Prania e Argita Berisha Malltezit në Kuvendin e foltores, thirrur nga Sali Berisha më 2 dhjetor 2023, ku edhe mbajti fjalën e saj, pati shumë reagime pasi kjo shënon daljen e parë të një prej fëmijëve të ish-kryeministrit në një podium politik.

Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi në një intervistë për emisionin ‘Frontline Interview’, në Report Tv tha nuk e di se çfarë merite ka vajza e Berishës në PD e shtoi se problemi kryesor tani në atë parti është arrestimi i burrit të saj Jamarbër Malltezit. Sipas Klosit, ajo doli aty në emër të të shoqit pasi ai nuk flet dot se është brenda. Sipas Klosit, kjo tregon se i shoqi ka përgjegjësi penale.

‘Jo nuk shoh një trashëgimi pasi pastaj do të ishte skandaloze fare. Nuk e di çfarë merite ka vajza e tij. Se di pse kishte pranuar të fliste pasi problemi kryesor i PD-së sot është arrestimi i të shoqit. Ai është një problem i madh, tregon se i shoqi ka përgjegjësi penale. Ata po ngulin këmbë se prokuroria është e gabuar. Ka bërë menaxhime administrative biznesi dhe ka arritur të fitojë aty. Doli aty në emër të të shoqit. Meqë ai nuk flet dot se është brenda, doli ajo dhe foli.’- tha Klosi.

Duke u ndalur tek aksioni i Rithemelimit me kaosin në Kuvend, Klosi tha me këtë mënyrë nuk fiton askush, e shtoi se ata që duan të qeverisin nuk mund të vijnë duke djegur parlamentin.

‘Foltorja e parlamentit më shumë i duhet opozitës se pozitës. Këta kanë nevojë që ta zgjasin sa më shumë këtë diskutim Këta po i heqin vetes mundësinë për të folur për të kritikuar. A  Nuk është problemi bllokimi i mazhorancës, por këto nuk kanë logjikë në veprimet e tyre. Është bërë më e qartë pasi është ndarë në tre grupe dhe nuk po merren vesh me njëri tjetrin. Pretendohet që qeveria po e shfrytëzon grupin e Bashës. Nuk fiton askush me këtë. Ata që duan ta marrin me forcë parlamentin , ai ka qenë ministër i brendshëm. Ky do të na qeverisë ky që do të djegë parlamentin. Këtë punë mund ta pëlqejnë ca njerëz gallataxhinj. Militantë që ua dinë për nder për atë që u ka ndodhur në jetë. Populli do të qeveriset. Kjo mënyrë që është absurde nuk e pranon Europa të imponohesh me flakadanë.’- tha Klosi për gazetaren Marsela Karapanço.

I braktisur nga Bardhi e deputetët e grupit të tij, Sali Berisha në hetim nga SPAK për kullat e dhëndrit, shfaqi vajzën e tij Argitën në Kuvendin Kombëtar ku u votëbesua si kryetar i partisë pa vulë, me 93% të votave pro, një rezultat i ngjashëm me ato të kohës së ish-diktatorit Enver Hoxha. Ai miratoi dhe një rezolutë kundër drejtësisë. Videot nga Pallati i Kongreseve ishin provë e dukshme se Berisha sa vjen e humbet ndjeshëm terren.