Florian Vlashi surprizon me “Alla
shqiptarçe” në Festivalin e Santiagos

Florian Vlashi surprizon me “Alla<br />shqiptarçe” në Festivalin e Santiagos
TIRANE - Dramë dhe hare. Në telat e violinës së tij shijon atë lloj muzike që vjen aromë Shqipërie, ku dëgjohen gurgullimat e krojeve, fëshfërimat e valëve të detit e zhaurimat e lumenjve. Po flasin për violinistin me famë botërore Florian Vlashin, mjeshtrin që ka ringjallur veprat e autorëve shqiptarë në festivalet e Spanjës, në Madrid e Santiago, por edhe gjetkë. Dhe sërish ai pritet të befasojë ekskluzivisht publikun në festivalin Xornadas de Muzica Conteporanea 2015, që do të mbahet në Santiago më 19 tetor ku do të interpretojë “Alla shqiptarçe”.

Vepra është kompozuar nga Vaso Tole. Ndërsa muzika vjen si “një përqafim traditash jug-veri”, siç thotë violinisti Vlashi. Bukuria e kësaj muzike i ka rënë në vesh edhe muzikologut të njohur grek Jorgos Leocakos, i cili mes të tjerave shkruan: ”Urimet e mia më të thella për Alla Shqiptarçe, për violinë solo, një kryevepër e vërtetë e të gjithë literaturës muzikore shqiptare! Kjo, padyshim ishte ideja e një gjeniu që ka shfrytëzuar në simbiozë të dyfishtë të stileve të muzikës popullore (veri dhe jug të Shqipërisë), me sa duket “të ndryshme”, për ta adaptuar me mundësitë polifonike të violinës.”

Ndërsa kemi mësuar vlerësimet e para për “Alla shqiptarçe”, Florian Vlashi, që aktualisht ndodhet në Spanjë, rrëfen për “Shqiptarja.com” historinë e kompozimit, protagonistët e kësaj vepre, duke folur ndërkohë edhe sesi duhen ruajtur vlerat e muzikës popullore, përmes studimit dhe interpretimit profesional.

florina vlashi

Si mund të na e rrëfeni me "gjuhën" e profesionit përmbajtjen e interpretimit tuaj “Alla Shqiptarçe” në Spanjë?
 "Alla shqiptarçe" është një vepër mjaft interesante, e ndërtuar mbi bazën e motiveve të Jugut dhe të Veriut të Shqipërisë, motive që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës si një "dialog" i vjetër e i pakohë. Duken aq larg, si dy botë të ndryshme dhe, njëherësh, aq afër. E në fund shkrihen në një kadencë virtuoze si në një "përqafim" plot jetë.

Florian, ju jeni përballuar disa herë me publikun ndërkombëtar, duke përcjell motive tradicionale shqiptare. A ndihet kjo muzikë në veshët e publikut të huaj ndryshe nga muzika ballkanike. Nëse po, cili është sekreti i origjinalitetit?
Është e vërtetë, kam luajtur shumë vepra të autorëve shqiptarë, krijues nga Shqipëria apo Kosova, dhe publiku spanjoll është befasuar, jo vetëm me profesionalizmin e kësaj krijimtarie që është në nivelet më bashkëkohore të muzikës që shkruhet sot, por edhe me atë energjinë e veçantë që ka brenda në një përmasë të çuditshme edhe dramën edhe harenë.

A mund ta rrezikonte karrierën e ngritur me mundim në skenat e botës “guximi: juaj për të eksperimentuar?
Unë i dedikohem kryesisht muzikës bashkëkohore, ose më mirë me thënë, muzikës së shekullit XX e deri në ditët tona. Edhe ansambli që unë drejtoj quhet "Grupo Instrumental Siglo XX". Ti dedikohesh kësaj muzike ka rrezikun brenda, përsa i përket publikut dhe popullaritetit. Por nga ana tjetër, është një aventurë sa tërheqëse aq dhe pasionuese; je edhe zbulues edhe bashkëkrijues i veprave të reja, i territoreve të panjohura. Muzika shqiptare nuk mund të ishte jashtë kësaj aventure.

