Fjodi Sinanaj: Nuk e privoj veten
 nga ëndrrat që dua të realizoj

Fjodi Sinanaj: Nuk e privoj veten<br /> nga ëndrrat që dua të realizoj
"Jeta në sytë e një adoleshenteje, që ndryshon nga klishetë e shëmtuara që po gëlojnë ekraneve..."
  
Fjodi Sinanaj, nëse do ta kërkoje ta gjeje mes të tjerëve në oborrin e shkollës, ndoshta nuk do ta dalloje menjëherë, kjo për shkak të trupit të saj të hajthshëm dhe veshjes sportive, ku nuk dallohet asnjë element për të rënë në sy. Matanë pamjes së parë të saj fshihet një 18-vjeçare me buzëqeshjen e saj rrezatuese dhe me një thes plot ëndrra për të ardhmen dhe jetën. Fjodi vazhdon vitin e fundit në gjimnazin “Partizani”.

Ajo është gjithashtu një kampione e dansit sportiv dhe drejtuese e këtij aktiviteti për shkollën e saj. “Unë dua t’u them moshatarëve të mi, shprehet Fjodi, që të punojnë shumë për realizimin e ëndrrave të tyre dhe të mos e shohin të ardhmen me pesimizëm”.

foto

foto

Si një kampione, ajo i këshillon moshatarët e saj që të merren me një lloj sporti dhe të mos ngujohen nëpër kafe. Për të nuk ka rëndësi se çfarë lloji sporti ata zgjedhin, mjafton që të mos e shtyjnë jetën me biseda monotone. Fjodi ka 16 vjet që merret me dans sportiv.

Ajo është pjesë e Federatës Shqiptare të Dansit Sportiv dhe ka marrë pjesë në gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka filluar të garojë që nga mosha 6-vjeçare për herë të parë në Mal të Zi, ndërsa ka filluar të kërcejë që në moshën 2-vjeçare.

“Unë nuk mund të them që ishte pasioni im, sepse nuk mund ta njihja veten dy vjeç. Ky pasion ka qënë i mamit tim. Federata e dansit sportiv në Shqipëri u hap në vitin 1998. Unë jam e shumë e lumtur për arritjet e mia, sepse karriera ime nisi në një vend disi problematik, por në sport dhe në art nuk ka pengesë që nuk kapërcehet. Unë arrita të fitoj vendin e parë dhe kështu vazhdoi karriera me shumë punë dhe trajnime”, shprehet Fjodi.
 
Si ka qënë marrëdhënia jote me prindërit gjatë këtyre viteve. Ka pasur rebelime nga ana jote dhe për çfarë kanë qënë ato? Për çfarë nuk bie dakord ti me prindërit?

Unë jam shumë e lumtur sepse mami dhe babi im më kuptojnë. Unë kam dhe një motër më të madhe dhe në njëfarë mënyre prindërit e mi e kanë provuar eksperiencën e rritjes së një fëmije adoleshent tre vjet para meje. Dmth që etapat e adoleshencës i kanë kaluar në fillim me motrën. Kështu që kanë marrë edhe ata një lloj mësimi se si duhet të sillen me një fëmijë adoleshent. Megjithatë, unë kam një marrëdhënie shumë të mirë, sepse nuk para kundërshtoj vendimet që prindërit japin, pasi shkoj shumë mirë me prindërit dhe ata janë të mirëkuptueshëm ndaj meje. Rebelime mund të kem për ndonjë dëshirë që nuk më plotësohet, por mund të them se gati-gati kam një marrëdhënie perfekte.
 
Kush janë këto dëshirat që ata nuk të plotësojnë?
Unë e kam shumë qejf shoping, i kam shumë qejf veshjet. Dua të paktën një herë në javë të iki në qendra tregtare, të blej veshje të reja. Ndoshta pamundësia e kohës, sepse prindërit e mi janë të dy në punë, im atë është inxhinier, por punon në biznes privat, ndërsa mami është instruktore kërcimi, dhe oraret e tyre nuk përputhen, ndaj shoqërimi im në qëndrat tregtare nuk është gjithmonë i mundur. Një dëshirë tjetër, për të cilën mund të mos biem dakord, është ajo për të dalë me shoqërinë, prindërit nuk është se nuk janë liberalë ndaj meje, por problemi qëndron tek koha, fakti që jam në maturë, ngarkesa e provimeve.
 
Po marrëdhënia jote me shoqërinë si është?
Preferoj të jem një njeri shumë social, sepse kam se çfarë të jap në shoqëri, por kam dhe çfarë marr. Jap me atë shprehjen “Shokun zgjidhe më të mirë se vetja”. Kam shokë që u përkasin familjeve të mira. Më pëlqen të qëndroj shumë besnike në shoqëri dhe mundohem që gjithmonë të ndihmoj të tjerët kur kanë nevojë për ndihmën time dhe të plotësoj të gjitha kriteret për t’u quajtur një shoqe e denjë. Preferoj gjithashtu shoqërinë me djemtë, pasi në kohët që kanë ardhur tani janë më problematike vajzat me njëra-tjetrën. Sepse gjithmonë kanë një ndjenjë xhelozie. Megjithatë, unë kam shoqe shumë të mira. Arsyeja që kam shumë djem shokë lidhet edhe me faktin që unë jam pjesë e dansit dhe miqtë e mi i kam të hershëm dhe jam rritur me ta.
 
