Fjalë të bukura … dhe
dy fjalë artistëve të rinj

Fjalë të bukura … dhe<br />dy fjalë artistëve të rinj
Lexova intervistën e një artisti të ri, në fakt e botuar një vit më parë po e rishpërdarë këto ditë në facebook. Desha të shkruaj këto dy rradhë e t’u them dy fjalë artistëve të rinj, sepse më bënë përshtypje idetë e artistit për realitetin shqiptar që ai e quan të egër e të shkretë, për më tepër sepse nga komentet e tij kuptova se ai edhe sot mendon njësoj.

Ka kohë që dëgjohen ankime e thirrje se në Shqipëri nuk jetohet, se këtu është vetëm shkretëtirë dhe kaos, se arti dhe artistët nuk kanë vëmendjen e shtetit, se… . Fatkeqësisht fjalë të tilla më shpesh i dëgjon nga njerëz që ose jetojnë mirë këtu, ose kanë lënë Shqipërinë e jetojnë në vënde të tjera, ku pa dyshim kanë mësuar se nuk është e lehtë ‘të dalësh mbi ujë’.

Nuk shoh asgjë të gabuar të duash të jetosh në një vend, ku për demokracinë janë vrarë të tjerë, ku për të ndërtuar ligje të mbara kanë dalë në sheshe të tjerë, ku për të zhvilluar artin e kulturën talljet i kanë duruar të tjerët. Ajo që më habit është se sa të pakët janë ata që atje kanë nxjerrë mësime të vyera dhe i ndajnë ato me të tjerë.

Kur njeh jetën e artistëve të mëdhenj, mëson sa e vështirë ka qënë ajo, sa të privuar kanë qënë nga lehtësirat, nga dashamirësia, sa pak i kanë kuptuar sa ishin gjallë. Piktori Vincent Van Gog jetoi dhe vdiq i varfër e i papërfillur. Skulptori Kostandin Brënkushi e bëri në këmbë rrugën nga fshati i tij rumun deri në Paris, ku natyrisht nuk e priste ndonjë studio apo fama nëpër sallonet e artit, po buka me një gotë çaj cdo ditë për tre vjet. Impresionistët i tallën e i ironizuan, kur ekspozuan fillimisht veprat e tyre. Edhe vetë Matisi u zemërua kur pa ‘Zonjushat e Avinjonit’ të Pikasos, dhe i tha ‘mos do të na mbushësh mendjen se hahet shtupa me vajguri?’.
E kështu më rradhë, lista nuk ka fund.

Kjo rrugë e mundimshme drejt famës nuk është ndryshe në kohën tonë. Me politikat e tyre muzetë e mëdhenj synojnë artistët e rinj, pasi për veprat e tyre paguajnë pak. Ata nuk blejnë vepra të artistëve të mëdhenj, se prej tyre pritet që t’i dhurojnë veprat. Të paktën këtë kam mësuar në muzeumet e Francës apo nga menaxherët e Moma-s në Nju Jork. Askush, askund nuk të hap dyert, pa të provuar një kohë të gjatë, pa të provuar se ajo që ti bën ka një bazë të thellë njohjeje dhe pune dhe premton risi e fitime. Në fund të fundit, askush që ka paranë nuk e hedh atë pa menduar më parë si të shpenzojë sa më pak e të fitojë sa më shumë kur ble një vepër arti.

lumturi bloshmi
  Lumturi Blloshmi: Dekorata, vaj, 2003

Deri tani unë nuk kam dëgjuar për ndonjë artist të ri shqiptar të ketë vuajtur nga uria, apo të ketë privuar veten nga veshjet e dëfrimi, që të blejë materialet për të realizuar projektet e tij. (Në se njihni ndonjë, ju lutem ma thoni.) Po njoh Edi Hilën, i cili ka një jetë që punon e edhe pse tani është i vlerësuar edhe nga kritika e huaj, shteti ynë nuk ka financuar një katalog për veprën e tij. Njoh Gazmend Lekën, që gdhihet e ngryset në një studio modeste, ku ka krijuar me mijëra vepra; edhe për veprën e tij nuk është ka ndonjë botim prej shtetit tonë. Njoh Lumturi Blloshmin, shembull i vuajtjeve të dyfishta në të dy sistemet, se dje ia pushkatuan të atin kur ende ishte foshnjë, ndërsa sot si piktore dhe grua - pra pa përkrahje, nuk qahet pse ndenji në Shqipëri, po ka guxim të ironizojë Autoritetin në veprat e saj dhe vijon të mendojë për projekte të reja. Lista është e gjatë...

