Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, një nga veprat më të rëndësishme të Akademisë së Shkencave, i realizuar pas pesë vitesh punë intensive, do të jetë i gatshëm për konsultim online duke filluar nga data 12 janar. Sipas drejtorit të Institutit të Gjuhësisë, Valter Memisha, projekti, i përfunduar, më 24 dhjetor 2025, përfaqëson fjalorin më të plotë që është hartuar ndonjëherë për shqipen.

“Fjalori ka rreth 125 mijë njësi leksikore, përfshirë mbi 105 mijë fjalë, 12 mijë e 500 njësi frazeologjike, shprehje të huaja të paasimiluara, si dhe mbi 1200 akronime. Është një vepër e mirëfilltë shkencore.”

Vepra mbështetet në një bazë të dhënash apo korpus gjuhësor prej mbi 800 milionë njësi, që pritet të arrijë në rreth 1 miliard, ku përfshihen veprat e autorëve më në zë, që nga Buzuku, Fishta e deri te Kadareja, si dhe gjithë fjalorët e mëparshëm e përdorime nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Fjalori pasqyron zhvillimet e vrullshme të dekadave të fundit, mes të cilave terminologji nga fusha të reja, si: mjekësia, ekonomia, bankat dhe teknologjia, të cilat sot janë pjesë e gjuhës së përditshme.

“Shqipja deri sot kanë përdorim fjalor të vëllimit të mesëm që shkojnë deri maksimumi 50 deri 55.000 njësi. Fjalori mi i mirë në përdorim deri tani është fjalori i gjuhës së sotme shqipe viti 1980 me 41.000 fjalë me rreth 150.000 kuptime dhe mbi 1 milion ca ilustrime.”, thotë Memisha për "Report TV".

Fjalori do të jetë i aksesueshëm online, fillimisht si projekt për një periudhë rreth 9-mujore. Gjatë kësaj kohe, përdoruesit do të kenë mundësi të japin vërejtje dhe sugjerime, ndërsa grupi i punës do të vijojë rishikimin dhe përmirësimin e veprës.

Qasja do të jetë e kontrolluar me qëllim mbrojtjen e veprës nga kopjimi apo keqpërdorimi. Përdoruesit mund të kërkojnë fjalë individuale, por jo ta shfletojnë apo shkarkojnë të gjithë fjalorin. Sipas Akademisë së Shkencave, fjalori pritet të kalojë në version përfundimtar online në fund të vitit 2026, ndërsa botimi i shtypur, në disa vëllime, parashikohet gjatë vitit 2028 dhe do të jetë kryesisht për biblioteka dhe institucione shkencore.