Report Tv ka komunikuar me anë të një lidhje telefonike me njërin prej personave që ndodhen aktualisht pranë efektivit të RENEA-s i cili u rrëzua mëngjesin e sotëm në një greminë në zonën e Thethit.
Pëllumb Guri deklaroi për Report Tv, se efektivi i RENEA-s Bledar Beluli, ka rënë nga 200 metra lartësi dhe ka pësuar dëmtime të shumta, në pjesën e legenit, këmbëve, tek njëra dorë dhe tek brinjët. Sipas tij gjendja e efektivit të RENEA-s nuk është e mirë dhe duhet një ndërhyrje nga ajri për ta nxjerrë që aty, pasi ndodhen 5 orë larg çdo rruge të mundshme.
Pëllumb Guri ndër të tjera ka deklaruar se për momentin në vendin e ngjarjes ndodhen rreth 10 persona mes tyre një efektiv i policisë dhe një doktor i emergjencës së Shkodrës.
Ndër të tjera, punonjësi i zonave të mbrojtura në Theth tregon se gjatë bisedave me efektivin e dëmtuar ka marrë vesh se ai kishte ngatërruar rrugën dhe kishte rrëshqitur në greminë në një moment kur ecte i vetëm në malet e Thethit.
"Gjendemi në një pjesë të alpeve të Shkodrës, në malet e Thethit. Bledari ka rënë prej 200 metrave, ka dëmtuar pjesën e legenit, të dorës, brinjët, është dëmtuar shumë rëndë. Unë jam punonjësi i zonave të mbrojtura në Theth, kam ardhur bashkë me disa banorë të zonës, ka ardhur një doktor i urgjencës së Shkodrës dhe një polic. Është terren super i vështirë. Deri tani kemi fol me gjithë ata njerëz. Na kanë thënë që do të sjellin helikopterin më pas na ka thënë se nuk ka për momentin. Jemi prej orës 8 të mëngjesit. " tha fillimisht Pëllumb Guri.
"Bledari ka dal në mal, ka qenë vetëm. Ka kërkuar ndihmë dhe ne kemi ardhur sipas detajeve të dhëna nga ai. Kemi zbrit me litar ndryshe është e pamundur zbritja. Kemi fol me të ka dalë thjeshtë xhiro në mal. Edhe mesa folëm nuk është i apasionuar pas malit. Ka ngatërruar rrugën. Dhe ka rënë 200 metra. Në këto momente jemi rreth 10 persona. Po mundohemi me e vendos në një barrelë. Do mundohemi ta vendosim në një terren më të butë. Jemi 5 orë larg çdo rruge makine." Në ecje normale të mban 5 orë. Nëse ne e zbresim pa ardhur helikopteri në mund të arrijmë deri në orën 8-9 të darkës. Jemi rreth 10 persona. Erdhi edhe inspektori i zonës. Bëjmë thirrje vetëm që të vijë helikopteri. Na thonë që është nisur edhe policia e Shkodrës", - tha më pas Guri.
Lajmi kryesor: