Fshati Mesmal, në Bashkinë e Maliqit, prej ditës së djeshme vijon të jetë plotësisht i izoluar, pas çarjes së argjinaturës së një kanali që shërben për shkarkimin e ujërave të një hidrocentrali në këtë zonë.

Situata ka sjellë bllokimin e dhjetëra familjeve dhe mbi 20 ferma, duke e bërë të pamundur lëvizjen në aksin kryesor të fshatit.

Sipas banorëve, rruga është totalisht e pakalueshme për mjetet, ndërsa izolimi po e vështirëson ndjeshëm përditshmërinë e tyre dhe krijon rrezik serioz në rast emergjencash shëndetësore.

Florant Delollari banor i zonës, shprehet se për të dalë nga fshati janë të detyruar të ecin për rreth një orë në këmbë, ndërsa për transport alternativ kanë paguar deri në 4 000 lekë të vjetra për të zbritur në qytetin e Maliqit.

 “Jam banor i fshatit Mesmal. Në këtë rrugë nuk kalohet as me këmbë. Sot kam paguar taksinë 40 mijë lekë për të ardhur këtu. Rreth 400-500 familje janë të prekur nga kjo situatë, por asnjeri nuk ngrihet. Nëse kemi një të sëmurë nuk kemi ku ta çojmë. Rreziku është në maksimum. Fshati është i izoluar plotësisht, nuk na ka ardhur asnjeri”, tha ai.

Situata konsiderohet kritike, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për hapjen e rrugës dhe rikthimin e aksesit normal në fshat, pas disa ditësh izolim.

Bashkia e Maliqit, veçanërisht në zonat e saj të sipërme, vijon të përballet me probleme të përsëritura të erozionit dhe rrëshqitjeve të dherave në akset rurale. Pas kontaktit me zyrtarë të Bashkisë Maliq, bëhet e ditur se rrëshqitja e dheut në rrugën e Mesmalit, është regjistruar mbrëmjen e djeshme. Ndërsa aktualisht janë dërguar disa mjete për hapjen dhe sistemimin e kësaj rruge, e cila së shpejti do të jetë e aksesushme nga banorët.


Lajmi kryesor:

Përmbytjet/ Uji tërhiqet nga tokat, fermerët: Iku mundi i jetës! Në Durrës 543 të evakuuar! Protestë në Dimal e Maliq