POGRADEC-Mbi 130 pacientë, fëmijë dhe të rritur kërkojnë ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Pogradecit për shkak të virozave sezonale dhe gripit. Sipas mjekëve, grupmoshat më të prekura janë fëmijët dhe të moshuarit.
Bexhet Liçkollari, shefi i sherbimit spitalor në Pogradec tha se që në prag të Krishtlindjeve pati një rritje të fluksit të fëmijëve në pediatri, por edhe të të rriturve në urgjencën e përgjithshme. Në pediatri rritje të numrit të fëmijëve me viroza të rrugëve respiratore me virusin e influencës, duke kapur gjithë grupmoshat e fëmijëve. Rreth 60-70 fëmijë në 24 orë paraqiten per vizita.”
Mjekët bëjnë me dije se edhe numri i vogëlushëve të shtruar në spital është i lartë.
“Po, ka shumë shtrime. Në pediatri janë bërë rreth 100 shtrime për 10 ditë. Është fluks i lartë domethënë i shtrimeve me fëmijët, grupmosha është e ndryshme”, thekson Liçkollari.
I njëjti fluks vërehet edhe në urgjencën e të rriturve.
“Tek të rriturit janë paraqitur në urgjencën e përgjithshme rreth 70 pacientë me viroza, gastroenterite, tonsilite, me temperatura malinje”, shton me tej.
Mjekët këshillojnë që si fëmijët ashtu edhe të rriturit të paraqiten për vizitë mjekësore që në ditën e dytë të shfaqjes së simptomave, për të shmangur komplikacionet. Kujdes i shtuar kërkohet edhe nga pacientët me probleme kardiake, pasi mjekët shpjegojnë se temperaturat e ulëta i përkeqësojnë sëmundjet.
Komente










