Fundjava që lamë pas, por edhe orët e para të javës së dytë të prillit, janë shoqëruar me lëvizje të dendura në të dyja anët e kufirit Shqipëri–Kosovë.
Në pikën kufitare Morinë–Vërmicë është regjistruar një fluks i lartë hyrje-daljesh, duke konfirmuar edhe njëherë intensitetin e qarkullimit mes dy vendeve, pavarësisht rritjes së çmimit të karburanteve.
Fluksi i shtuar i kësaj te hene lidhet edhe me pushimet per festën e Pashkëve Katolike, por edhe me kushtet e favorshme atmosferike, që kanë nxitur udhëtimet familjare, vizitat e shkurtra, lëvizjet turistike dhe qarkullimin tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Të dhënat zyrtare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës tregojnë se vetëm gjatë së shtunës dhe të dielës, në hyrje drejt Shqipërisë kanë kaluar 16.517 shtetas të Kosovës, me 6.328 automjete.
Ndërsa në drejtim të kundërt, në dalje nga Shqipëria drejt Kosovës, janë regjistruar 15.709 shtetas shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar me 5.627 automjete.
Lëvizje të tilla janë kthyer tashmë në një panoramë të zakonshme në pikën kufitare Morinë–Vërmicë, veçanërisht gjatë fundjavave, festave dhe periudhave me mot të mirë, kur rritet ndjeshëm frekuentimi mes dy vendeve.
Si një nga pikat më të rëndësishme kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, Morinë–Vërmicë vazhdon të mbetet porta kryesore e hyrje-daljeve, sidomos në periudhat kur shtohen vizitat familjare dhe interesi për lëvizje turistike.
Komente










