Protesta e djeshme e opozitës joparlamentare edhe pse nisi e qetë, degradoi në dhunë dhe në përdorimin e mjeteve piroteknike para Kuvendit të Shqipërisë, ku u plagosën dhjetra policë dhe protestues.

Por mesa duket protesta ishte përgatitur që të jetë e dhunshme. Në një foto të siguruar nga Shqiptarja.com duken qartë se protestuesit kishin marrë masa për aktet që ndodhën. Në foto shihen një grup të rinjsh prej 6 personash që kanë mbuluar kokën me kapuç si në ato që i shohim nëpër grabitje apo që përdoren nga Forcat Speciale të policisë.

Vetëm pak metra më tutje këtyre personave të maskuar qëndron ish-deputeti Flamur Noka, ku mesa duket nuk shqetësohet për simpatizantët e tij që mbajnë veshur maska që u tregojnë vetëm sytë. Pikërisht këta të rinj së bashku me disa të tjerë që kishin vënë bluzat në kokë për të mos u identifikuar janë përgjegjësit e dhunës që shpërtheu para Kuvendit, pasi ata duken më aktivët në videot e publikuara.

Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka dhe 5 ish-deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Artan Frrokaj, më 30 maj u paraqitën në prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegime lidhur me akuzat e ngritura ndaj tyre, pasi në 16 shkurt u futën me forcë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku mbaheshin të shoqëruar disa protestues dhe nisin të përplasen fizikisht me efektivët e policisë.