Festimet e 113-vjetorit të Pavarësisë u mbyllën mbrëmjen e sotme me një koncert madhështor në bulevardin kryesor të qytetit.

Spektakli i dronëve, fishekzjarrëve dhe atmosfera festive në rrugët e Vlorës krijuan një mjedis të jashtëzakonshëm, ku qytetarë të shumtë festuan nën ritmet e muzikës dhe ngjyrat e simboleve kombëtare.

Në skenën qendrore performuan disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët sollën një koncert të paharrueshëm për publikun. Sheshi ishte i tejmbushur me vlonjatë dhe shqiptarë të ardhur nga të gjitha trevat për të ndjekur festimet.

Pjesë e atmosferës festive ishin edhe automjetet e zbukuruara me flamuj kuqezi, ndërsa të rinj e të moshuar u bashkuan në një festë të madhe kombëtare që kulmoi në qytetin simbol të Pavarësisë. Vetë qytetarët përcollën emocionet e tyre për këtë ditë të të gjithë shqiptarëve.

‘Është shumë bukur këtu. Edhe koncerti sot është bërë shumë bukur’, tha një qytetare.

Vlora përmbyll me një mbrëmje fantastike me festime që janë shtrirë gjatë ditës për të kulmuar në mbrëmje në bulevardin kryesor të qytetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:07
113 vite pavarësi/ Spektakël dronësh mbi Vlorë në Ditën e Flamurit (VIDEO)

 

Qyteti i Vlorës u ndriçua sot në mbrëmje nga një spektakël dronësh në ditën e pavarisë së vendit. 

Qindra qytetarë ndoqën nga afër performancën e dronëve që krijuan figura dhe efekte të larmishme në qiell, duke sjellë emocion dhe magji në qytetin bregdetar.

Në pamje u shfaqen figura si shqiponja dykrenare, si edhe '113 vite pavarësi' dhe 'Gëzuar Shqipëri'.