Ministri i Financave në Shqipëri, Shkëlqim Cani, ka theksuar se situata makroekonomike në vend ndodhet në nivele kritike, ndërsa ka shtuar se për të normalizuar situatën nevojitet rritje e borxhit publik në nivelin 67%. Sipas ministrit Cani, pritet një rritje me e dobët ekonomike nga sa ishte parashikuar, duke realizuar një rritje ekonomike në 1.7% për vitin 2014.
Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, është shprehur se nevojitet konsolidim i financave publike, për të mundësuar një sistem të qëndrueshëm financiar, si dhe krijimi i një klime favorizuese për biznesin.
Në fjalën e tij, Ministri i i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ka theksuar se situata e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi, është pasojë e keqqeverisjes nga qeveria e kaluar, ndërsa ka shtuar se "do të nevojitet zbatimi i masave të parashikuara dhe realizimi i reformave, në mënyrë që vendi të rikthehet drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike".
CANI: SITUATA MAKROEKONOMIKE NE VEND ESHTE KRITIKE, PRITET RRITJE E BORXHIT PUBLIK
Ministri i Financave është ndalur tek situata ekonomike dhe financiare në të cilën ndodhet vendi, duke theksuar se pritet të ketë një ndryshim të pritshmërive mbi të ardhurat dhe borxhin, ndryshe nga sa ishte parashikuar për vitin 2013. Sipas ministrit Cani, niveli i të ardhurave për 8 muajt e parë të 2013, është 7.2 % më pak nga sa ishte parashikuar në planin e buxhetit, ndërsa thekson se pritet një rritje e nivelit të borxhit në 67%.
“Në 8 muajt e 2013 210.5 mld lekë, janë 7.2 % më pak nga plani i buxhetit të vitit 2013, për 8-mujorin, dhe janë 3.8 % më pak të ardhura se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për muajt e fundit të vitit pritet një realizim i të ardhurave më i mirë. Ky është nivel i ulët i të ardhurave. Nevojiten jo më pak se 24 mld borxh shtesë për vitin 2013, për të mbyllur financimin e deficitit. Shpenzimet pritet të arrijnë diku tek 405 mld lekë. Deficiti aktual dhe i pritshëm i buxhetit është më i larta nga sa pritej. E vetmja zgjidhje është thyerja e kufirit të borxhit dhe deficitit publik. Borxhi nuk do jetë 64% sa ishte zotimi i qeverisë së mëparshme, por diçka mbi 67 %. Këtu nuk përfshihet borxhi i fshehtë, pasi po të shtohet edhe kjo pjesë, vetëm pjesa e detyrimeve që shteti i ka biznesit, deficiti do arrinte në fund të 2013 jo më pak se 71%. Në 2014, synimi kryesor është për ta vënë borxhin nën kontroll, por aq sa për të mos penguar rritjen ekonomike, i cili është po aq shqetësim për ne sa edhe borxhi”, u shpreh ministri i Financave.
Për shkak të detyrimeve të prapambetura që shteti ka ndaj biznesit apo kategorive të tjera, sipas ministrit Cani shihet e nevojshme rishikimi i buxhetit për vitin 2013. Ndërsa thekson se për vitin që vjen parashikohet një rritje gati 2-fish më e ulët nga sa ishte parashikuar, duke zbritur në një rritje prej 1.7%.
“Është programimi afatmesëm i shifrave, por kemi biseduar edhe për programimin afatgjatë. Nga mospagesa prej muajsh e detyrimeve, pengohet puna në realizimin e objektivave të ndryshme. Janë disa shuma që presin rimbursim nga qeveria. Kreditimi po kështu është stopuar, ndërsa është rreth 23-24 % niveli i kredive të këqija. Nga të gjitha shifrat që u dhashë që shteti ka ndaj bizneseve do të saktësohen në një kohë të dytë, pasi janë vlerësime të fondit monetar dhe tonat, dhe janë shifra të njëjta. Rritja ekonomike për vitin që vjen do jetë 1.7-1.9 %, gati e përgjysmuar nga ajo që ishte parashikuar. Po bashkëpunojmë me FMN, BB dhe institucione ndërkombëtare, me synimin që buxheti i këtij viti që do rishikohet të jetë sa më realist dhe të përmbushe detyrimet që kemi ndërmarrë në programin e qeverisë”, tha ministri Cani.
Më tej, ministri Cani është shprehur se kjo situatë makroekonomike ishte e pritshme, ndërsa shton se qeveria e re do të marrë masat e nevojshme për të përmirësuar situatën, dhe për të mundësuar rikthimin e vendit drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.
