FMN e shqetësuar, kërkon
informacion, Financat “pa gojë”

FMN e shqetësuar, kërkon<br />informacion, Financat “pa gojë”
TIRANE - Cilat janë synimet e autoriteteve shqiptare përsa u përket objektivave të borxhit publik në afatin e mesëm?

Cili është kufiri fiskal pas heqjes së tavanit të borxhit prej 60% të PBB-së? Këto janë dy nga pyetjet, që ka shtruar stafi i Fondit Monetar për ministrinë shqiptare të Financave.

Mësohet se ministria e Financave i ka kthyer këto ditë një përgjigje të mjegullt FMN-së, në kuadër të projektit të vlerësimit të Financave, i cili do të ndodhë në muajt tetor-nëntor, me nismë të qeverisë së re.

Në kushtet kur qeveria në ikje është ende në detyrë, shumë përgjigje kanë mbetur pezull, duke ia lënë stafetën ministrit të ri, Shkëlqim Cani.

Duke nisur nga deficiti buxhetor, ulja e borxhit, shpenzimet, etj., për qeverinë aktuale nuk përbën më detyrim që të tregojë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa thuhet se buxhetit sivjet do t’i mungojnë 30 miliardë lekë.

Pyetjeve të mësipërme u është dhënë një përgjigje “sterile”: Ky është një vendim që do të merret nga qeveria e re, si rrjedhojë nuk mund të ketë përgjigje të paktën deri në vjeshtë”.

Lidhur me deficitin fiskal, Financat raportojnë se paraprakisht projektohet një mungesë në të ardhurat buxhetore prej rreth 30 miliardë lekësh, në krahasim me ligjin aktual të buxhetit, miratuar në fund të vitit të mëparshëm. Deficiti për vitin 2013, bazuar në ligjin ekzistues, do të jetë të paktën 4.6% e PBB, nga i cili 3.5% e PBB është miratuar fillimisht që të financohet përmes huamarrjes (si e brendshme ashtu dhe e huaj).

Pas krijimit të qeverisë së re në fillim të shtatorit, ka të ngjarë që të ndodhë një rishikim i buxhetit, ku do të qartësohen të dhënat e fundit. Për momentin, nuk mund të jepet një përgjigje më e qartë të kësaj pyetjeje, sipas ministrisë.

Edhe lidhur me atë se çfarë do të bëhet me privatizimet, ministria e Financave është përgjigjur duke thënë se duhet pyetur qeveria e re në shtator.

Pra, në këto kushte, praktikisht qeveria aktuale ka mbyllur kapitullin e përgjegjësive. “Në vitin 2013 nuk mendohet se do të materializohet ndonjë privatizim shtesë, përveç atyre që janë kryer tashmë (privatizimi i katër hidrocentraleve). Lidhur me periudhën e vitit 2014 dhe më tej, një pikëpamje më e saktë për privatizimet, gjithashtu dhe për politikat e privatizimeve për periudhën afatmesme, do të mund të jepet vetëm në shtator, nga qeveria e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e MF.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Lirimi i Berishës nuk është vendim pafajësie por thjesht masë sigurie

Spahiu: Lirimi i Berishës nuk është vendim pafajësie por thjesht masë sigurie