Largimi nga tryezat e gatimit të disa përbërësve të konsideruar “të pashëndetshëm” apo që na bëjmë të shtojmë në peshë , ka bërë që shumë receta të mos jenë më të shijshme si dikur, dhe ka bërë që konsumatori të drejtohet drejt disa ushqimeve të “zhveshura” nga shija.E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv , nutricionistja Albana Daka tha se kjo vjen edhe si pasojë e ndërhyrjeve në gjenetikën e bimëve.
Hibridizimet dhe ndërhyrja në gjenetikën e bimëve sot bën që shija të ndryshojë, edhe për shkak të këtij globalizmi apo bumi ushqimor që ne kemi sot. Pavarësisht se ne flasim për ushqime të shëndetshme, pjesa dërrmuese e popullsisë janë të drejtuar drejt fast food-eve, drejt gjërave voluminoze në kalori, por zero për sa i përket vlerave ushqimore.
Albana Daka, nutricioniste
Ndërsa sipas shefit të kuzhinës Arvin Kita regjimi i rregullt është ajo që ka më shumë rëndësi.
Tanimë të ushqyerit ka arritur në një fazë jo vetëm të shijuari por edhe të një konsulte shëndetsore shumë të mirë. Kjo është kryesorja që duhet të bëjë njeriu dhe pastaj të vazhdojë hapat e tjerë për të arritur aty ku duan të arrijnë. Pra të ngrënit shëndetshëm do të thotë jetë e shëndetshme , që fillon edhe me sportin, me të fjeturin , me të ndjekur oraret. Pra regjimi ditor duhet të jetë shumë i saktë dhe regjimi ushqimor është ai që e përmbyll sepse të ushqyerit është një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës.
Arvin Kita, shef kuzhine
Shefi i kuzhinës Arvin Kita në studion e "Rreze Dielli"
Nutricionistja Daka, pohoi në studio se shumica e njerëzve zgjedhin rrugën më të lehtë për të rënë nga pesha, por ajo që duhet pasur parasysh është që së pari të informohemi pasi rruga e shkurtër që zgjedhim , mund të ketë pasoja negative në shëndet në të ardhmen.
Konsulta mjekësore duhet të jetë e detajuar, sepse nuk mjafton sot që të marrësh një regjim hipokalorik. Unë personalisht jam kundër regjimeve hipokalorike sepse këto regjime mund të çojnë nesër në mungesa të vitaminave, të hekurit, pra të atyre elementëve që trupi ka nevojë. Një gërshetim i një regjimi me kalori normale me një aktivitet fizik është një gur themeli për një stil jete të shëndetshëm.
Stomaku është një “thes” shumë i madh që hapet pafund, që ne i japim formën sipas dëshirës. Ngërçi më i madh është që njerëzit duan të gjejnë rrugën më të shkurtër dhe thonë që do të bëjnë një zvogëlim stomaku. Është zgjedhja më e gabuar në momentin që personi që bën një zvogëlim të stomakut është akoma i paedukuar nga këndvështrimi ushqimor. Pra para se të marrim sfidën për zvogëlim stomaku, duhet të marrim një herë sfidën që të mirëushqehemi, sepse pas disa kohësh trupi do të rikthehet në të njëjtën situatë sepse stomaku ka veti ripërtëritëse.
Albana Daka, nutricioniste