenton?

Si zgjidhjet marrëveshja apo mosmarrëveshja mbi pronësisë e karabinasë në raport me kompaninë që ka marrë kredi me bankën?

Ky është qëllimi numër dy me të cilin ne i vijmë në ndihmë sigurisht edhe ndërtuesve, por më së pari bankave që i japim një siguri më shumë, që kredia e tyre do të jetë e shlyeshme duke i transferuar pronën e ndërtuesit në pronësi të bankës. Sigurisht është banka pastaj që i ndjek më tej procedurat e zhvillimit të pronës dhe të shitjes apo të tjetërsimit sipas rregullave të Kodit Civil. Natyrisht me ndërhyrjen e Komisionit të Ligjeve është bërë një saktësim i domosdoshëm për të siguruar që kontratat e lidhura deri në çastin e transferimit të karabinasë në bankë, të jetë e sigurtë që transferohet nga banka. Pra të tërë kontratat që janë lidhur, do jenë të vlefshme edhe në rastin kur ndryshon banka dhe e falënderoj Komisionin e Ligjeve për këtë saktësim që ka bërë.

E treta që të vijmë dhe tek çështja e shërbimit aktual, zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të nderuar deputetë, le t’i vëmë emra sa të duam. Mund t’i vëmë epitete sa të duam, por gjendet sot realisht para vështirësive serioze. Vështirësia numër një është kjo që po ju them. Mungon ende sot e kësaj dite një hartë unike dixhitale që të japë informacion adekuat për çdo të interesuar. Ky është problemi. Dhe prandaj kemi hyrë në një proces dixhitalizimi, jo për të përsëritur gabime të së shkuarës, por për të bërë një herë e mirë të mundur që në zyrën e regjistrimit të pasurive të kemi një hartë të besueshme nga të gjithë. Sepse sot, nga nënpunësit e hipotekës gjenden 5-6 leje , dhe është një hartë e vjetër, një hartë e kthimit të pronave, një hartë e 7501-t, një hartë nga ALUIZNI. Të gjitha këto mbivendosen njëra mbi tjetrën dhe për fat të keq, ZRPP ka vetëm një përgjigje për t’u dhenë qytetarëve që aplikojmë: Është mbivendosje dhe drejtohuni gjykatës. Dhe na shtohet edhe një leje tjetër që janë vendimet e gjykatave të cilat janë totalisht të disintegruara sepse veprojnë me harta parciale. Dhe sikur fotokopje t’i marrim të gjitha këto harta parciale, t’i vëmë njëra mbi tjetrën, është e sigurtë që krijohen mbivendosje. Kjo është situata ku jemi. Dhe prandaj kemi thënë që duam të bëjmë hartë dixhitale të verifikuar në terren dhe kemi pranuar me vendim qeverie se hartat që prodhon sot ALUIZNI është më e sakta, më e sigurta për shkak se verifikohet në terren, për shkak se ka fotografim ajror të bëra në vite. Kjo hartë merret dhe vektorizohet dhe i çohet ZRPP-së e cila përputh hartat e vjetra me realitetin. Ky është procesi që po bëjmë. Këtë e quajmë dixhitalizim. Dhe pas këtij procesi, e sigurtë është që do të kemi një hartë super të sigurtë dhe super të mbrojtur.  Ky është procesi. Sigurisht ndërkohë do të japim edhe shërbim sepse nuk mund ta mbyllim ZRPP-në dhe për ta bërë gjithë këtë proces, sigurisht që duhet financim.

Dhe kemi dy rrugë për të financuar këtë shërbim, ose do të marrim borxh ose do ta financojmë me burimet tona. Dhe kemi vendosur që ta financojmë me burimet tona, me “in house” siç kemi pasur projekte të ngjashme të suksesshme në rastin e  sigurimeve shoqërore,  dhe të përdorim të ardhurat e ZRPP-së për ta bërë këtë punë. Cila është logjika e përdorimit të të ardhurave të ZRPP-së?

Logjika është fare e thjeshtë, ligjore dhe universale e tarifës. Tarifë do të thotë të mbulojë kosto dhe pjesë e kostos është edhe përmirësimi i shërbimit. Dhe kjo është arsyeja që kemi propozuar një nen në këtë projektligj për të zgjidhur edhe qëllimin numër tre, të këtij sektori për të siguruar financimin e domosdoshëm për “in house project” të këtij sektori. Dhe nuk kemi ndërmend sigurisht as “out source”, as të kërkojmë burime shtesë, por të përdorim me efikasitet këto të ardhura që na krijohen nga tarifa, sigurisht sipas formulave ligjore,  pa krijuar as raste përjashtimore dhe as situata që nuk janë të këndshme.

Ky është qëllimi i këtij projektligji. Tani historitë e tjera, a ka korrupsion, a s’ka korrupsion, unë do të mohoja veten nëqoftëse dal këtu e them që s’ka korrupsion. Jo ka korrupsion për fat të keq. Po përpiqemi ta luftojmë. Po përpiqemi të marrim masa nga më ekstremet dhe përditë këtë punë bëjmë, por më besoni nuk është gjithmonë tek njeriu, se s’ka si të jetë tek njeriu, por është tek sistemi.

Dhe sistemi që do ta garantojë këtë është dixhitalizimi, një hartë unike për të gjithë dhe kjo do ta mbyllë këtë histori njëherë e mirë në historinë e shtetit shqiptar. Nuk është momenti për t’u krenuar kush ka bërë më shumë, kush ka bërë më pak. Të gjithë kemi bërë as sa kemi mundur. Tani jemi në këtë situatë që duhet të bëjmë realisht diçka për të qenë. Ky është qëllimi i këtij projektligji. Shumë faleminderit për vëmendjen.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, 47 vjeçari bie aksidentalisht nga ballkoni dhe humb jetën