"Unë jam shumë i zhgënjyer me pretendime të tilla nga media të caktuara, sepse unë, në asnjë mënyrë nuk kam qenë i përfshirë në diçka të tillë. E vërteta është se unë kam qenë në tribunën VIP të stadiumit me disa miq dhe thjesht bëja foto me aparatin që kisha me vete ", tha vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë.
Ai thotë se pas incidentit të ndodhur, kur flamuri kuq e zi u pa të valëvitej mbi stadiumin Partizani të Beogradit, forca të policisë serbe i bënë kontroll.
"Ata erdhën tek ne dhe më kontrolluan, por nuk më shoqëruan në stacion të policisë siç pretendojnë disa media. Pasi u larguam nga stadiumi, dhe morëm autobusin drejt aeroportit, pranë nesh erdhën disa pjesëtarë të policisë serbe dhe pa asnjë sqarim na urdhëruan që të ndalojmë aty. Unë i sqarova që në fillim se njëkohësisht jam shtetas Amerikan dhe ua tregova pasaportën time”, sqaron Rama
(Ne foto: Flamuri kuq e zi me harten e Shqiperise se Madhe dhe dy heronje Ismail Qemali dhe Isa Boletini duke i valevitur mbi stadiumin Partizani ne Beograd)
I pyetur për pretendimet e mediave serbe se kohët e fundit, Rama kishte qenë në Maqedoni, ku thuhet se organizoi incidentin e lartpërmendur, vëllai i kryeministrit shpjegon se thashetheme të tilla nuk janë të vërteta.
"Herën e fundit në Maqedoni isha para pesë ose gjashtë muajsh dhe unë absolutisht nuk kam të bëj me pretendime të tilla. Këto janë plotësisht deklarata të pavërteta," tha Rama, duke shtuar se sporti duhet të vazhdojë të jetë një mënyrë e përafrimit dhe jo e dhunës.
"Unë, si ish-basketbollist, mendoj se sporti duhet të jetë një urë e fuqishme e miqësisë mes njerëzve dhe popujve. Gjithmonë dua që ta promovoj sportin në atmosferë miqësore, por unë duhet të them se atmosfera në stadiumin e Partizanit, natën e kaluar nuk ishte aspak miqësore. Vazhdimisht brohorisnin se si duhen vrarë shqiptarët ", tha Rama.
Së fundi, vëllai i kreut të qeverisë shqiptare, thotë se në pjesën VIP ishin njerëz nga Shqipëria me arsim të lartë, të cilët nuk kanë bërë asgjë gjatë ndeshjes që mund të karakterizohet si provokim apo sjellje jo sportive. "Ne vetëm dëshironim të bënim tifo për Shqipërinë dhe të mbështesnim ekipin tonë, deri sa nuk ju lejua hyrja tifozëve të Shqipërisë. Megjithatë, masat e sigurisë në stadium nuk ishin të mjaftueshme për këtë lojë," tha Olsi Rama për AA.
Vëllai i kreut të qeverisë shqiptare ka dhënë gjithashtu dhe një intervistë për rrjetin televiziv CNN ku shprehet i zhgënjyer për këto pretendime.
“Jam shumë i neveritur nga pretendimet e përfshirjes sime në komandimin e dronit. Është një komplot i thurur që dhe një shkrimtar thriller do të kishte pasur vështirësi të sillte idenë që u vu re gjatë përplasjes Serbi-Shqipëri”, tha për CNN Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar, i cili shtoi se ka qenë duke fotografuar ndeshjen nga tribuna VIP në stadiumin Partizani në Beograd.
“Një drone, që valëviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe” mbi një ndeshje futbolli ndërkombëtare, të martën, është bërë subjekt i një trilleri të mistershëm, pasi i vëllai i Kryeministrit së Shqipërisë është akuzuar, nga një zyrtar i qeverisë serbe, se ka qenë personi që e ka pilotuar”, shkruan CNN.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)