Në sfond Kremlini, përpara tij teleprompteri nga i cili lexon gati 500 fjalë. Por mungon një fjalë: “Paqe”. Vladimir Putin nuk e përmend asnjëherë në fjalimin e tij të fundvitit (i cili në Rusi do të transmetohet pak para mesnatës, por teksti është publikuar tashmë nga Tass), duke konfirmuar atë që Valerij Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të tij të Armatosura, kishte deklaruar pak orë më parë: lufta do të vazhdojë edhe në vitin 2026, me objektivin për të zgjeruar pushtimet territoriale në Ukrainë. Sepse, thekson presidenti rus, “jemi të bindur se gjithçka që kemi planifikuar, shpresat dhe projektet tona, do të bëhen realitet”. E ardhmja jonë, vazhdon cari, “është përpara nesh, dhe ajo që do të ndodhë varet në masë të madhe nga ne”.

Të gjithë qytetarët rusë, shpjegon njeriu që i qeveris prej 26 vitesh, kanë përjetimet dhe eksperiencat e tyre personale. Por këto janë “të pandashme nga fati i atdheut tonë” dhe prandaj “forca e unitetit tonë përcakton sovranitetin dhe sigurinë e Atdheut, zhvillimin dhe të ardhmen e tij”. Një forcë që shfaqet edhe përmes armëve dhe ushtarëve me uniformë që pushtuan Ukrainën më 24 shkurt 2022. Dhe të cilët Putini i definon si “heronj të Operacionit ushtarak special”, të cilët duhet të mbështeten “me fjalë dhe me vepra”.

Më pas, njeriu i Kremlinit u drejtohet drejtpërdrejt atyre: “Ju keni marrë përsipër përgjegjësinë për të luftuar për atdheun tuaj, për të vërtetën dhe drejtësinë. Miliona njerëz në të gjithë Rusinë janë me ju në këtë natë të Vitit të Ri. Mendojnë për ju, ndjejnë me ju, shpresojnë tek ju. Ne jemi të bashkuar në dashurinë tonë të sinqertë, të pastër dhe besnike për Rusinë. Urime për të gjithë ushtarët dhe komandantët tanë! Ne besojmë tek ju dhe në Fitoren tonë!”

Pra, përfundon Putini, duhet të vazhdojmë “të punojmë dhe të krijojmë, të arrijmë objektivat tona dhe të ecim përpara për të mirën e fëmijëve dhe nipërve tanë, për të mirën e Rusisë sonë të madhe!”. Pjesës tjetër të botës i është dhënë një mesazh i qartë./Corriere Della Sera