Ish-ministri i Mbrojtjes dhe njëri ndër të "urtët", Sabit Brokaj, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" është shprehur se Nano ka bërë lojën e Berishës me vetëshpalljen kandidat për president, ndërkohë që nuk ka munguar të sulmojë Berishën se veproi kundër këshillave të ndërkombëtarëve për zgjedhjen e presidentit. Ai tha se presidenti s'do ta mbyllë mandatin, ndoshta për shkak se duke qënë njeri i ndershëm s'do ta përballojë stresin për shkak të kërkesave të Berishës.

Si e konsideroni përfundimin e sfidës presidenciale?
E keqja lidhur me ketë proces arriti në fundin e saj. Nuk mund të bëhej më keq se sa kaq procesi. S'mund të flas për Presidentin si person, jo thjeshtë në aspektin e kualitetit e aftësive, por në fund të fundit dhe jam mjek. Kështu që mund të flas vetëm për procedurën. Fakti që nuk u përfillën porositë e amerikanëve, të evropianëve dhe dëshira e mbarë shqiptarëve që Presidenti të zgjidhej me konsensus është një tregues negativ. Por dhe brenda pozicionit partiak të zgjedhjes u përdor varianti më i keq, tregon në mënyrë të qartë dhe fare të kristaltë qëndrimin e Berishës si personi më antishtet dhe më antiintegrim që mund të jetë në Shqipëri. Dhe këtë qëndrim e ka shprehur shumë qartë vetë Berisha, me tërë veporimet e tij antishtet.

Por Nishani ka mbështetjen e mazhorancës dhe është një shtetar shumë korrekt...?
Kam mendimin që është vendosur aty për të hedhur vetëm disa firma, nga ato që i kërkon Saliu dhe mund të mos plotësojë mandatin, e kërkuar kjo nga Saliu pasi të plotësojë ato kërkesa që ai ka në plan. Ose do të tërhiqet vetë Presidenti i ri nga stresi që do të provojë duke patur Berishën mbi krye, pasi gjykoj që Presidenti është një njeri i ndershëm gjithsesi.

Si e parashikoni fatin e institucioneve të pavarura kushtetuese, përderisa është Prokurori i Përgjithshëm në fund të mandatit, është kreu i SHISH e institucionet e tjera të pavarura?
Për mua, deri më tani asnjë nga institucionet kushtetuese nuk ka qenë plotësisht i pavarur. Mund të them se ka qënë deri diku i pavarur SHISH. Por pa diskutim, as prokuroria që hiqet si e pavarur nuk ka qënë e pavarur. Ka patur një "sovranitet të kufizuar" do thoja unë, deri në pikën kur të bëjë disa veprime që të mendohet si institucion i pavarur por jo që që t'i çojë deri në fund. Fakti që çështje shumë të mëdha, botërisht të njohura si "Gërdeci", "21 janari", korrupsioni i llahtarshëm i rrugës Milot-Morinë ose fakti që nuk u trajtua juridikisht dhënia e hapësirës detare në kundërshtim me Kushtetutën, kur ajo realisht është tradhëti kombëtare, pra kjo mungesë guximi dhe konsenkuence e Prokurorisë, pavarësisht dështimeve të mëdha të Gjykatës, e cila është inekzistence në funksionin e vet, më bën të mendoj se ajo nuk ka qënë e pavarur.

Po SHISH...?
SHISH e ka ruajtur pavarësinë e tij. Por them që kjo ka ndodhur falë faktit që SHISH është një strukturë me shumë interesa për NATO-n dhe aleatët. Ku me sa di unë SHISH mbijetesën e tij si i institucion i pavarur e ka nga roli i këtyre aleatëve, dhe jo nga shteti shqiptar. A do të rrëzohet përfundimisht pavarësia e pjesshme e institucioneve të pavarura apo pavarësia e SHISH? Natyrisht që këtu s'do bëhet më fjalë për prokurori, gjykoj unë. Me gjithë presionet që do bëhen nga vendet që asistojnë Shqipërinë, do jetë një Prokuror i Përgjithshëm nën nivelin e këtij që kemi. Megjithëse kjo për mua nuk ka qënë në një nivel kushedi se çfarë. Por mund të kenë probleme me SHISH përsëri, sepse është një strukturë informative me shumë interes për NATO-n dhe sigurinë, kështu që Berisha dhe jo Presidenti do të ketë disa vështirësi. Por gjithsesi mund të themi që shteti shqiptar është tërësisht i uzurpuar, funksionet shtetërore të rëndësishme janë të uzurpuara. Shpresoj që 2013-ta me zgjedhjet do t'i japë shpresa Shqipërisë, sepse ndryshe ky vend humbet perspektivën.

PS-në me lëvizjen Nano nëpër këmbë, me sfidën e përfunduar presidenciale pa kandidatë, e shihni si të fortë për të fituar?
Unë mendoj se për sfidën presidenciale pa kandidatë, PS nuk kishte zgjidhje tjetër. Vendosja e një kandidati, cilido të ishte ai, do ishte vetëm një lojë e Berishës. Kështu që qëndresa e PS dhe e Ramës që nuk vendosi kandidat është e justifikuar. PS nuk mund të hynte më në këtë lojë, për t'i shërbyer Berishës, qoftë dhe i detyruar nga presioni ndërkombëtar, me demek për integrimin, kur ka qënë vetëm lëshimë ndaj Berishës. Dhe për më tepër ndërkombëtarët kur flasin për pasojat negative të politikës shqiptare, çuditërisht apo me një ligësi prej tyre, barazojnë qëndrimin e opozitës me atë të Berishës, i cili është realisht faktori i mosintegrimit në BE. Berisha këtu do të dilte, kështu që doli tepër i demaskuar dhe demaskimi në politikë ka një rol shumë të rëndësishëm në luftën politike. Peri këputet duke u holluar, zullumi duke u trashur.

Po Nano...?
Përsa i përket rolit të Fatos Nanos, mund të them që ai bëri shumë mirë që hyri në këtë lojë, sepse e keqja që i ka bërë Nano vendit e meriton vëtëdiskretikimin maksimal të tij. Dhe ai bëri shumë mirë që hyri dhe doli si një lolo i Berishës në tërë këtë lojë, sa tashmë është vetëm objekt tallës në politikë dhe s'është aspak faktor politik. Ndaj nuk sjell asnjë dëm për PS.

Pra s'ka asnjë ndikim lëvizja Nano në PS?
Absolutisht nuk ka asnjë ndikim.

(jm/shqiptarja.com)