FIER- Një ditë para se 17-vjeçari të plagosej me thikë në gjimnazin e Cakranit në Fier, xhaxhai i tij thotë se ishte ushtruar kontroll ndaj nxënësve për sende të mprehta pasi kishte dyshime. Në një prononcim për Report Tv, xhaxhai i 17-vjeçarit që u plagos sot me thikë brenda oborrit të shkollës, bën thirrje për forcim masash dhe kontrollesh në shkolla.
Madje vetë xhaxhai thotë se nipi ka rrëfyer se dje, 11 dhjetor, ka pasur kontroll në shkollë. Xhaxhai i tij ngre shqetësimin e rrjeteve sociale, duke thënë se duhet mbyllur TikTok, një çështje që tashmë është hedhur për konsultim nga qeveria që pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
"Unë jam xhaxhai i djalit të dëmtuar. Falënderoj personat që kanë ndihmuar. Jam shumë dakord me atë që Tik-Tok të mbyllet, mos të lejohen më telefona në orët e mësimit. Ka pasur kontroll një ditë më parë tek klasa. Si duket ka pasur dyshime për këtë ngjarje. Është bërë një kontroll me sa kemi mësuar ne dhe e shpreh edhe vetë djali i dëmtuar që ditën e djeshme është bërë kontroll për sende metalike. Sot në momentin që kanë hyrë në 8 e çerek ka ndodhur kjo që ndodhi. Këto gjëra i di që nga roja, oficeri. Të forcohet ligjim, shteti. Se edhe mësuesja s’po bëjë kontroll nëpër xhepa orë e minutë. Autoriteti i mësuesit ka humbur fare, është zero. Ta themi siç është e vërteta", thotë xhaxhai.
17-vjeçari mbeti i plagosur ditën e sotme, 12 dhjetor, në oborrin e gjimnazit në Cakran. Konflikti mes dy adoleshentëve i nisur mbrëmë në Snapchat u zhvendos në oborrin e gjimnazit të Cakranit në Fier, ku 17-vjeçari plagosi me biçak shokun e tij të shkollës. Ngjarja ndodhi një muaj pas vrasjes së 14 vjeçarit Martin Cani nga shoku i tij i shkollës. Policia shoqëroi autorin, ndërsa mori dëshminë e 2 mësuesve që kanë parë të gjithë sherrin
Lajmi kryesor: