Floriana Garo:"Së shpejti
prezantuese e një emisioni"

Floriana Garo:prezantuese e një emisioni"">
Ajo ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në “Miss World 2012”,konkursi i bukurisë i cili u zhvillua gjatë muajit gusht në Kinë. Me bukurinë, freskinë, sharmin dhe buzëqeshjen që e karakterizon Floriana Garo bëhet pjesë e suplementit "THASH& THEM". Garo na tregon për eksperiencën në "Miss World", mikeshat Misse më të cilat ende ruan kontakte si dhe dashurinë për Tedin, djalin që i ka rrëmbyer zemrën bukuroshes.Ndërkohë "vajza e motit", ashtu siç edhe është përkufizuar, shprehet se së shpejti do të jetë pjesë e një emisioni televiziv të drejtuar nga vetë ajo.

Floriana me çfarë aktivitetesh, të cilat kanë lidhje me modelimin, jeni duke u marrë aktualisht?

Unë jam imazh i firmës së veshjeve Cortefiel në Shqipëri dhe aktualisht po merrem me prezantimin e koleksionit Vjeshtë 2012. Një reklamë e re me veshjet e këtij koleksioni do të shfaqet së shpejti në televizionet shqiptare.

Po pas eventit “Miss World 2012”, cilat kanë qenë angazhimet tuaja?

Kam vazhduar punën time në televizion, kam prezantuar ceremoninë e diplomimit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë si dhe jam marrë me fushatën publicitare të Cortefiel.Ndërkohë, një pjesë të madhe të kohës ia kam kushtuar edhe intervistave të ndryshme në televizion dhe në shtyp.

Çfarë peshe është të përfaqësosh vendin në një kompeticion kaq të rëndësishëm, si e ndjetë veten?

Është një peshë e madhe në fakt, të cilën e kam ndier shumë, sidomos gjatë kohës që shpenzova në Kinë. Një fushatë e tërë mediatike për të promovuar përfaqësimin e Shqipërisë në "Miss World" në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, më krijoi një emocion dhe motivim të papërshkrueshëm. Unë dhashë më të mirën time, duke dashur me shpirt të bëja krenar të gjithë fansat dhe njerëzit që mua më kanë mbështetur gjatë këtij udhëtimi të rrallë. Koha atje ka qenë një miks ndjenjash dhe emocionesh, ku unë kam qeshur shumë, kam krijuar kujtime të mrekullueshme e jam prekur thellë nga ndodhi të ndryshme. "Miss World" ka qënë absolutisht eksperienca më mbresëlënëse e jetës time.

Si e vlerësoni pjesëmarrjen tuaj në këtë kompeticion?

Unë kam shpalosur atje të gjitha vlerat dhe cilësitë e mia duke ngritur në qiell emrin dhe imazhin e vendit tonë. Gjithashtu kam sakrifikuar duke dalë jashtë natyrës time në disa raste në mënyrë që të përshtatesha me ambjentin në "Miss World". Nga reagimi i publikut, mesazhet e pafundme pozitive e inkurajuese dhe vëmendja e konsiderueshme që më është dedikuar nga media e huaj, më ka bërë të mendoj se kam arritur atje më të mirën time. E them me bindje të plotë që nëse do të kthehesha në kohë, nuk ka asgjë që do të bëja ndryshe. Edhe pse e trishtë për tu pohuar, rezultati nuk varej absolutisht nga unë apo nga performanca ime, por krejtësisht nga faktore gjeo-politikë.

Çfarë marrëdhënie kishit me konkurrentet e tjera?

Kisha një marrëdhënie të ngrohtë dhe miqësore me pjesën më të madhe të miseve. Ne komunikonim lirshëm për tema të ndryshme: flisnim për kulturat dhe vendet tona, tregonim histori, bënim shaka me njëra-tjetrën dhe diskutonim rreth ngjarjeve të "Miss World".

Me kë keni zënë më shumë miqësi dhe vazhdoni t'i ruani ato?

Miket e mia më të ngushta u bënë Miss Italia, shoqja ime e dhomës dhe Miss
Gjermania, e cila është me origjinë shqiptare. Me Miss Italinë zhvillova një raport shumë të veçantë. Komunikonim bashkë ne italisht deri në orët e vona të natës, ndanim bashkë çdo problem ose shqetësim, këshillonim njëra- tjetrën për gjëra që nga veshjet e aksesorët madje deri tek mënyra e sjelljes. Shpenzonim kaq shumë kohë bashkë, sa që filluan të na thonin se ngjanim edhe fizikisht. Si me Miss Italinë, edhe me Miss Gjermaninë komunikoj vazhdimisht me telefon
dhe planifikojmë të takohemi së shpejti, ndërsa me vajzat e tjera jam e lidhur nëpërmjet internetit.

Ju jeni pjesë edhe e medias pasi ju kemi parë tek prezantoni motin nëtelevizionin Abc news, në fakt keni menduar të realizoni një emision tuajin?

Ky është plani, mbetet vetëm për tu konkretizuar.

Përveç firmës së njohur Cortefiel keni menduar të jeni imazhi i ndonjë kompanie tjetër?

Nëse do të jetë një kompani shumë e madhe dhe prestigjoze, patjetër që do ta konsideroj. Bota e modës mua më magjeps dhe planifikoj të jem pjesë e saj për sa kohë është e mundur.