“Gjendja është vërtet e rëndë, por jo e pashpresë. Ne ishim të përgatitur për masat që do të merrnim. Ne tashmë jemi përballë zgjedhjeve të detyruara. Puna jonë do kalojë në tre faza, duke synuar në radhë të parë daljen nga emergjenca, stabilizimin e gjendjes dhe kthimin në gjendjen e qëndrueshme të rritjes së ekonomisë. Për këtë do të dërgohet shumë shpejt në Kuvend për rishqyrtimin buxheti i 2013, me ulje të të ardhurave 40 mld lekë më pak nga sa ishte parashikuar në fillim buxheti, do ketë ulje të shpenzimeve,d he rritje të deficitit buxhetor me 24-25 mld lekë. Do bëjmë përpjekje për të kapur kohën e duhur në derdhjen e pagesave në thesar. Pasi ka 9 mld dollarë fatura të prapambetura. I kërkojmë biznesit bashkive dhe institucioneve të ndryshme, të na mirëkuptojnë se nuk është pasojë jona, por pasojë e rrjedhës, e qeverisë që iku. Borxhi publik duhet të jetë jo më pak se 67 %”, vijoi ministri.
Ndërkaq, ministri i Financave është ndalur edhe tek masat që do të ndërmarrë qeveria e re në kuadër të realizimit të premtimve të bëra gjatë fushatës elektorale sa i përket vendosjes së taksës progresive, taksës zero për biznesin e vogël, e të tjera reforma.
“Për fazën e emergjencës mendojmë të ndryshojmë nivelin e taksave, dhe rritjes së eficencës. Do fokusohemi në rritjen e bazës së taksës, për të shmangur evazionin. Do të prezantojmë taksën progresive, do heqim taksën për biznesin e vogël, do prezantojmë modelin e ri të taksimit jo për biznesin e vogël, do hartojmë një program për derdhjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe heqjen e TVSh për prodhimet e shportës, si dhe ndihmën e kategorive në nevojë. Synojmë rritjen e eficencës për taksat dhe detyrimeve. Po kështu do fokusohemi edhe tek rimodelimi i shkëmes së pensioneve pasi është një skemë totalisht e dështuar. Po kështu do të njohin përmirësim thelbësor marrëdhëniet me biznesin. Tabloja është kjo që është, por optimizmi nuk ndryshon, me këto masa synojmë një normalizim të situatës, ulje të borxhit publik, dhe duke u hapur kështu rrugë mundësive për realizmin e programit tonë politik”, tha në fund të fjalës së tij ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
I pyetur mbi një hua të mundshme 20 miliardë lekëshe nga FMN, ministri Cani u shpreh: "Kemi diskutuar për të gjitha opsionet, edhe për huanë. Shuma mbase është 20, mbase 40 miliardë, nuk e kemi fiksuar, sa të jetë nevoja. Unë s’di që të ketë hua pa kushte, nuk ka hua në botë pa kushte. Edhe në treg kur emeton letra me vlerë duket sikur s’ke kushte, por ke. Ne jemi të hapur. Nuk kemi kufizim nga do ta marrim huanë. Mua më shqetëson që të jetë me kosto sa më të ulët dhe huaja më e mirë që i vjen ekonomisë".
FMN: SHOHIM EKONOMI TË DOBËT, RRITJA EKONOMIKE 1,7%, BORXHI KALON 70%
"Kemi ardhur me ftesë të qeverisë së re për t’u konsultuar për buxhetin dhe për të bërë një analizë të situatës ekonomike në tërësi", tha Nadeem Ilahi, shefi i FMN në Shqipëri.
Ai më tej ka deklaruar: "Ne shikojmë dobësi në ekonomi. Presim që rritja ekonomike në 2013 të jetë 1,7%. Dobësi në kërkesën e brendshme, në kreditim të ngadalshëm, në bilancin e biznesve, që kanë ndikuar në klimën ekonomike. Nëse fillohet me politika dhe reforma mendojmë se vitin e ardhshëm rritja të jetë 2,3-2,5%".
Sipas tij, problemet përgjithësisht vijnë nga sektori fiskal. "Shikojmë devijime të politikës fiskale, sidomos pjesën e parë të vitit 2013 për shkak të mosrealizimit të të ardhurave krahasuar me pritshmëritë dhe shpenzimet".
"Është historia e detyrimeve të akumuluara të pashlyera. Kemi konstatuar edhe para një viti, që problemi ka ardhur duke u përkeqësuar. Misioni këtë herë erdhi të bënte një vlerësim të detyrimeve të prapambetura".