Çfarë shikon ti tek të rinjtë e brezit tënd që do të doje të ishte ndryshe?

Do të përmëndja pa hezitim përdorimin e alkoolit, duhanit, lëndëve narkotike, mungesën e besnikërisë dhe fjalorin e shëmtuar. Këto fenomene, për mendimin tim, vijnë si pasojë e dëshirës për t’u dukur.  Fakti që unë nuk i përdor këto, mendoj se vjen për shkak të edukimit tim familjar, faktit që jam femër dhe që merrem gjithashtu me një sport. Kjo është arsyeja që nuk shoqërohem me të rinj të karakterizuar nga këto tipare. Moshatarët e mi tani janë 18 vjeç dhe nuk i ndalon as ligji për të konsumuar pije alkoolike. Më ka ndodhur që kam pasur miq që kanë filluar cigaren dhe jam shumë e lumtur që, në një mënyrë ose në një tjetër, kam ndikuar tek ata për të mos e bërë më këtë gjë.
 
Je veshur në mënyrë shumë sportive. Kështu shkon çdo ditë në shkollë?
Unë jam tip sportiv, nga njëra anë, por, nga ana tjetër, shkolla është një institucion serioz. Dhe nuk është ambjent për të shkuar në mënyrë ekstravagante.
 
Ka më vajza të reja që vijnë në shkollë me taka të larta apo veshje provokuese?
Ka, por jam shumë e lumtur që në shkollën tonë janë raste të rralla.
 
Si është marrëdhëna me shkollën, stafin pedagogjik?
Jam shumë e lumtur pasi kam gjetur një mbështetje të madhe nga stafi pedagogjik. Marrëdhënia mes të rinjve ka qënë shumë e mirë dhe më kanë mbështetur shumë. Ata më kanë besuar mua drejtimin e aktiviteteve të dansit sportiv për tre vitet që kam qënë pjesë e shkollës.
 
Çfarë mendon për të ardhmen tënde?
Unë kam shumë dëshira në jetë. Një ndër to është drejtësia. Megjithëse mund të jetë bërë pak klishe, mua nuk më pëlqen t’ia ndaloj gjërat vetes, sepse diçka mund të jetë bërë shumë e populluar. Më pëlqen që, edhe ku diçka është e populluar, unë ta bëj atë, dhe ta bëj sa më mirë. Jam ambicioze dhe dua ta realizoj. Që kur kam qënë fëmijë kam pasur gjithmonë një sjellje mbrojtëse në kahun e asaj që është e drejtë. Në Shqipëri fjala ligj duket sikur nuk ekziston, por unë dua të bëj që ajo të ekzistojë. Më pëlqen gjithashtu edhe gazetaria. Nuk mund të lë pa përmendur edhe dansin, për të cilin vazhdoj të punoj për t’u bërë trajnere kombëtare dhe ndërkombetare dhe në fund gjyqtare, që është dhe shkalla më e lartë.
 
A ndikon politika në jetën e të rinjve?
Ndikon. Të rinjtë janë pesimistë, diskutimet mes nesh janë për të ikur. Askush nuk e sheh të ardhmen këtu. Dhe kjo gjë është zhgënjyese për vendin tonë, se të gjithë mendojnë se profesionistët në Shqipëri nuk paguhen. Vihet re që shumë gjëra bëhen me mik. Askush nuk do të qëndrojë, sepse mendon që mundi i tij nuk do të shpërblehet këtu. Unë vetë nuk do të doja të ikja. Mendoj që edhe këtu mund të jetë shumë mirë për mua dhe familjen time. Por nuk di të them se çfarë do të zgjidhja nëse do më jepej mundësia për të ikur jashtë. Personalisht nuk më pëlqen fare të merrem me politikë. Ajo që shoh unë është se ka politikanë të shkathët, të cilët nuk mendojnë të bëjnë mirë për vendin e tyre, por thjesht për veten e tyre. Vlerësoj shumë gratë në politikë. Më duket sikur janë më të mira se meshkujt dhe mendoj që kanë punuar shumë për të arritur atje ku janë.
 
Po marrëdhënia e të rinjve me dashurinë si është?
Marrëdhënia është e mirë. Ndoshta ne nuk e dimë mirë se çfarë është dashuria. Ajo që vë re është se ka shumë të rinj që krijojnë raporte me njëri-tjetrin pa pasur një ndjenjë të vërtetë në mes. Ndoshta dhe për shkak të ndikimit familjar, unë e shoh dashurinë si të shenjtë. Partneri zë po aq vend të rëndësishëm, sa edhe familja. Mua më pëlqen të jem vetja gjithmonë, ndaj i zgjedh me kujdes njerëzit.
 