Këtë radhë ju keni bashkëpunuar me muzikologun Vaso Tole, si nisi ky bashkëpunim?   
Me Vaso Tolen kemi studiuar ne ILA. Ishim në një klasë. Kemi qenë shumë të lidhur, sepse na bashkonin shijet dhe interesat për artin modern. Për çudi, me gjithë respektin për njëri-tjetrin, asnjëherë nuk bashkëpunuam. Kjo edhe për faktin që unë kam 23 vjet që jam vendosur në Spanjë. Para disa vitesh unë i kërkova të më shkruante një vepër, qoftë për grup dhome apo për violinë solo dhe, më në fund, disa muaj më parë më dërgoi veprën për violinë solo, të cilën unë e programova në projektet e ardhshme këtu në Spanjë. Duke e njohur mirë karrierën e Vasos në krijimtari dhe në muzikologji, isha i sigurt se vepra që do të më dërgonte, do të ishte sa profesionale aq dhe... "alla shqiptarçe".

Si nisi udhëtimi juaj drejt suksesit. Kjo pyetje nuk u bëhet për herë të parë, por mbase në këtë rrëfim do të nxisim të na tregosh diçka që nuk e ke thënë?
 Zanafilla është fëminia. Aty ngjizet gjithçka. Aty formohet personaliteti, karakteri, fati yt. Aty vizatohet harta jote. Unë jam munduar të jem thjesht një profesionist i mirë. Dhe, nëse ka një udhëtim drejt suksesit, siç thoni ju, unë jam vazhdimisht në udhëtim në "territore të panjohura" të asaj muzike të cilës nuk ja di fundin. A nuk është vetë Arti një udhëtim shpirtëror për të komunikuar mes njerëzve?

Ke në plan interpretime të tjera të muzikës shqiptare, cila është ajo muzikë që do të ëndërroje ta risillje të interpretuar në violinë?
Po, kam disa vepra të autoreve shqiptarë të programuara në festivalet në Spanjë si në Madrid e Santiago. Në koncertet në vazhdim do jenë Dorian Cene dhe Rauf Dhomi që kanë shkruar për mua dy vepra vërtetë mjeshtërore. Bashkë me to, numri i veprave shqiptare të luajtura në Spanjë arrin në 18. Nuk është shumë në krahasim me 121 premierat absolute që kam në repertor, por është një numër në rritje ku përfshihen vepra dhe autorë për të cilët ndjehem krenar. 

Ndërsa ëndrra ime është të luaj ato vepra që konsiderohen më madhoret e muzikës së dhomës të shekullit XX. Në këtë rrugë (udhëtim) jam që prej 19 vjetësh që kur krijova Grupo Instrumental Siglo XX. Deri tani kemi në repertor, jo më pak se 200 vepra. 
 
Së fundi, tani që je i famshëm…, e kush nuk do të dijë diçka dhe nga biografia juaj si artist. Mund të na tregoni për përbërjen e familjes suaj, lidhjet që ke me ta dhe dashurinë tuaj të jetës?
Nuk bëhet fjalë të jesh i famshëm. E rëndësishme është të jesh në shërbim të diçkaje dhe ajo që ti bën të ketë kuptim e të vlejë për diçka. Bashkë me time shoqe Redianën, edhe ajo violonçeliste, mundohemi që dy djemtë tanë, si Danieli në violinë dhe Martini në violonçel, të edukohen me vlera të mirëfillta njerëzore, larg konsumizmit, garës apo etheve të fames. Kryesorja është të jenë, jo të rëndësishëm, por të vlefshëm. Dhe mbi të gjitha, të lumtur.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Tetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Tragjedia në Shkodër, flet fqinji i babit të Alma Arrazit: I kishte kërkuar ndihmë të atit pak ditë më parë

Tragjedia në Shkodër, flet fqinji i babit të Alma Arrazit: I kishte kërkuar ndihmë të atit pak ditë më parë