"Ky është një ushtrim jo preciz, se duhet më shumë punë për vlerësim të saktë, por një vlerësim paraprak për këto detyrime është:...sipas vlerësimmit tonë jo vetëm për fatyrat që ekzistojnë, por dhe ato që..janë detyrime në transporte, mjekësi, arsim, detyrime 56 miliardë lekë, ose 4,1% e GDP", tha Ilahi.
Ai ka shpallur se "nëse këto do llogariteshin në borxhin publik të shpallur, atëherë shifra kalon 70% të prodhimit të përgjithshëm bruto".
"Është situatë me çekuilibra ekonomikë, në një kohë kur mjedisi ekonomik është mjaft i dobët. Këshilla që kemi ndarë me autoritetet është që qeveria duhet të mndërmarrë një plan atamesmë për qëndrueshmërinë e financave publike", vijoi ai.
Ndër këshillat e tjera që FMN u dha autoriteteve shqiptare është se duhet një objektiv afat mesmë për 5 vite apo më gjatë për të ulur borxhin. Në dy vitet e ardhshme masa e korrektimit nuk mund të jetë shumë agresive. Këshilla jonë është të ulet deficiti fiskal, duke nisur nga viti 2015.
Borxhi në terma të korrektimit fiskal duhet të ishte 1-1,2% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Reforma në fushën e taksave se aty përkeqësimi ka qenë mjaft i keq. Ndryshime në politika tatimore.
Një nga detyrat e misionit të FMN në këtë vizitë në Shqipëri është dhënia e pasojave apo politikat për shpenzimet, që duhet të kishin një set masash dhe qeveria të vendosë në varësi të impaktit që mund të kenë.
"Mbështetja ndaj të varfërve duhet bërë me shpenzimet e targetuara buxhetore e jo me lehtësira tatimore", këshilloi shefi i FMN në Shqipëri.
AI ka këshilluar edhe zgjidhjen e çshtjes së detyrimeve të prapambetura të shtetit ndaj bizneseve. "Për ne qeveria duhet të bëjë përpjekje sistematike për të dokumentuar detyrimet e prapambetura dhe një thirrje biznesit privat. Pasi të bëhet procesi i verifikimit dhe listimit dhe të ketë një vlerësim të paanshëm dhe një plan si do shlyen, pasi kanë qenë një faktor negativ për ekonominë, që ka ndikuar në nivelin e ulët të kreditimit".
"Njëkohësisht qeveria reforma për të parandaluar krijiimn e këtyre detyrimeve në të ardhmen: Reforma në sistemin e menaxhimit të financave publike. Kursi i veprimeve përtej vitit 2014, pasi borxhi është i lartë, s’kryhet në një vit".
"Sugjerim për 3 fusha ku mund të fokusohemi për axhustimin e financave publike: duke ditur që skema e pensioneve është në deficit dhe skema e popullsisë ende e re, duhet një reformë pensionesh duke nisur nga viti 2015".
"Reforma në sektorin e energjisë e nevojshme sepse shkakton rreziqe sistematike dhe shkakton presione në buxhet".
"Banka e Shqipërisë ka lehtësuar politikën monetare për të nxitur kreditimin. Por efektet kanë qenë të limituara për shkak të bilanceve të firmave private dhe nivelit të kredive nën standard. Kemi diskutuar me BSH dhe autoritetet kemi diskutuar për masa. Komisioni i vlerësimit financiar që vjen në fund të tetorit në Shqipoëri mudn të ketë rekomandime më të detajuara", tha shefi i FMN-së.
"Ka një balancë fine për të gjetur masën e duhur të korrektimit fiskal, pa e shtrënguar ekonominë. Vitin e ardhshëm 1,5% e GDP të korrektimit, edhe në 2015. Vitin tjetër do ketë rritje të borxhit. Synimi: me anë të masave dhe tatimeve në 2015 borxhi duhet të shënojë ulje".
I pyetur nga gazetarët në lidhje me taksën progresive të qeverisë Rama, shefi i FMN u përgjigj se "FMN ka diskutuar me autoritetet dhe ka dhënë opsione në marrjen e taksës progresive, përcaktimi i nomrave. Cilat do ishin impaktet, duke u bazuar në praktikat më të mira. Kanë kërkuar kohë për të shqyrtuar këto opsione".
Shefi i FMN përsëriti se nuk ka shumë hapësirë për të ulur taksat. Mënyra më e mirë për të mbështetur të varfëri është të bëhet me shpenzimet e targetuara buxhetore e jo me lehtësira tatimore", këshilloi shefi i FMN në Shqipëri.
