SHKODËR - Vëllai i Fran Marashit, njërit prej të arratisurve nga burgu i Drenovës, duke folur ekskluzivisht për gazetarin Elvis Nabolli, të A1 Report dhe Shqiptarja.com, ka deklaruar se, kërkojnë mbrojtjen nga policia nga ndonjë hakmarrje, pasi vëllai i tij nuk është i rrezikshmë. Gjatë deklaratës së tij jashtë kameras, Marash Marashi, ka deklaruar se, arratisja nga burgu është kryer me qëllim që të bëhet bujë e madhe dhe drejtësia të rihapë çështjet e tyre.
 
Ndërkaq situata duket e qetë për Policinë e Shkodrës, pasi nuk kanë marrë asnjë masë shtesë në rrugë, apo të jenë vendosur postblloqe. Gazetari Nabolli raporton se as në shtëpinë e Marashit dhe atë të Admir Tafilaj nuk ka efektivë policie.
 
“Arratisja është bërë për bujë, me qëllim për të sensibilizuar drejtësinë për rihapjen e çështjes. Vëllai im është i dënuar padrejtësisht dhe nuk ka pasur dijeni për proceset gjyqësore që kanë qenë në ngarkim tij”, ka deklaruar Marashi për gazetarin Nabolli.
 
Vëllai i të arratisurit, Marash Marashi, thotë se i vëllai i tij është i pafajshëm. “Që në momentin që është ekstraduar nga Italia askush nuk e ka pyetur se çfarë ka bërë. Ai ka  qenë 17 vjeç kur ka ndodhur ngjarja në Urën Vajgurore dhe nuk mundet të jetë personi kryesor dhe më i dënuari nga i gjithë grupi”, thotë Marashi.
 
Marash Marashi thotë se, si familje nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa vëllai i tij të gjykohet drejt. “Ne nuk kërkojmë asgjë nga shtetit, por vetëm që Frani të ridalë para trupit gjykues. Kur është arratisur nga Burreli ka tentuar të japë deklaratën e tij në një media për të kërkuar drejtësi”, vazhdon rrëfimin e tij, vëllai i të arratisurit, Fran Marashi. Për Marash Marashin, ngjarja “po fryhet qëllimisht si person i rrëzikshëm, pasi është babai i 3 fëmijëve”.
 
“Edhe ne jemi të rrezikuar nga informacioni i dhënë nga policia por vëllai im nuk është person i rrëzikshëm. Shpresojmë që të përfundojnë sa më parë në duart e policisë, në mënyrë që policia të jap të drejtën. Kërkojmë mbrojtje nga shteti, pasi ndihemi të rrezikuar”, thekson në deklaratën e tij për A1 Report dhe Shqiptarja.com, Marash Marashi, vëllai i të arratisurit, Fran Marashi.
 
Shtëpia e Marashit nuk ishte e rrethuar me uniforma policie. Edhe tek shtëpia e Admir Tafilit nuk ka pasur efektivë policië. Në rrugët kryesore të Shkodrës, nuk ka asnjë postobllok.  I vetmi postobllok është në Kryebushat me 3 policë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)