Si është raporti yt me të tjerët?
Unë jam shumë e kujdeshme me moshën e tretë. I respektoj shumë gjyshërit e mi. Ata, nga ana e tyre, më japin zemër për të ardhmen time. Më pëlqen të kem të bëj me çështjet sociale. Dua të shkoj dhe tek azili i pleqëve për të dhënë shfaqje. E kam bërë këtë në shtëpinë e fëmijës dhe kemi dhënë koncert dhe shpërndarë dhurata. Thuhet se ata duhet të trajtohen si ne, por ata nuk janë si ne, sepse ata nuk i kanë prindërit. Kam pasur të bëjë dhe më fëmijë autikë dhe dashuria që kam marrë prej atyre fëmijëve është shumë e madhe. Unë tani kam mbushur moshën për të dhënë mësim dhe u kam dhënë mësim fëmijëve autikë. Dashuria që ata shprehin është e jashtëzakonshme. Do të doja të specializohesha për t’u marrë me fëmijë të tillë. Unë tani kam njohuri për mënyrën se si duhet t’i trajtoj, por dashuria që marr prej tyre është aq e madhe, sa e bën të pafuqishme dashurinë që unë jap për ta.
 
Cila është këshilla më e rëndësishme që ke marrë?
Një nga këshillat që vlerësoj më shumë është këshilla që më japin për të mos ndryshuar kurrë, për të ndjekur ëndrrat e mia dhe për t’i realizuar ato. Vlerësoj këshillat e njerëzve me përvojë, por vlerësoj shumë edhe këshillat e moshatarëve të mi, të cilët më japin zemër nëse ndodhem përballë një situatë apo një gare.
 
Marrëdhënia “nënë-vajzë”, sa ndikon komunikimi
 
Silva Loka, psikologe në Institutin Shqiptar të Psikologjisë, e sheh komunikimin si urën më të fortë për të pasur një marrëdhënie të sukseshme nënë-vajzë.
“Një ndër elementët më të rëndësishëm, që gjykoj se e prek dhe përcakton cilësinë e marrëdhënies prind-adoleshent, është komunikimi.
Gjykoj se do të ishte e udhës që komunikimi nënë-vajzë të kishte trajtat e një komunikimi të hapur, pa sekrete dhe “gjëra që do t’i marrësh vesh më vonë, kur të rritesh edhe pak”. Komunikimi hapur do t’iu krijojnë mundësi palëve që të mund të ndanin përvojat dhe informacionin, duke bërë njëkohësisht edhe mbështetjen e njëra-tjetrës. Për shembull, edhe vajzat, edhe nënat, kanë nevojë të ndajnë mes tyre informacione për zhvillimin seksual të vajzave të reja. Vajzat kanë nevojë të jenë të parapërgatitura (dhe nënat mund ta bëjnë këtë me mirë se askush tjetër, pavarësisht se gjykojnë se vajza do ta mësojë nga shoqet) dhe nënat kanë nevojë që të jenë një të njëjtën vijë drite me njohuritë bashkëkohore, që vajzat mund të kenë (për shkak të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të hershëm me shoqet e tyre). Nëse ndajnë njëkohësisht informacionin që zotërojnë, atëherë do të kenë mundësinë që, në çdo moment, të mbështesin njëra-tjetrën. Për t’iu përmbajtur shembullit, si nëna, edhe bija e saj, kanë nevojë të mbështesin njëra-tjetrën përgjatë zbulimit të elementëve të zhvillimit seksual të vajzës së re. Vetëm falë komunikimit të hapur, nëna dhe vajza mund të jenë të vërtetë dhe të zbulojnë se të dyja kanë frikë, pasiguri, nevojë për të mësuar informacione të reja, nevojë për ndihmë nga njerëz profesionistë për çështje të caktuara.
Një element tjetër tejet i rëndësishëm i komunikimit, që siguron kushte të favorshme për një nënë dhe vajzë, është se ato duhet të përpiqen të hapen me njëra-tjetrën, duke u përpjekur në maksimum të kuptojnë drejt pozitën e njëra-tjetrës. Do të ishte e dobishme që të bënin kujdes për të mos paragjykuar, për të mos ndëshkuar dhe për të mos përjashtuar njëra-tjetrën. Sigurisht, do të ketë ditë kur do të jetë e vështirë të vendoset komunikimi, por suksesi do të jetë gjithnjë i garantuar, nëse mbahet në vëmendje se qëllimet kryesore të komunikimit midis tyre do të jenë orientimi drejt palës tjetër, rritja e sensit të pavarësisë dhe përgjegjësisë tek vajza e re dhe, mbi të gjitha, dhënia konstante e mesazhit “Çfarë do që të ndodhë, unë do të jem këtu, për ty”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Aksident tragjik në Lushnjë, makina e marrë me qira del nga rruga dhe bëhet copash! Shoferi gjendet i vdekur në timon, ende i paidentifikuar

Aksident tragjik në Lushnjë, makina e marrë me qira del nga rruga dhe bëhet copash! Shoferi gjendet i vdekur në timon, ende i paidentifikuar