Cilat janë disa nga pasionet e fshehta të Florianës?

Pasion i fshehtë i imi që nuk e kam shprehur publikisht është kinematografia. Kam shumë dëshirë ta provoj këtë fushë dhe të shoh se sa vlej. Pasionet e tjera të miat
si udhëtimet, leximi, e volejbolli nuk janë aspak të fshehta.

Sa kohë kaloni duke u kujdesur për pamjen tuaj?

Unë shpenzoj një kohë të konsiderueshme duke u kujdesur për pamjen, sepse e tillë është puna ime. Por edhe nëse nuk do të ishte, nuk mendoj se do të shpenzoja më pak. Për tu bërë gati,shpenzoj rreth 45 minuta në mëngjes dhe rreth 1 orë nëse dal në darkë. Krahas kësaj, çdo muaj bëj pastrim fytyre, manicure/pedicure, trajtim flokësh dhe trupi. Çdo gjë e bukur dhe e shëndetshme kërkon përkushtim.

Po përsa i përket veshjeve?

Moda dhe veshjet janë pasionet e mia, dhe unë i kushtoj shumë rëndësi përzgjedhjes së tyre. Kohën më të madhe e kaloj duke përzgjedhur veshje në internet e duke parë tendencat e fundit të modës. Ndërsa kur ndodhem jashtë vendit, humbas nëpër butiqe,
dhe qendra tregtare duke bërë shopping.

Ju jeni në një lidhje me Teodorin, si është duke ecur lidhja juaj dhe sa kohë gjeni për njëri-tjetrin?

Lidhja jonë po ecën ashtu siç unë e shpresoja. Është një lidhje e fortë dhe e konsoliduar, që mbart një dashuri të thellë. Ai është njeriu me të cilin unë ndaj çdo moment të rëndësishëm ose jo të jetës sime. Të dy kemi angazhime në fushat tona por gjithmonë përshtatemi për të gjetur kohë për njeri-tjetrin.

Cili ishte tipari i tij më i veçantë që ju fitoi zemrën?

Pa dyshim zemërgjerësia e tij! Tedi është si askush tjetër që unë kam njohur. Mua më ka bërë të ndjehem gjithmonë si perëndeshë dhe kjo më ka bërë të dashurohem marrëzisht pas tij.

Cili është profesioni që ju tërheq më shumë modelimi apo prezantimi në televizion?

Të dyja fushat më magjepsin. Prezantimi në televizion mund të jetë për mua një karrierë e pasur, afatgjatë, dhe përmbushëse. Ka qenë ëndërr që unë tani po e jetoj dhe jam shumë e lumtur për këtë. Për sa i përket modelingut, për mua është një profesion plotësues dhe i përkohshëm, por që më jep shumë kënaqësi.

Çfarë kuptimi merr koncepti "e bukur" për ju?

"E bukur" për mua është aftësia dhe mundësia të prekësh thellënjerëzit duke të patur një impakt pozitiv tek ata. Është një armë aq e fuqishme po të përdoret mirë sa arrin të shkrijë zemra e ta ëmbëlsojë botën.

Sa e vështirë është të ruash një imazh gjithnjë perfekt, ashtu siç edhe paraqiteni në çdo dalje tuajën?

Ruajtja e imazhit që kam krijuar është diçka e rëndësishme dhe unë mundohem të jem gjithmonë e rregullt dhe e kuruar. Kjo nuk është shumë e vështirë sepse është diçka me të cilën mësohesh dhe të bëhet si një lëkurë e dytë. Thjesht më duhet të llogaris që përpara se të dal nga shtëpia, t'i kushtoj pak më shumë kohë dhe kujdes pamjes time.

Ju vazhdoni masterin për marrëdhënie ndërkombëtare, a ju pengojnë aktivitetet për t'iu dedikuar atij?

Jo, sepse klasat që unë ndjek janë pasdite dhe gjatë fundjavave nuk interferojnë me oraret e aktiviteteve të mia.

Si është Floriana në përditshmërinë e saj?

Zakonisht paraditet i kaloj në televizion dhe me takime pune. I kushtoj gjithashtu kohë seteve fotografike, leximit, dhe shkollës. Pushimin e drekës më pëlqen ta kaloj me mikeshat e mia të mira ose duke vizituar prindërit e mi. Për sa i përket mbrëmjeve, ato i kaloj me Tedin duke darkuar jashtë e duke ndjekur aktivitetet kulturore e artistike të kryeqytetit, ose thjesht duke parë ndonjë film, ndeshje futbolli, ose program televiziv në shtëpi.

Ku i kaluat pushimet këtë vit?

Pushimet e mia këtë vit nisen me një udhëtim me yacht( jaht) që bëmë në ishujt e Kroacisë në muajin Maj. Ishte një udhëtim shumë relaksues ku shijuam detin, ushqim shumë të shijshëm, dhe shoqëri të mirë. Pastaj pushova në Pekin disa ditë, pas experiences së bukur por të lodhshme të Miss World. Së fundmi, tani në fund të shtatorit kalova disa ditë në një resort të Korfuzit. Koha ishte shumë e ngrohtë dhe plazhi perfekt.
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)