Mund të thotë dikush se në një vend tjetër ata do ishin të pasur e të famshëm. Mundet, po nuk përjashtohet edhe mundësia që famën dhe vlerësimin të mos e merrnin sa të ishin gjallë.

Në intervistë lexova ankimin se artistëve të rinj sot si shembuj të artit bashkëkohor u serviren artistë shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit. Unë nuk shoh këtu asgjë të keqe. Po të fasim për tre prej tyre: Anri Sala, Adrian Paci apo Anila Rubiku, ata janë shëmbulli më i mirë i përpjekjeve, që duhet të bëjë një artist për të fituar famën dhe respektin e skenës së kulturës botërore dhe shqiptare. Nëna e Anri Salës më ka treguar se ai është çdo çast i vëmendshëm ndaj ngjarjeve, gjithnjë gati të niset të njohë nga afër atë që ndodh. Mos harroni se vitet e para Ardian Paci përjetoi gjithë vuajtjet e një rrefugjati, ashtu edhe Anila Rubiku. Sot ata janë jo vetëm artistë shqiptarë, po edhe artistë ndërkombëtarë, pra ‘të huaj’. Pasi duhet të pranojmë se krijimtaria e tyre nuk është vetëm ndërkombëtare, po edhe shqiptare. Vepra e tyre nuk mbart vetëm ndikimet e mësimet e krijimtarisë së artistëve të mëdhenj të botës, sepse ajo gërshetohet me njohuri të thella mbi kulturën shqiptare.

Ankoheni shpesh se te ne ka vetëm kaos dhe shkretëtirë në terrenin e arteve. Unë do të thoja se nuk është krejt ashtu, pasi ka edhe nga ata që në kaos po përpiqen të vendosin rregullin. Marubët ia falën shtetit koleksionin e tyre të çmuar dhe sot Shqipëria ka një muze të mrekullueshëm për fotografinë, edhe pse me përmasa modeste. Adrian Paci ktheu shtëpinë e tij në Shkodër në ‘Shtëpi për artin’, ku zhvillon aktivitete të rëndësishme çdo javë. Ismail Kadare dhuroi shtëpinë e tij për kulturën në Gjirokastër. Shqiptaro-amerikani Dhimitër Mborja la gjithë pasurinë e tij për të ngritur një muze në qytetin e tij, në Korçë, ku krahas koleksionit të artit oriental është edhe një sallë për aktivitete. Në një ish apartament, që e emërtuan ‘Tulla’, apo te galeria ' Miza' organizohen aktivitete mjaft të larmishme në Tiranë. Po ashtu Adela Demetja me Romeo Kodrën te Tirana Art Lab prezantojnë artistë bashkëkohorë nga të gjitha trevat. Besim Tula ka 19 vite që mbledh në një ekspozitë në nëntor piktorë të moshave, gjinive e tendencave të ndryshme. Askush nuk e ndaloi një vajzë të re te pedonalja në Tiranë të rrinte e t’i binte violinës për kënaqësinë e kalimtarëve, as një djalë të vendoste kavaletin e t’u bënte portrete kalimtarëve. Kush e ndalon një të verbër të luajë në fizarmonikë në një tjetër trotuar? Kush i ndalon të rinjtë të gjallërojnë jetën kulturore të qyteteve me aktivitete, biseda, ekspozita? Kush i ndalon artistët të debatojnë me kolegët në aktivitetet e takimet e ndryshme, ku mbretëron heshtja pas lektorëve?