FULLANI: EKONOMIA NË VEND SHFAQ RRITJE TË DOBËT
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është ndalur tek niveli i dobët i kërkesës në vend, si dhe investimet e ulëta, që sipas tij reflektohet në një rritje të dobët ekonomike.
“Këto dy javë kemi pasur bisedime intensive me FMN lidhur me situatën në vend, dhe perspektivat e vendit. Në takimet e përmuajshme ne ndajmë me ju ecurinë e ekonomisë. Ekonomia shqiptare po vuan nga kërkesa e dobët agregate, e cila reflekton rritje të ulët të ekonomisë. Shpenzimet e familjeve, të sektorit privat, investimet, etj; nuk arrijnë të vënë në shfrytëzim të plotë kërkesat e ekonomisë sonë. Ka vështirësi për shumë biznese dhe krijon rritje të kredive me problemeve. Kërkohen politika për nxitje dhe stimulim të ekonomisë. Vëmendje i duhet kushtuar edhe zbutjes së pasigurisë në ekonomi. Rritja e borxhit rrit vulnerabilitetin e ekonomisë shqiptare, dhe dobëson sigurinë”, u shpreh Fullani.
Sipas Guvernatorit Fullani, nevojitet konsolidim i financave publike, për të mundësuar një sistem të qëndrueshëm financiar. Sistemi bankar, sipas guvernatorit, vijon të jetë fitimprurës ndërsa shton se nevojitet përmirësim i kuadrit ligjor sa i takon ekzekutimit të kolateralit.
“Konsolidimi i financave publike duhet të ankorohet në një situatë më të qetë dhe transparente. Stabiliteti ekonomik e financiar është i domosdoshëm për një rritje të ekonomisë. Për këtë ne kemi mundësuar uljen e normës bazë të interesit. Po kështu jemi fokusuar tek stimulimi i kredidhënies. Sistemi bankar mbetet fitimprurës dhe likuid. Dh kjo duhet ë jetë në vazhdim në vëmendjen tonë. Prioritet është garantimi largimi i pasigurive në ekonomi dhe garantimi i primeve. Pasiguria vjen më shumë nga investimet huaja, pasi nuk ka siguri, nga frika e informalitetit. Synohet krijimi i një klime të përshtatshme për biznesin. Dhe të garantohet zbatimi i kontratave. Reflektimi i kësaj është i menjëhershëm. Po kështu nevojitet përmirësimi i kuadrit ligjor sa i takon ekzekutimit të kolateralit. Kjo do i garantonte sistemit bankar se Shqipëria është një vend i sigurt ku mund të kreditosh. Ekonomia shqiptare vuan edhe nga dobësi strukturore, të cilat kufizojnë ritmin e rritjes”, tha Guvernatori Fullani.
AHMETAJ: SITUATA E VËSHTIRË EKONOMIKE, SHKAK I KEQQEVERISJES SË KALUAR
Ministri i i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ka theksuar se situata e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi, është pasojë e keqqeverisjes nga qeveria e kaluar. Sipas Ministrit Ahmetaj, do të nevojitet zbatimi i masave të parashikuara dhe realizimi i reformave, në mënyrë që vendi të rikthehet drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.
“Situata në të cilën ndodhet vendi është shkak i keqqeverisjes së qeverisë së kaluar, dhe keqmenaxhimit të financave, edhe për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj biznesit. Rritja ekonomike për këtë shkak do të jetë gjysma e asaj që ishte parashikuar. Por qeveria është e qartë për masat dhe reformat që duhet të ndërmarrë në vitet që vijnë. Synimi i përbashkët është rritja ekonomike. Por që të arrijmë tek rritja e qëndrueshme ekonomike duhet të kalojmë një program masash e reformash të cilat do të japin rezultatet e duhura”, u shpreh ministri Ahmetaj.
"SHQIPTARJA.COM" PARASHIKOI BORXHIN 70% TË GDP
Edhe "Shqiptarja.com" print shkruante sot se Fondi Monetar Ndërkombëtar, një mision i cilit po viziton aktualisht Shqipërinë, vlerëson se borxhi publik deri në fund të vitit mund të arrijë në 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë stafit. Aktualisht vlerësohet që niveli i borxhit të ketë arritur në rreth 66% të PBB-së.
Në këto llogaritje futen dhe borxhet e fshehura, apo të prapambetura, të cilat FMN ka këmbëngulur që të llogariten. Në këto kushte, kërkesë e ngutshme është shkurtimi i administratës.
Redaksia Online
(mag/e.s/sg/shqiptarja.com)