Të gjithë e dimë se nuk janë vetëm Anri Sala e Adrian Paci artistët që kanë lënë Shqipërinë e jetojnë në vende të tilla si Sh.B.A, Gjermani, Francë, Itali, etj. Janë shumë ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit, megjithatë shumë pak prej tyre kanë arritur të bëhen të njohur në vendet ku jetojnë sot. Sepse jo vetëm duhet shumë punë, shumë sakrificë, shumë durim, shumë studim, shumë talent. Duhet edhe pakëz fat.

Në intervistë artisti thotë se brezi i tij nuk është prekur nga jeta në socializëm. (Për të qënë të saktë, ai nuk ishte sistem socialist, ishte një sistem diktatorial. Socializmin mund ta shohësh në Suedi.) Do doja të them se viktimizimi, këto ankesa ndaj egërsisë së realitetit shqiptar sot janë tipare të trashëguara të një banori që ka jetuar në diktaturë. Shqiptarët kanë vetëm 25 vjet që janë njohur me lirinë, me rendin demokratik, edhe pse në hapat e tij të para. Për shekuj të tërë këta troje kanë parë vetëm diktatorë, qofshin ata bizantinë, osmanë, një mbret, italianë, gjermanë e në fund shqiptari Hoxha. Si rrjedhim jo vetëm ne, brezi i vjetër, po edhe të rinjtë e kanë të trashëguar mungesën e guximit, stepjen për të ndërmarrë nisma, vartësinë nga shteti, të cilin e bëjnë fajtor për çdo gjë, sepse nga ai presin çdo gjë.

Unë që u linda e kam jetuar për dyzetë vite në atë sistem monist të quajtur ‘diktaturë e proletariatit’, ku pavarësia e lëvizjes dhe liria e mendimit ishin të pakonceptueshme, pra egërsia ishte e pranishme në çdo çast, mund t’ju them se ju sot jetoni në një kohë që për mua është fantastike. Sot askënd (as mua që jam në pension), askush nuk e ndalon të mësojë, të edukohet, të mbledhë ca të holla, të marrë një çantë shpine me pak rroba, me ca sanduiçe të mbështjellë me letër alumini e të niset për të filluar një jetë tjetër, për të njohur njerëz të rinj, kultura të tjera apo për të parë qoftë një ekspozitë diku. Unë e kam bërë. Edhe pse nuk jam e pasur, kam gjetur mënyrën për të vajtur edhe në Nju Jork, edhe në Paris, edhe në Prishtinë e gjetkë, që të mësoj nga kulturat e tjera, të takoj njerëz, të shoh vende apo artistët e mij të preferuar. 

Ju kam zili që jeni aq të rinj, po më vjen keq që ju mungon liria e të menduarit, guximi për të vepruar të pavarur. Sepse ju e keni atë që ne nuk na e jepte askush: Lirinë. Të tjerat bëjini vetë. Dhe sistemin e vlerësimit dhe zhvillimit të artit, edhe politikat kulturore ndërtojini ju, me përpjekjet tuaja, me protestën tuaj. Mos prisni prej qeverive, prej politikanëve, se askund nuk do të gjeni qeveri të përkryer, që t’ju a shtrojë rrugën me lule. Mos prisni prej të tjerëve, se askush asnjëherë nuk do ju falë kushtet për të krijuar, nuk do ju japë famën apo pasurinë në tabaka floriri. Çdo gjë që ëndërroni, do ju duhet ta kërkoni me ngulm, të luftoni për të, të gjeni njeriun e duhur, kohën e duhur, vendin e duhur për ta bërë realitet. Kaliteni durimin dhe guximin. Bëni lobing me parlamentarë për të hartuar ligje të reja, për të ndryshuar ligjet e vjetra. Në se nuk e arrini atë që dëshironi me rrugën e zgjedhur, kërkoni rrugë të reja. Asgjë e madhe nuk arrihet pa mundim të madh. Një fjalë e vjetër thotë: ‘në Parajsë mund të hysh vetëm me sytë me lot’.
Në vënd që të ankoheni, pyeteni veten çdo mbrëmje: çfarë bëra unë sot për Shqipërinë? Ashtu Shqipëria do bëhet një vend më i mirë për të gjithë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull